Ju çoheni këtu, merrni kohën e qytetarëve dhe kohën e këtij parlamenti për të dërdëllitur pa fund në një përpjekje të mjerë për të fshehur lepurin në bark që po i rritet nga mëngjesi në darkë, atij që i thotë vetes kryeministër dhe deputetëve të tij që qeshin nga zori.

Për çfarë qeshni ju?! Për çfarë qeshni?! Qeshni për ata që u vranë në Lushnje para dy ditësh?! Apo për atë plakun që u plagos nga breshëria?! Për çfarë qeshni ju?! Apo për atë 8-vjeçarin që u plagos nga tritoli në Vlorë?!

Për çfarë qeshni ju o kukulla pa integritet, pa personalitet?!

Gjysma prej jush që ka ardhur këtu, ju ka marrë për dore krimi, ju ka caktuar krimi. E dini fare mirë.

Keni njollosur një jetë të tërë. Disa prej jush kanë punuar ndershëm, por nuk ju la shteg tjetër ky këtu që vjen e sulmon një orë opozitën dhe nuk guxon të thotë një fjalë për krimin.

Pse?!

Sepse ai është njësh me ta. Dhe nuk ka nevojë të tregojë fotot për këto, i keni pasur këtu dhe kemi akoma këtu. E dinë të gjithë shqiptarët. Për çfarë?! Për të dënuarit me drogë, për prostitucion, për vrasje që Edi Rama i bërë deputete, i solli në këtë sallë, për të dënuarit për drogë, për prostitucion, për përdhunim, që i bëri kryetar bashkie. I harruat?! Kaq shpejt i harruat?! E harruat Elvisin? Mirë Griseldën, se pyetën disa të rinj se çfarë është Griselda.

Griselda është një vajzë që i futën një jastëk në bark dhe pretenduan se ishte shtatzënë, pastaj ia nxorën jastëkun dhe thanë: e detyroi banda e demokratëve të abortonte. Kjo, me një arsye të vetme; që të bllokonte integrimin e vendit në NATO dhe heqjen e vizave. Kush e bëri këtë?! Erion Veliaj me porosinë e Edi Ramës.

Shkuan delegacione zyrtare në Bruksel dhe eurodeputetët thanë: ju keni bërë një krim monstruoz. U vërtetua se ky ishte një fabrikim i pastër i një përdhunuesi si Elvis Roshi, mik i Edi Ramës, kryetar i bashkisë së Kavajës me mbështetjen e Edi Ramës dhe bandave kriminale, jo votën e qytetarëve.

Çfarë janë këto, trillime të fantazisë time apo tmerret dhe turpet tuaja?! E shndërruat një parti politike me një histori të mbrapshtë, por me mundësi për reflektim, në një bandë kriminale.

E dini si e keni partinë në Lezhë apo s’e dini?! Qani hallin e Partisë Demokratike.

A e dini që në degë të tëra të Shqipërisë partinë tuaj e sundon krimi, kriminelë si këta këtu, (ne foto Durim Keci).

Por kur banditët u ngrenë pistoletat në mbledhjet e Kryesisë tuaj, domosdo që kjo ndodh pastaj edhe në degë. Këtë e keni dhuratë prej Edi Ramës i cili vetëm fjalën krim nuk shqipton dot, i clil 3 javë pas ngjarjes së Elbasanit nuk ka dhënë një shpjegim se pse dy të dyshuarit kryesorë ndodhen sot në Holandë në vend që të ishin prapa hekurave. Se pse, Durim Keçit të Shijakut, iu fsheh për muaj e vite kërkesa e Interpolit, derisa sa mbante më ujë pilafi dhe zotrote u nise për te Gentilioni dhe e dije që do të haje thuprën atje, siç e ha ditë për ditë nga ata që tregojnë me gisht dhe thonë; duhet t’i deklarosh luftë krimit të organizuar.

Të kujt janë ato fjalë? Ne i kemi thënë të parët. Dhe ne s’kemi asnjë fije dyshimi që ti nuk e lufton dot krimin e organizuar se ti je kriim i organizuar.

Ti je njësh me krimin e organizuar. Por, për ata që akoma ushqejnë iluzione për çfarëdo arsye dhe motivesh, të bëmë thirrje një javë më parë, por ti nuk ke guxim, vjen këtu me dërdëllitje bajatje, pa asnjë argument, me fjalor të cunguar, me komplkset e të pashkollit që ta përmend Petrit Vasili, dhe që e nxorre këtu.

