Postimi i plotë:

Së bashku me Aurelën dhe profesoren e Universitetit të Arteve Taulanda Jupin vizituam sot ekspozitën “Abel” të një prej autorëve më të shquar të artit pamor shqiptar, profesor Gazmend Leka.

Ekspozita “Abel” një dedikim mbi dhimbjen, masakrat, dhe viktimat e luftës në Kosovë, ofrohet si kronikë dhe përkujtesë e kalvarit të sakrificave të patregueshme e të patreguara të asaj pjese të shqiptarisë, të cilës i’u desh të paguante çmimin më të shtrenjtë për lirinë dhe pavarësinë.

Me talentin unik dhe ndjeshmëri mbinjerëzore, profesor Leka ka rikrijuar me efekt ngjethës universin e plotë të përjetimeve të luftës së Kosovës, në një kohë kur është më jetike se kurrë tē mos harrosh, dhe të shkundesh nga kurthi i amnezisë.