Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha priti në një takim mirëseardhje ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanise z. Hellmut Hoffmann.

Pasi i uroi përzemërsisht mirësardhjen, z. Basha i shprehu z. Hoffmann mirënjohjen më të thellë të tij dhe Partisë Demokratike, për mbështetjen e vazhdueshme dhe ndihmën bujare që Republika Federale e Gjermanisë dhe qeveria gjermane, i ka dhënë në vijimësi Shqipërisë, si në projektet dypalëshe ashtu edhe për sa i përket proçesit të integrimit në Bashkimin Europian.

Dëshira jonë është që marrëdhëniet e bashkëpunimit të shkëlqyer me Republikën Federale Gjermane, të vijojnë të konsolidohen edhe më tëj në të ardhmen, theksoi z. Basha duke theksuar se opozita shqiptare do të japë kontributin e saj në këtë drejtim edhe nëpërmjet lidhjeve të ngushta me Partinë simotër Kristian Demokrate dhe kancelaren Merkel e qeverinë e saj, e cila shënoi një fitore historike në zgjedhjet e fundit në Gjermani.

Ambasadori gjerman Hoffman, e falenderoi përzemërsisht kryetarit Basha për pritjen e ngrohtë dhe miqësore dhe i shprehu atij gatishmërinë për një bashkëpunim të ngushtë dhe frytdhënës në vijimësi, në interesin më të mirë të Shqipërisë, të marrëdhënieve dypalëshe të saj me Republikën Federale Gjermane dhe integrimin në Bashkimin Europian.

Ambasadori gjerman e siguroi Kryetarit Basha, se Gjermania do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm Shqipërinë në përpjeken e saj në të gjitha hapat e mëtejshëm të proçesit të integrimit në Bashkimin Europian.