Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka votuar sot ne orën 8.30 të mëngjesit. Zoti Basha ka ftuar të gjithë qytetarët të marrin pjesë masivisht në votime. Vendimet merren nga ata që votojnë, – tha zoti Basha, pasi vota është fuqia e qytetarëve.

 “Unë dua t’i bëj thirrje qytetarëve shqiptarë në këtë ditë të madhe e të rëndësishme për vendin tonë, në ditën kur qytetarët vendosin me votë të marrin masivisht pjesë në votime, t’u bëj thirrje qytetarëve të Tiranës e anembanë Shqipërisë që të ndajnë pak minuta nga koha e tyre, të vijnë në qendrën e votimit, të hedhin votën e tyre, sepse vota juaj, të nderuar qytetarë është fuqia juaj, është vendimi juaj, është gjykimi juaj, është momenti i sovranitetit tuaj. Vendimet merren nga ata që votojnë, ndaj ejani masivisht dhe jepni votën tuaj për të ardhmen tuaj, familjes e fëmijëve tuaj! Zoti e bekoftë Shqipërinë!” – theksoi kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 21 Qershor 2015