Fjala e Kryetarit të Partisë Demokratike në memoralin e Dëshmorit të Atdheut, Azem Hajdari, 16 vjet pas vrasjes së tij

 

 

Jemi mbledhur sot këtu, me qindra demokratë qytetarë të Tiranës, për të përkujtuar si çdo vit, heroin e demokracisë, tribunin legjendar të dhjetorit 1990, Azem Hajdarin dhe bashkëpunëtorin e tij Besim Cera. 16 vjet më pare, dora kriminale e armiqve të lirisë, demokracisë dhe të drejtave themelore të shqiptarëve shtiu zjarr dhe hekur mbi trupin e tribunit të lëvizjes studentore të dhjetorit, Azem Hajdari, në një përpjekje të kotë për të rrëzuar bashkë me trupin e tij edhe idealet dhe vlerat për të cilat ai dhe miqtë e tij u ngritën në dhjetorin e 1990, për të cilat u themelua dhe nisi misionin e saj historik Parita Demokratike. Ideale dhe vlera për të cilat u përkushtuan miliona shqiptarë, për të përmbysur terrorin dhe diktaturën më të egtër të Europës, për ta zëvendësuar atë me Shqipërinë e paqes, lirisë, demokracisë, vlerave më të çmuara të qytetërimit Europian. 

Aleanca e armiqve të lirisë dhe e krimit ndau fizikisht nga jeta Azem Hajdarin por nuk mposhti kurrë vlerat për të cilat ai qendroi, vlera që mishërohen sot tek çdo demokrat, tek Partia Demokratike e Shqipërisë, tek çdo qytetar i lirë shqiptar, tek çdo i ri dhe e re. Sot, 16 vjet pas këtij krimi makabër, pas kësaj përpjekje për të eleminuar dhe goditur këto vlera në themel, shoqëria shqiptare përsëri po përballet me një alencë akoma më të egër, akoma më djallëzore, të krimit me pushtetin. Pra sot nga ky vend, si çdo ditë të ekzistencës tonë, Azem Hajdari përbën frymëzimin tonë, forcën tonë, vendosmërinë tonë për të qendruar fort për vlerat e patjetërsueshme të demokracisë, të lirisë, të shtetit ligjor, të barazisë para ligjit, të të drejtave themelore të qytetarëve. Partia Demokratike ka lindur si një parti misionare, që bëri të mundur pas 50 vitesh, që shqiptarët ti njihnin dhe ti gëzonin këto të drejta. Partia Demokratike nuk do tërhiqet asnjë çast para kësaj ofensive të pushtetit me krimin për ti zhbërë këto të drejta e për ti nënshtruar shqiptarët përsëri si në kohët më të errta të diktaturës moniste. Nga ky vend, sot në emër të çdo demokrati dhe demokrateje, në emër të çdo të riu dhe të reje, në emër të çdo qytetari shqiptar që e do Europën, e do përparimin, do një Shqipëri të sigurtë me një ekonomi të fortë, me mirëqenie për të gjithë dhe me një të ardhme, zotohemi se do të vazhdojmë deri në fitore, çdo betejë, në çdo formë dhe mënyrë, për të mbrojtur demokracinë, të drejtat dhe liritë e qytetarëve shqiptar, shtetin ligjor, dhe për ti dhënë shqiptarve të ardhmen që meritojnë.