Po i pashkollë je në krahasim me këtë grup parlamentar të opozitës këtu. Ti nuk zgjedh shkollën, ti nuk zgjedh vlerat. Ti zgjedh dëftesat falso, dëftesat e blera. Ti zgjedh krimin, ti zgjedh grabitqarët. Me këta ke ardhur në pushet. Me këta qeveris.

Meqë je larguar dhe s’ta mban të rrish këtu. Meqë je larguar nga salla dhe s’ta mban të rrish këtu s’më mbetet gjë tjetër veçse t’i drejtohem shqiptarëve.

E t’u them se shqetësimi im, s’ka qenë dhe nuk mund të jetë kurrë ky njeri, as qeveria e tij, por gjëma e madhe që po i ndodh këtij vendi.

Dhe të gjithë së bashku me ata shqiptarë që duan me të vërtetë të ndërtojnë një jetë të ndershme për veten e tyre, për familjartë e tyre këtu në Shqipëri, na duhet të gjejmë urgjentisht rrugën e daljes nga kjo greminë ku e ka futur vendin Edi Rama dhe aleanca e tij me krimin.

Raporti i qartë dhe i drejtpërdrejtë i OSBE/ODIHR për zgjehdjet e qershorit na jep mundëisnë të nxjerrim pa më të voglin dyshim tre fakte të thjeshta.

Fakti i parë është që vota e qershorit u ndikua, u dhunua, u ble. Për herë të parë në 27 vite, shitblerja e votës është rekomandimi prioritar i OSBE/ODHIR-it.

Fakti i dytë është se vota u ndikua, u ble dhe u dhunua nga Edi Rama dhe nga Partia Socialiste.

Fakti i tretë është se Edi Rama e ndikoi, e dhunoi dhe e bleu votën duke përdorur paratë e drogës, paratë e kriminelëve, paratë e bandave si dhe burimet publike.

Këto fakte përbëjnë atë që e di çdo shqiptar, i djathtë apo i majtë, e di unë, e dini ju, e di edhe ky, që, me 25 qershor u krye një atentat ndaj demokracisë.

Demokracia në kuptimin e vërtetë dhe perëndimor të fjalës, është një sistem kompleks kufizimesh dhe kontrolli pushtetesh, por në themel ka një vlerë të pacënueshme, që është vota e lirë e qytetarëve për të zgjedhur qeverisjen që duan.

Kur vota blihet, qeveria që del është e shitur. Kur votën e siguron me para dhe me dhunë kriminelësh, qeveria nuk u takon qytetarëve por kriminelëve.

Ngjarjet e muajit të parë të qeverisjes së  klanit dhe kartelit kriminalo-politikë, janë ilustrimi më i mirë i kësaj dukurie.

Ajo që ndodhi dy javë më parë dhe që ishte sebepi dhe shkaku për shtyrjen dy javë të debatit në séance, është treguesi më i qartë. Qazim Sejdini dhe kriminelët e tjerë në Elbasna mbi të gjitha dhe para çdo gjëjë tjetër, përpara trafikanëtev të heroinës, kriminelë të kërkuar nga Interpoli dhe Europoli, janë makineria që manipulon dhe vjedh votën për të mbajtur në pushtet Edi Ramën.

Ky pushtet pastaj, i dalë nga këta kriminelë që ky s’guxon t’i përmendë me emër, është në shërbim dhe në mbrojtje të tyre. Dhe kjo është arsyeja pse nuk janë prapa hekurave autorët e vërtetë, por janë jashtë vendit me ndihmën e këtij (drejtohet nga Rama).

Kjo është arsyeja, pse në Elbasan, sikundër në Lushnje vendosin bandat dhe kriminelët.

Kjo është arsyeja pse nga Vlora në Shkodër, nga Dibra në Durrës, në Korçë, në Berat, Gjirokastër, Fier dhe në Tiranë, ligjin e bëjnë kriminelët dhe jo policia.

Thelbi i këtij modeli që tregon se Elbasani, Lushnja, Shkodra, Lezha, Durrësi, dhe Shijaku nuk janë raste të shkëputura, as sipërfaqësore. Thelbi është modeli politik dhe ekonomik që Edi Rama ka ndërtuar kudo në Shqipëri.

