FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË TRYEZËN PËR NARKO EURON
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë dhe institucionet shtetërore për dështimin në përballimin e pasojave ekonomike që, sipas tij, vijnë nga qarkullimi i parave të krimit dhe zhvlerësimi i euros.
Në tryezën e organizuar nga Departamenti i Ekonomisë në PD, për fenomenin e narko-euros, lideri i demokratëve Sali Berisha deklaroi se rënia e monedhës europiane po godet rëndë prodhimin, eksportet dhe investimet në Shqipëri, duke e cilësuar këtë fenomen më shkatërrimtar se piramidat e viteve ’90. ‘Narko euro sot kanë efekte më shkatërrimtare sesa piramidat e viteve ’90, efekte dramatike’, deklaroi ai, duke iu referuar të dhënave që, sipas tij, tregojnë zhvlerësim të euros dhe dollarit në Shqipëri në nivele shumë më të larta se në vendet e tjera.
Kryetari i PD-së tha se zhvlerësimi i monedhës europiane përbën një goditje të rëndë për ekonominë prodhuese dhe eksportuesit, të cilët përballen me shpenzime në lekë dhe të ardhura në euro. ‘Kjo rënie e euros është një taksë e tmerrshme mbi eksportin dhe prodhimin, investimet, mbi investimet dhe eksportin’, u shpreh Berisha, duke argumentuar se humbja e vlerës së euros po rëndon mbi bizneset dhe po dëmton konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare. Ai i’u referua gjithashtu të dhënave për rënien e prodhimit industrial dhe eksporteve, duke deklaruar se Shqipëria është ndër vendet me rënien më të madhe të prodhimit në Europë. Sipas Berishës, kjo situatë ka ndikuar në falimentimin e bizneseve, humbjen e vendeve të punës dhe largimin e shqiptarëve.
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha kritikoi ashpër Bankën e Shqipërisë, duke e akuzuar për dështim në politikën monetare dhe për heshtje ndaj pasojave të zhvlerësimit të euros. Ai tha se institucionet përgjegjëse për mbikëqyrjen financiare dhe luftën kundër pastrimit të parave po injorojnë fenomenin.
Ai i bëri thirrje Komisionit Europian dhe institucioneve ndërkombëtare të analizojnë situatën në Shqipëri. ‘I bëj thirrje Komisionit Europian të mos dëgjojë burokratët (…) Të analizojë gjendjen në Shqipëri, se një narkoshtet është rrezik i madh edhe për rajonin edhe për Bashkimin Europian’, deklaroi kryetari i PD-së Sali Berisha.

FJALA E PLOTE
Narko euro sot kanë efekte më shkatërrimtare sesa piramidat e viteve ’90, efekte dramatike.
Së pari problemi më madhor numër një është origjina e këtij zhvlerësimi me distancë më i madh në planet sipas analizës së Eurostatit, i cili krahasoi 40 monedhat e rëndësishme të botës, raportin e tyre me euron dhe dollarin dhe gjeti se Shqipëria, leku shqiptar sot ka zhvlerësuar raportin me euron, ka një zhvlerësim të euros dhe dollarit 33 dhe 35%.
Asnjë monedhë tjetër në vendet prodhuese kryesore të drogës, Kolumbi e me radhë, në asnjë vend euro nuk ka këtë zhvlerësim.
Në Kolumbi është 8%, në Meksikë është 12%, në vendet e tjera luhatet midis këtyre shifrave. Sipas këtij studimi në Shqipëri arrin në 33 apo 35%.
Por ky zhvlerësim është goditja më e rëndë, më e rëndë që i jepet prodhimit në Shqipëri dhe eksporteve shqiptare. Është goditje shkatërrimtare.
Dhe duke u marrë përsëri me shifrat dhe të dhënat e Eurostatit, prodhimi industrial në Shqipëri gjatë 5 viteve të fundit ka rënë me 15.3%, rënien më të madhe pas Ukrainës, zona më industriale e së cilës Donbasi është e pushtuar nga agresori rus.
E dyta për rënien më të madhe të prodhimit në Evropë renditet Shqipëria.
Eksportet shqiptare nga viti 2022 në vitin 2025 kanë pësuar një rënie prej 28%.
Kjo rënie e euros, rënie nga narko-eurot, nga ato dhomat plot euro që patë në Peqin, dhe që këtu në Tiranë janë me qindra të tilla të fshehura në apartamente.
