Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Oriola Pampuri, shprehet se dy ngjarjet që shokuan opinionin publik këtë javë, siç ishte rasti i humbjes së jetës të një foshnjeje të braktisur dhe dhuna që përjetoi një fëmijë tre-vjecar në një kopësht jo publik në Tiranë, nuk mund të të jenë raste të veçuara dhe nuk mund të ngelen pa u trajtuar.

Zonja Pampuri thotë se nevojitet një reagim të institucioneve për të marrë përgjegjësitë e duhura dhe për të qënë llogaridhënës ndaj publikut. Sipas saj, është e patolerueshme që në sistemin arsimor parashkollor të mos ketë kontrolle periodike të gjendjes psiko-sociale të punonjësve të këtyre institucioneve.

 

Reagimi i plotë:

 

Dy ngjarjet shokuese të kësaj jave që tronditën mbarë opinionin publik dhe shoqërinë shqiptare nuk mund të jenë raste të veçuara dhe nuk mund të ngelen pa u trajtuar.

Ishte e dhimbshme humbja e jetës së një foshnjeje të braktisur, por po aq shokuese dhe dhuna që përjetoi një fëmijë tre-vjecar në një kopësht jo publik në Tiranë.

Përtej ndjeshmërisë, sensibilizimit, kundërshtimit publik dhe çfarëdolloj përjetimi emocional që çdonjëri nga ne, si qytetar, pati karshi të dyja rasteve shokuese, nevojitet një reagim të institucioneve për të marrë përgjegjësitë e duhura dhe për të qënë llogaridhënës ndaj publikut.

Jeta dhe mirëqënia e çdo qytetari dhe në veçanti e fëmijëve tanë, duhet të jetë prioritet i pakompromis dhe me standarte normë-formësuese.

Sigurisht, për të dy ngjarjet, organet kompetente të prokurorisë kanë nisur hetimet dhe të procedojnë personat e parë të dyshuar.

Por kjo nuk mjafton. Sepse është përgjegjësi prioritare e shtetit dhe institucioneve, parandalimi dhe veprimi në kohë. Këto mekanizma qartësisht nuk funksionojë.

Është e patolerueshme që në sistemin arsimor parashkollor të mos ketë kontrolle periodike të gjendjes psiko-sociale të punonjësve të këtyre institucioneve. Nuk mund të ketë kopshte pa license, ndaj dhe ligji duhet të parashikojë masa penale më të ashpra në këtë drejtim. Por kjo sërisht nuk mjafton, sepse nevojitet një politikë reale e cila monitoron përgjatë gjithë veprimtarisë së institucionit privat ose publik të arsimit parashkollor – punonjësit mbi gjendjen dhe statusin e tyre psikosocial.

Po ashtu është e patolerueshme, që në çfarëdolloj klinike obsetrike, private ose publike, të mos regjistrohen të dhënat të zgjeruara, në lidhje me burimet, kushtet dhe mjetet financiare që një prind mund të përballojë sjelljen në jetë të një fëmijë. Kjo do të shërbente si një mënyrë për të ardhur në ndihmë të gjithë atyre nënave që për shkaqe të ndryshme mund të jenë potencial i braktisjes, qoftë të përkohshme, të porsalindurit të tyre.

Mbi të gjitha duhet një politikëbërje për të adresuar të gjitha ndryshimet e nevojshme që nisin nga ardhja në jetë e të porsalindurve, në rritjen e tyre, edukimin dhe pergatitjes se një brezi te ri te gatshëm për të kontribuar në shoqëri. Padyshim kjo kërkon vullnet politik, përgjegjshmëri e llogaridhënie, por mbi të gjitha prioritizim dhe mbështetje buxhetore e cila të shkojë për investime në Shëndetësi, Arsim dhe Mbrotje Sociale dhe jo të shpërdorohet në PPP e konçesione korruptive dhe luks qeveritar.

Ndaj për mua si nënë e grua në radhë të parë, dhe si ligjvënëse e përfaqësuese e interesit të qytetarëve në Kuvendin e Shqipërisë, kam obligimin të kërkoj reagim dhe të kolegëve të tjerë, për të ndërmarrë me përgjegjshmëri, iniciativat e duhura ligjore të cilat i garantojnë vërtetë një mirëqënie dhe shërbim standart e cilësor fëmijëve dhe shoqërinë tonë.