Deklarata e deputetit të PD, Aldo Bumçi 

 

Një ngjarje shumë e rëndë ka ndodhur sot gjatë deklaratës së përbashkët të Ministrit Tahiri dhe Ministres së Brendshme të Maqedonisë, ku Ministri Tahiri deklaroi se në bashkëpunimin ndërmjet të dy vendeve, një vend të veçantë zë edhe lufta kundër terrorizmit etnik.

Në vend që t’i kërkonte homologes se tij Maqedonase që të zbatohet Marrëveshja e Ohrit dhe të respektohen të drejtat e shqiptarëve të Maqedonisë, Ministri Tahiri deklaron se do të luftojë terrorizmin etnik.

Kjo është një deklaratë e turpshme, e paprecedentë në historinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Një deklaratë që përbën një skandal kombëtar, ku Ministri i Brendshëm i Shqipërisë flet për luftën kundër terrorizmin etnik shqiptar në Maqedoni. Këto deklarata shqiptarët i kanë dëgjuar në kohën e Millosheviçit. Por sot shqiptarët i dëgjojnë nga Ministri i Brendshëm i Shqipërisë.

Me këtë deklaratë, Tirana Zyrtare konfirmon se shqiptarët përbëjnë një rrezik, se ata janë terroristë, duke legjitimuar dhe nxitur persekutimin dhe dhunën ndaj tyre. Shumica qeverisëse duhet të dënojë këtë deklaratë të papërgjegjshme të ministrit të Brendshëm të Qeverisë Rama. Dhe për të vendosur dinjitetin kombëtar të dhunuar nga ky ministër, minimalja që mund të bëjë Kryeministri, është shkarkimi i tij.