Deputeti i Patisë Demokratike, Arbi Agalliu, ka reaguar pas vendimit të qeverisë për zgjatjen e afatit të koncesionit të marketimit të karburanteve. Agalliu shprehet se shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve ka qenë kundër kësaj shtyrje, madje shoqatat kanë kërkuar shpjegime nga istitucionet se përse duhet të shtyhet afati i markimit ndërsa nuk kanë marrë asnjë përgjigje zyrtare.

Deputeti demokrat gjithashtu shprehet se shtyrja e tij edhe për një vit do të rëndojë në çmimin e naftës ku do të merren 7-8 milionë euro të tjera nga xhepat qytetarëve.

Reagimi i plotë:

Kontrata e Koncensionarit të Markimit duhet të përfundonte më 01.08.2023, por edhe pas kësaj date kompanitë kanë vijuar të paguajnë, përndryshe nuk u bëhej zhdoganimi.

Shpjegimi që ka dhënë koncesionari për shtyrje lidhet me mosmarkimin e naftës bruto, e cila sipas tyre është e pamundur që të kryhet nga operatorët e tregut.

Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve ka qenë kundër kësaj shtyrje. Madje shoqatat kanë kërkuar shpjegime nga istitucionet se përse duhet të shtyhet afati i markimit. Gjë për të cilën ata nuk kanë marrë asnjë përgjigje zyrtare.

Sipas tyre ky koncesion nuk ka dhënë rezultate për të luftuar kontrabandën, pasi preket nafta që del në treg dhe ajo që nuk paguan akcizë.

Gati për 9 vite janë marrë në çmimin e naftës 30 mln euro. Tarifën e markimit e kanë paguar konsumatorët pasi në çdo litër naftë qytetarëve u merret 1 lekë për litër.

Shtyrja e tij edhe për një vit do të rëndojë në çmimin e naftës ku do të merren 7-8 milionë euro të tjera nga xhepat qytetarëve. Ja pra pse kemi çmimet më të larta në rajon, sepse për çdo litër naftë rreth 130 lekë shkojnë vetëm taksa.