Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha,  gjatë një konference me gazetarët paralajmëroi planin e qeverisë socialiste siç tha ai për të kontrolluar dhe goditur SPAK dhe organet e reja të drejtësisë.

 

“Tani që Reforma në Drejtësi po fillon të japë rezultat, tani që SPAK-u po fillon të godas pandëshkueshmërinë historike të korrupsionit të kësaj qeverie, qeveria ka nxjerr nga sirtarët një qasje, siç e thashë është provuar dikur në Rumani ku ishte i njëjti proces për të kontrolluar dhe goditur SPAK-un dhe Reformën në Drejtësi përmes një komisioni të ashtuquajtur të të drejtave të njeriut që shkelen nga institucionet e drejtësisë”, – deklaroi Basha.

 

Gjatë komunikimit me gazetarët, kreu demokrat ndërsa uroi që ky lajm të mos jetë i vërtetë, shprehu prerë kundërshtinë e PD për këtë plan të shumicës socialiste.

 

“Nëse ky informacion nuk është i gabuar, nëse një çështje e tillë është diskutuar, hiç më vonë se këtë javë në nivelet e larta të politikëbërësve socialistë, atëherë dua t’i siguroj, së pari publikun shqiptar, dhe së dyti dhe ata, që Partinë Demokratike do ta kenë 100% në bllok kundër një iniciative të tillë”.

 

Basha deklaroi se Partia Demokratike është i vetmi formacion sot në Shqipëri që jep mbështetje pa kushte për SPAK-un.

 

“Jo se SPAK-u është perfekt, jo se reforma në drejtësi është perfekte, por se është shansi i vetëm në 33 vite për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë që është një parakusht për ta drejtuar Shqipërinë drejt perëndimit, drejt futjes në Bashkimin Europian”, – deklaroi kryetari i PD, i cili tha se roli i parlamentit nuk është t’i mbivendoset Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion. Për Bashën, roli i politikës nuk është t’i diktojë drejtësisë.

 

“Drejtësia duhet të bëjë punën e vet, roli i vetëm i politikës është që të jetë në dispozicion të drejtësisë.”

 

 

https://www.facebook.com/reel/368234255908374