Takimi me të rinjtë/Berisha: Programi i ‘Shqipërisë Madhështore’ do bëjë realitet ëndrrat tuaja! LaCivita: E vetmja e ardhme është me Dr. Berishën kryeministër

KRYETARI I PD, SALI BERISHA DHE KRYESTRATEGU, CHRIS LACIVITA, BASHKËBISEDIM ME TË RINJTË

EKSTRAKT

Në një takim të mbajtur me të rinjtë e FRPD-së, morën pjesë lideri i opozitës, Prof. Dr. Sali Berisha dhe strategu amerikan i fushatës elektorale, Chris LaCivita. Kryetari i PD, Sali Berisha u shpreh para të rinjve se Shqipërisë sot i duhen misionarë dhe se rolin më të rëndësishëm në këtë mision e ka rinia. Berisha u bëri thirrje të rinjve të jenë fytyra e fushatës dhe premtoi se programi “Shqipëria Madhështore” do të bëjë realitet ëndrrat e tyre, duke ofruar arsim cilësor, punësim dhe mbështetje për jetën dhe biznesin e tyre.

Kryetari i PD, Sali Berisha deklaroi se Europa po flet më fort se kurrë për situatën në Shqipëri, por kjo zë e vërtetë po censurohet nga mediat e kontrolluara nga qeveria. Ai tregoi se në Këshillin e Europës u zhvilluan dy seanca të pazakonta për Shqipërinë, ku Edi Rama u cilësua si armik i pluralizmit, që manipulon zgjedhjet dhe arreston kundërshtarët politikë. Sipas Berishës, Ramës iu anulua darka zyrtare në Këshillin e Europës për shkak të sjelljes së tij, një veprim i paprecedentë që e krahasoi me trajtimin ndaj diktatorëve si Enver Hoxha apo Gadafi. Berisha shtoi se më pas KE mori mesazhe kërcënuese nga grupe të lidhura me krimin. Berisha gjithashtu përmendi një tjetër seancë në Parlamentin Europian ku u paraqit me shqetësim gjendja në Shqipëri dhe kritikat ndaj qeverisë, duke theksuar se fasada e Ramës ka rënë dhe se nuk mund të ketë integrim europian pa reforma të vërteta.

Kryestrategu, Chris LaCivita tha se të rinjtë në SHBA iu përgjigjën shumë mirë thirrjes së Presidentit Trump sepse ai foli për çështjet që atyre u interesojnë më shumë: siguria personale dhe ajo ekonomike. LaCivita tha se fushata republikane kishte një strategji të qartë për të angazhuar rininë përmes kanaleve ku ata informohen – online, podkaste dhe forma të tjera moderne. Të rinjtë duan të kenë një të ardhme të sigurt, të dalin më vete, të ndërtojnë jetën e tyre, dhe Trump u dha atyre këtë mesazh. Sipas LaCivita-s, sfidat e rinisë amerikane janë të ngjashme me ato të rinisë në shumë vende të tjera, ndaj mesazhet konservatore për të ardhmen dhe ndryshimin janë më të domosdoshme se kurrë.

LaCivita u shpreh se zhvillimet në Shqipëri ndiqen me vëmendje edhe nga SHBA, duke theksuar rëndësinë strategjike të stabilitetit në rajon. Ai theksoi nevojën për më shumë angazhim të fushatave në rrjetet sociale dhe forma moderne komunikimi, veçanërisht për të përçuar mesazhe që u flasin të rinjve. Sipas tij, mesazhi i Dr. Berishës për të ndërtuar të ardhmen në Shqipëri është thelbësor. LaCivita kritikoi të majtët për mungesën e fokusit te individi dhe theksoi se konservatorët po përballen me një regjim të paqëndrueshëm. Ai u bëri thirrje të rinjve të mos qëndrojnë pasivë, por të angazhohen, të votojnë dhe të sjellin edhe të tjerë me vete, sepse pjesëmarrja e tyre mund të ndikojë drejtpërdrejt në rezultatin e zgjedhjeve.

LaCivita theksoi se Shqipëria ka vetëm një të ardhme të vërtetë: nëse Sali Berisha zgjidhet kryeministër. Ai u shpreh se çdo ditë duhet të jetë një moment zgjimi për elektoratin, duke treguar dështimet e Edi Ramës. LaCivita nënvizoi rëndësinë e mesazhit të qartë, të vërtetë dhe të vazhdueshëm, duke theksuar se vendi nuk mund të përballojë edhe katër vite të tjera me këtë qeveri. Sipas tij, ky është momenti për ndryshim dhe për të luftuar për njeriun e zakonshëm.

BASHKËBISEDIMI I PLOTË

Sali Berisha: Së pari, ju përshëndes dhe ju falënderoj shumë për ndihmesën shumë të madhe që ju po jepni në këtë fushatë. Siç kam theksuar, e theksoj, kjo fushatë e ka jetike që të ketë si fytyrë të vetën fytyrën tuaj.

Ju, do të ishit dhe do të jeni imazhi më i bukur, më njerëzor, më i besueshëm i fushatës elektorale.

Ndaj dhe, ju ftoj të mendoni me kreativitet, me entuziazëm, për të gjithë fushatë, e cila kërkon që ne tek qytetarët të mos shkojmë si politikanë, por të shkojmë si misionarë. Dhe nuk ka misionarë më bindës se sa të rinjtë.

Shqipërisë sot i duhen misionarë. Në situatën në të cilën ajo ndodhet, atë e shpëtojnë veëm misionarët. Kështu që, ju siguroj se programi i PD dhe aleatëve do të jetë një program që synon të bëjë realitet ëndrrat tuaja.

Ëndrra ‘Shqipëria Madhështore’, projektin më të shkëlqyer e ka në emrin tuaj, në ëndrrat tuaja të ditës (e ka ëndrra dite, ka ëndrra nate), të ditës janë ato për të cilat ne punojmë. Ndaj dhe, një program për të rinjtë, i cili nënkupton shkollim cilësor dhe të drejë shkollimi për të gjithë të rinjtë shqiptarë. Nënkupton, një përpjekje të shoqërisë për suksesin e të rinjve shqiptarë në jetë, punësimin e tyre, krijimin e familjes, mbështetja e madhe për suksesin e biznesit.

Pra, të gjitha këto janë elementë thelbësorë se, Shqipëria nuk mund të jetë kurrë Shqipëri madhështore pa rininë e saj madhështore, pa ëndrrën të bërë realitet të të rinjve të saj.

Ndaj dhe unë, nuk po flas gjatë.

Nëse Chris do të donte të thoshte disa fjalë, unë do të isha shumë i lumtur.

Mendoj se, t’u dëgjojmë ju pyetjet, komentet, sugjerimet, vërejtjet, kritikat, dëshirat, çdo gjë. Ne jemi shumë të kënaqur t’ju dëgjojmë.

Chris LaCivita: Mirëmëngjes! Faleminderit për ftesën tuaj!

Është një ditë e bukur!

Unë mendoj se është jashtëzakonisht e rëndësishme që në politikë, qoftë në Shtetet e Bashkuara apo këtu në Shqipëri, të rinjtë dhe votuesit e rinj të përfshihen dhe të marrin në dorë fatin e qeverisjes së tyre, sepse e ardhmja jeni ju.

Unë mendoj se politikat e 12 viteve të fundit e kanë bërë shumë vështirë të ardhmen dhe për mundësitë për të rinjtë. Por shumë nga politikat që sjell Dr. Berisha, synojnë pikërisht që ju të mund të qëndroni këtu, të gjeni mundësi, të keni sukses, dhe të ndihmoni në ndërtimin e vendit.

Prandaj është shumë e rëndësishme, dhe ju e dini. Për fushatën është thelbësore që t’i japë mesazhet aty ku ndodhen votuesit. Shumica prej jush nuk e merrni informacionin nga burimet tradicionale, si media klasike. Ju informoheni përmes rrjeteve sociale, përmes internetit dhe platformave të ndryshme. Kështu që, është shumë e rëndësishme që ne të komunikojmë me të gjithë ju.

Por po aq e rëndësishme është që edhe ju të angazhoheni, të shprehni mendimin tuaj, dhe të siguroheni që miqtë dhe familjarët tuaj të dalin dhe të votojnë.

E gjithë kjo fushatë ka të bëjë me çështjen më të rëndësishme: ekonominë dhe të ardhmen. Dhe ju djema, e keni plotësisht në dorë ta ndryshoni të ardhmen dhe drejtimin e këtij vendi. Por nuk mund ta bëni këtë nëse nuk ngriheni.

Ka një shprehje të vjetër në Amerikë: “Bota drejtohet nga ata që ngrihen.” Dhe është shumë, shumë e rëndësishme që ju të merrni pjesë dhe të bëni që zëri juaj të dëgjohet.

Faleminderit!

BASHKËBISEDIMI

Z. LaCivita, faleminderit që jeni këtu. Pyetja ime për sherifin është: Çfarë e motivoi rininë e Partisë Republikane në zgjedhjet e fundit dhe cili ishte roli i tyre kyç në fushatë?

