Organizimi
Organizimi i PD bëhet mbi bazën e njësive territoriale administrative, njësive elektorale ose në nivel kombëtar mbi bazën e kritereve specifike.
Njësitë organizative të PD janë:
a) Seksionet;
b) Grupseksionet;
c) Degët e Partisë Demokratike
Organet qendrore të PD janë:
a) Kuvendi i Partisë;
b) Këshilli Kombëtar;
c) Kryetari;
d) Kryesia;
e) Sekretari i Përgjithshëm;
f) Sekretariati
Seksioni
Seksioni është njësia bazë organizative e Partisë. Ai organizohet mbi bazë territoriale të qendrave të votimit. Seksioni organizon veprimtarinë politike në territorin e tij në përputhje me orientimet dhe qëndrimet e shpalluara të PDSH-së; bën pranimin e anëtarëve të rinj të PDSH-së etj.
Grupseksioni
Grupseksioni, ushtron veprimtarinë e tij mbi bazë njësish kompakte territoriale. Ai përbëhet nga seksionet e përfshira në territorin e ndarjes përkatëse. Kryetar, sekretar si dhe nënkryetarët e grupseksionit zgjidhet me votim të fshehtë, sipas parimit
“ Një anëtar; Një votë” nga të gjithë antarët e seksioneve në përbërje të tij, ndërmjet më shumë se një kandidature. Grupseksioni koordinon veprimtarinë politike të partisë në seksionet e tij përbërëse sipas detyrave të Kryesisë, propozon kandidaturat që do t’i drejtohen organeve vendimmarrëse të Partisë për pushtetarët vendorë së Degës dhe organeve qendrore të Partisë etj.
Kryesia e Degës së Partisë
Kryesia e Degës është organi më i lartë për drejtimin e Degës së Partisë ndërmjet dy Kuvendeve. Ajo vendos për të gjitha çështjet që nuk janë kompetencë ekskluzive e Kuvendit të degës apo e organeve qendrore të PDSH.
Kryetari i Degës së PD ↗
Kryetari i Degës së PDSH zgjidhet me votim të fshehtë nga e gjithë anëtarësia e Degës sipas parimit “Një anëtar; një votë” midis jo më pak se dy kandidaturave alternative.
Sekretari Politik i Degës
Çdo Degë ka Sekretarin Politik, i cili emërohet nga kryesia e PDSH, sipas procedurave të përcaktuara nga ky Statut dhe Rregullorja e Brendshme
Departamentet
Pranë çdo Dege të PDSH-së ngrihen dhe funksionojnë departamentet, në përbërje të të cilit zgjidhen individë me reputacion të lartë, personalitete të fushave të ndryshme të njohur për aktivitetin e tyre publik dhe promovimin e vlerave të qendrës së djathtë
Kuvendi Kombëtar i PDSH ↗
Është organi më i lartë vendimmarrës i Partisë, që përbëhet nga 1100 (një mijë e njëqind) anëtarë, të cilët zgjidhen nga Kuvendet e degëve të PDSH sipas një numri të përcaktuar për çdo degë nga Kryesia e PDSH. Ka mandat katër vjeçar dhe mblidhet sa herë kërkohet sipas dispozitave të këtij Statuti.
Këshilli Kombëtar ↗
Këshilli Kombëtar, në përputhje me programin, Statutin dhe vendimet e Kuvendit Kombëtar, drejton veprimtarinë politike të Partisë në periudhën midis dy mbledhjeve të Kuvendit. Ai merr të gjitha vendimet e rëndësishme politike që mund të kërkojnë rrethanat dhe kur ato nuk janë parashikuar në këtë Statut si e drejtë vetëm e Kuvendit. Këshilli Kombëtar, si rregull, mblidhet jo më pak se dy herë në vit.
Kryetari i Partisë ↗
Kryetari i Partisë siguron zbatimin e vendimeve të organeve kolegjiale qendrore të Partisë. Ai përfaqëson Partinë në të gjitha veprimtaritë publike e politike, të brendshme dhe ndërkombëtare. Kryetari emëron zëdhënësin e Partisë, si dhe sekretarin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Kryetari i Partisë zgjidhet me votim të fshehtëtë të gjithë anëtarëve të PDSH, sipas parimit “Një anëtar, Një votë”.
Kryesia e Partisë ↗
Kryesia e Partisë drejtohet nga Kryetari i Partisë dhe përbëhet nga: a) Kryetari i Partisë; b) Dy nënkryetarët e Partisë, c) Sekretari i Përgjithshëm; d) Kryetari i Këshillit Kombëtar;.e) Njëzet anëtarë të zgjedhur me votim të fshehtë nga Këshilli Kombëtar. Kryesia e PDSH-së ndjek dhe siguron zbatimin e vendimeve të marra nga Kuvendi dhe Këshilli Kombëtar. Kryesia vendos për të gjitha çështjet që nuk janë e drejtë ekskluzive sipas këtij statuti e Kuvendit Kombëtar dhe Këshillit Kombëtar, si dhe miraton marrëveshjet politike.
Sekretari i Përgjithshëm dhe Sekretariati ↗
Sekretari i Përgjithshëm është përgjegjës për organizimin e partisë, si dhe për funksionimin e përditshëm të saj. Ai organizon dhe ndjek zbatimin e akteve të nxjerra nga organet qendrore të partisë në degët e PDSH. Ai ndihmohet në punën e tij nga Sekretariati i cili përbëhet nga sekretarët funksionalë të cilët propozohen nga Kryetari i Partisë me miratimin e Kryesisë, sipas fushave të veprimtarisë që vlerësohen të nevojshme. Sekretari i Përgjithshëm zgjidhet çdo katër vjet.