Kuvendi Kombëtar
1. Kuvendi Kombëtar është organi më i lartë vendimmarrës i Partisë, që përbëhet nga 1100 (një mijë e njëqind) anëtarë, të cilët zgjidhen nga Kuvendet e degëve të PDSH sipas një numri të përcaktuar për çdo degë nga Kryesia e PDSH. Listën e kandidaturave për delegatë në Kuvendin Kombëtar e paraqitet në Kuvendin e Degës nga Kryesia e saj. Janë delegatë të Kuvendit Kombëtar:
a) Anëtarët e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike;
b) Anëtarët e Kryesisë së Partisë Demokratike;
c) Deputetët e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë;
ç) Antarët e qeverisë që janë antarë të PDSH-së;
d) Kryetarët e Bashkive, Prefekti, Kryetari i Qarkut, antarë të PDSH-së;
dh) Një numër përfaqësuesish të organizatave partnere në numër të barabartë, jo më shumë se 10 për qind e numrit të anëtarëve të tjerë të Kuvendit Kombëtar. Mandati i antarit të Kuvendit është i vlefshëm për katër vjet.
2. Kuvendi Kombëtar ka mandat katër vjeçar dhe mblidhet sa herë kërkohet sipas dispozitave të këtij Statuti. Vendimin për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar, si rregull, e merr Kuvendi Kombëtar, Këshilli Kombëtar ose, në pamundësi për t’u mbledhur ky i fundit, atë e thërret Kryesia e PDSHsë me propozim të Kryetarit të PDSH-së.
Kuvendi mund të mblidhet edhe kur e kërkojnë 1/4 e anëtarëve të PDSH-së ose 1/4 e anëtarëve të Kuvendit Kombëtar. E drejta e antarëve për të thirrur Kuvendin Kombëtar është e pakushtëzuar dhe e vetëmjaftueshme.
Data e zhvillimit të Kuvendit dhe rendi i ditës njoftohen nga thirrësit të paktën një muaj përpara ditës së parë të Kuvendit. Punimet e Kuvendit drejtohen nga një Komision i përbërë nga 5 anëtarë, i cili zgjidhet në fillim të punimeve të tij me propozimin, sipas rastit, të Kryetarit të Partisë, ose të grupit nismëtar kur Kuvendi thirret nga antarësia e PDSH-së apo delegatët e Kuvendit të saj.
Verifikimi i përmbushjes së kërkesave statutore për thirrjen e Kuvendit nga organet qendrore apo nga antarësia sipas kësaj dispozite, kryhet nga Komisioni që drejton punimet e Kuvendit. Në rast kundërshtimi të thirrjes së mbledhjes së Kuvendit nga anëtarësia, kundërshtuesit kanë të drejtë të jenë pjesë e komisionit për verifikimin e thirrjes dhe të kuorumit të mbledhjes së Kuvendit. Pas verifikimit të thirrjes sipas statutit, komisioni deklaron thirrjen e rregullt dhe vazhdon me verifikimin dhe deklarimin e pranisë së kuorumit të nevojshëm për mbledhjen e Kuvendit.
3. Kur kuvendi thirret nga ¼ e antarësisë apo ¼ e delegatëve të Kuvendit, asnjë nga organet e tjera qendrore të PDSH-së nuk ka të drejtë të thërrasë një mbledhje tjetër të Kuvendit, pa përfunduar mbledhja e thirrur. Asnjë prej organeve qendrore të partisë, nuk mund të marrë vendime që pengojnë mbajtjen e mbledhjes së thirrur të Kuvendit Kombëtar, apo të ndryshojë rendin e ditës së përcaktuar nga thirrësit e mbledhjes së Kuvendit sipas kësaj pike.
Kompetencat e Kuvendit Kombëtar
1. Kuvendi Kombëtar ka kompetencë për:
a) miratimin e Statutit të PDSH dhe ndryshimin e tij;
b) miratimin e programit të Partisë dhe linjave kryesore të politikës së saj, të cilat janë bazë pune për të zgjedhurit e PDSH-së në nivel qendror e vendor, si dhe për pushtetin ekzekutiv të drejtuar prej saj; Mbikëqyrje mbi veprimtarinë dhe marrjen e masave ndaj organeve qendrore të partisë.
c) zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Kombëtar, si dhe shkarkimin e tyre me mocion mosbesimi, sipas rastit, nga pesëmbëdhjetë përqind e anëtarëve të Kuvendit Kombëtar apo të Këshillit Kombëtar, ose me propozim të Kryesisë së PDSH;
ç) shkarkimin e Kryetarit të Partisë mbi bazën e një kërkese të mbështetur nga të paktën pesëmbëdhjetë për qind e delegatëve të Kuvendit, ose të një kërkese apo një mocioni mosbesimi të propozuar nga të paktën njëzet përqind e të gjithë anëtarëve të Këshillit Kombëtar, ose sipas propozimit të një grupi deputetësh të PDSH jo më të vogël se numri i nevojshëm për të formuar grup parlamentar sipas Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë. Kuvendi, në rast shkarkimi të kryetarit sipas kësaj dispozite, mund të vendosë të ratifikojë vendimmarrjen nëpërmjet një referendumi në të gjithë antarësinë e PDSH-së. Kuvendi mund të vendosë që kërkesën apo mocionin për shkarkim ta dërgojë drejtpërdrejtë për votim në referendum;
d) zgjedhjen e Kryetarëve të Nderit të PDSH, të cilët janë anëtarë me të drejtë vote në organet qendrore të PDSH-së për gjithë jetën;
dh) shpërndarjen e Partisë ose bashkimin me një ose disa parti të tjera;
2. Të drejtën për t’i bërë kërkesa dhe propozime Kuvendit Kombëtar, për çështje që janë në kompetencë të tij, përveç rasteve kur ky Statut përcakton ndryshe, e kanë Këshilli Kombëtar, Kryesia e PDSH-së, një grup deputetësh të PDSH jo më i vogël se numri i nevojshëm për të formuar grup parlamentar sipas Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, ose jo më pak se pesëmbëdhjetë përqind e anëtarëve të Kuvendit me të drejtë vote.