Tetori rozë/ Berisha: Si rrallë në ndonjë vend në botë nënat, motrat, gratë në Shqipëri që sulmohen nga sëmundja janë më fatkëqija se kudo tjetër

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË TUBIMIN QYTETAR TE ‘RRUGA E SHPRESËS’

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha gjatë fjalës së tij të mbajtur në protestën maratonë te ‘Rruga e Shpresës’ kritikoi gjendjen e shëndetësisë në Shqipëri, duke theksuar se gratë e prekura nga kanceri i gjirit ishin ndër më të pafatet. Berisha tha se, për shkak të vjedhjes së fondeve publike nga qeveria e Edi Ramës, pajisjet mjekësore për diagnostikimin ishin të mangëta dhe të dëmtuara, ndërsa ilaçet e nevojshme për trajtim shpesh mungonin. Ai përmendi gjithashtu rastin tragjik të mësueses Ina Kasimati, si një shembull të pasojave të kësaj situate.

Berisha iu drejtua me tona të ashpra mjekëve dhe profesionistëve e shëndetësisë në Shqipëri për bashkëpunimin me qeverinë për të fshehur mungesat e ilaçeve për pacientët me sëmundje të rënda, si kanceri.

Lideri demokrat, Sali Berisha i quajti mjekët “mjeranë” dhe i akuzoi për shkelje të betimit të mjekut dhe parimeve të humanizmit. Berisha tha se, ndryshe nga periudha e diktaturës kur mungesat e ilaçeve nuk fshiheshin, tani mjekët po përpiqeshin t’i justifikonin këto mungesa për të mbrojtur figurën e kryeministrit Rama dhe zyrtarëve të tjerë. Ai i nxiti mjekët të denonconin publikisht vjedhjen e fondeve dhe të mos bëheshin bashkëpunëtorë në këtë situatë të rëndë.

Berisha u zotua se sigurimi i ilaçeve dhe mjeteve mjekësore për pacientët do të ishte një përparësi e madhe në politikat e tij. Kryetari i PD, Sali Berisha iu drejtua me tone të ashpra qeverisë së Edi Ramës për përdorimin e fondeve publike për qëllime personale, si dhe për mungesën e ilaçeve të domosdoshme për pacientët, veçanërisht për gratë e prekura nga sëmundje si kanceri. Sipas Berishës, fondet për ilaçet mund të siguroheshin vetëm me shitjen e pasurive luksoze të kryeministrit.

Berisha gjithashtu iu drejtua mjekëve për mungesë veprimi dhe për bashkëpunim me qeverinë në fshehjen e problemeve në sistemin shëndetësor, duke i nxitur ata të ngrihen kundër “mafies” në pushtet. Berisha premtoi që në qeverisjen e tij, do të sigurohej furnizimi i plotë me mjete diagnostikuese dhe trajtuese, dhe me ligje të reja, do të ndëshkonte ata që vjedhin paratë e destinuara për ilaçet e të sëmurëve.

Kryedemokrati, Sali Berisha denoncoi ndarjen klasore në sistemin shëndetësor shqiptar, duke e akuzuar qeverinë Rama për krijimin e një sistemi të spitaleve që trajton të pasurit dhe të varfrit në mënyrë të pabarabartë. Ai tha se ky sistem kishte çhumanizuar kujdesin shëndetësor dhe e quajti “mafie”, ku trafikantët mund të blinin pavione të tëra spitalore, ndërsa pacientët e tjerë mbeteshin pa trajtim adekuat.

Berisha premtoi se kjo situatë do të ndryshonte, duke u zotuar për dyfishimin e buxhetit për shëndetësinë dhe rritjen e pagave për personelin mjekësor. Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e një kodi të pathyeshëm etik në marrëdhëniet mes personelit mjekësor dhe pacientëve, duke garantuar të drejtat e pacientëve me rreptësi të madhe. Sipas tij, të gjithë pacientët duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë në spital, pa përjashtime.

Berisha akuzoi Edi Ramën dhe Vilma Nushin për një skandal të madh korrupsioni, duke pretenduar se janë paguar 500 mijë kontrolle mjekësore “check-up” që nuk janë kryer kurrë. Sipas Berishës, fondet e përdorura për këto kontrolle të rreme mund të kishin blerë ilaçe për dy vite në spitalin e pediatrisë. Ai e përshkroi këtë si një vjedhje të tmerrshme në dëm të pacientëve, pensionistëve dhe familjeve me të sëmurë.

Kryetari i PD, Sali Berisha premtoi se kjo situatë do të marrë fund dhe se ata që janë përfshirë në këtë skandal do të përgjigjen për veprimet e tyre. Ai i bëri thirrje publikut, veçanërisht nënave, motrave dhe bashkëshorteve, që të jenë të ndërgjegjshme ndaj kësaj çështjeje çdo muaj, jo vetëm në tetor, i cili është muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit. Berisha përfundoi me një thirrje për mosbindje civile dhe për qeveri teknike, duke bërë thirrje për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

FJALA E PLOTË

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më miqësore. Mirënjohjen time më të pakufishme për secilin prej jush, qendrestare dhe qendrestarë të pamposhtur të kauzës së drejtë të çdo shqiptare.

Një përshëndetje të përzemërt oratorëve guximtare që nga kjo tribunë e fjalës së lirë ngrenë zërin e tyre në mbrojtje të interesave të mbarë shqiptarëve. Frymëzojnë me guximin e tyre, tmerrojnë regjimin e bazuar në krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve.

Të dashur miq, ky është muaji tetor. Këtë muaj, në mbarë globin, shoqëritë bëjnë përpjekje të rrisin ndjeshmërinë ndaj një armiku të egër të shëndetit të nënave, vajzave dhe motrave, grave në Shqipëri dhe mbarë botën.

Ndaj edhe, në këtë përpjekje, muaji tetor quhet edhe muaji rozë, që synon para së gjithash të rrisë vetëdijen, ndjeshmërinë e nënave, grave, vajzave, motrave për një vetkontroll për këtë sëmundje, por edhe detyrimin e madh që ka shoqëria ndaj tyre për të krijuar të gjitha kushtet e një diagnoze sa më të shpejt, e një diagnoze edhe parandaluese dhe të një mjekimi dinjitoz.

Por për fatin më të keq, më duhet të them se në Shqipëri sot, si në asnjë vend tjetër në Europë, e ndofta si rrallë-rrallë në ndonjë vend në botë nënat, motrat, vajzat, bashkëshortet, gratë që sulmohen nga kjo sëmundje janë më fatkëqija se kudo tjetër.

Janë fatkëqija sepse vjedhja e tmerrshme e fondeve publike u gremis nga Edi Rama dhe qeveritarë të tjerë, ka bërë që aparaturat për diagnozën e saj të jenë në tërësi në difiçitare dhe me defekte. Ka bërë që ilaçet për mjekimin e kësaj lloj sëmundje me përhapje të veçantë tek gjinia tjetër të mungojnë. Ka bërë që dhjetëra e qindra prej tyre të mbeten pa ilaçet bazë, të mos marrin dot ilaçin e duhur për stadin e sëmundjes.

Ka bërë, siç e dinë të gjithë, që dhe të kenë fatin e pamerituar të të ndjerës mësuese të nderuar, Ina Kasimati.

Gjendja e këtyre të sëmurave është dramatike, është një aktakuzë e rëndë, jo vetëm për shtetin e zuzarëve, hajdutëve të pamëshirë, por dhe për tolerancën e secilit prej nesh, dhe për bluzat e bardha, të cilat sillen ndaj këtyre të sëmurëve, për fat të keq më duhet ta them, si qënie mjerane, si qënie që shkelmojnë parimet e humanizmit, shkelmojnë betimin e mjekut.

Dhe këtu dua t’ju them një fjalë. Ju mjeke dhe mjekë me dokumente faktohet se përpiqeni në mënyra të ndryshme të justifikoni, madje dhe të mashtroni e të maskoni shkaqet e këtyre mungesave të tmerrshme të ilaçeve për këto të sëmura, t’ju bëheni ortakë me sëmundjen e tyre për të mbrojtur nderin e amoralit, Edi Rama, e ministres, e drejtorit, e me radhë e me radhë.

U rikujtoj këtyre bluzë-bardhëve, se ne që kemi shërbyer në diktaturë në mjekësi, ua them ju haptas, kurrë nuk kemi gënjyer të sëmurët për mungesë ilaçesh.

Por dua të jem i sinqertë, që as dhe ai ministër i asaj kohe nuk na e kërkoi kurrë një gjë të tillë. Jo. S’ka ilaç, s’ka ilaç. Nuk gjendet, nuk gjendet.

Por ju që e bëni këtë, që një gazetar guximtar, humanist, i ndershëm, me inegritet, ua nxiu bluzat, sepse i nxini vet me qendrimet tuaja.

Turp i madh për ju!

Çfarë ju dallon ju nga ata që vjedhin paratë e ilaçeve të këtyre të sëmurëve nga Edi Rama, ministrja, drejtoresha e me radhë?

Cilat janë ato interesa që ju shtyjnë ju të silleni në këtë mënyrë kaq okult, kaq të nënshtruar, kaq mashtrues ndaj të të sëmurëve tuaj?

Ju mund të vazhdoni, por para shqiptarëve, ju jeni bërë me gjithë mundin dhe djersën që derdhni, unë ndiej dhimbje të madhe, dhe nuk dua të shqipëroj asnjë fjalë për asnjë mjek, asnjë infermier. Por ju, me ato komunikime me njëri tjetrin, si të fshehim këtë, si të fshehim atë.

Po mirë, nuk keni guxim të dilni në media dhe t’i denonconi këta kriminelë që vjedhin ilaçet e të sëmurëve, që vjedhin njerëzit që lëngojnë.

Por të paktën mos merrni përsipër të justifikoni këtë makabritet të padëgjuar kurrë nga mjekët.

A e dini ju, zotërinj doktorë e zonja doktoresha se ilaçet e sëmurëve tuaj të gjitha mund të blihen pa përjashtim, pa asnjë mungesë, më modernet që ekzistojnë, vetëm me stolinë e oborrit të mafiozit Edi Rama, 4 milionë euro.

Po ju duhet të ngriheni viganë, kundër këtij rendi që shkelmon mbi të sëmurët tuaj.

Si ka mundësi, çfarë ju shtyn ju, apo edhe ju keni gjetur mekanizmat e pasurimit tuaj mafioz ndaj dhe këtë keni këtë korrespondencë mafioze njëri me tjetrin.

Çfarë ju shtyn të mos ngriheni, të vini te kryeministria, t’i thoni horrit të qeverisë: shit stolinë, dhe sill ilaçet për nënat, motrat, vajzat tona, se po i merr sëmundja që nuk duhet t’i merrte kurrë.

Është e hidhur, është tmerrësisht dëshpëruese të detyrohesh të mbash një fjalë të tillë. Por nuk mundet kurrë të heshtësh kurrë para kësaj gjendjeje.

Sikur qoftë edhe një e vetme të ishte, pa lëre që janë çdo vit me qindra e qindra dhe që këtu, në këtë vend për fat të keq, për këto arsye, prognoza është tashmë e ditur.

Është shumë e trishtë të përpiqesh në tetor me njerëzinë për detyrimet e pafundme që kemi ndaj nënave, motrave, vajzave, bashkëshorteve dhe ju mafiozë silleni ndaj tyre sikur të ishin kavje laboratori, dhe jo hyjnira në çdo familje.

Jam këtu për t’u zotuar se do jetë një përparësi absolute garantimi pa asnjë mungesë i çdomjeti diagnostikues, i çdo mjeti paradiagnostikues, i çdo mjeti mjekues i të gjitha metodave të mjekimit për këtë sëmundje, por edhe forma të tjera të këtij grupi sëmundjesh.

Do jetë përparësia më e madhe. Me gërshërët e ligjet do t’i pritet dora atij që vjedh paratë e liaçeve të të sëmurëve tanë.

Garantoj edhe njëherë, se lista e rimbursimeve do të jetë më e plota dhe se do rikthehen në rimbursim të gjitha ilaçet e hequra nga hajdutët qeveritarë.

Hajdutët që futën sistemin në spitaleve të zengjinëve dhe të të varfërve duhet të skuqen, se me këtë sistem dehumanizuan sistemin shëndetësor. E shndërruan në sistem mafioz. Një trafikant blen të gjithë pavionin, dhe të sëmurët e tjerë mbeten në mëshirë të fatit.

Ky është sistemi që instalon Edi Rama me të ashtuquajturën dy shpejtësi.

Jo miq, në spital të sëmurët do jenë një dhe vetëm një.

Ai për vete u shtrua, i rrethuar nga një personel mjekësor 15-20 vetë, i rrethuar nga një batalion i gardës dhe i policisë. Përnjëherë s’gjëmonte asgjë mbi tokë, por pak metra, dhjetëra metra më poshtë kishte jo një, por shumë të tjerë që përballeshin dhëmbë për dhëmbë me sëmundjen e pamëshirë, pa ilaçe, pa mbështetje, pa mjekë.

Kjo situatë do të marrë fund.

Ne zotohemi dhe njëherë, dyfishimi i buxhetit, zotohemi për rritje të rrogave përsëri e përsëri, por mbi të gjitha kodi i pathyeshëm në raportet mjekësore personel të sëmurë. Të drejtat e të sëmurëve do të jenë të garantuara me rreptësinë më të madhe.

Edi Rama, ajo vampirja, Nushi, bashkëshortja e kushëririt tënd, a e di ti që e ke paguar dhe ke ndarë me të paratë për 500 mijë check up-e të bëra kurrë?

A e dini ju sa janë 500 mijë check up-e, miqtë e mi? 500 mijë check up-e janë ilaçet e dy vite për spitalin e pediatrisë.

E dini ju ç’janë 500 mijë check up-e, që një gjakpirëse ua merr shqitarëve pa bërë asnjë punë vetem për lidhjet që ka me Edi Ramën.

Është një vjedhje monstruoze në kurriz të të sëmurëve, në kurriz të pensionistëve, në kurriz të familjarëve me njerëz të sëmurë.

Kjo merr fund!

Dije mirë, se ato check up-e do i paguash një nga një ti dhe Vilma jote. Hajdutër të pamëshirë!

Ndaj miqtë e mi, edhe njëherë e mbyll me thirrjen për nënat, motrat, bashkëshortet, vajzat.

Këtë muaj të ndjeshmërisë ndaj kësaj sëmundje, ta kenë çdo muaj të vitit të tillë për ndjeshmërinë. Dhe i garantoj se kjo situatë do marrë fund.

Është rradha, është rradha jonë! Mosbindje civile, qeveri teknike, zgjedhje të lira.

Fitore, fitore, fitore!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale