Partia Demokratike dënon sulmin e ri të dyshes Rama-Meta mbi institucionet e pavarura. Pasi uzurpuan në mënyrë të paligjshme kreun e ILDKP, tashmë po përpiqen ta legalizojnë këtë kapje politike të këtij institucioni, duke vënë tërësish nën kontroll procedurën e emërimit. Mazhoranca po i heq një kompetencë tjetër Presidentit të Republikës duke i marrë atij të drejtën e propozimit të kandidaturave për kreun e ILDKP-së. Emërimi i kreut të ILDKP-së nga Kuvendi me propozim të Presidentit është një mekanizëm kontrolli dhe balance që garanton pavarësinë e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Me heqjen e kompetencës së Presidentit, dyshja Rama-Meta zhbën përfundimisht pavarësinë e ILDKP-së. Pavarësia e këtij institucioni është themelore për besueshmërinë e luftës kundër korrupsionit të qeveritarëve. Me ILDKP-në nën kontrollin e kësaj dysheje, antikorrupsioni i ILDKP-së kthehet vetëm në një farsë të turpshme. Që këtej e tutje, ILDKP-ja do certifikojë si noter i bindur pasuritë e qeveritarëve të rinj dhe do të përdoret si kamxhik politik ndaj kujtdo që u del kundër.

 

Partia Demokratike denoncon këtë sulm të ri hakmarrës ndaj Kreut të Shtetit. Ky sulm është në vazhdën e sulmit ndaj kompetencave të Presidentit dhe pavarësisë së institucioneve për të cilat ai është garant. Mazhoranca po përgatit heqjen e kompetencave të tij si Komandant i Përgjithshëm. Gjithashtu, mazhoranca ka zhbërë de facto kompetencën e propozimit te kandidaturave për gjyqtarë në Gjykatën e Lartë duke i rrëzuar ato vetëm politikisht dhe pa asnjë arsye ligjore. Qëllimi i vetëm është kontrolli politik i Gjykatës së Lartë nëpërmjet detyrimit të Presidentit të dekretojë vetëm njerëzit e dyshes Rama-Meta, që kjo gjykatë të mbyllë aferat e tyre. Partia Demokratike mbështet çdo forcim të ligjit të ILDKP-së që rrit rolin e këtij institucioni në luftën ndaj korrupsionit të qeveritarëve. E kemi mbështetur forcimin e ILDKP-së me ndryshimet që bëmë në vitin 2012 kur ishim në qeveri, e mbështesim edhe sot në opozitë. Por shpartallimi i pavarësisë së ILDKP me ndryshimin e procedurës së emërimit vetëm nga mazhoranca dhe duke eliminuar Presidentin, e kthen përfundimisht ILDKP në një kone të butë të dyshes Rama-Meta.