Thelbi është shkrirja në një e krimit, politikës dhe e biznesit, nën koordinimin dhe kontrollin direkt të Edi Ramës.

Të mos lëmë vend për asnjë keqinterpretim apo keqkuptim, kjo që po them nuk është as metaforë dhe as retorikë, por përshkrim besnik i realitet, i realitet objektiv, jo vetëm siç e njoh unë, siç e njeh opozita, siç e di fare mirë edhe ky, që gjysmën e kohës si kryeministër e ka kaluar nën shoqërinë e kriminelëve, me pushtet direkt politik dhe pushtet në rrugët e sheshet e qyteteve tona, dhe siç e njohin partnerët ndërkombëtarë, realiteti është që; Edi Rama ka marrëdhënie direkte, personale me kriminelë, me trafikantë dhe me biznesmenë të lidhur me krimin.

Ashtu si në Elbasan ku Edi Rama ka bërë planet e vjedhjes së votës direkt me Qazim Sejdnin dhe kriminelët e tjerë politikanë që nxorri Elbasani këto zgjedhje.

Ashtu si në Durrës, ku i ka bërë direkt me Vangjush Dakon, me bandat e Durrësit dhe bandat e Shijakut, e kudo anembanë Shqipërisë.

Këto grupe kriminale i dhanë votat Edi Ramës në Elbasan, në Durrës, në Shkodër, në Lezhë, në Laç, në Krujë, në Shijak, në Kavajë, në Lushnje, në Fier, në Vlorë dhe Korçën e Rragamit dhe bandës së 5 dyqaneve.

Aty ku flet dhe fle me kriminelët. Eshtë e njëjta skemë që ke përdorur për gjashtë vite rresht. Ti e di Taulant. Ti rri në në Librazhd se ke të tjera të dhëna. Eshtë e njëjta skemë që ke përdorur për 6 vjet rresht në Kavajë.

Elvis Rroshin me një grup kriminelësh i trajtove si makinerinë e votave dhe në shkëmbim, e bëre ate të plotëfuqishmin e Kavajës duke e shkrirë në një, Parti Socialiste, pushtetin lokal, biznesin dhe krimin në Kavajë.

Çdo vendim, siç e dinë qytetarët e Kavajës, aktivitet politik, liçensë, emërim, tender, e ka marrë vetëm me pëlqimin dhe bekimin e Elvis Rroshit. E njëjta skemë në Durrës me Vangjush Dakon, Shkodër, Lezhë, në Pukë, në Fushë Arrëz. Në Kurbin, në Krujë, në Lushnje, në Fier, në Vlorë, nga Dibra në Tepelenë, e njëjta skemë, që ke ngritur kudo në Shqipëri.

Shqipëria është sot në gjunjë para krimit, e pambrojtur, e trembur, e pasigurtë. Dhe përgjëgjësi je ti Edi Rama, sepse ti e ke përgjegjësinë kryesore të luftosh me krimin, je në shtrat me krimin.

Dhe cila është arroganca e pushtetit të krimit dhe bandave që sundon qytetet tona, shihet ditë për ditë.

Ata vrasin në mes të ditës dhe në mes të sheshit dhe ti zgërdhihesh. S’ke thënë një fjalë këtu për viktimat e pafajshme të tritolit dhe të kallashit sepse, je jo thjesht i papërgjegjshëm në politikë, por ti je i papërgjegjshëm edhe në kuptimin njerëzor të fjalës. Një fjalë nuk ke thënë. Një ngushëllim.

Ti që gjen kohë dhe harxhon kohë për gjithçka në më pak se pesë ditë, janë plagosur, një fëmijë 8 vjeç nga tritoli, dhe një i moshuar 55 vjeç, në Lushnje. Në mes të shesheve të qyteteve kryesore të vendit. Qytete të cilat kanë dalë jashtë kontrollit të policisë dhe janë nën kontrollin e bandave që u sollën votat këtyre më 25 qershor. Në drejtim të ditur apo të paditur, e sigurt është që, këto banda, i kanë lënë gjurmët e tyre në 25 qershor në Lushnje dhe kudo një Shqipëri.

