Të nxjerrim Shqipërinë nga monizmi me 14 maj. Duke votuar kandidatët e Primareve, ju votoni për pluralizmin

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË PREZANTIMIN E KANDIDATIT TË BERATIT, ZIJA ISMAILI

Të dashur demokrate dhe demokratë, qytetare dhe qytetarë të Beratit të pranishëm në këtë sallë dhe mjediset e këtij pallati, në qytet, në Shqipëri dhe kudo që jeni.

Nderimin më të madh për ju, mirënjohjen më të thellë, urimet më të përzemërta. 

Vij sot tek ju duke ju siguruar se nuk kam ardhur kurrë ndonjëherë më krenarë, më i lirë, para jush se sot, për të paraqitur kandidatin e PD-së, të zgjedhur me votën tuaj të lirë, me vullnetin tuaj, me besimin tuaj, doktor Zijain, njërin nga qytetarët më shembullorë, profesionistë më të apasionuar, njërin nga bijtë e shquar të këtij qyteti, i cili ka patur dhe ka një reputacion të merituar në qytet dhe rrethina. 

Kam ardhur shumë herë, kam paraqitur kandidatura, por si doktor Zijai, asnjëherë, ai është i juaji. Është në besimin tuaj, në vullnetin tuaj, që me 14 maj ta vendosni atë si qytetar të parë të Beratit dhe ai do të kthejë bashkinë në shtëpinë e parë të qytetarëve të Beratit.

Kandidatët e primareve, kandidatët e votës së lirë janë sot në këtë Shqipëri me të gjitha atë mirjadë problemesh, rreze shprese, burim drite, optimizmi, për qytetarët e këtij vendi.

Krahasoni pak me kandidatët rivalë. Dolën mbrëmë pas orës 1 të natës nga shpella e rilindjes. Diku, diku u emëruan me dajak, në zona të tjera me hekura në duar. Ky ishte procesi i emërimeve në partinë shtet, ky ishte procesi, ky është procesi më mafioz, më antidemokratik, më jotransparent në historinë e Shqipërisë.

Kjo është një kopje e shëmtuar e emërimeve që bënte dikur Enver Hoxha, me byronë e tij politike. Ervin Dema është një klonim i kësaj kopje dhe unë e pyes këtu; Ervin cilët qytetarë të Beratit janë pyetur për rikandidimin tënd. 

Ervin se ti ke ardhur këtu nga bota akademike; çfarë të shtyu ty të injorosh të gjitha formimin akademik dhe të të bëhesh protagonist i mafies më të rrezikshme shtetërore të Europës. Si mund të rivalizosh ti, me një kandidat si doktor Zijai, që ka muaj që është zgjedhur, propozuar, që është votuar nga qytetarët, nga demokratët dhe mbështetësit e PD-së në Berat.

Të krahasosh këto dy kandidatura është si të krahasosh terrin, errësirën, me dritën, me ndriçimin. 

Unë ju jap fjalën ju se, votimi juaj në 14 maj për doktor Zijain do të shndërrohet në një shërbim të madh për të gjithë qytetarët e Beratit. Alda tek hapi këtë takim tha se, ai që lind në Berat është me fat. Nuk ka fat më të madh se sa të jesh banor i këtij qyteti dhe këtij rrethi. 

Pak ditë më parë po lexoja, njërin nga 50 vende më magjike të planetit, të mbarë botës, ishte Berati. Imagjinoni ju se çfarë krenarie është kjo për çdo banor, shqiptar dhe ju garantoj unë ju se doktor Zijai e nderon plotësisht dhe do ta bëjë Beratin ashtu siç e meriton, qytetin e ëndërrave më të bukura të të rinjve tanë, të fëmijëve tuaj. 

Berati ka trashëguar një qytetërim mahnitës. Ka trashëguar një kulturë të veçantë, kontribut në qytetërimin perëndimor. Kjo është meritë e gjyshërve, stërgjyshërve, katragjyshërve tuaj të cilët kanë patur jo vetëm shpirtin punëtor, por edhe mendjen e ndritur dhe kanë ditur të qëndisin këto kodra me një bukuri mahnitëse. Kjo u detyrohet fermerëve të këtij rrethi, të cilët janë ndër më të punëtorët, më të aftët në kombin shqiptar.

