‘Buxheti i shtetit duhet të jetë buxhet për financimin e shërbimeve dhe mirëqenies së qytetarëve shqiptarë, jo për financimin e korrupsionit.’ Kështu deklaroi kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, teksa bëri publike 28 amendamentet e propozuara nga deputetët demokratë për buxhetin dhe paketën fiskale.
Propozimet e grupit parlamentar të PD-së përfshijnë vendosjen e minimumit jetik prej 20 mijë lekësh në muaj, rritjen e pagave në administratë, arsim dhe shëndetësi, dyfishimin e ndihmës ekonomike dhe fondit për rimbursimin e barnave, si dhe një rritje reale dhe të përhershme të pensioneve.
Fjala e kryetarit të grupit parlamentar, Gazment Bardhi:
Deputetët e grupit parlamentar të Partisë Demokratike kanë depozituar gjithsej 28 amendamente në buxhetin e vitit 2024 dhe paketën fiskale. Të gjitha amendamentet synojnë shndërrojnë buxhetin e shtetit nga buxhet për financimin e korrupsionit tek buxheti për financimin e shërbimeve dhe mirëqenies së qytetarëve shqiptarë. Do lexoj shkurtimisht të 28 amendamentet për t’i bërë transparent qytetarëve edhe alternativën dhe vizionin e grupit tonë parlamentar në raport me përdorimin e parave të qytetarëve.
Amendamentet e propozuara nga Grupi Parlamentar i PD-së për buxhetin dhe paketën fiskale përfshijnë:
1. Vendosjen e minimumit jetik në masën 20 mijë lekë në muaj.
2. Rritjen me 30–50% të pagave për të gjithë administratën publike.
3. Uljen në 6% të TVSH-së për ujin.
4. Uljen në 6% të TVSH-së për energjinë.
5. Pezullimin e pagesave për inceneratorin e Tiranës.
6. Dhënien e pagës së 13-të për të gjithë mësuesit e arsimit parauniversitar.
7. Trefishimin e fondeve për ish-të përndjekurit politikë.
8. Shkurtimin me 20% të shpenzimeve operative të qeverisjes qendrore.
9. Rritjen me 30% të pagave në sektorin e shëndetësisë.
10. Realizimin e dy projekteve të investimit në infrastrukturën rrugore në qarkun e Beratit.
11. Alokimin e 5 miliardë lekëve për kompensimin e prodhuesve, si pasojë e zhvlerësimit të euros.
12. Alokimin e 5 miliardë lekëve për fillimin e shlyerjes së detyrimeve të ndërsjella në sektorin e energjisë.
13. Rritjen me 50% të transfertës së pakushtëzuar.
14. Alokimin e 1 miliard lekëve për përballimin e pasojave të përmbytjeve në Shkodër.
15. Alokimin e 1 miliard lekëve për përballimin e pasojave të përmbytjeve në Lezhë.
16. Rritjen e pensioneve dhe vendosjen e një bonusi që garanton rritje reale, të drejtë dhe të përhershme.
17. Dyfishimin e ndihmës ekonomike.
18. Rritjen e financimit për kërkimin shkencor në nivelin 0,1% të PBB-së.
19. Rritjen me 30% të pagave në sektorin e arsimit.
20. Dyfishimin e fondit për rimbursimin e barnave.
21. Rritjen me 1 pikë përqindjeje të PBB-së të buxhetit për arsimin.
22. Anulimin e rritjes së TVSH-së në 21%, duke ruajtur normën ekzistuese prej 20%.
23. Trefishimin e subvencioneve për sektorin e bujqësisë.
24. Pezullimin e pagesave për çdo PPP me financim nga buxheti i shtetit.
25. Anulimin e rritjes së taksës vjetore të automjeteve.
26. Rritjen me 1 pikë përqindjeje të PBB-së të buxhetit për shëndetësinë.
27. Vendosjen e një takse të sheshtë për fitimin dhe pagat, si dhe anulimin e rritjes së taksës mbi dividendin.
28. Ndërprerjen e plotë të financimit të koncesionit të laboratorëve.


