Z. Berisha i shprehu Ambasadorit Sequi falenderimet për dedikimin e tij personal në suksesin e asistencës që Delegacion i BE-së i ka dhënë Shqipërisë në përmbushjen e prioriteteve të vendosura nga Komisioni si dhe i uroi atij suksese në detyrën e re të rëndësishme në Ministrinë e Jashtme italiane dhe shprehu kënaqësinë që tashmë Shqipëria do të kishte një mik dhe një avokat të sajin në Farnesina. Ambasadori Sequi e falenderoi nga ana e tij z. Berisha për mbështetjen dhe bashkepunimin e shkëlqyer përgjatë tre viteve të shërbimit në krye të Delegacionit të BE-së. Ai shprehu kënaqësinë që një pjesë të madhe të karrierës së tij e kishte kaluar në Shqipëri duke kontribuar për një vend mik. Të dy bashkëbiseduesit ndanë mendimin se Shqipëria e meriton marrjen e statusit të vendit kandidat në qershor, bazuar në meritat dhe arritjet e saj. Ish kryeministri Berisha konfirmoi qëndrimin e palëkundur dhe pa kushte të opozitës në favor të integrimit evropian. Ai theksoi se statusi është përmbyllja me sukses e një rruge të gjatë reformash të ndërmarra ndër vite, veçanërisht gjatë qeverisjes së PD-së.