Paraditen e së shtunës kryetari demokrat Lulzim Basha bashkëbisedoi me mësues, pedagogë dhe studiues lidhur me sistemin arsimor në Shqipëri. Duke nisur nga ai paraarsimor, tek arsimi fillor dhe i mesëm dhe duke përfunduar me atë universitar, mësuesit dhe prindërit argumentuan se ky sistem nuk mundëson një edukim që përshtatet me kërkesat e programeve akademike.

Etleva Metko tha se mësuesit sot largohen nga vendi i punës për shkak të bindjeve politike dhe jo aftësive në mësuesi dhe lëndën që japin. Shumë prej tyre sot kanë në duar vendime gjykatash për rikthim në vendin e punës, që është kthyer nga institucion publik arsimor, në zyra përkatësish partiake.

Profesor Ndriçim Mehmeti tha se mësues, sot nuk janë, më vizionarët, por shërbëtoret e pushtetit me teser partie. Shkak i kësaj është edhe shifra alarmante prej 15%, e të rinjve që aplikojnë për të studiuar jashtë kufijve pasi nuk i besojnë më sistemit arsimor në vend.

Alma Lama mësuese kimie, denoncoi mashtrimin e qeverisë me raportin e studimit të Ministrisë së Arsimit dhe Institutit të Zhvillimti të Arsimit. Ajo tregoi se si kolegët e saj u detyruan të thonin të pavërteta lidhur me vlerësimin e sistemit dhe infrastrukturës arsimore, në raportin në fjalë. Lama tha se si mësuesit nën presion, mes të tjerash deklaronin se norma e orëve të mësimit ishte e përcaktuar si duhej kur faktikisht çdo i punësuar në arsimin parauniversitar punon minimalisht tre orë të papaguara mbi normë. Paga për mësuesit, si tregojnë vetë ata, për herë të parë prej vitit 1990 nuk është rritur përgjatë katër viteve të mandatit qeverisës.

Një gjest i vogël, si ai i shkurtimit të bonusit simbolik prej 120 lekësh nga ministria e Arsimit, për mësuesit e shkencave ekzakte, tregon babëzinë e kërij kabineti dhe politikave të tyre.

Mësues parashkollorë, pedagogë dhe profesorë të qyteteve të ndryshme të Shqipërisë denoncuan mungesën e kushteve minimale për përmbushjen e programeve shkollore. Minimalisht 30% e programit shkollor për lëndët ekzakte si kimia, fizika apo edhe informatika nuk zhvillohen sepse mungojnë kabinetet, laboratorët madje edhe interneti në shkolla.

Një mësues informatike me eksperiencë 11 vjeçare, Sokol Tagani tregoi për vështirësitë që hasi një vit më parë gjatë këshillimit të karrierës për maturantët e shkollës ku punon. Mesuesi tha se duhej t’i përgjigjej studentëve, të cilëve ju ndryshuan rregullat e lojës vetëm pak javë përpara përfundimit të afatit të aplikimit për universitet. Një numër i madh studentësh u penalizuan sepse gjimnazi që kishin ndjekur nuk kishte përfshirë një lëndë të caktuar në programin e përcaktuar për ta nga shteti shqiptar.

Pedagogët thanë se heqja e sistemit të renditjes së preferencave për degët e universiteteve i përballi nxënësit e mirë me faktin se nuk kishin fituar asnjë degë edhe pse mesatarja e tyre ishte mbi 9.  Ndryshimet ne legjislacion sipas mësuesve dhe pedagogëve kanë shkatërruar sistemin e meritë-preferencës.

Lulzim Basha tha se dëshmitë e mësuesve, pedagogëve dhe studiuesve për gjendjen ku ndodhet sot sistemi arsimor janë pasqyra më e qartë e komplotit të republikës së vjetër në kurriz të qytetarëve.

“Një maxhorancë që promovon kultin e krimit dhe i tregon fëmijëve shqiptarë dhe prindërve  të tyre se sistemi që ndërtojmë nuk favorizon nxënësit më të mirë, më të diturin, të ndershmin, por personin me diplomë falso, mashtruesin, gënjeshtarin, atë që nuk çan përpara në jetë me punë të ndershme, me korrektesë familjare dhe shoqërore, por njerëzit e hurit dhe të litarit. Mbi 90% e të rinjve, mbi 70% e qytetarëve po t’u jepet mundësia largohen nga ky vend.

Statistikat tregojnë se asnjë komb tjetër nuk investon më shumë si përqindje e të ardhurave për shkollimin e fëmijëve të vet sesa shqiptarët. Ndërkohë ky shtet, kjo republikë e vjetër, ky kabinet hajdutësh që mburret se po bën shtet, harxhon qindra-milionë euro në vit për fasada. Vetëm këto tre muaj  të parë ka harxhuar 300 milionë euro për zyra.

Tani, po i shndërrojnë shkollat dhe sistemin arsimor si asnjëherë, në një infrastrukturë elektorale të Partisë Socialiste. Mora denoncime që i merrnin në telefon gjimnazistët, me detyrim që të paraqiteshin në mitingun e dy ditëve më parë. Gjimnazistët e Tiranës, të cilët po me detyrim duhet të jepnin numrat e tyre të telefonit”

Kryetari Basha premtoi se në Republikën e Re, arsimi do të zërë vendin e shumë merituar, si përgjegjëse për formimin dhe edukimin e rinisë dhe së ardhmes së shqiptarëve.

“Republika e Re do ti japë shqiptarëve në kohën më të shkurtër, arsimin më cilësor në Ballkan. Shkollat shqiptare dhe sistemi arsimor shqiptar do të jetë brenda katër viteve të para të Republikës së Re, shkollimi dhe infrastruktura më e mirë në Ballkan.

Investimet në infrastrukturën shkollore do të kenë si qëllim që brenda dy viteve të para, kapacitetet fizike të gjithë shkolave fillore dhe të mesme shqiptare, të garantojnë studimin normal, me klasa normale të fëmijëve midis orës 08.00 dhe 14.00 dhe aktivitetin pas-shkollor deri në orën 16.00, me drekën e paguar nga buxheti i shtetit për të gjithë fëmijët shqiptarë.

Sistemi shkollor do të garantojë kushtet më moderne. Nuk do të ketë qyteteve të Shqipërisë, ndërtesë më moderne se shkolla e atij fshati apo asaj lagjeje.”

Lulzim Basha i tha mësuesve dhe pedagogëve se në mandatin e parë të qeverisë së Republikës së Re, arsimi do të arrijë standartet europiane.

“Do ketë trajnim të vazhdueshëm të mësuesve, angazhim të prindërve në të gjithë procesin e e vendimarrjes përsa i përket administrimit të shkollave, duke përfshirë dhe konsultimin e prindit për emërimin e drejtuesve të kopshteve, të shkollave. Planifikimi buxhetor duhet e do të marrë patjetër përsipër që mësuesit shqiptarë në krye të katër viteve të para të Republikës së Re, të jetë mësuesi më i paguar në Ballkan.”

Që kjo të mundësohet zoti Basha tha se fillimisht duhet të mbahen zgjedhje të lira dhe të ndershme që mundësohen vetëm nga një qeveri teknike për të cilën kryetari përsëriti ftesën për dialog politik.

“Rruga për dialog është e hapur nga ne. Por dialogu ka një objektiv, të rakorduar tash 9 ditë; qeveri teknike dhe mandat i qeverisë teknike për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Unë jam fare i qartë. Rrugë tjetër nuk ka, dhe nuk ka për të pasur.”


Njoftim per shtyp, 15 prill 2017