Ju garantoj se nesër në pushtet PD, do të realizojë projektet e Beratit, do të realizojë sistemin e Osumit. Inxhinier Ngjeçari më ka sjellë mua në zyrë dy projekte. Njëri i një arkitekti të madh italian dhe njëri i viteve ’90. Kryetari juaj i ardhshëm i bashkisë, do ti paraqesë të gjitha para jush, do të jeni ju se kë do të zgjidhni, qeveria do ti financojë ato.

Ervin Demën do ta lemë në ishullin e gënjeshtrës së Edi Ramës.

Ervini nuk e ka premtuar, por u bë dorëzënë, u bë dëshmitar i rremë i mashtrimit të Edi Ramës, ndaj dhe aty do e lemë. 

Berati do të ketë boshtin e vet dhe boshti i Beratit është boshti i jugut. 

Çdo udhëtar që vjen për të vizituar Shqipërinë nuk duhet të shkojë në Tiranë apo Durrës, pa u ndalë në Berat. Pa u ndalë për të vizituar njërën nga mrekullitë mahnitëse të qytetërimit tonë, të qytetërimit perëndimor, të qytetërimit botëror. 

Miqtë e mi! 

E gjithë kjo histori e Beratit, e gjithë kjo madhështi e tij, është dëshmi e një përgjegjësie që qytetarët e këtij qyteti të bekuar kanë dëshmuar në momentet më të rëndësishme.

Sot ne jemi në një nga momentet më kritike të historisë tonë. Sot ne jemi në një moment kur të gjitha pushtetet njëlloj si në vitin ’90 janë në një dorë, janë në dorën e një njeriu. Sot Edi Rama ka pushtet 10% më shumë se diktatori i fundit komunist. Sot çdo vendim gjykate, çdo vendim ekzekutivi, çdo vendim i çdo institucioni që ka të bëjë  me qytetarët diktohet nga një njeri, dhe e ka emrin Edi Rama.

Edi Rama, krahas këtyre do të mbetet në histori për skenarin më makabër të asgjësimit të opozitës. Nëse etërit e tij, i morën deputetët dhe i vunë para skuadrës së pushkatimit, për të zhdukur opozitën, ky pasardhës i tyre, pagoi, kontraktoi si vrasës me pagesë, kryezbuluesin e SHBA-së për të zhdukur opozitën, për ta shndërruar atë në gjethe fiku të pushtetit të tij.

Ju keni lexuar për grushte shtetit që bëhen për të rrëzuar një qeveri, apo një pjesë të pushtetit, por nuk keni lexuar kurrë për grushte shtetit për të rrëzuar një opozitë, siç e bëri Edi Rama.

McGonigal përdori fuqinë e institucionit të tij, duke tradhtuar vendin e tij, i paguar nga Edi Rama për të shkatërruar opozitën. Ekipi i tij u pagua nga Edi Rama në pamje të parë për të ndihmuar institucionet të ketë rend, siguri, qetësi, në fakt sesi e si të manipulojë, shpifë dhe trillojë dosje për opozitën. Dhe kjo nuk u ndal me kaq. 

Njëlloj si etërit e tij që ka tolerancë zero ndaj kundërshtarëve dhe mendimit ndryshe, ai përveç McGonigalëve me imunitet diplomatik etj., me radhë, futi në xhep edhe drejtuesit e opozitës. Përsëri si vrasës me pagesë, i angazhoi ata në një proces gjyqësor që nuk e njeh kurrë bota, i shpalli palë pa qenë palë dhe tre ditë para hapjes së procesit, i mori të gjitha, vulën, simbolin, partisë tuaj, partisë së idealeve tuaja të lirisë, me qëllimin e vetëm që ne të mos hynim në zgjedhje, se ai i ka tmerr, i ka frikë, sepse ai është i sigurtë se 14 maji do të jetë disfata e tij e thellë. 

Demokrate dhe demokratë të Beratit dhe mbarë Shqipërisë.