Dhe qindra e qindra arka nëntokë dhe kontenierë nëntokë.
Kjo rënie e euros është një taksë e tmerrshme mbi eksportin dhe prodhimin, investimet, mbi investimet dhe eksportin.
Çdo investitor që dëshiron të vijë në Shqipëri duhet të llogarisë taksën 30% të zhvlerësimit të parave të tij.
Çdo eksportues i cili të gjitha shpenzimet në Shqipëri i ka në lekë dhe fitimet i ka në euro duhet të llogarisë se eurot e tij kanë një vlerë 30% më të vogël seç e kishin.
Kjo është një goditje e madhe për prodhimin në Shqipëri, për eksportet në Shqipëri, për vetë strukturën e ekonomisë. Ky është një faktor i verbër që në njëra anë godet prodhimin, deindustrializon vendin, ndërpret procesin e industrializimit të vendit.
Ishim në proces, renditeshim të 8-tët në botë apo në Europë për prodhimin e këpucëve. Kishim një pozicion shumë të mirë në tekstile.
Për të mos thënë prodhimet bujqësore arritën të përballojnë rreth 80-90% të nevojave të vendit dhe eksportet u trefishuan.
Të gjitha këto pësuan një goditje shumë të rëndë, por mbi të gjitha, goditjen më fatale e mori qenia jonë si komb, e mori materia jonë kombëtare.
Largimi masiv i shqiptarëve për shkak të shkatërrimit të vendeve të punës, për shkak të falimentimit të qindra e mijëra bizneseve të eksportit. Dhe ju kujtohet Padrinoja kur deklaronte se ato janë të botës së tretë etj. Ankoheshin ato, ato kishin ardhur në Shqipëri. Dakord, fasonet, por fasonet erdhën u rritën dhe u kthyen në ‘Made in Albania’.
Prodhimi bujqësor u rrit. Arritëm, një popull që kishte ndenjur dekada, orë të tëra për një shishe qumësht në radhë, arriti të eksportojë qumësht.
Pra, problemi është se narko-eurot janë toksina më e rrezikshme për prodhimin dhe ekonominë e vendit. E them këtë se ky zhvlerësim i eurove dhe dollarit, çfarëdo origjine që të kishte, pasojat për Shqipërinë do t’i kishte këto që shohim.
Por, kur kjo ka origjinë drogën, atëherë kjo bën Shqipërinë një vend të rrezikshëm. Një vend të rrezikshëm për rajonin, vend të rrezikshëm për Evropën, sepse këto depozita ilegale miliardëshe në dhoma, kontejnerë, në arka, nën dhe e mbi dhe, janë të gjitha në duart e organizatave kriminale që mund të përdoren për të gjitha qëllimet. Për të gjitha qëllimet.
Ajo që është shumë e rëndë, e papranueshme, është qëndrimi tipik i institucioneve si narko-institucione. Institucionet shtetërore sillen si narko-institucione.
Banka e Shqipërisë nuk është banka që i ka krijuar, jo, por Banka e Shqipërisë me heshtjen e saj kriminale, me dështimin e saj të plotë në politikën monetare, në garantimin e një kursi konstant stabël, bëhet bashkautore në këtë dramë të madhe ekonomike, në këtë krim monstruoz që përkthehet në kullat e drogës dhe korrupsionit.
E para që duhet të jepte, t’u binte zileve të alarmit duhet të ishte banka.
Edhe tani, përfaqësueset e saj në studio televizive në papërgjegjshmëri të plotë fshehin të vërtetën para shqiptarëve.
Turizmi, thonë, përfaqësuesi i saj, një pseudo-bankier, për të mos i thënë edhe më shumë. Turizmi, thotë, ndërkohë kur vetë banka, ky institucion që kurrë nuk do të donim ta akuzonim, është banka që ka prodhuar këtë grafik, në të cilin tregon se kursi i euros në vitin 2007 ishte 1 me 120 lekë.
Ja kursi. Dhe kursi i euros në vitin 2007 kishte 1 milion e 500 mijë turistë.
Dhe kursi i euros në vitin 2022 kur kishte rreth 8 milionë turistë, Banka e Shqipërisë thotë se ky kurs ishte 1 euro me 127 lekë.
Pra, me 6-fishim të turizmit, kursi i euros nuk ndryshoi, mbeti si me 1 milion turistë. Është banka që e thotë, sepse këtë grafikun e kanë bërë punonjës të ndershëm të bankës të cilët bëjnë detyrën, tregojnë të vërtetën.
