Ditët e fundit të gjithë kemi pasur interes të jashtëzakonshëm për deklaratën publike politike të kryeministrit të vendit për mbylljen e procesit të Ballkanit të Hapur. Vitë mëparë u deklarua që mbështetej nga 59% e shqiptarëve dhe nuk e di sesi ja ndryshuan mendjen këtyre që të mbylljen ky proces me një të rënë të lapsit.

Fatkeqësisht, projekti i Ballkanit të Hapur ka prodhuar më shumë kundërshti dhe debat sesa rezultate. Rajoni na ka prodhuar shumë platforma ne, por kjo e Ballkanit të Hapur ka qënë ekzemplare. 100 postime në Facebook, 0 rezultate! Asnji impakt në terren, asnji përmirësim qoftë në tregi apo shkëmbim mallrash. Qeveria shqiptare harxhoi kohë, energji, marrëdhënie diplomatike, takime… për t’i mbushur mendjen që ne duhet të jemi në një proces që e mbylli pa pasur rezultat.

Në vend që të fokusohej tek Procesi i Berlinit i cili është procesi që në vetvete duhet t’i kishte prodhuar rezultatet, ndërkohë që sot është marrë një ‘tur ballkanik’ për t’i mbushur mendjen atyre që hajde të fokusohemi tek ky proces.

Nëse Procesi i Berlinit do të përdorej si vendet e tjera të rajonit për 4 të drejtat kryesore, për marrëveshjet që rrjedhin prej tyre, sot qeveria shqiptare do të kishte më shumë përfitime në infrastrukturë, dixhitalizim, ekonomi dhe shkëmbime mallrash.

A e dini që në paketën e fundit të miratuar si pjesë e paketës ekonomike nga Komisioni 2.1 miliard euro, Shqipëria ka përfituar vetëm 4 autobuza për qytetin e Tiranës që do të karikohen me energji elektrike.

Maqedonia e Veriut mori korridorin e 8-të, Bosnja mori projekte të tjera dhe Shqipëria dështoi, sepse ne harxhojmë energji duke u fokusuar në iniciativa që nuk prodhojnë asgjë në vetvete dhe nuk kanë asnjë rezultat për qytetarët shqiptarë.

Në një situatë pandemie, krize, lufte dhe të acaruar gjeopolitike si rezultat i agresonit rus ndaj Ukrainës, qeveria shqiptare duhet ta kishte pasur vëmendjes se kush e ndihmoi. Ballkani i Hapur apo Komisioni Europian dhe procese si ai i Berlinit? Po gjatë situatës së rindërtimit që Komisioni mori vendime si rezultat i këtij procesi? Po përgjatë luftës që ndikoi në rritjen e çmimeve, veçanërisht të energjisë, me paketën 80 milionë euro?

Të gjitha kanë ardhur nga fondet e BE-së të dedikuara për këtë fushë. Ndërkohë që ne harxhuam dhe prodhuam lajme pa fund për t’i mbushur vendeve që nuk morën pjesë, njerëzve që Ballkani i Hapur ishte e ardhmja e rajonit dhe e mbyllëm sot me një të rënë të lapsit!

Asnjë marrëveshje nuk është ratifikuar në Parlament për Ballkanin e Hapur. Nuk është prodhuar absolutisht asgjë, përveç propagandës të shëmtuar të përditshme të qeverisë me bilbilat e saj.

A e dini se nga të dhënat e fundit të INSTAT-it pesha e eksporteve të Shqipërisë krahasuar me vendet e BE-së është 73%? Tregu i Ballkanit Perëndimor ka kuptim dhe vlerë nëse konsiderohet bashkë me tregun europian, sepse ne sot nuk kemi kapacitete për vendet e rajonit dhe Ballkanin Perëndimor. Ne përfitojmë nëse zgjerohemi në Europë sepse aty eksportojmë 73%.

Nga ana tjetër, importojmë 51.6% të të gjithë produkteve të Shqipërisë po nga Europa në një shkallë më të ulët sesa vendet e Ballkanit Perëndimor. Tregtia me vendet e CEFTA-së është 7.6%.

Kush i ka sytë e mbyllur dhe bën politikën jo për llogari të Shqipërisë, por për dikë tjetër, duhet të shoh këto llogari! Janë të rëndësishme për të kuptuar se ku duhet të fokusohemi ne dhe se ku duhet të jetë e ardhmja e rajonit.

3,000 kompani eksportojnë, 13,000 kompani importojnë dhe këtu duhet të punojë qeveria. Për këtë mund të ulemi bashkë të gjithë, të majtë dhe të djathë, ta diskutojmë sesi të rrisim potencialin. Sesi të bëjmë të mundur që, pavarësisht se procesi i integrimit po vonohet, të ecim përpara ashtu siç kemi ecur me marrëveshjet e procesit të Berlinit për të avancuar në fusha që lidhen me dixhitalizimin, me mbështetjen ndaj ekonomisë, me lëvizjen e lirë të mallrave dhe të produkteve, me njohjen dhe certifikimin e diplomave. Asgjë nga këto nuk prodhoi Ballkani i Hapur, por procesi i Berlinit!

Përse konsumuam kohë, politikë me njëri tjetrin, u zimë dhe debatuam, u futëm në sherr me Kosovën se a është apo nuk është në Ballkanin e Hapur? Për politikën e ditës apo që t’i shtyjmë dhe dy vite të tjerë që të bindemi që këto 100 postimet në Facebook që bëri qeveria na sollën arritje të jashtëzakonshme?

Ka ardhur koha që t’i shohim këto gjëra jo me partitizëm, por me të vërtetën në sy që e ardhmja e Shqipërisë nuk mund të jetë ngushtimi në tregun e vogël me 18 milionë vetë të Ballkanit Perëndimor.

E ardhmja jonë e padiskutueshme është procesi i integrimit dhe rruga drejt këtij procesi dhe duhet të bëjmë çdo gjë, pavarësisht se ky proces është vonuar dhe zgjatur, ne t’i bëjmë reformat këtu për ta ndryshuar këtu. Të ikim nga retorika boshe për të prodhuar lidera rajonalë dhe ballkanik që nuk i duhen askujt, sidomos shqiptarëve!