Ju jeni luftëtarë të pluralizmit. Partia në të cilën ju keni investuar erdhi si lokomotivë e pluralizmit në Shqipëri. Ajo sot është në këmbë në mbrojtje të pluralizmit, ndaj dhe ngrihuni në misionin tuaj për të rikthyer pluralizmin, për të rivendosur pluralizmin, për të përmbysur monizmin.

14 maji vërtetë pra është një fushatë për zgjedhje vendore, por realisht është një fushatë për fatet politike të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Askush më mirë, askush më dhimbshëm se ne shqiptarët nuk ka përjetuar dhe nuk e di më mirë se ne, se çfarë është monizmi. 

Ne kaluam monizmin më të egër stalinist për 45 vite. Po të kthehemi pak çfarë po ndodh në këtë monizmin e dytë, ky monizëm i dytë po bën spastrimin etnik më të madh në historinë e këtij kombi. Me këtë monizmin e dytë, Berati që është një parajsë tokësore, që është një nga bukuritë më mahnitëse të planetit ka humbur 1/3 e qytetarëve të vet. 

Në 8 vite Shqipëria ka humbur 1/3 e qytetarëve të vet. Por kjo 1/3 duhet ta pranojmë është cilësore, për aq sa të rinjtë janë cilësia më e lartë e jona, janë e ardhmja jonë, 80% e tyre janë të rinj. 

937 mijë shqiptarë kanë ikur në këto 8 vite në hapësirën e BE-së, së bashku me vendet e tjera janë 1 mln. 80% e tyre janë nën moshën 30 vjeç. 

S’ka përgjegjësi më të madhe sot besoj unë për çdo qytetar të Beratit, demokrat, socialist, i paparti se sa të ndalet për një moment; do pranojmë ne këtë shpërbërje të tmerrshme, do pranojmë ne të zhdukemi në këtë mënyrë? Ne s’duhet ta pranojmë kurrë këtë. Ne kemi përgjegjësi për të gjithë këta fëmijë, për të gjithë ata që janë larguar, por për të gjithë të vdekurit tanë të cilët kanë lënë trashëgimin përrallore për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Kjo kërkon të shtrojmë pyetjen, si ka mundësi që në 8 vite, Berati i bekuar dhe mahnitës të jetë një qytet i mallkuar, Shqipëria një vend i bekuar dhe mahnitëse, të jetë një vend i mallkuar, të jetë një vend në të cilin shqiptarët nuk besojnë, të jetë një vend ku qytetarët nuk besojnë. Çfarë ka ndodhur. Gratë dhe burrat e mençur e shtrojnë këtë pyetje dhe mendojë mirë, se kjo pyetje ka të bëjë me fatin e gjithsecilit. Ka të bëjë me fatin e këtij qyteti, vendi dhe kombi.

Pse po ikin, çfarë po ndodh? Po ikin sepse të drejtat e tyre janë fiktive, sepse monizmi ka bërë defakto anulimin e të drejtave të tyre. Kush fiton sot proces gjyqësor, askush përveç atij që do Edi Rama. Sot rendi dhe siguria juaj është në dorën e bandave të Edi Ramës, ai u thotë ‘hani kokën e njëri-tjetrit ju’. Çfarë do të thot kjo? Kjo do të thotë, që policia nuk ekziston, kjo do të thotë që zotërit e rendit jeni ju, që ligji nuk është ligji i votuar në parlament, por ligji i mafias, ligji i tyre. Ndaj vritet qytetarja në banak duke punuar, plagoset fëmija 10 vjeçar, se kjo është motoja e tij.

Këshilltarët e tij, Dorian Duçka i cili është, ta dini ju mirë, ka arritur të ngjitë shkallët më të larta të mafias botërore, njeriu që vinte e merrte Edi Ramën me avion të posaçëm dhe e çonte në Hong Kong, me paratë e kompanisë së tij për të hapur ekspozitën, por po ky Dorian Duçkë, kalonte si hienë nga një biznesmen tek një tjetër, i kërkonte 1 mln euro, 5 mln, 3 mln euro, gjobë se unë ua jap vizat, ua heq ndalimin e vizave. 

