Plani Afatgjatë i Zhvillimit të Forcave të Armatosura është një nga dokumentat më të rëndësishëm të sigurisë kombëtare, dhe për fat të keq, na ka ardhur sot këtu me një lehtësi të pakuptueshme, sikur të ishte letër bakalli.
Pra na sillni këtu planin afatgjatë të zhvillimit të forcave të armatosura për një periudhë gati 10 vjeçare, sikur të ishim duke folur për mobilimin e zyres së ministres.
Një dokument thelbësor, një udhërrëfyes për forcat e armatosura të vendit që nuk është konsultuar me askënd, me asnjë ekspert, grup interesi.
Dokumenti, që për më keq, nuk është konsultuar as me Presidentin e Republikës, që është komandanti i forcave të armatosura.
Keni ndërmend të kaloni këtu një akt themelor për forcat e armatosura, sipas trilleve të një ministreje, e cila vendos në kokë të vet për shtyllën e sigurisë kombëtare për një dekadë.
Kjo është një sjellje tërësisht miope, fryt i arrogancës tipike të kësaj qeverie.
Anashkalimi i Presidentit të Republikës, që me Kushtetutë është komandanti i forcave të armatosura, është një skandal.
Po ashtu, Ligji nr. 64/2014, që ju vetë e keni miratuar, “PËR PUSHTETET DHE AUTORITETET E DREJTIMIT E TË KOMANDIMIT TË FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË” neni 9, parashikon se Presidenti i Republikes i rekomandon Këshillit të Ministrave masa, në varësi të nevojave për: (pika c) programe të veçanta për zhvillimin dhe modernizimin e Forcave të Armatosura. Në kuadër të këtij parashikimi, qeveria përpara se të propozjë plane afatgjata për Forcat e Armatosura, duhet domosdoshmerisht që të kërkojë mendimin e Presidentit dhe të verifikoje nëse ai ka ndonjë rekomandim në kuadër të miratimit të programeve të veçanta për zhvillimin dhe modernizimin e Forcave te Armatosura.
Kjo pra që keni bërë është edhe shkelje e ligjit përvece dëshmi e kulturës tuaj politike të moskonsiderimit të institucioneve të shtetit, kur nuk mendojnë si ju, e kur nuk i drejtoni vetë.
Moskonsultimi me asnjë ekspert të fushës, dhe vendi ynë ka jo pak njerëz që kanë njohuri të mëdha, është gjithashtu i papranueshëm.
Dhe është kundër çdo lloj standardi, të botës demokratike, të NATO-s ku bëjmë pjesë, që për këto lloj dokumentash që e tejkalojnë mandatin e një qeverie dhe kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare, të mos kërkohet e të mos merret konsensusi i opozitës.
Vetëm një ditë më parë, raporti i progresit i komisionit europian thekson rëndësinë e konsensusit e gjithpërfshirjes për reformën në drejtësi.
Konsensusi, gjithpërfshirja janë parakusht për reformat e qëndrueshme, të suksesshme. Kjo është fryma e kohës, ky është trendi europian.
Padyshim për këtë ka nevojë edhe reforma në forcat e armatosura.
Po megjithatë, përkundër kësaj, duke injoruar komandantin e forcave të armatosura, duke injoruar ekspertët, studiuesit e fushës, duke injoruar opozitën, ju na sillni sot këtu për të votuar një dokument për forcat e armatosura për 10 vitet e ardhshme, me llogjikën se; këtë punë e di Mimi.
Tani se çfarë ka bërë Mimi me forcat e armatosura, me ministrinë e mbrojtjes në këto dy vite, nuk janë garanci e madhe, që ta ngrohë këtë parlament, dhe jo vetëm opozitën por jam i sigurtë dhe shumë kolegë të mazhorancës, për të na bindur, që të ecim përpara.
Të votojmë po thoni ju për të ardhmen e forcave të armatosura, se kështu do Mimi.
