Kryetarja e grupit të grave Parlamentare dhe deputetja e Partisë Demokratike, Merita Bakiu, ka reaguar në lidhje me vrasjet që kanë ndodhur ditët e fundit.

Nëpërmjet një statusi në Facebook, Bakiu shprehet se vrasja e grave në këtë vend është veçse lajm që përsëritet dhe nuk mbetet aktual mbi dy ditë.

Sipas deputetes demokrate, ngjarje të tilla tregojnë se ka dështuar shoqëria, drejtësia, Policia, institucionet.

Postimi i plotë:

Vrasja e grave në këtë vend është veçse lajm që përsëritet dhe nuk mbetet aktual mbi dy ditë.

Është drithëruese dhe keqardhëse. Është trishtuese dhe ulëritëse për shoqërinë e familjen.

Për një nënë sot jeta nuk do të jetë më e njëjtë… Një grua tjetër diku aty në mesin tonë e cila dhunohet dhe ka frikë të reagojë e denoncojë do të flejë e shqetësuar me mendimin se nesër edhe ajo mund të ketë të njëjtin fat.

Thirrje sistemit të drejtësisë për më shumë kujdes, përgjegjësi e profesionalizëm; për të mos pasur vendime të anuara e të motivuara apo vonesa të paarsyetuara që prodhojnë viktima e dhunues.

Ngjarje të tilla tregojnë se ka dështuar shoqëria, drejtësia, Policia, institucionet.

Ngushellime familjeve të viktimave.

Zoti ua lehtësoftë dhimbjen!