A ka drejtësi? Keni dëgjuar ju ndonjëherë të thirret në këtë skapin e partisë. Asnjëherë nuk ka. Pra plaçkitës, gjobëvënës me pasaporta diplomatike, këshilltarë të kryeministrit qarkullojnë rrugëve. Nuk besoj se të ketë në histori një shtet që lejojë një situatë të tillë, përveç këtij narko shteti të Edi Ramës.

Aspekti tjetër që mundon më shumë çdo shqiptar sot është varfërimi progresiv, faktori ekonomik. 

Çfarë ndodh me ne, me qytetarët shqiptarë.

Miqtë e mi! 

Ne kemi qenë të varfër dhe kjo është e vërteta. Për shkak të diktaturës, shkaqe të tjera, në në vitin ’90 ne të ardhurat për frymë i kemi pasur 204 dollarë në vit. Jemi rreshtuar të 3 më të varfër të planetit, Uganda, Angola, Shqipëri. Por lumejtë e djersës, vlerat e lirisë, bënë të mundur që në vitin 2008, ne një hop të vërtetë të dalim nga honet ku ishim në kombet më të varfëra dhe të rreshtohemi në kombet me të ardhura të mesme të larta. 

Nuk ishim të pasur, por ngjitja është shpresë, po ngjiteshin se të pasur prap nuk ishim. Por ne po ngjiteshim, mëkëmbja, prosperiteti po rritej, varfëria po zvogëlohej. Dhe këto e bënë që nga viti 2007-2014 çdo vit numri i shqiptarëve në Shqipëri po rritej. Shqiptarët po i besonin Shqipërisë, po i besonin Beratit, po i besonin pasurive përrallore të këtij vendi. 

Çfarë ndodhi? Nga viti 2013 e deri më sot nga njerëzit më të mirë të paguar të rajonit, përfshirë këtu edhe bullgarët dhe rumunët që ishin anëtarë të BE-së, ne u rrokullisëm në fund të rajonit.

Ne paguhemi sot 30-40% më pak se në Kosovë. Kosova ka gjysmën e të ardhurave buxhetore të Shqipërisë. Të ardhurat burxhetorë në Kosovë janë 2 miliardë euro, në Shqipëri janë 5 miliardë. Por Kosova ka një qeveri të përgjegjshme dhe një qeveri e përgjegjshme nuk mund të ketë qëllim më madhor se sa përmirësimin e jetës së qytetarëve të saj. Dmth, rritjen e rrogave dhe pensioneve.

Kjo nuk ndodhi , por çfarë ndodhi, e kundërta. Sot çdo rrogëtar blen me rrogën e tij 30% më pak për shkak të inflacionit se në vitin 2013. Atehërë njerëzit ikin dhe vetëm ikin. Ikin të rinj, të moshuar, mjekë, inxhinierë, agronomë, një hemorragji e tmerrshme kombëtare.

Me se i kompenson, me mashtrime dhe vetëm mashtrime. Të gjithëve u kujtohet para 2 vitesh kur thoshte se nuk është e vërtetë se ska mjekë. Janë 400 që presin radhën për të filluar punën. Tani ky i paaftë, thotë nuk do i lëmë të ikin, do i paguajmë më shumë.

Por sot a e dini se ku është sistemi shëndetësor. Ua them unë me përgjegjësi absolute, sot ne jemi në vitet ’60. Sot ne jemi, po të heqim imazherinë, mjek për frymë dhe shërbim jemi në vitet ’60.

Isha në Gramsh, takova një mjeke, zonjë, misionare të vërtetë. Më tregoi se ajo kujdesej për 20 mijë banorë të 4 komunave. Ky ka qenë raporti i viteve ’60. Pra shëndetësia u shkatërrua. 

Arsimi? Kush mundet të gjejë një punë më të mirë largohet. Tani vuri një taksë tjetër, të profesioneve të lira, do të ikin. Çfarë janë stomatologë, avokatë, të gjithë profesionet e lira me atë taksë 23% nuk e sigurojnë dot jetën këtu dhe ata kudo që shkojnë jetojnë më mirë. 

Atëherë edhe këto shërbime do na shkatërrohen.

