Rreth nesh
Përgjatë rrugëtimit 30-vjeçar në tranzicionin politik, kulturor dhe ekonomik të vendit tonë, në momentet më të vështira, përballë rrethanave kombshkatërruese dhe sfidash nga më dekurajueset, shoqëria shqiptare përherë ka kthyer vështrimin tërë shpresë drejt Partisë Demokratike.
Rrethanat historike të fillim viteve nëntëdhjetë e bënë Partinë Demokratike që të identifikohej pazgjidhshmërisht me vlerat dhe parimet e djathta dhe euro-atlantike, nëpërmjet bashkëpunimit të ngushtë e të vazhdueshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian si rrugëzgjidhja e vetme për të ndryshuar për mirë vendin tonë. Një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë e pa grupimin politik demokrat si mjetin me të cilin mund të largohej zgjedha komuniste dhe tirania që kishte shtypur vendin për gati gjysmë shekulli.
Prej atij momenti, Partia Demokratike njehsohet me arritjen kryesore qeverisëse të historisë moderne shqiptare. Që nga investimet në infrastrukturë si rruga e Kombit, anëtarësimi në NATO dhe depozitimi i kandidaturës për Bashkimin Europian, shpallja e Pavarësisë së Kosovës apo heqja e vizave, rritja e investimeve të huaja direkte në rekordin e 1 miliard dollarëve vjetorë apo dyfishimi i pagave për mësuesit dhe nënpunësit civil, BrainGain dhe shtimi i popullsisë për herë të parë në 30 vite tranzicion, shtrirja e internetit anembanë vendit dhe digjitalizimi i shërbimeve publike etj., sot PD njihet si forca më pro-shqiptare, pro-europiane dhe pro-atlantike në trojet ballkanike.
Ju ftojmë të vizitoni seksoniet e kësaj faqeje për të mësuar më shumë mbi historikun tonë shtet-formues dhe rolin e PD në vendimmarrjet kryesore shqiptare.