Faktet e publikuara nga Jorida Tabaku në vitin 2018 gjatë interpelancës me ministrin e asaj kohe të Energjisë dhe Infrastrukturës, Damian Gjiknuri, në lidhje me aferën e inceneratorëve, u provuan nga SPAK në vitin 2023.

Ja deklarata e Jorida Tabakut në vitin 2018 në Kuvendin e Shqipërisë:

Ka jo pak raste kur vjedhja është kaq e qartë dhe e pastër sa nuk kanë pyetur as për ligje as për Kushtetutë. Në këto raste të shkeljes flagrante të ligjit përfaqësohet nga rasti i 3 koncesioneve të inceneratorëve.

Nga asgjëja, 3 vite mëparë, qeveria dha vendimin e parë për inceneratorin e djegies së mbetjeve në Elbasan; vazhdo i dyti në Fier dhe së treti në Tiranë.

Më 16 dhjetor të 2014 qeveria Rama i dhuron kompanisë AlbTech Energy të krijuar 5 muaj mëparë me kapital 1000 Euro koncesionin me propozim të pakërkuar inceneratorin e Bradasheshit në Elbasan. Ministria nuk kreu asnjë publikim dhe njoftim mbi garën, sikundër legjislacioni në fuqi e kërkon. Nuk bëri shpallje publike, nuk ka bërë asgjë në lidhje me procedurat siç i kërkon ligji mbi të cilat kritere ligjore, financiare dhe teknike vlerësoi, kualifikoi dhe më pas lidhi kontratën. Lidhja e kontratës është paraprirë nga një procedurë që ligji nuk e parashikon.

Kjo skemë mafioze u zbatua në funksion të dhurimit të koncesionit një personi të vetëm në të tre qytetet.

Më 16 dhjetor të 2014 kompania u shpall fituese. Afatet ligjore të ankimimit janë 7 ditë, por pavarësisht kësaj, brenda ditës u mbyll data e shqyrtimit të ankesave me 16 dhjetor. Kjo pasi autoriteti kombëtar kontraktor e dinte që nuk do të kishte asnjë ankesë sepse nuk kishte asnjë operator tjetër në garë pasi gara u bë e fshehtë dhe e mbyllur.

U dërgua drafti për mendim në të gjitha ministritë e tjera brenda datës 16 dhjetor; erdhi përgjigjja nga gjithë ministritë po në datën 16 dhjetor; hartohet po në datën 16 dhjetor kontrata me 40 faqe ndërmjet qeverisë shqiptare dhe kompanisë; negociohet kontrata dhe firmoset kontrata po në 16 dhjetor.

Më 17 dhjetor, në mbledhjen e qeverisë, i jepet fituesit z. Klodian Zoto. Efiçensë të tillë qeveritare nuk kemi parë kurrë. Cila është arsyeja që një qeveri kryen një seri veprimesh të tilla proceduriale me një nxitim kaq të madh brenda ditës, me një devocion të pa dëgjuar mëparë.

Ndiqni paratë të nderuar kolegë dhe do të kuptoni se në të njëjtën adresë ku është regjistruar kjo kompani, është regjistruar dhe kompania që mori inceneratorin e Fierit, që është bashkëpronare me kompaninë italiane që shfaqet përsëri në inceneratorin e Tiranës.

Në pak ditë, të treja kompanitë, në të njëjtën adresë, lidhin kontrata me qeverinë shqiptare.