Nuk ja ndjen këtij dhe këtyre qeveritarëve, për qytetarët. Ky ecën, udhëton sikur të ishte sheik. 137 udhëtime me avion me dhomë gjumi, se lodhet shumë zotëria e tij, që nuk shkon as në mbledhje qeverie. Shpenzon 22 mln euro vetëm udhëtime. Merr vazo druri në oborrin e kryeministrisë që nuk e sheh kërkush përvecc atij, se është oborr i brendshëm, 4 mln euro.

Ulet në darka, 10 mijë euro, porosisin biftekun 1 mijë euro ministrat e tij. Shkon ministrja tjetër në Peshkopi me me helikopter. Secili fluturim është 15 mijë euro minimumi. 

Për këta nuk ekzistojnë qytetarët. Por cili është qëndrimi ndaj bizneseve? Armiqësor. 

Qëndrimi ndaj bizneseve, rritja e taksave, kontrolle politike, kërkon të legalizojë paratë e drogës dhe nuk fal gjobat, detyrimet e biznesmenëve shqiptarë në Shqipëri. Kjo nuk mund të ndodhë. 

Cili është qëndrimi ndaj fermerëve? Armiqësor. 

Nuk ka vend në botë i cili të vendos TVSH në shitje dhe jo në blerje për produktet bujqësore. A e dini çfarë do thotë kjo? Kjo do thotë që çdo përpunues dhe prodhues të marrë prodhime importi se i leverdis. Por, kjo është dhe në kundërshtim flagrant me ligjin. Ju them unë ju, se këtu në Berat Kombi ka nga fermerët më të shkëlqyer dhe prodhimet e këtij rrethi janë absolutisht të cilësisë më eprore që mund të jenë. 

Nëse ju merrni Kosovën, nuk po marrim Francën, as Gjermaninë por Kosovën, miqtë e mi, Kosova subvencionon çdo hektarë grurë, sipërfaqen, prodhimin dhe naftën 400 euro për hektarë, Kosova subvencionon  çdo hektarë sere, 850 euro për hektarë. 

Kosova subvencionon çdo blete, çdo dele, çdo dhi, 25 euro. Kosova subvencionon çdo lopë 90 euro. Nuk po shkoj tek Franca e cila jep 3 euro në ditë për lopën, por po marrim Kosovën. Kosova subvencionon 75 përqind të PRIMIT për sigurimet në bujqësi.

Kosova subvencionon në tërësi 6 deri në 8 herë më shumë se Shqipëria, sepse Shqipëria edhe ato që jep 2/3 , ¾ i plaçkit dhe grabit administrata. Tu bëj një pyetje? A e keni dëgjuar ju ndonjëherë këtë ministër bujqësie të flasë gjë tjetër përveç ‘akademisë së barinjve’ dhe t’ju thotë fermerëve që keni gabuar se keni mbjell ullinj? Por, a ka injorancë më të madhe se kjo miq? Si mund të thuash ke gabuar që ke mbjell ullirin? Sepse ky vinte, dhe ju thoshte ullinj-ullinj-ullinj , pse mbillni? Ju kanë ngelur ullinjtë në banjo, i fusni në banjo. Po po, dhe mbiprodhim mund të ketë, por çdo shtet kur ka mbiprodhim ndërhyn, çdo shtet paguan atë që i dëmtohet prodhimi. Qoftë nga faktorë natyrorë, paguan me një çmim bazë. 

Çdo shtet paguan kur ka mbiprodhim dhe nuk shitet. Ky çfarë bën? Absolutisht vetëm vjedh. Ky ka hapur kufijtë, lëshoi ligjin në parlament për qumështin pluhur dhe shqiptarët ushqehen me djathë nga Serbia, fermerët therin masivisht lopët e racës. Kosova jep 90 euro për lopën, Kosova jep 150 ero shtesë për imputet bujqësore. Kurse këtu, asgjë. 

Zotimi im solemn është se do subvencionojmë çdo prodhim, çdo sipërfaqe, çdo shtije. Dhe se, siç arritëm të kemi rrogat më të larta për një periudhe, do bëjmë gjithçka që subvencionet në bujqësi, të kapin mesataren e rajonit fillimisht. Do bëjmë gjithçka që këtë vend të bekuar ta shndërrojmë çdo ditë e më shumë në atë çfarë thoshte Faik Konica, ‘kopshti shkëmbor i Europës juglindore’. 

