Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Xhemal Gjunkshi ka denoncuar ditën e sotme mungesën e ujit të pijshëm në qytetin e Dibrës.

Në një postim në Facebook, Gjunkshi shkruan se janë afro dhjetra milion Euro të investuara në total në projektin e Ujësjellësit të Peshkopisë, që kur qeveria Rama mori pushtetin dhe në disa faza investimet kanë dështuar dhe askush nuk ka mbajtur përgjegjësi.

Ai gjithashtu i ka bërë thirrje ministres Belinda Balluku dhe institucioneve përgjegjëse që të zgjidhin krizën e ujit, pasi sipas tij furnizimi me ujë është standardi më minimal dhe nuk mund të konsiderohet kurrsesi si devotshmëri e qeverisjes ndaj komunitetit.

Postimi i plotë:

Dibranët po e vuajnë tmerrësisht mungesën e ujit të pijshëm.

Qeverisja lokale dhe qendrore e Ramës po ia vështirëson çdo ditë e më shumë jetën qytetarëve me grabitjet e rënda me investimet publike.

Me anë të këtij statusi dua të denoncoj ashpër mungesën skandaloze të ujit në Dibër prej më shumë se 23 orë në ditë.

Janë afro dhjetra milion Euro të investuara në total në projektin e Ujësjellësit të Peshkopisë, që kur qeveria Rama mori pushtetin prej një dekade. Disa faza investimesh kanë dështuar ndër vite dhe askush nuk ka mbajtur përgjegjësi ndërkohë që dhe besimi para investitorëve të huaj është cenuar rëndë.

Nuk është dhënë llogari as edhe për vjedhjen pa nam e nishan të një pjese të mirë të fondeve publike që janë dhënë për Ujësjellësin dhe që kanë kaluar për llogari të xhepave të pushtetarëve.

Investimi më i fundit i përket muajit Tetor të vitit të kaluar kur Rama në spektaklin e radhës, inspektoi punimet në ujësjellës ne Gramë, që kanë kushtuar rreth 7 milion Euro. Prej asaj periudhe Dibranët po vuajnë prej muajsh thatësirën ku në rubinetet e shtëpive uji nuk rrjedh me orë të tëra.

Dibranët u manipuluan rëndë në zgjedhjet e 15 Majit dhe këtë e dëshmuan shkeljet e shumta ku ndër të tjera ishte dhe premtimi për furnizimin me ujë të pijshëm 24 orë.

Tashmë që mandati i radhës për bashki  u sigurua, deputetët dhe ministrat nuk duan t’ia dinë për Dibrën. Janë banorët që në këtë vapë të nxehtë po përballen me mungesën e theksuar të ujit dhe askush nuk ndërhyn  për të zgjidhur këtë skandal që kushtëzon normalitetin e përditshmërisë  të çdo familje Dibrane. Të mohosh ujin njerëzve, është shkelje e rëndë si në pikëpamjen e moralit shoqëror, fetar, por dhe si një e drejtë bazë kushtetuese.

Si njeri publik që i përkas këtij komuniteti dhe e kam përfaqësuar atë në parlament dhe instanca të tjera politike, apeloj për t’i dhënë fund  sa më parë kësaj arrogance të heshtur dhe shpërfillëse. I bëj thirrje zonjës ministre Balluku, zyrtarëve ekzekutivë, atyre lokalë të ndërpresin menjëherë pushimet dhe t’i përvishen punës për të zgjidhur krizën e ujit.

Furnizimi me ujë është standardi më minimal dhe nuk mund të konsiderohet kurrsesi si devotshmëri e qeverisjes qendrore apo lokale ndaj komunitetit.

Mos u kujtoni për Dibrën vetëm kur ka zgjedhje, sepse dibranët nuk mashtrohen dhe aq më pak të përkulen.