Deklaratë e Grida Dumës ku i kërkohet Kryeministrit të mbajë përgjegjësi për privilegjet dhe paprekshmërinë që kishte krijuar për autorin e vrasjes së katërfishtë

Nuk harrohet z.Rama skandali që i parapriu vrasjes së katërfishtë në Tiranë, më kot mendon se i lave duart me teatrin me dy akte të luajtur në Kryeministri.

Autori i vrasjes, ishte në kërkim nga policia, por ai ishte ndryshe nga qytetarët e tjetë rë vendit, kishte privilegj e mbrojtje, ndaj bridhte lirshëm në Tiranë me pistoletë në brez.

Zoti Rama, dje, sot, e gjithnjë do të jesh përgjegjës për këtë ngjarje të rëndë, pasi ti i ke dhënë imunitet vrasësit, i ke dhënë mbrojtje. Ai falë teje ishte i paprekshëm.

Fakt është se;

Xhuvani është në kërkim prej datës 26 prill të këtij viti. Dhe është në kërkim për vepra të rënda penale, për kanosje me armë të qytetarit, për armëmbajtje pa leje. Pra një rrezik potencial për shoqërinë. Por policia e lejon, sepse ai është djali i miqve të tu, ai ka lejen për të bërë ctë dojë. Sic rezultoi fatalisht, ka lejen edhe për të vrarë, dhe jo për herë të parë.

Kjo është një përgjegjësi e rëndë, më e rënda që një politikan, apo më shumë, një kryeministër ka mbi shpatulla. Një përgjegjësi që ti z.Rama duhet ta mbash. Duhet ta mbash ti, ministri yt, drejtori yt i Policisë.

Jeni sot në borxh me shoqërinë shqiptare. Duhet të veproni e të mbani përgjegjësinë, pasi ajo që ka ndodhur është një humbje dramatike e katër qytetarëve, një tragjedi për familjet e të afërmit e tyre, por është gjithashtu një vrasje e ligjit, e rregullit, e sigurisë publike në vend.

Keni vrarë zoti Rama besimin që duhet të kenë qytetarët tek shteti. Se nuk mund të besojnë më kur një i kërkuar nga policia, me precedent të fortë penalë, nuk ndalohet sepse është miku juaj.

Dhe jo vetëm kaq, por e dorovisni edhe para kamerave të kërkuarin nga policia, në oborrin e Parlamentit, aty ku duhet të jetë shenjtëria e ligjit, për ta përdorur politikisht kundër opozitës.

Nga kjo ngjarje ka dalë e qartë para gjithë shqiptarëve se krimi ka lidhje me qeverinë. Se krimi ka një kryeministër. Që jeni ju z.Rama. Aq më shumë rëndohet pozita juaj, sa më shumë i ikni kësaj përgjegjësie, sa më pak skuqeni para kamerave teksa përsërini deri në mërzi dokrrat e përditshme.

E keni kthyer Shqipërinë në një kamp internimi për qytetarët që vënë një tullë, që rregullojnë catinë e shtëpisë, që nuk paguajnë dot dritat se s’kanë me se të jetojnë, ndërkohë që krimi po arrin majat ku për një javë kemi 10 viktima.

Jeni drejtpërdrejt përgjegjës për humbjen e katër jetëve.

Ngjarja nuk do të kishte ndodhur pa imunitetin që i ke dhënë vrasësit.

Mbani përgjegjësi. Mbajeni sot, tani.