Në ditën e 71 të protestës për zgjedhje të lira dhe të ndershme, qytetarët e Qarkut të Korçës bashkëbiseduan me kryedemokratin Lulzim Basha për keqqeverisjen që ka rritur varfërinë në këtë qark.

Qyteti i Korçës ka sot vetëm investime fasadë e kulla korrupsioni, ndërkohë që të rinjtë po ikin nga qyteti, varfëria është rritur, bizneset po mbyllen dhe fermerët e kësaj zone nga më të njohurat nuk po prodhojnë më.

Kryetari i Shoqatës së biznesit të vogël e të mesëm në Qarkun e Korçës, Koli Biraj tha se është premtuar se do hiqeshin xhandarët tatimorë por ndërkohë ata janë akoma aty. “Premtimi për ulje taksash kompensohet me vendosje gjobash që vetëm shumëfishojnë taksat”, tha Biraj.

Bujar Muço nga shoqata e biznesit të vogël tha se biznesi në Korçë është në prag të falimentit. “180 familje që punonin në pazarin e Korçës u hodhën në rrugë. Sot biznesi është drejt falimentimit. 42 % ka rënë fuqia blerëse sipas të dhënave tona. 27 mijë biznese janë mbyllur vjet dhe vetëm në Korçë falimentuan 970 biznese të vogla e të mesme”, tha ai.

Fermeri Mustafa Zhurka tha se po dëgjojnë të njëjtat premtime nga Rama ndërkohë që nuk kanë më besim se do të mbështeten.

Por sot Korça është mbërthyer nga një oligarki e cila po përqendron vendimarrjen në duart e veta. Mirela Qeleshi, financiere me eksperiencë mbi 20 vjeçare në Korçë, u largua padrejtësisht nga puna. Ajo akuzoi të majtët se kanë marrë peng qytetin duke e zhytur në mjerim të thellë. “Korçën e ka rrëmbyer dhe hipotekuar një oligarki peleshjane e cila ka mbërthyer këtë qytet duke marrë çdo vendim nga një lokal që e di çdo korçar”, tha ajo.

Viola Tasi, nënë e re e papunë tha se nuk ka asnjë mbështetje dhe shpreson nga Republika e re. Edhe psikologia Katerina Mullalli tha se priste të niste punë në qytetin e saj, por edhe pse me kriteret e duhura, asaj iu refuzua puna sepse nuk ishte pjesë e listave të partisë në pushtet.

Pedagogia, Ledina Aliolli tha se gjendja e të rinjve është e pashpresë. Ajo shprehu vlerësimet për programin ekonomik të Partisë Demokratike. “Të rinjtë korçarë nuk kanë shpresë të gjejnë punë dhe të vetmen shpresë kanë të ikin nga qyteti. 50 % e të rinjve korçarë sot janë të papunë. Sot Korça identifikohet si Korça e kullës së shëmtisë dhe e fasadave të rikostruktuara por të një pazari të falimentuar. Kanë nisur të shantazojnë të rinjtë por edhe mësuesit. Këtu me vete kam një formular patronazhi që ata u kërkojnë të sjellin në këmbim të vendit të punës. Kjo nuk është republika që ne duam. Duam një republikë të re”, tha ajo.

Enina Facaj, avokate nga Korça akuzoi qeverisjen duke treguar se vite më parë ka punuar në administratën e Ramës në Bashkinë e Tiranës dhe kishte dhënë dorëheqjen për shkak se punohej vetëm për fasadë. “Duhet të marrim shembullin e Rumanisë me protestat e vazhdueshme për të arritur të drejtat e në veçanti të drejtën e votës. Kjo është arsyeja që unë po vazhdoj të luftoj si ju”, tha Facaj.

Pedagogia Sorina Koti tha se “të rinjtë dua të ikin nga Korça dhe shoh që studentët dua ti ikin. Sot nuk jemi vetëm të denoncojmë por ne po shpalosim programin tonë për të treguar se çfarë do bëjmë për Korçën”.

Kryedemokrati Lulzim Basha tha se republika e re do kthejë shpresën duke nisur nga shkulja e korrupsionit, krimit dhe narkotrafikut.

“Në Republikën e Re, 100 milionë euro subvencione të drejtpërdrejta për fermerët dhe 50 milionë euro investime në infrastrukturën bujqësore vit për vit, çka do të thotë se, mesatarisht, siç u shpreh këtu edhe profesor Bardh Sallaku, do të thotë, afërsisht pesëdhjetë mijë lekë për dylym asistencë, subvencion, çdo fermeri, çdo familjeje fermere.  Zerim pra, i akcizës, i taksave dhe i gjithë peshës së madhe që sjell abuziviteti me fidanët, me farërat, me plehrat kimike dhe inpute të tjera bujqësore, që i shërbejnë një qëllimi, pasurimit të një grushti njerëzish”, tha Basha.

Ai premtoi mundësi për të rinjtë dhe studentët shqiptarë, si dhe taksa të ulëta dhe lehtësi për biznesin.

“Qeveria me ligj do të vendosë si kufi maksimal të taksave të biznesit të vogël 1.5 % të cilat do të shlyhen me këste dhe me vetëdeklarim dhe çdokush që i përmbahet këtij rregulli dhe që demonstron pullën përkatëse, ka fituar të drejtën që asnjë taksidar, asnjë inspektor, asnjë punonjës i shtetit të mos i shkojë ndër mendje ti futet biznesit të vogël përveçse si konsumator i biznesit të vogël”, tha Basha.


Njoftim per shtyp, 29 Prill 2017