Sa për bilanc, pa dyshim, ti ke arritur ta ndryshosh krejtësisht drejtimin politik dhe ekonomik të vendit.

Shqipëria është kthyer mbrapa. Në vend që të kishte prioritet dhe temë të ditës zhvillimin, punësimin, investimet e huaja, arsimin dhe shëndetësinë, ka temë të ditës, manipulimin e zgjedhjeve, drogën, lidhjet e tua me krimin dhe rritjen e aktivitetit kriminal si problemi kryesor i Europës në Shqipëri.

E pe besoj edhe barometrin e Ballkanit. 50% e shqiptarëve duan të largohen. Shifër që vjen në rritje nga viti në vit. 39% e bashkëqytetarëve tanë, nuk paguajnë dot faturën e ujit dhe të dritave. 43% pothuajse gjyma, nuk mund ta përballojnë ngrohjen, tani që vjen dimri.

30% nuk paguajnë dot këstet e huasë. 30% nuk përballojnë dot blerjen e ushqimeve bazë. Këto janë arritjet e tua Edi Rama. Jeta e tyre, jeta e shqiptarëve do të bëhet më e veshtirë, nëse marrëzia, sharlatanizmi dhe babëzia korruptive e jotja do të shkojë deri në fund dhe nëse ky vend, këta qytetarë do të të lejojnë të rrisësh taksat dhe çmimet e konsumit të shqiptarëve, duke aplikuar TVSH-në për biznesnin e vogël.

Çdo shqiptar e kupton gjendjen e mjeruar ku na ka sjellë, por për ta vendosur atë në një kontekst, jo nga bota perëndimore, por nga rajoni ynë, më lejoni t’ju them se këto ditë, e këto javë dhe këto muaj që çështja kryesore në Shqipëri është shit-blerja e votës dhe përplasjet e bandave për kontrollin e trafikut të drogës nën mbrojtjen e Edi Ramës, pikërisht në këtë kohë, Serbia po negocion anëtarësimin në Bashkimin Europian dhe ka shpallur ambicien për ta finalizuar atë, brenda pak vitesh. Ndërkohë që, po kthehet një nga qendrat kryesore ekonomike të Europës Lindore. Mali i Zi po negocion anëtarësimin dhe është kthyer në një nga qendrat kryesore turistike për Europën. Maqedonia është shndërruar në një nga vendet kryesore ku po investojnë kompanitë më të mëdha të teknologjisë në botë dhe e vetmja arsye përse nuk po negocion anëtarësimin, është mosmarrëveshja për emrin me Greqinë.

Në kohën që bota ecën përpara, ndërkohë që edhe rajoni ynë po zhvillohet dhe integrohet, ne po humbim çdo lloj mundësie për të ardhmen.

Ne bëjmë hapa prapa dhe bota po na izolon përsëri, politikisht dhe ekonomikisht.

Përgjegjësia për këtë është vetëm e një njeriu. E një njeriu të bërë njësh me krimin. Ky që pengoi dhe u përpoq të ndalonte me çdo kusht anëtarësimin e vendit në NATO dhe heqjen e vizave.

Por nuk ia doli sepse kishte përballë një popull të tërë, një qeveri të përkushtuar ndaj fateve të atij populli. Sot me çfarë mburret Edi Rama? Përveç aleancës së tij me krimin, tjetërsimit të votës, ekonomisë në kolaps, në këto kushte, duke e dikur që nuk ka asgjë më për t’u shitur shqiptarëve, ka veç dëngla nga kjo foltore dhe dalje të bezdishme, bajate, nga mëngjesi deri në darkë para ekraneve. As krunde nuk shet më. Petulla me ujë. Në këto kushte, ka filluar një kurs tjetër, sa dinak edhe kriminal ndaj shqiptarëve.

Tani që Europa më në fund është ndërgjegjësuar për rrezikun e madh që Edi Rama paraqet jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin, ky po përpiqet t’i bëjë shqiptarët të urrejnë Europën dhe të ngjallë ndjenja antieuropiane.

I them këto, jo thjesht dhe vetëm si kryetar i opozitës, por në radhë të parë si qytetar dhe si një njeri me përgjegjësi para popullit tim.

Sot dua të paralajmëroj të gjithë bashkëqytetarët, se krimi dhe droga janë kthyer në fatalitetin e Shqipërisë.

Shqipëria prodhon dhe konsumon, drogë dhe krim dhe nënproduktet e tyre.

Paratë e krimit po depërtojnë kudo dhe po e transformojnë strukturën ekonomike të vendit. Sektori i ndërtimit po bie në dorë të krimit çfarë shpjegon bumin e papritur të ndërtimeve që po fillon kudo në Shqipëri.

Sektori i turizmit po bie në dorë të krimit. Grumbullimi dhe përpunimi i plehrave ka rënë në dorë të krimit. Të dhëna tronditëse do të publikohen në ditët dhe javët e ardhshme nga faktorët ndërkombëtarë, për të gjitha këto çështje. Sektori bankar po depërtohet nga krimi, në kuptimin e financimit me fajde të parave të drogës dhe në kuptimin e angazhimit të bankave të caktuara në sektorin bankar në industrinë e pastrimit të parave të drogës me mbështetje dhe bekim qeveritar dhe mburojë të drejtpërdrejt nga ty, Edi Rama.

Së shpejti shkollat, spitalet, rrugët, plazhet dhe e gjithë infrastruktura e vendit do të jetë nën kontrollin direkt të grupeve kriminale.

Konçesionet dhe kontratat publike dhe skema 1 miliardë euro është skema që do ti kalojë krimit nën kontroll, të gjithë infrastrukturën e vendit.

Nëse sot përjetojmë raste të dhunës dhe të krimit për të cilën ky i përgjeshmi këtu gajaset, janë shtetasit e tij që vriten rrugëve, janë shtetasit shqiptarë që plagosen rrugëve dhe shikojeni si gajaset. Ja ku e keni të përgjegjshmin. S’ka nevojë se e njihni. Dhe e dini fare mirë se atje nuk është ulur me aprovimin tuaj por me votat dhe mbështetjen e krimit. Dhe nëse sot përjetojmë raste të dhunës dhe të krimit kjo me të vërtetë nuk është asgjë para asaj që do të vijë nëse do ta lejojmë.

Nëse nuk do ta ndalojmë, nëse nuk e ndalojmë sot, nesër të gjithë do të jemi shërbëtorë dhe skllevër të krimit. Fëmijë, të rinj, të rritur, gra dhe burra, të shkolluar dhe të pashkolluar, do të shndërrohen në skllevër në një ekonomi dhe në një vend, një shoqëri të qeverisur direkt nga krimit.

Dua t’i bëj sot një thirrje të rinjve, intelektualëve, njerëzve të medias dhe shoqërisë civile. Mos heshtni, guxoni, sepse indiferenca është e rrezikshme për të ardhmen dhe të nesërmen e vendit. Të krijojmë së bashku me urgjencë, një front kundër krimit për të shpëtuar të ardhmen e vendit tonë. Pavarësisht diferencave dhe kritikave që mund të kemi për njëri-tjetrin, sot duhet të rreshtohemi qartë në një front të bashkuar njerëzish që duan një Shqipëri pa krim, përballë një fronti laraman kriminal, që ka bërë bashkë Edi Rama me politikanë të kapur nga krimi, me trafikantë të drogës, me kriminelë të tjerë si edhe biznesmenë, bizneset e të cilëve jetojnë me paratë e krimit. Dua t’i bëj një thirrje komunitetit ndërkombëtar. Të rrisë dhe të mos ndalë trysninë e gjithanshme ndaj Edi Ramës.

Të ndërpresë mbrojtjen që i jep krimit dhe t’i japë fund aleancës politike me krimin jo vetëm për hir të popullit shqiptar, por për hir të sigurisë në rajon dhe kudo.

Krimi i organizuar, i pajisur me miliarda euro që vijnë nga droga dhe aktiviteti i tyre ekonomik në Shqipëri, janë rrezik kombëtar për sigurinë e Shqipërisë, por edhe të rajonit dhe më gjërë. Pa zgjidhur këtë problem jetik për vendin, asgjë nuk do të funksionojë. As reforma zgjedhore në letër, nuk do t’i japë fund dhunimit të votës nga aleanca e krimit me Edi Ramën.

Për këtë model që ky përfaqëson, nuk mund të ketë një fillim të dytë.

Ky duhet dhe do të jetë fillimi i fundit.