FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË KONFERENCËN PËR MEDIA
ESKTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, në një konferencë për mediat ditwn e sotme, e cilësoi protestën e 28 Nëntorit si një qëndresë historike të qytetarëve shqiptarë kundër regjimit të Edi Ramës. Berisha përshëndeti dhjetëra mijëra protestues nga Shqipëria dhe diaspora, duke deklaruar se përmes guximit dhe revoltës së tyre, ata nderuan flamurin kombëtar dhe Pavarësinë.
Ai theksoi se protesta u bë lajm në mediat më të mëdha ndërkombëtare, ndërsa akuzoi qeverinë për përdorim të dhunës së egër ndaj protestuesve paqësorë. Sipas Berishës, mbi 21 qytetarë u detyruan të merrnin ndihmë mjekësore në spitale, ndërsa dhjetëra të tjerë u trajtuan jashtë ambienteve spitalore. Ai denoncoi gjithashtu goditjen e gazetarëve dhe operatorëve të mediave, intelektualëve dhe qytetarëve të tjerë gjatë protestës.
Berisha paralajmëroi kryeministrin Edi Rama dhe drejtuesit e Policisë së Shtetit se do të mbajnë përgjegjësi për dhunën dhe plagosjen e protestuesve.
Kryetari i PD-së dënoi gjithashtu sulmin ndaj selisë së Partisë Demokratike, duke e cilësuar atë si një akt kundër pluralizmit politik. Ai deklaroi se selia e PD-së do të mbetet një strehë mikpritëse për çdo protestues, pavarësisht bindjeve politike, që ka nevojë për mbrojtje nga dhuna.
Në përfundim, Berisha u bëri thirrje demokratëve dhe qytetarëve që të vijojnë pjesëmarrjen në protestat kundër qeverisë, duke theksuar se protesta është rruga e vetme për largimin e Edi Ramës nga pushteti. Ai shprehu bindjen se dita e dytë e protestës do të jetë edhe më madhështore.
FJALA E PLOTË
Mirëmbrëma!
Së pari, duhet të përshëndes ata dhjetëra mijëra të rinj, të reja, burra dhe gra, qytetarë të bindjeve të ndryshme politike që me këtë protestë madhështore, me një revoltë të jashtëzakonshme, nderuan sot më bukur, më mirë, më madhërishëm se kurrë flamurin dhe ditën e kombit në ditën e tyre, në ditën e pavarësisë.
Sot flamuri ynë kombëtar dhe pavarësia u bënë lajm botëror, hapën emisionet e televizioneve më të mëdha të Europës dhe të botës jo për kalendarin por për qëndresën, për guximin epik të qytetarëve të Tiranës dhe të Shqipërisë në protestën e tyre kundër narko-diktatorit Padrino Edi Rama dhe organizatës së tij kriminale.
Emri i Shqipërisë, flamuri i kombit tonë u lartësuan në nivelet më të larta falë guximit, sakrificës, qëndresës së dhjetëra mijëra qytetarëve të cilët po përballen dhëmbë për dhëmbë me falangat e krimit të narko-diktaturës nga ora 12:00 dhe gjer tani që vazhdon një betejë e ashpër.
Në këtë përballje epike, të rinj, të reja, qytetarë dhe qytetare të moshave të ndryshme, të bindjeve të ndryshme, të ardhur nga të katërta anët e Shqipërisë, po dhe të katërta anët e dheut, nga diaspora, zhvilluan një betejë heroike do të thosha unë në kushtet më të pabarabarta.
Narko-regjimi përdori të gjitha mjetet tokësore, ajrore, snajper dhe lartësira, tonelata gazi dhe ujë të helmuar por protestuesit nuk i mposhtën. Ata e mbajtën dhe vazhdojnë ta mbajnë për orë të tëra kryesheshin e kombit duke nderuar kështu para së gjithash heroin tonë kombëtar Skënderbeu.
Nuk është festuar ndonjëherë dita e flamurit dhe kombit si kësaj here.
Në përballje me regjimin mbi 21 protestues u detyruan të paraqiten në spital, dhjetëra të tjerë janë mjekuar në kushte jo spitalore por regjimi theu kockë, theu gjymtyrë, çau kafka, përdori breshëritë e plumbave, përdori mjetet e tjera të dhunshme, përdori topat e ujit të cilët siç e patë u drejtuan edhe kundër gazetarëve dhe operatorëve të mediave që ai i konsideron armike, të Syri Televizion, që s’po bënin as edhe një akt të vetëm përveçse detyrës së tyre profesionale.
U goditën me shënjestër intelektualë të shquar të vendit vetëm e vetëm se kanë qenë, kanë qëndruar të palëkundur në protestë dhe anë të protestuesve.
U goditën me shënjestër mbi sy, në faqe, prapa koke, djem dhe vajza që nuk po kryenin asnjë akt dhune.
U plagos rëndë me plumb gome dhe iu ça lëkura dhe kafka, kamerieri që shërbente në kafene tek Opera. Sasi kolosale gazrash u hodhën me dron njëlloj si rusët në Ukrainë. Pra, Edi Rama përdori të gjitha mjetet kundër protestuesve por ata dhe tani sheshin e kanë në dorë. Ishte kjo një betejë e jashtëzakonshme, dita e parë e saj u kurorëzua me triumfin e guximit, heroizmit të protestës.
Kam besim të madh se nesër, dita e dytë e saj do të jetë po kaq, në mos edhe më e madhështore, më e jashtëzakonshme.
Mirënjohje të pakufishme ndaj të gjithë atyre që morën pjesë. Në veçanti kam një mirënjohje shumë të veçantë për qindra e qindra shqiptarë e shqiptare që erdhën në këtë protestë nga mijëra kilometra larg dhe u rreshtuan me bashkëatdhetarët e tyre duke përfaqësuar diasporën.
Falënderoj nga zemra çdo demokrat e demokrate që sot mbushën atë shesh bashkë me qytetarët e tjerë. Shpreh vlerësimin tim më të madh për ta dhe përsëri rikujtoj se vendi ynë, vendi i çdo demokrati e demokrateje është në çdo protestë kundër këtij regjimi gjer në largimin e tij, gjer në largimin e tij. Ndaj dhe i ftoj, i ftoj me vendosmëri, durim, të marrin pjesë në çdo protestë kundër Edi Ramës. Pjesëmarrja e tyre ka një rëndësi jetike, vendimtare për suksesin e protestave. Dhe siç kam theksuar dhe më parë përsëris, protesta dhe vetëm protesta, rruga e vetme për të larguar Edi Ramën nga pushteti.
Së dyti, duhet të dënoj dhunën e egër që u ushtrua sot ndaj protestuesve paqësorë. Garantoj Edi Ramën se do të mbahet direkt përgjegjës për këtë dhunë. Ai, Demo dhe Hitaj i tij. Kjo trojkë do përgjigjet për të gjitha plagosjet që u ka shkaktuar protestuesve paqësorë dhe do përgjigjet shumë rëndë.
Së treti, në emër të Partisë Demokratike dënoj me forcën më të madhe sulmin stalinist kundër selisë së Partisë Demokratike. Edvin Kristaq Xhelati, armiku i egër i pluralizmit dhe i Partisë Demokratike, dërgoi narkobanditët e tij me të gjithë arsenalet dhe gjuajtën selinë e Partisë Demokratike, territorin e saj me topa uji, me bomba gazi, me spraj, në një kohë kur në mënyrë absolute nuk kishte asnjë motiv të vetëm përveç urrejtjes së tij ndaj kundërshtarit politik.
Unë paralajmëroj Edi Ramën: hiq dorë nga sulmet ndaj selisë së Partisë Demokratike se në mënyrë absolute mund të të kundërpërgjigjemi në një mënyrë vendimtare me sulme ndaj selisë sate.
Sikundër theksoj se kjo seli ka qenë, është dhe do mbetet strehë mikpritëse për çdo protestuese e protestues të të gjitha bindjeve, sepse protestat janë një e drejtë kushtetuese, janë një e drejtë e patjetërsueshme dhe çdo kufizim, dhunë, terror ndaj protestuesve janë akte antikushtetuese.
Ndaj dhe këtë ta dijë mirë, ne do të mbrojmë, do t’i japim strehim çdo protestuesi që ka nevojë për mbrojtje dhe për strehim nga sulmet e egra të narkoregjimit të Edi Ramës.
Faleminderit!


