Deklaratë e Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha

Përshëndetje

Jam sot këtu për një mesazh të shkurtër.

Dua t’i bëj të ditur Kryeministrit të vendit, se asnjë përpjekje e tij, asnjë kërcënim përmes krimit dhe banditëve të tij, nuk ka për të pasur sukses.

Eshtë e qartë, se Edi Rama me aleancën me krimin po mundohet të instalojë regjimin e heshtjes, të mbysë kritikën dhe kundërshtimin, të ndalë fjalën e lirë.

Por kjo nuk ka për të ndodhur.

Ky skenar i Ramës ka nisur herët, ka nisur që ditën e tij të parë në parlament, ku bashkë me betimin kërcënoi se s’kishim parë asgjë akoma. Madje, ai pikërisht për këtë u betua, për të sulmuar e goditur opozitën, fjalën e lirë.

Skenari i tij për mbytjen e kritikës, kundërshtimit dhe fjalës së lirë, vazhdoi me dhunimin fizik të përfaqësuesve të opozitës në Kuvend, përmes deputetëve të inkrimuar, të sjellë enkas prej tij në atë sallë, me këtë qëllim, goditjen e së vërtetës, goditjen e kundërshtimit, goditjen e fjalës së lirë.

Kjo dhunë u shoqërua sic e dini edhe me kërcënime me jetë për deputetin dhe përfaqësues të tjerë të Partisë Demokratike.

Pak ditë më parë, Edi Rama ka hedhur hapin tjetër, duke frymëzuar një bandit si Emiliano Shullazi, i cili rrethohet gjithë ditën nga favore qeveritare, që të kërcënojë sërish opozitën, konkretisht mua si Kryetar i Partisë Demokratike.

Edi Rama nuk po kupton, se skema e tij është dështake, është skema e një furacaku të dëshpëruar, i cili pasi e ka zhytur vendin në krizë, e pasi ka themeluar një normë korrupsioni të përbindshme në çdo zyrë publike, kërkon që përmes inkriminimit dhe lidhjeve me krimin, të mbajë mbyllur fjalën e lirë, tenton të heshtë opozitën, e vetmja shpresë sot për ta nxjerrë vendin nga ky tunel i errët ku e ka futur Edi Rama.

Partia Demokratike nuk ka pasur asnjë ditë të sajën takim me frikën.

Dhe nuk do të ketë kurrë një takim të tillë.

Une i bëj sot me dije qytetatarëve të vendit, demokratëve dhe gjithë qytetarëve pavarësisht bindjeve politike, se ne do të jemi këtu çdo orë më të vendosur se kurrë për tu përballur me të keqen. Do të zhvillojmë betejën tonë me lidhjet kriminale dhe do të çojmë përpara dekriminalizimin e qeverisjes, politikës dhe sferës publike në tërësi.

Do të dështojë pra me turp çdo skenar i Edi Ramës dhe xhahilëve të tij.

Çdo ditë, Partia Demokratike, opozita dhe unë do të jemi në shërbim të interest më të lartë publik, në shërbim të së vërtetës.

Të vërteta të hidhura ka shumë për Edi Ramën. Të vërteta të hidhura po dalin ditë për ditë në dritë për qeverisjen e tij, por vendi s’ka për të mbetur peng i asnjë bande.

Ne shërbejmë Shqipërinë europiane dhe do ta bëjmë pareshtur, me përkushtim e devocion pa u ndalur asnjë ditë.

Faleminderit!