FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË TUBIMIN QYTETAR TE ‘RRUGA E SHPRESËS’
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha gjatë fjalimit të tij në ditën e 304-t të protestës maratonë te ‘Rruga e Shpresës’ shprehu shqetësimin e tij për ngjarjen të përgjakshme të ndodhur në Shkodër. Berisha e krahasoi këtë ngjarje me masakrat e së kaluarës ku fajtore sipas tij është mafia e shtetit.
Kryedemokrati, Sali Berisha evokoi kujtesën historike të Shkodrës si një qytet që ka përjetuar represione, duke përmendur pushtimin komunist në vitin 1944 dhe ngjarjet e vitit 1991, ku forcat e Sigurimit të Shtetit kanë shtypur dhunshëm qytetarët.
Sipas tij, masakra e fundit nuk është shkaktuar nga Sigurimi i Shtetit, por nga forca aktuale e shtetit, të cilën Berisha e përshkruan si një “mafie” që përfaqëson një kërcënim po aq të urryer sa Sigurimi dikur. Berisha ka krijuar një paralelizëm mes ngjarjeve historike dhe situatës aktuale, duke e portretizuar Shkodrën si një simbol të rezistencës dhe antikomunizmit në Shqipëri dhe në Europë.
Kryetari i PD, Sali Berisha ka folur mbi ngjarjen e rëndë kriminale të ndodhur në Shkodër, ku Flutura Basha dhe dy të rinj, Hamza Liçi dhe Arlind Bushati, humbën jetën në një pritë të armatosur. Duke e cilësuar këtë ngjarje si një masakër të paralajmëruar, Berisha kritikoi ashpër autoritetet policore, duke i quajtur “narkopolici,” dhe akuzon qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama për bashkëpunim me krimin e organizuar. Berisha tha se, policia nuk e mbrojti Arlind Bushatin, madje as nuk dëgjoi shqetësimet e tij pas një incidenti të mëparshëm kur ai i mbijetoi një sulmi.
Sipas Berishës, policia nuk ka vepruar për të kontrolluar apo hetuar të dyshuarin kryesor, duke e lidhur këtë dështim të autoriteteve me një përpjekje për të mbajtur qytetin në gjendje terrori. Ai pretendon se Edi Rama po përdor këto akte kriminale për të ushtruar pushtet dhe kontroll mbi Shkodrën, me qëllim të sigurimit të mandateve politike në këtë qytet.
Gjatë fjalës së tij të mbajtur në tubimin qytetar te ‘Rruga e Shpresës’, lideri demokrat, Sali Berisha akuzon qeverinë dhe Edi Ramën për përdorimin e “bandave” për të siguruar kontrollin politik në Shkodër dhe për mbështetjen e tyre në veprime të dhunshme. Sipas Berishës, figura të njohura në qeveri dhe policinë lokale kanë lejuar e madje mbrojtur grupe kriminale që, sipas tij, janë të lidhura me partinë qeverisëse dhe mbajnë Shkodrën “nën terror.”
Berisha i referohet veçanërisht një rasti ku ai pretendon se të rinj janë vrarë dhe plagosur nga këto banda të mbrojtura nga qeveria. Berisha reagoi ashpër mbi mbulimin e këtyre krimeve nga drejtuesit politikë dhe përmendi përpjekjen për të bërë Edi Ramën deputet të Shkodrës, duke e cilësuar këtë si një veprim që do të poshtëronte dhe do të “hakmerrej” ndaj qytetit dhe historisë së tij.
Në këtë thirrje, Berisha kërkoi pjesëmarrjen masive të qytetarëve të Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë në një marshim kundër dhunës dhe ndikimit të “bandave” që operojnë nën mbështetjen e qeverisë. Berisha e cilësoi Shkodrën si një bastion historik të lirisë dhe guximit, duke përmendur rolin e qytetit në përpjekjet e demokratizimit të Shqipërisë që nga vitet ‘90.
Në fjalimin e tij, Kryetari i PD, Sali Berisha theksoi se marshimi është një akt mosbindjeje civile, i nevojshëm për të kthyer Shkodrën në duart e qytetarëve të saj të ndershëm dhe fisnikë.
Në një thirrje të fuqishme, Berisha bëri apel për solidarizim mbarëkombëtar dhe mobilizim në Shkodër për një marshim kundër qeverisë dhe krimit të organizuar, të cilin ai e lidh ngushtësisht me Edi Ramën. Duke e cilësuar situatën në Shkodër si kritike, ai e paraqet këtë marshim si një akt të domosdoshëm të mosbindjes civile për të çliruar qytetin dhe Shqipërinë nga “e keqja” dhe nga krimi i organizuar që ai pretendon se është i mbështetur nga qeveria.
Berisha theksoi nevojën për qëndresë, sakrificë dhe veprim të përbashkët për të krijuar një të ardhme më të sigurt për brezin e ardhshëm.
FJALA E PLOTË
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet e mia më miqësore, më të përzemërta.