Dhe Shqipëria ka të gjithë potencialin për tu bërë një kopsht i vërtetë në Europën juglindore. Ne sigurisht do ju rikthehemi rrogave dhe pensioneve , do i dyfishojmë rrogat dhe pensionet dhe do i rrisim dhe më shumë. Miqtë e mi, çfarë do thotë kjo? Me shumë të drejte secili prej jush do të pyesë: Po ku do i gjeni këto para? Jua them unë: Edi Rama në 8 vite ka marrë borxh, ka marrë borxh 5 miliardë euro. Me 5 miliardë euro Edi Rama mund të rriste 6 herë rrogat e rrogëtarëve në Shqipëri. Mund të rriste tre herë rrogat dhe tre herë pensionet në  Shqipëri.

Edi Rama ka vjedhur sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit në vitin 2022 në 9 muaj të vitit 2022, 122 miliardë lekë, 1.1 miliardë euro me të cilat mund të rriste rrogat 130 përqind, po si i vodhi mund të thoni ju?! Si i vodhi? 

Se ai thotë, jam i gjatë unë, nuk fus dorën në xhep. Ai vjedh me firma nga mëngjesi deri në darkë, ai është një hajdut që nuk e ka toka. Ai vjedh, po ua them unë, ai vjedh, sepse ndërton rrugën 24 milionë euro kilometrin, ndërkohë që në çdo vend të Europës, edhe në Norvegji që është vend me të ardhura të larta edhe në Zvicër, ajo ndërtohet me 2-3 milionë euro kilometri. Pra e ndërton rrugën 8 here 10 herë më shumë, vjedh 90 përqind të fondeve. 

Po vija tek ju, autostrada Shkëmbi i Kavajës- Fier, ka kushtuar pjesa Lushnje-Fier 1.2 milionë euro kilometri, pjesa Lushnjë- Shkëmbi Kavajës ka kushtuar 2 milionë euro kilometri. Çfarë bën ky tani? Ky ndërton rrugët anësore me 7.2 milionë euro kilometri. A mund të bëjë kush kështu? A mund të veprojë një njeri në këtë mënyrë? A mund ta durojmë më këtë gjë? A duhet ne të bashkohemi të shpëtojmë Shqipërinë? 

A duhet ne të punojmë me çdo qytetarë? Ja pra ku janë potencialet, për të dy dhe trefishuar rrogat, për të dy dhe trefishuar pensionet. Nuk ndërtohet rruga me 24 milionë euro kilometri. Nuk ndërtohen rrugët anësore me 7.2 milionë. 

Nuk ndërtohen shkolla, siç bëri ish kryebashkiaku i Tiranës, 6 milionë euro shkollën ‘Sami Frashëri’, 4 milionë euro shkollën ‘Bashkim Fino’, e me radhë e me radhë . Shkolla të cilat në të gjitha manualet kushtojnë 700 mijë euro, 680 mijë euro. A mund të vazhdojmë ne të vidhemi në këtë mënyrë, më thoni ju mua? Ndaj dhe zgjedhjet vërtetë janë për qytetarin e parë të Beratit por janë për fatin tonë, janë për dinjitetin tonë, për të ardhmen tonë, të fëmijëve tanë, prandaj dhe po rrokullisemi, a mund të ecim ne sypërgjumur në këtë situatë? 

Unë them që jo, kurrën e kurrës, sepse zgjedhjet nuk janë vetëm për qeverinë vendore por zgjedhjet janë për fatin e Shqipërisë. 

Të nxjerrim Shqipërinë nga monizmi me 14 maj duke votuar doktor Zijain, kandidatët e Primareve ju votoni për pluralizmin, ijapim mësimin më të madh Edi Ramës. 

Edhe njëherë mirënjohje të madhe për ju!  Faleminderit dhe me 14 maj të bashkohemi të fitojmë. Të bashkohemi për doktor Zijain, të bashkohemi për fëmijët tanë, të bashkohemi për ndryshimin  e madh, të bashkohemi për vendosjen e pluralizmit. 

Rroftë Berati, rroftë Shqipëria.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale