Asistencë Ligjore 24/7 për Protestuesit

Berisha: Më 28 Nëntor të bashkohemi në protestën më të fuqishme qytetare për të nderuar flamurin. Amendamentet e PD e kthejnë buxhetin nga drejtimi i hajdutëve në drejtim të qytetarëve

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË MBLEDHJEN E GRUPIT PARLAMENTAR

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u bëri thirrje deputetëve, drejtuesve, anëtarëve dhe mbështetësve të opozitës të mobilizohen për protestën e 28 Nëntorit, të cilën e cilësoi si një moment të rëndësishëm në përballjen me qeverinë e Edi Ramës. Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, Berisha theksoi se opozita nuk duhet të heqë dorë nga protesta si instrument i kundërshtimit politik. ‘Nuk mund të ketë kurrë paqe me diktaturën. Partia Demokratike duhet ta ketë të qartë se në kodin e saj të mbrojtjes së interesit të shqiptarëve, protesta mbetet krah vizionit të saj dhe organizimit, detyrim madhor para qytetarëve shqiptarë’, deklaroi Berisha.

Lideri i opozitës u bëri thirrje shqiptarëve që të bashkohen më 28 Nëntor në një protestë të fuqishme qytetare dhe rinore, në ditën e festës së flamurit, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë për keqmenaxhim, korrupsion dhe goditje të opozitës. ‘28 Nëntori është ditë feste, por është ditë kushtrimi. Shqiptarët, demokratët nga të katër anët e Shqipërisë të bashkohen me protestën më të fuqishme qytetare rinore për të nderuar flamurin’, tha kreu i PD-së, duke e cilësuar Edi Ramën si ‘armiku i egër i flamurit dhe i qenies kombëtare’. Ai kërkoi gjithashtu një bashkim sa më të gjerë politik dhe qytetar kundër qeverisë, duke argumentuar se Shqipëria po përballet me një rrezik të rëndë për të ardhmen e saj. Ai përmendi emigracionin, rënien e lindshmërisë dhe, sipas tij, përkeqësimin e situatës ekonomike dhe sociale.

Në fokus të mbledhjes ishte edhe buxheti i vitit të ardhshëm dhe amendamentet e propozuara nga Grupi Parlamentar i PD-së. Kryetari i PD-së Sali Berisha vlerësoi punën e deputetëve, duke deklaruar se propozimet synojnë të vendosin qytetarët në qendër të politikave buxhetore. ‘Grupi parlamentar transformon, përmbys, kthen buxhetin nga drejtimi i hajdutëve në drejtim të qytetarëve’, u shpreh Berisha, duke kërkuar rritje të pagave, pensioneve dhe vendosjen e minimumit jetik.

Sipas lideri të demokratëve, Sali Berisha fondet publike duhet të shërbejnë për përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe jo për shpenzime që ai i konsideron abuzive. Ai akuzoi qeverinë për rritje të shpenzimeve operative dhe korrupsion në investimet publike, ndërsa mbështeti amendamentet e opozitës që synojnë rishpërndarjen e fondeve në favor të familjeve, pensionistëve, punonjësve dhe sektorëve jetikë.

FJALA E PLOTE:

Të nderuar deputete dhe deputetë, zoti kryetar, zoti sekretar i përgjithshëm.

Së pari ju përshëndes dhe para se të ndalem shkurtimisht mbi buxhetin, dua të shtroj para jush dhe të gjithë Partisë Demokratike detyrimin madhor që kjo parti, deputetët, drejtuesit, anëtarët e saj kanë, të protestojnë.

Nuk mund të ketë kurrë paqe me diktaturën.

Dhe Partia Demokratike duhet ta ketë të qartë se në kodin e saj të mbrojtjes së interesit të shqiptarëve, protesta mbetet krah vizionit të saj dhe organizimit, detyrim madhor para qytetarëve shqiptarë.

Protestat janë të lodhshme, protestat kërkojnë sakrifica, por në narkodiktaturë, në një vend ku për regjimin nuk ekzistojnë ligje dhe Kushtetutë, opozita duhet të jetë në këmbë dhe në protestë.

Pse po e shtroj këtë?

Po e shtroj këtë problem sepse koha, momenti, është suksesi i pamohueshëm i protestës që filloi në dhjetor të vitit të kaluar dhe që vazhdon dhe sot kundër Edi Ramës dhe regjimit të tij.

Në kushtet e një rreziku ekzistencial të vërtetë, ne do reagojmë në mënyrë të pandryshueshme me protesta sa më të fuqishme kundër këtij regjimi, i cili përdor dhjetëra dhe qindra milionë për të shuar zërin tonë, për të shuar zërin e popullit opozitar.

Edi Rama është një rrezik real për ekzistencën kombëtare, për ekzistencën tonë si komb në Shqipëri.

Por në qoftë se ne nuk jemi në mënyrë të vazhdueshme dhëmbë për dhëmbë me të, dhe kjo nënkupton dhe protestën, ne nuk vlejme. Ne nuk i duhemi gjë!

Absolutisht, ne nuk mund të bëhemi dekor i një regjimi, por luftëtarë të paposhtur kundër tij.

Ju jeni dëshmitarë se çfarë dhune të egër përdor ai kundër protestuesve paqësorë, për fajin e vetëm, sipas tij, se guxojnë të dalin para kryeministrisë. Se ai është sheshi i Kristaqit, sikur ia ka lënë Kristaqi atë shesh.

Dhe dëgjoja hajdutë të tij nëpër media që ‘e kanë sheshin Skënderbej, ç’duan ata aty?’.

Ndalojnë dhe intimidojnë, bëjnë presion ndaj kryetarit të forumit të intelektualëve, Ermal Hasimja, sepse është rreshtuar me protestën dhe e marrin sikur është në ndonjë aeroport armiqësor të huaj, e nxjerr policia dhe pastaj thotë ‘na fal’ thotë, ‘po për shkak të protestës e bëmë këtë’.

Ndaj dhe Partia Demokratike, drejtuesit, deputetët, duhet të kenë një mobilizim total. Ne nuk tërhiqemi, ne do qëndrojmë të paposhtur.

Unë ju përgëzoj për angazhimin, për mbështetjen që u keni dhënë protestuesve qoftë në shesh, qoftë në komisariate ku janë trajtuar në mënyrën më çnjerëzore, por ne duhet të vazhdojmë.

Një me ta, sikundër do të bëjmë çdo përpjekje për realizimin e një bashkimi sa më të gjerë kundër këtij regjimi, kundër këtij rreziku ekzistencial, duke apeluar në ndërgjegjen e çdo politikani, aktivisti, qytetari.

A përbën rrezik ekzistencial ky njeri që në 10 vite e zvogëloi me 500 mijë minimumi banorë këtë komb? A përbën rrezik ekzistencial ky njeri i cili në 10 vite përmbysi çdo raport dhe sot kemi lindshmërinë që kishim 100 vite më parë?

Ndërkohë që këtë gjë, një gjëmë e vërtetë për Shqipërinë nuk i dëgjon në studio televizive se ato i kontrollon ai.

Dilte hajduti ministër, që të gjitha fondet i vjedh me të birin, i ka vjedhur me të birin kur ka qenë drejtor i rrugëve. I biri me kompaninë ndërkombëtare transporti dhe i ati drejtor i drejtorisë së transportit. Del ai dhe thotë, nuk kanë të drejtë ata, protestë para kryeministrisë thotë.

Herë e parë që dëgjoj një gjë të tillë, apo jo?

Çfarë do të thotë që ne duhet të mobilizohemi, të angazhohemi dhe ne nga protesta s’heqim dorë kurrë.

Por ne ftojmë të gjitha forcat politike me të cilat mund të kemi kundërshti nga më të mëdhatë, por asnjë prej tyre nuk janë rrezik ekzistencial.

Të bashkohemi kundër këtij rreziku ekzistencial dhe pastaj të votojnë shqiptarët të lirë për cilindo duan.

Por këta janë një bandë që kanë humbur çdo lloj norme morale e ligjore.

28 Nëntori është ditë feste, por është ditë kushtrimi. Shqiptarët, demokratet nga të katër anët e Shqipërisë të bashkohen me protestën më të fuqishme qytetare rinore për të nderuar flamurin kundër këtyre faqezinjve me 100 flamuj, që vetëm flamur kombëtar nuk kanë, që kanë llogaritë bankare dhe xhepat e tyre për flamuj. 

Ndaj dhe duhet këto ditë që na ndajnë nga kjo datë e shënuar e historisë të bëjmë gjithçka për nderimin më të madh të flamurit duke i dhënë përgjigjet e merituara armikut të egër të flamurit dhe të qenies kombëtare, Padrinos dhe organizatës së tij kriminale.

Ndërkohë, çështje kryesore kemi buxhetin dhe unë vlerësoj shumë punën që është bërë nga ju, amendamentet duhet të shkojnë sa më shumë në favor të qytetarëve dhe në mirësi për qytetarët, taksat e tyre, paratë e tyre, dhe t’u faktojmë se si ai e ka ndarë këtë buxhet për t’i vjedhur sa më shumë qytetarët.

Të nderuar deputetë, 2005-2013, qeveria në tetë vite ka investuar 4.2 miliardë euro.

Në 14 vite kanë investuar, po të përfshijmë dhe këtë buxhet që do investojnë, 16.5 miliardë.

Cilido që analizon 14 miliardë të investuar deri tani, symbylltas konstaton se të paktën 12 miliardë janë vjedhur.

Janë shtruar me rrasa guri sheshet e qyteteve dhe qytezave, janë ndërtuar dhe rindërtuar gjithsej maksimumi 700 kilometra rrugë.

Është ndërtuar vetëm një rrugë e re që s’ka qenë projekt, 20 kilometra, Ura e Limuthit-Thumanë.

14.5 miliardë.

Imagjinoni, me 4.2 miliardë janë ndërtuar 10 apo 11 impiante të ujërave të zeza nga Durrësi në Ksamil.

Janë ndërtuar 11 mijë kilometra rrugë nga Hani i Hotit në Gjirokastër.

8 mijë kilometra rrugë rurale, 1200 shkolla dhe objekte arsimore, 700 ujësjellës dhe kanalizime me sa? Me 4.2 miliardë.

Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë që me këtë buxhet, me taksat e qytetarëve, atyre, duke ruajtur investime shumë të mira po të mos vidhen, u rriten minimumi rrogat, rrogat e ulëta 50%, rrogat e mesme 30%, pensionet 30%, vendoset minimumi jetik.

Kryetari i grupit parlamentar do të lexojë këtu para mediave amendamentet e përgatitura dhe të firmosura nga deputetët e Partisë Demokratike, me të cilat grupi parlamentar transformon, përmbys, kthen buxhetin nga drejtimi i hajdutëve në drejtim të qytetarëve.

930 milionë para xhepi për administratën, për shpenzime operative, nga 300 që ishin. Nga 300 milionë, tani 930 milionë.

Si ka mundësi kjo? Kjo është të vjedhësh me ligj, të bësh ligje për të vjedhë, se buxheti është ligj, është ligji më i rëndësishëm i vitit financiar.

Ndaj dhe unë i vlerësoj shumë amendamentet që janë bërë.

Amendamentet i japin një përgjigje, mendoj unë, të merituar dhe vendosin në epiqendër qytetarin, problematikat e mëdha të tij direkte, ushqimin e familjes, rrogat, pensionet, pastaj dhe shërbimet e tjera.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale