Deputetët e Partisë Demokratike në Komisionet Parlamentare të Ekonomisë, Shëndetësisë e Çështjeve Sociale dhe Veprimtarisë Prodhuese, diskutuan sot në lidhje me projekligjin e qeverisë për pensionet e minatorëve. Sipas konkluzioneve të deputetëve të Partisë Demokratike, qeveria po bën një demagogji me pensionet e minatorëve pasi ulja me 5 vite e moshës së daljes në pension shoqërohet me një rritje prej 5% e kontributit të sigurimeve shoqërore. Përfitimi do të jetë minimal, aq sa prek vetëm 150 persona gjithsej. Nga ana tjetër, deputetët e djathtë u shprehën se projekti i qeverisë harron profesione të tjera të vështira, ndërsa theksuan se pensionistët nuk do të mbështetën më me rritje pensionesh edhe për vitin e ardhshëm 2015 ndërsa çmimet e ushqimeve dhe ilaçeve janë rritur si dhe pritet të rriten edhe çmimet e energjisë dhe shërbimeve të tjera.

Ridvan Bode:

Pensionistët po varfërohen çdo ditë

Projektligji që diskutohet dhe do zbatohet në fakt, është një demagogji dhe një propagandë e cila synon që të lajë duart me premtimet elektorale dhe me angazhimet e tjera politike të mazhorancës aktuale, të cilët premtuan se do të ulin moshën e pensionit për penisionistët, për industritë respektive në 50 vjeç, dhe duke ruajtur e duke respektuar kriteret ekzistuese të mëparshme përmes të cilave përfitimet që kishte pasur sektori i industrive nxjerrëse dhe minierave. Në të vërtetë çfarë realizon ky projektligj? Me ligjin që miratuam po vetë, vitin e kaluar, për pensionet e kishin përcaktuar si moshë dalje në 60 vjeç. Tani bëjmë një hap mbrapa për të ulur me 5 vjet daljen në pension, pra në moshën 55 vjecare për minatorët, por këtë jo si një politikë sociale, si kujdes të veçantë që shoqëria, përmes buxhetit dhe qeverisë, do ti kushtonte këtij sektori apo edhe sektorëve të tjerë që këtu u folën, që janë po sektorë ku vështirësitë e punës janë më të mëdha, sëmundjet profesionale më evidente, dhe jetëgjatësia e atyre që punojnë në këto sektorë, këto industri specifike, është më e ulët në krahasim me sektorët e tjerë edhe me jetëgjatësinë mesatare të vendit, por qeveria shet 5 vjet më pak daljen në pension në këmbim të një kontributi prej 5% më shumë, që do të thotë me pagesën aktuale, një rritje prej 18% të kontributeve që do të jepen në sektorin e industrive nxjerrëse minerale . E gjithë ajo që ky ligj sipas përllogaritjeve të vetë qeverisë ofron për qytetarët, është që do të jenë 150 veta që do të përfitojnë një pension në bazë të këtij ligji, pasi gjithë pjesa tjetër prej 3.690 vetave që do të mbulojë ky ligj tashmë janë në një skemë pagese nga ana e buxhetit dhe jo kundrejt kontributeve shtesë, 5% që do të paguhet nga kompanitë me 3% dhe nga vetë të punuësuarit me 2% rritje, ose 20% të kontributit që japin aktualisht do të rritet kontributi. Janë vetëm 150 vetë që do të përfitojnë, ose 9% e përfituesëve të skemës. 3.840 minatorë, ish minatorë janë sot përfitues të skemës, përmes pagesës kalimtare e cila është më e ulët në krahasim me këtë pension minimal që përcaktohet prej 12.300 lekë, është diku tek 9.000 lekë të reja, por që shtron një çështje tjetër më të madhe, kriteret e përcaktuara në këtë ligj; 30 vjet vjetërsi pune dhe minimum i punës nën tokë 12.5 vjet, mund të bëjë që një pjesë e mirë e përfituesëve të pagesës kalimtare ta humbasë këtë pagesë, pasi nuk kanë 30 vjet punë të siguruar që i kërkon ligji. Kanë punuar në minierë deri sa kanë qenë minierat, kanë punuar në fshat dhe qeveria sot, për të plotësuar 30 vitet e kontributeve, do tu kërkojë që të derdhin kontribute ekstra, të cilat janë në nivele shumë të larta sipas ligjit të ri të pensioneve. Nuk janë më si më përpara që paguhej një kontribut si i vetëpunësuar pasi kontributi i të vetëpunësuarve dhe i sektorit të bujqësisë u barazua me kontributin e të gjithë punonjësve, që janë punonjës aktiv, në sektorët e tjerë të ekonomisë. Pra, në vend që të kemi një ligj që rrit përfitimet, kemi një ligj që rrit taksat në mënyrë të diferencuar dhe që ul numrin edhe pse këtu thuhet në relacion që do të jenë 3. 896 veta që do të përfitojnë. Rreziku është që masa e përfituesve të përgjysmohet. Për më tepër, sipas kritereve të këtij ligji, 74% e përfituesëve të kësaj skeme do të jenë përfitues të një pensioni minimal, gati tërësisht ata që sot trajtohen do të kenë po të njëjtin trajtim, vetëm kanë rriskun e humbjes ose pagesave ekstra për të plotësuar vitet e kontributeve në skemën pensionale dhe minimumi është 12.300 lekë i këtij pensioni. Pra e gjithë ajo propagandë e demagogji e bërë në këtë sector, gjasme për të ndihmuar e për të mbajtur fjalën e premtimet elektorale, janë thjesht një shitje e një produkti, sigurim 5 vjet më përpara se të tjerët, krijimin e një fondi profesional të cilin mund ta bëjë secila nga industritë në mënyrën e vet. Ky ligj në fakt ka sjellë në debat dhe në vëmendje edhe çështjen e pensioneve dhe gjendjen e kësaj shtrese, e pensionistëve nën qeverisjen aktuale. U bënë dy vjet që qeveria nuk rrit pensionet siç ishte programuar dhe siç ishte bërë vitet e shkuara me synimin që pensionet minimale gradualisht të arrinin në parametra që të plotësonin minimumin jetik të qytetarëve. Vitin që jemi, vitin 2014, pensionet u rritën vetëm 2%, ndërkohë po të marrim produktet që konsumohen nga pensionistët, dy kategoritë, ushqimet dhe shërbimet, kanë një normë inflacioni të paktën prej 6% sipas statistikave të qeverisë për periudhën 9 mujore. Ndërkohë që rritja e pensioneve maksimalisht është në nivelin 2%, nga 1 në 2 %, çka do të thotë që ndërkaq kjo shtresë vazhdon të vërfarohet për shkak se dinamika e rritjes së pensioneve nuk ndjek rritjen e çmimeve të kategorive respective, strukturën e produkteve që konsumon kjo shtresë e popullësisë, që janë ushqimet dhe shërbimet që janë të detyruar ti plotësojnë dhe nuk mbaron vetëm këtu. Së shpejti do të rritet energjia elektrike përmes heqjes së fashës mbrojtëse, rritje që shkon 18% për kategorinë e pensionistëve. Po ashtu gjatë vitit 2014, zëvendësimi i një pjese të madhe të ilaçeve me ilaçe xhenerike që marrin pensionistët, që trajtohen, sidomos ato që kanë të bëjnë me sëmundjet e zemrës dhe sëmundje të tjera kronike, do të detyrojë pensionistët që të paguajnë në çdo muaj një shumë sa 30% e pensionit të tyre, vetëm e vetëm për të kompensuar rënien e mospagimit të kompesimit që do të merrnin nga skema e rimbursimit të ilaçeve që përdor aktualisht qeveria dhe kjo është tashmë në masë, dhe çdo pensionist mund ta dëshmojë në mënyrë të drejtpërdrejtë këtë.

Mbrëmë qeveria solli në Parlament dhe shpërndau tek deputetët projektbuxhetin e vitit 2015 dhe në këtë projektbuxhet të qeverisë parashikimi për rritjen e pagave, është zero. U bënë dy vjet rresht që pagat më nuk rriten dhe mosrritja e pagave në punonjësit publik ka krijuar të njëjtën tendencë edhe në sektorin privat. Pagat e sektorit privat jo vetëm që nuk janë rritur por kanë presion për tu ulur, përballë rritjes se papunësisë dhe gjetjes me shumicë të një oferte në tregun e punës. Për pensionet përsëri llogaritet, për 600.000 pensionistë, përllogaritet një rritje që shkon 12 milion dollarë dhe 12 milion dollarë rritje, për 600.000 pensionistë, i thonë 2 dollarë në muaj
për pensionist, as 2 dollar, 1.8 dollarë rritje pensioni, ndërkohë që dinamika e rritjeve të çmimeve është jashtëzakonisht e madhe.

Ne sot nuk po ndalemi për të diskutuar rreth projektbuxhetit të vitit 2015, edhe njëherë ngrejmë vëmendjen që gjithë politikat e kësaj qeverisje të deklaruar të majtë, me një propagandë të barazisë dhe të kujdesit social, në fakt rezultojnë demagogji sepse gjithçka që është bërë, edhe në buxhetin e vitit 2015, është që të gjithë shtresat më të ekspozuara paguajnë më shumë. 90% të shtesës së taksave të vitit 2014 ka ardhur nga qytetarët sepse janë taksa konsumi. Kanë ardhur nga masa e njerëzve që trajtohen edhe me pensione dhe vetëm 10% kanë ardhur nga biznesi. E njëjta gjë programohet për vitin që vjen, bile e kundërta. Gjithë paketa e re fiskale që ka ardhur është një paketë që rëndon konsumatorin, qytetarin, me taksën për karburantet, me taksat e tjera mbi të ardhurat dhe sidomos me rritjen e fshehur të taksave përmes tatimit të vlerës së shtuar i cili programohet që përsëri do të jetë burimi kryesor i rritjes së të ardhurave në buxhetin për vitin që vjen. Pra, ndërkohë që mbeten nën nivelin e vitit 2014 fondet për mbështetje sociale, kriza po agravohet, po përparon varfëria, po thellohet mjerimi. Kjo ndodhi në 2014 dhe është më e dukshme në projektbuxhetin e vitit 2015. Qeveria ndryshoi në gusht fondet duke i rritur me 4 miliard, deklaroi kryeministri, fondet për mbështetjen sociale, por në fakt në projektbuxhetin e vitit 2015 i ka më të  ulëta nga ato që janë fakti I vitit 2014. Pra, shtresat më të ekspozuara janë të pambrojtura përballë zhvillimeve jo të këndshme të ekonomisë tonë, ndrydhjes së ekonomisë, rritjes së papunësisë, rritjes së çmimeve, dhe një pjesë e çmimeve të diktuara nga politikat fiskale të qeverisë, siç është rritja e çmimit të energjisë apo rritja e taksave mbi karburantin, që do të thotë shtrenjtim i të gjitha produkteve që konsumon popullsia.

Albana Vokshi:

Projekti, diskriminues, shton ankthin për pensionin

Po ndalëm në impaktin social që sjell ky projekligj i qeverisë për minatorët. Në dukje është si një premtim i mbajtur por në fakt mbetet vetëm në kuadër të një demagogjie boshe pasi edhe ulja nga 60 në 55 vjeç e moshës, nuk do sjellë asnjë përfitim për ta. Kjo pasi kriteret e tjera për daljen në pension nuk ndryshojnë aspak. Në vijim do e shohim se përfituesit do të jenë shumë të pakët dhe numërohen me gishtat e dorës. Në nivelin makro, mund të them që është një projekligj shumë selektiv. Projekligjet duhet të jenë gjithpërfshirëse dhe kategoritë duhet të katerizohen sipas vështirësisë së profesioneve dhe jo përsa i përket qokave dhe premtimeve elektorale për grupe interesi. Bashkë me këtë projekligj ne do të donim të kishim edhe profesionet e tjera të vështira si metalurgët, pëlumbarët, punonjësit e ferrokromit, pilotët, artistë e cirkut, ansamblit shtetëror të këngëve dhe valleve, operas, instrumentistët frymorë etj, të cilët nuk janë prekur aspak me këtë projektligj. Unë besoj se do të shkaktojë edhe një bumerand shtesë për jetën e minatorëve. Me artificën e uljes së moshës së pensionit por mbajtjes të njëjtë të viteve të punës, por dhe rritjes së përqinjes së sigurimeve shoqërore, maxhoranca pseudo-sociale nuk sjell asnjë risi pozitive dhe shprese për ta. Në fakt drafti u hartua që në gjenezë i mbrapshtë dhe i fshehtë dhe nuk u përfill mendimi i palëve të interesuara dhe nuk u thirr asnjë sindikatë. Unë këtu kam një shkresë drejtuar kryeministrit dhe kryetarëve të komisioneve parlamentare nga unioni i sindikatave të pavarura dhe të minatorëve të cilët që në fjalinë e parë cilësojnë se ata janë njohur nga media për këtë draft dhe nuk janë ulur asnjëherë në tavolinë.  Ky projekligj ka bërë vetëm një ulje statike të moshës por nuk ka plotësuar asnjë prej kërkesave të tyre që ata i kanë çuar edhe me shkrim. Kjo kërkesë e tyre nuk i është dorëzuar asnjë deputeti apo pale të interesuar dhe nuk janë ftuar për degjesë në komision. Ka pasur edhe brenda maxhorancës konflikte përsa i përket procedurës të këtij projektligji dhe janë bërë publike në media. Ky ligj rëndon më tej problematikën e pensioneve. Grupet më të goditura si gratë, punonjësit e sektorëve të vështirë, për ta procedura e daljes në pension tashmë është kthyer në një mankth. Të mos harrojmë se minatorët dhe kategoritë e tjera vulnerabël janë të zbuluar nga rritja e çmimeve, nga rritja e çmimit të energjisë, ndërsa qeveria kërkon t’u mpijë mendjen me propagandë boshe. Ky projekligj për minatorët është një tjetër shkelje e hapur e të drejtave të njeriut, në përpjekje për të kthyer kohën e shfrytëzimit të miratorëve për të paguar veprat propagandistike të kryeministrit. Në relacion të hartuar me siguri nga militantë thuhet se në katër vitet e ardhshme numri shtesë i minatorëve që do të përfitojë është vetëm 150 vetë. Po flas me shifrat e qeverisë dhe jo tonat. Në relacion thuhet se aktualisht në skemën financiare janë 3690 minatorë dhe brenda katër viteve nga ky projekligj do të përfitojnë 3860. Pra vetëm 40 minatorë më tepër në një vit. Dhe kjo më shumë i ngjan një pazari votash pasi ky projekligj i ishte premtuar si një haraç postzgjedhor. Sipas projekligjit minatorët do të dalin 55 vjeç në pension por duhet të kenë 30 vite punë. Desha të pyes edhe Ministrin se sa minatorë i kanë 30 vite punë të sigurura? Sindikata ka propozuar një tabelë me 3 shtylla ku propozohet mënyra se si të përfitojnë pasi ata kanë dalë të papunë për shkak edhe të reformave dhe nga mbyllja e minierave, dhe sjanë punësuar rregulisht dhe për këtë, ata kanë kërkuar që të zbatohet kolona e parë dhe e tretë për këtë grup, për pjesën tjetër të zbatohet kolona e dytë. Paturpësisht jepet edhe fatura financiare që është  310 milionë lekë për pensionistët minatorë ndërkohë që për ministrin Veliaj të pensioneve, për një kompani të tij janë dhënë në një ditë me leje kryeministrore 394 milionë lekë.

Sheferedin Shehu:

Projekti rrit barrën për biznesin, ul të ardhurat për minatorët

Natyrisht mënyra se si qeveria e ka prezantuar këtë projekligj nuk ka ndryshim nga ajo që kemi parë deri tani dhe po e them me një fjalë që për qeverinë, qytetarët janë një turmë që mund të manipulohet. Politikat më shumë kanë si karakter manipulimin se sa adresimin dhe zgjidhjen e problemit të qytetarëve. Të njëtën gjë kemi parë me taksat teksa qeveria i ka rritur ato, teksa ka thënë se i ka ulur. Qeveria thotë nuk rrisim çmimin por heqin fashën e çmimit të energjisë elektrike. Qeveria i ka ulur pesnionet duke thënë se po i rrit. Momentalisht kemi një projekligj i cili është lexuar vetëm në pjesën e parë të tij që është ulja e moshës së daljes në pesnion të minatorëve. Po cila është e vërteta në këtë projekt? Duke parë projektin në tërësi, qeveria nuk po bën gjë tejtër vetëm se po u shet 5 vite pension minatorëve. Pra minatorët dhe kompanitë minerare do të bëjnë 5 vite pension, për minatorët e punësuar,  përmes një kontributi shtesë prej 5 %. E parë në këndvështrimin e biznesit kjo skemë është një rritje e kostos por në një moment të papërshtatshëm për biznesin sepse para dy javë qeveria ka kaluar një vendim shtesë që kërkon investime shtesë në miniera, për të krijuar disa standarde që janë të panevojshme momentalisht por që janë shumë të kushtueshme për to. Pra minatorët do të paguajnë për 5 vitet e
daljes më herët në pension. Ndërkohë, po të shikojmë statistikat kemi të bëjmë me një rënie ekonomike, të konsumit dhe më e keqja është se kemi një rritje të shportës së konsumit që e konsumojnë të gjitha shtresat, pavarësisht të ardhurave. Me këtë ligj qeveria po u pakëson të ardhurat minatorëve dhe ndërkohë është një sistem pensionesh i padrejtë. Qeveria ka bërë deformime të shumta por tashmë kemi një deformim të ri. Kemi një skemë e cila nuk është e detyrueshme për skemat e pensioneve por kjo skemë  është e padrejtë sepse ajo mund të ishte një skemë pensioni suplementar. Pra do të ishte e pranueshme nëse do të ishtepër një pension të dytë, siç janë standardet e vendeve të zhvilluara apo për profesionet e vështira sic është ai i minatorit. Jemi në kushtet kur keqqeverisjen qeveria e shkarkon tek qytetarët e vetë duke bërë politika populiste dhe duke i gënjyer ata.

Kozma Dashi:

Naftëtarët po flaken dhe po u mohohen të drejtat

Vazhdoj të them që është një projektligj farsë. Shqetësimi im është konkret, për ta bërë të prekshme nga shqiptarët, është konkretisht për naftëtarët e Qarkut Fier, konkretisht për zonën Patos Marins. Nga naftëtarët kërkohet statusi i tyre dhe siç theksoi kolegia Vokshi, nuk janë parë të tëra shtresat e shoqërisë që e meritojnë këtë trajtim në këtë projektligj. Pra dalim tek ajo që ky projektligj është farsë. Shqetësimi im është që së fundmi, 600 naftëtarë, të cilët duhet të përfitojnë në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave, po enden dyerve të gjykatave të Fierit. Konkretisht, 200 të parët kanë fituar gjyqin me Albpetrolin, pasi me makinacione nga më të çuditshmet, Albpetroli u ka mohuar vjetërsinë dhe u njeh vetëm atë pas vitit 1999. Eshtë një paradoks, njerëzit kanë punuar në sektorin e naftës nga 30-40 vjet, dhe çuditërisht marrin kontribute vetëm nga kjo. Pra kjo qeveri që të bëjë këtë projektligj, nuk po mendon. Pra po mendon thjesht anën propagandistike, farsën dhe nuk po zgjidh hallet që janë në tavolinë. Thashë, konkretisht 200 të parët kanë fituar gjyqin në Fier por shqetësimi është kjo gjë, që këto Gjykata të kapura po vazhdojnë në Apel dhe po fillojnë kthimet e para të vendimeve. Që do të thotë që këta njerëz flaken tërësisht dhe nuk marrin as edhe një gjë, nuk flitet këtu për projektligje që këta njerëz ti stimulojë. Shqetësimi im vjen po them nga takimet me shumë e shume naftëtarë, inxhinierë teknikë që kanë punuar një jetë të tërë. Pra, nuk flet ky projektligj dhe nuk kërkon ky projektligj të rregullojë shumë çka por dhe këto që u takojnë t’ia mohojë.