Deputetja e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi, thotë se 1 vit më parë, grupi parlamentar i PD paralajmëroi se asgjë e mirë nuk do të vinte nga heqja e kompetencës direkte të Policisë Ushtarake për ruajtjen e sigurisë së pronave të ushtrisë.

Sipas Çupit, sot pronat e ushtrisë janë mall pa zot dhe në duart e krimit të organizuar. Deputetja demokrate gjithashtu shprehet se Ministri i Mbrojtjes nuk mund të bëjë sikur nuk dinte gjë dhe se së bashku me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë duhet të japin dorëheqjen.

Postimi i plotë:

1 vit më parë, grupi parlamentar i PD paralajmëroi se asgjë e mirë nuk do të vinte nga heqja e kompetencës direkte të Policisë Ushtarake për ruajtjen e sigurisë së pronave të ushtrisë. Pas një viti, kur qeveria solli në parlament ligjin që zhveshi Policinë Ushtarake nga ruajtja e reparteve ushtarake, qendrimi ynë kundërshtues u verifikua i drejtë.

Sot, pronat e ushtrisë janë mall pa zot, më saktë, janë mall në duart e krimit të organizuar. Sot, repartet ushtarake të një vendi anëtar të NATO-s janë shndërruar në shtëpi hashashi dhe askush nuk mban përgjegjësi për degradimin e ushtrisë.

Ministri i Mbrojtjes nuk mund të bëjë sikur nuk dinte gjë. Hierarkia e lartë ushtarake nuk mund të fshihet pas vendimeve politike, që i shërbejnë krimit të organizuar. Janë të gjithë të njollosur. Më së paku, Ministri i Mbrojtjes dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë duhet të japin dorëheqjen.