Mirënjohjen më të pakufishme ju misionarëve të pamposhtur të kauzës së drejtë, kauzës së lirisë, dinjitetit dhe interesit kombëtar të shqiptarëve.
Të dashur miq, Shkodra, ky qytet për kombin i shenjtë, historik, me kontribute të jashtëzakonshme, mbrëmë u përgjak nga banda e qeverisë.
Në historinë e saj, Shkodra ka njohur masakra, ka njohur represione, por ajo ka ditur të rezistojë, ka ditur të triumfojë gjithmonë.
Në nëntor të vitit 1944, Shkodrën e vendosën nën pushtim forcat terroriste komuniste, por Shkodra mbeti bastion kryesor i antikomunizmit në Shqipëri dhe Europë.
Në vitin 1991, falangat e Sigurimit të Shtetit shkrehën breshëritë vdekjeprurëse mbi gjokset e të rinjve të qytetit dhe realizuan një masakër për të cilën morën ndëshkim botëror.
Masakra e djeshme nuk vinte nga Sigurimi i Shtetit, por masakra e djeshme vinte nga mafia e shtetit, një forcë po aq e urryer sa ç’ishte Sigurimi dikur.
Miqtë e mi, pasdite dje, tek kthehesh në shtëpi te tre fëmijët e saj, ra, humbi jetën Flutura Basha.
Bashkëshorti i saj lufton me vdekjen në shtratin e spitalit.
Dy të rinj, Hamza Liçi, Arlind Bushati, 23 dhe 33 vite, u korrën nga breshëritë e vrasësve në pritë.
Një masakër e mirëfilltë, një dramë.
Tre njerëz humbën jetën, një i katërt në gjendje të rëndë.
Viktima të pafajshme.
Tre fëmijë të familjes Basha mbetën pa nënë, por miqtë e mi, ky ishte një krim i paralajmëruar.
Kjo dramë, kjo masakër mund të ishte parandaluar dhe shmangur plotësisht.
Çifti Basha mund të kishte mbërritur mbrëmë në shtëpinë e vet dhe sot do të ishte së bashku në shtëpi me fëmijët e tyre.
Po kush mund të parandalonte këtë krim, më thoni ju mua?
Narkopolicia e Edi Ramës, që është njësh me krimin?
Jo, kurrë.
Kujtoj se jo më larg se në shtatort, Arlind Bushati tek pinte kafe me shokët e vet, pa vrasësin serial që i drejtuan armën por nuk i shkrepi për t’i marrë jetën. Por çfarë bëri policia para këtij akti? Narkopolicia jo vetëm që nuk mori në mbrojtje Arlindin, por as nuk denjoi as të dëgjojë shpjegimet e tij!
Kurse vrasësi, të cilin e njeh gjithë Shkodra, as nuk u mor në pyetje, as nuk u thirr, as nuk iu kontrolluar shtëpia, sepse vrasjet, masakrat dhe terrori janë mjetet me të cilat Edi Rama kërkon të sundojë dhe tmerrojë Shkodrën, ashtu siç mori mandatin e bashkisë, kërkon të marrë mandatin e deputetit.
Miqtë e mi, pak kohë më parë, Bushati u lemerit nga breshëritë pafund automatikësh.
E njëjta bandë, banda e qeverisë, por Edmondi i bandës, drejtori i policisë, qeveritarët në Tiranë, raportonin se nuk ishin Bajrët, se nuk ishte banda e shtetit që kishte zbritur në Bushat, por isin banda të tjera.
Në korrik, banda e qeverisë përsëri përgjaku Shkodrën me gjakun e tre të rinjve, i plagosi.
Përsëri përgjaku Shkodrën duke plagosur tre të rinj.
Edmondi i bandës, Taulanti i bandës, Edvin Bajri, e mbajtën të fshehtë krimin monstruoz.
Pra, miqtë e mi, vrasjet, masakrat, ekzekutimet në Shkodër janë licenca që Edi Rama i ka dhënë bandës së partisë, bandës së Bajrëve dhe bijëzave të saj.
Licenca që Edi Rama u ka dhënë këtyre vrasësve, të cilët vrasin 15-vjeçarë në gjumë, të cilët kanë vrarë me dhjetëra vetë, por të cilëve Edi Rama, Taulant Balla, Altin Dumani, u mbyllin dosjet, u mbyllin vrasjet, u mbyllin krimet.
Edi Rama iu ka dhënë licencë bandës, banditëve vrasës të partisë të vrasin kë të duan.
Shkodra nën terror, me kushtin e vetëm që t’i sigurojnë një mandat si Benetit në Shkodër.
Ata që bënë Benetin kryetar bashkie, tani duhet të bëjnë Edin, urrejtësin më të madh të Shkodrës, deputet të saj.
Duhet të bëjnë Edin, njeriun që urren për vdekje Shkodrën, bastardin e xhelatit që urdhëronte varjen në litar të disidentëve shqiptarë.
Vetëm në këtë mënyrë, Shkodra poshtërohet.
Vetëm në këtë mënyrë, ndaj Shkodrës mund të hakmerresh.
Vetëm në këtë mënyrë, Shkodra mund të nënshtrohet.
Të dashur miq, kjo ngjarje, kjo masakër, është një alarm, është një thirrje për çdo shkodran, të dalë, të ngrihet me burrëri dhe guxim në mosbindje civile për të rikthyer në duart e qytetarëve qytetin e vet të bekuar.
Të qytetarëve të vet fisnikë, punëtorë, të ndershëm, qytetin që u vu nën pushtim të bandës më 14 maj dhe që Edi Rama kërkon ta mbajë në pushtim përsëri.
Prandaj ditën e shtunë, në ora 12:00, bëj thirrje në Shkodër, marshimi i çlirimit, marshi i shpëtimit në Shkodër.
Qytetarë dhe qytetare shkodranë. Ditën e shtunë, duhet të rifitoni qytetin tuaj.
Shkodra ka qenë gjithmonë fryma.
Shkodra, ka qenë gjithmonë guximi.
Shkodra ka qenë gjithmonë Rozafa e lirisë për shqiptarët.
Ndaj të gjithë në Shkodër, në marshin për Shkodrën.
Mos harroni, se pa kryengritjen e Shkodrës në vitin 1990, nuk do të kishte revolucion demokratik të studentëve në Tiranë.
Por miqtë e mi, qytetarët shkodranë nuk duhen të jenë kurrë të vetmit që duhet të marrin pjesë në marshin e të shtunës.
Masakra e djeshme është një ngjarje e rëndë dhe secili prej nesh, cdo shqiptar, duhet të shtroj sot një pyetjë: Çfarë po ndodh me ne si shoqëri?
Çdo shqiptar sot duhet të dëgjoj zërin e thellë të ndërgjegjessë e tij, para së gjithash.
Sepse nëse dje u vranë 3 veta në Shkodër, ndër të cilët një nënë e pafajshme dhe dy të ri u këputën nga dora vrastare në lulen e rinisë, po ashtu pak kohë më parë u vra në Velipojë 20-vjeçari Myzeiri, ditën e parë të punës si kamarier.
Po ashtu u vra në Tiranë edhe Mimoza, djyshja heroinë që punonte banakiere 16 orë në ditë për të mbajtur fëmijët e vajzës së vet.
Po ashtu u vranë në Tiranë, Erioni dhe Gledio, gabimisht duke pirë kafe, nga bandat vrastare që bashkëpunojnë me qeverinë.
Po ashtu u vra në Elbasan, 29 vjeçari Enea, se i shpërtheu tritoli në derën e shtëpisë së komshies.
Për gjithë këto viktima të pafajshme, çdo shqiptar duhet të dalë para pasqyre dhe të pranoj se të gjithë kemi nga një pjesë të fajit.
Sepse ata killera që kanë marrë këto jetë të pafajshme, janë po ata që grabisin votat ditët e zgjedhjeve për llogari të Edi Ramës.
Sepse para syve na kanë marrë drejtësinë. Na kanë marrë demokracinë dhe pak nga pak po marrin jetën dhe shkatërrojnë edhe kombin!
Miqtë e mi, e keqja luftohet vetëm me qëndresë.
Luftohet vetëm me mosbindje.
Luftohet me sulm.
Luftohet me sakrifica.
Prandaj ditën e shtunë, çdo qytetar nga çdo qytet i Shqipërisë, të bashkohet në Shkodër në marshin, në mosbindje civile, për Shkodrën, për Shqipërinë.
Ta çlirojmë Shkodrën nga qelbësirat dhe Edi Rama.
Të çlirojmë Shqipërinë nga e keqja.
Nuk ka mision më të madh për shqiptarët
Që nesër fëmijët tanë të mos shkojnë në shkollë dhe të bien viktima të breshërive të bandave.
Që ne të mos shohim prindërit tanë të mbeten të vrarë rrugëve për shkak të bandave me licencë.
Që nesër t’i japim fund këtyre akteve nga bandat e qeverisë.
Kurrë ndonjëherë nuk ka pasur shprehja “ç’më duhet mua?” një kosto më të madhe sot për shqiptarët.
Prandaj të gjithë ne, le të solidarizohemi të shtunën me Shkodrën.
Shkodra ka qenë gjithmonë për Shqipërinë, në momentet e saj më të vështira.
Sot shqiptarët do të jenë për Shkodrën në momentet e saj më të vështira.
Shkodra nuk përkulet, nuk mposhtet kurrë.
Dhe bashkë, si shqiptarë, në mosbindje civile, ne do i kthejmë përgjigjen e merituar Edi Ramës, për këto krime monstruoze që ka bërë ndaj shqiptarëve.
Ditën e shtunë në ora 12:00, të gjithë në Shkodër.
Të gjithë në marshim.
Të gjithë në mosbindje civile.
Rrofshi ju.
Rroftë Shkodra heroike.
Rroftë Shqipëria.
Është radha jonë. Është radha jonë. Është radha jonë.
Fitore, fitore, fitore!