Deklaratë për shtyp e deputetit të Partisë Demokratike Oerd Bylykbashi:

Kur na ndajnë më pak se 36 orë nga hyrja në fuqi e Ligjit për Nëpunësin Civil, Rama po tenton në mungesë të plotë transparence të shkelmojë konsensusin e arritur për këtë ligj, që u votua me votë unanime dhe të shtyjë datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji.

Ligji i ri me një dispozitë të veçantë, përkatësisht nenin 68, ndalon marrjen dhe largimin nga puna gjatë periudhës 3 mujore që i paraprin hyrjes në fuqi të ligjit. Ky nen i ka shtrirë tashmë efektet mbrojtëse nga data 1 korrik deri nesër më 30 shtator. Ky ndalim i vendosur me konsensus, synon të pengojë pikërisht atë që Rama ka në plan: spastrimin arbitrar dhe politik të shërbimit civil.

Duke shtyrë datën e hyrjes në fuqi, Rama kërkon të rrëzojë mbrojtjen 3 mujore që jep ky nen. Ky është motivi i vetëm. Rama kërkon ta shtyjë dhe jo ta zbatojë ligjin pasi kërkon dorë të lirë për të larguar masivisht nga puna nëpunësit civilë të kualifikuar dhe të trajnuar.

Partia Demokratike denoncon këtë përpjekje antikushtetuese që synon gjymtimin e shërbimit civil. Kushtetuta ia ndalon qeverisë të ndryshojë me akte normative ligjet që kjo Kushtetutë detyron të miratohen me konsensus me 3/5 e votave. Gatishmëria për të shkelur Kushtetutën dhe shkelmuar konsensusin është një alarm për stabilitetin jo vetëm të administratës publike, por të vendit në tërësi.