Ndërkohë, përvoja e këtyre viteve na ka treguar se Ministria e Mbrojtjes është shndërruar në një prej foleve më të mëdha të abuzimit dhe korrupsionit në vend.
Skandalet kanë konkuruar me njëri tjetrin.
Nisi me aerodromet e Ministrisë së Mbrojtjes që u bënë baza të trafikut të drogës me avionë. E mohuat një herë, pastaj hodhët beton se partnerët e NATOS u alarmuan. Ishte beton nga zori, jo shprehje e vullnetit për të luftuar trafikun e drogës e për të kontrolluar bazat ushtarake.
Kjo ministre, ju kujtohet besoj, e mohoi me forcë dhe akuzoi opozitën kur ne denoncuam. Po kjo ministre një javë më pas e pranoi.
Fole e ngrohtë e korrupsionit është bërë mbrojtja me Mimin, dhe skandalet më të paimagjinueshme kanë ndodhur në këtë institucion, kur vetëm për rregullimin e një banjoje janë shpenzuar 80 millionë lekë.
Kjo pra është ti besosh ministres. Këtë po na kërkoni ju, po na thoni, mbyllni sytë se e di Mimi.
Eshtë i freskët raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit për qeverisjen e zonjës ministre.
Shkelje me dy këmbë të procedurave.
Ndryshim i kritereve dhe fondeve brenda ditës.
Ushtria i sjell kërkesat për makinat e blinduara, dhe i thotë kushtojnë kaq lekë. Mimi i shton gjithsesi 220 mijë euro. 220 mijë euro të taksave të shqiptarëve. Për të njëjtat makina, për të njëjtën kërkesë.
Specifikimet teknike bëhen sipas dyqanit ku është paravendosur, paracaktuar për tu marrë makinat.
Specifikimet bëhen pikërisht sipas kërkesës që sjell vetë operatori, ku më pas merren mjetet e blinduara.
Korrupsion tronditës, shkelje të pahasura kurrë më parë.
Dhe ju thoni, hajde të votojmë të ardhmen e forcave të armatosura të Shqipërisë, se e di Mimi.
Mbyllni sytë, se Mimi i jep drejtim.
Të nderuar kolegë;
Kontrolli i Lartë i Shtetit konstatoi se rikonstruksioni i godinës u bë pa leje, dhe kriteret u caktuan enkas që ta fitojë tenderin miku i ministres, një firmë pastrimi në këtë rast.
Ja pra çfarë është në gjendje të bëjë kjo zonjë, kjo ministre.
Ka treguar në këto dy vite paaftësi në menaxhimin e ushtrisë, arrogancë në komunikimin me forcat e armatosura, fyerje të vazhdueshme të profesionistëve, është zhytur në korrupsion, abuzimet janë të pafundme, dhe sot na kërkoni ti japim dhe një shans.
Ta lëmë Mimin të vendosë ajo në kokën e saj për forcat e armatosura për gjithë dekadën që po vjen.
Ky është fundi.
Nëse ju zotërinj të mazhorancës ndani këto vlera, keni ngjashmëri me këtë mënyrë qeverisje, me këto bëma të Kodhelit, atëherë vazhdoni e thelloni skandalet.
Ne jemi ndryshe.
Ky dokument që keni sjellë sot është një turp që në nisje.
Ndaj, e vetmja gjë me mend që mund të bëjmë sot është ta kthejmë mbrapsht. Mos ti lëmë forcat e armatosura të kalojnë një kalvar të pamerituar 10 vjeçar, sepse kështu donte Mimi.
Strategjia afatgjatë kërkon vullnet të gjërë, ekspertizën më të arrirë, kërkon konsensusin e Presidentit të Republikës dhe të opozitës.
Që të jetë e qëndrueshme dhe e sukseshme.
Ne ia kemi borxh këtë gjë ushtrisë sonë.


Fjala në Kuvend e deputetit te Partise Demokratike, Alban Zeneli, 12 Nentor 2015