Çfarë ka ndodhur?
Pas vitit 2022 kur kartelet e drogës të kokainës të Shqipërisë u vërsulën me miliarda euro drejt vendit, euro theu qafën dhe sot e kemi 99 lekë apo 90 lekë.
Pra vetë banka përgënjeshtron veten, turpërohet dhe nuk thotë të vërtetën. Nuk thotë të vërtetën në një kohë kur me mijëra ndërmarrje eksporti falimentojnë.
Unë u them ju, se ndërmarrjet e eksportit, pavarësisht se eksportet nuk kanë qenë në nivelet që do të donim, por ato punësonin nga Pogoni gjer në Vermosh, dhjetëra mijëra fermerë të cilët mblidhnin çdo gjë të eksportueshme.
Nga bimët aromatike tek gurët e kromit apo të hekurit apo të bakrit, të cilat kanë një zhvlerësim tani prej 30% për shkak të kontejnerëve të çunave që futen dhe shkatërrojnë tregun si një fuqi e verbër natyrore.
E vërteta është që institucionet e Bretton Woods, institucione të mrekullueshme me një ekspertizë të jashtëzakonshme që kanë ndihmuar Shqipërinë që nga vitet ’90 e në vazhdim, fatkeqësisht heshtin. Heshtin.
Nuk kam lexuar raportet e FMN-së që citoi Enoja, në të cilin në njërin prej tyre shprehen se leku është vlerësuar me 48% dhe në tjetrin leku është vlerësuar me 12%. Një gjë është e sigurt, po spekuloj, por po.
Leku sot në tregun shqiptar, jo 12, por 30-40% më i pavlefshëm sesa ç’ishte 15 vite më parë, apo 10 vite më parë. Pra në një anë raporti nga narko-eurot, ai u bë superlek, tejkaloi çdo monedhë tjetër përfshi frangun e Zvicrës, koronën e Norvegjisë dhe me radhë.
Kurse këtu brenda fuqia e tij blerëse është një lek i rreckosur, është 30-40% më e ulët sesa ishte. Problemi bëhet më i rëndë sepse injorohet. Injorohet nga banka, injorohet nga institucioni i cili ka detyrë kryesore luftën kundër larjes së parave.
Injorohet nga narkoprokuroria e cila po të shihni konfiskimet e pronave të krimit janë ndër më qesharaket. Por ky studim jep argumente të plotë mbi shkaqet e vërteta të zhvlerësimit dramatik të euros dhe dollarit në Shqipëri.
Ftoj në veçanti institucionet Bretton Woods të cilët thashë kanë një histori shumë të suksesshme bashkëpunimi me Shqipërinë, po kanë edhe histori me probleme në këtë bashkëpunim.
Miqësisht u them atyre se nuk duhet të përsëritet në qëndrimin ndaj narkoeurove, qëndrimi ndaj piramidave. Nuk duhet përsëritur. Në raste e piramidave ato nuk u vlerësuan, sigurisht ne bëmë të gjitha përgjegjësitë, por në fakt ne nuk i njihnim, po ata që i njihnin patën mendime të gabuara për to.
Edhe sot Shqipëria ka nevojë për zërin e tyre, Shqipëria ka nevojë për ndërhyrjen e tyre, sepse ky faktor po bëhet shkatërrimtar për qenien tonë kombëtare, po shpopullon Shqipërinë në mënyrën më të paparë ndonjëherë në histori.
I bëj thirrje Komisionit Europian të mos dëgjojë burokratët të cilët edhe para 8 muajve në mbledhje sulmonin Sali Berishën se flet për narkoshtet dhe narkoeuro.
Të analizojë gjendjen në Shqipëri, se një narkoshtet është rrezik i madh edhe për rajonin edhe për Bashkimin Europian.
Nuk janë pak 18 apo 24 miliardë para krimi. Kanë potencial të jashtëzakonshëm. Dhe përshëndes qëndrimin e Partisë Popullore e cila pasi solli një mision fact-finding (faktmbledhës), konkludoi në një rezolutë për shqetësimin, rrezikun e vërtetë të narkoeurove.
Ju falënderoj për vëmendjen dhe u zgjatëm pak, por tema është jashtëzakonisht shqetësuese dhe ju ftoj të kontribuoni me diskutimet, komentet tuaja për këtë çështje kaq thelbësore për ekonominë tonë.