LaCivita: Pyetje shumë e mirë, dhe faleminderit që e bëtë. Që ta dini të gjithë, unë nuk jam vërtet sherif. Më pëlqen thjesht të bëj pak humor. Por, sa i përket zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara, tradicionalisht votuesit më të rinj nuk janë shumë të angazhuar. Dhe, e dini, e majta gjithmonë shpreson që të rinjtë të mos marrin përgjegjësi dhe të mos përfshihen. Por ne kishim një plan shumë specifik për të angazhuar votuesit e rinj, sepse folëm për çështjet që kanë rëndësi për ta.

Ka shumë zhurmë në fushata, dhe njerëzit duan të të tërheqin në rrugë të tjera e të flasin për çështje që në të vërtetë nuk kanë rëndësi. Para së gjithash, gjëja më e rëndësishme për ne ishte të komunikonim me votuesit e rinj atje ku ata marrin informacionin. Pra, ishte online, përmes podkasteve, përmes shumë metodave jotradicionale. Dhe kjo është shumë e rëndësishme, të njëjtat gjëra mund të bëhen edhe këtu.

Ata ishin shumë të shqetësuar për aftësinë e tyre për të ecur përpara, për të krijuar jetën e tyre. Shumë të rinj në Shtetet e Bashkuara, për shkak se nuk mund të përballojnë të kenë një vend të tyrin, ende jetojnë me prindërit. Por ata nuk duan të jetojnë me prindërit përgjithmonë. Ata duan të dalin më vete, të krijojnë jetën e tyre dhe të kenë një të ardhme.

Pra, ata iu përgjigjën shumë mirë mesazheve që përcillte Presidenti Trump. Dhe natyrisht, atyre u intereson siguria personale. U intereson siguria ekonomike. Dhe përsëri, çështjet që i çuan amerikanët në qendrat e votimit në vitin 2024 janë të njëjtat çështje që ekzistojnë edhe këtu. Rrethana shumë, shumë të ngjashme. Prandaj, është e rëndësishme të sigurohemi që ata ta dinë që ekziston një parti që është e përqendruar te e ardhmja dhe që konservatorët kanë zgjidhjet më të mira.

Siç e thashë edhe dje, 12 vitet e fundit kanë qenë një dështim i tmerrshëm. Atëherë, pse do të votoje për partinë ose për personin që është përgjegjës për ato 12 vite? Është koha për ndryshim.

Përshëndetje të gjithëve! Përshëndetje zoti LaCivita, është një kënaqësi e madhe që ju kemi këtu. Mirë se vini në Shqipëri. Unë kam katër pyetje për ju.

Pyetja e parë është: duke parë mënyrën se si ju e keni drejtuar fushatën e zotit Trump në Amerikë, si do ta përshtatni atë fushatë këtu në Shqipëri dhe cilat strategji të reja do të zbatojmë këtu?

E dyta: Rama e ka modernizuar mënyrën e vjedhjes së votave në Shqipëri, duke punësuar njerëz në administratë, madje edhe njerëz që marrin rrogë dhe nuk bëjnë asgjë. Si do të luftoni ju këtë?

E treta: si do ta balanconi mbështetjen që Rama po merr nga partitë e majta të Europës? Sepse dihet që ai ka edhe mbështetjen e Sorosit – si do ta përballojmë këtë?

Dhe pyetja e katërt: a do të kemi mbështetjen e SHBA-së në këto zgjedhje?

LaCivita: Nga pikëpamja strategjike, nuk do të zbulojmë shumë sekrete, por mendoj se, nga ana e fushatës, duhet të jemi shumë më aktivë në rrjetet sociale, dhe shumë më të pranishëm në mënyra jo tradicionale të komunikimit me votuesit.

Mendoj se është jashtëzakonisht e rëndësishme të flasësh me grupin e duhur të votuesve, sidomos kur bëhet fjalë për mesazhin. Sigurisht, mesazhi për të cilin flet Dr. Berisha, për mundësinë që të rinjtë të qëndrojnë në Shqipëri, të ndërtojnë një të ardhme këtu, pa pasur nevojë të largohen në Europë apo në Shtetet e Bashkuara, është thelbësor. Por, kur flasim për partitë e majta, socialistët gjithmonë qëndrojnë bashkë, sepse ata kanë një vizion të njëjtë për botën dhe për qeverisjen, një vizion që nuk e vendos individin në qendër.

Dhe, e dini, këto janë pikërisht ato gjëra ndaj të cilave individët duhet të kenë kurajon të ngrihen dhe të luftojnë. Sa i përket Shteteve të Bashkuara, natyrisht, unë nuk flas në emër të qeverisë amerikane. Jam këtu si një qytetar privat dhe merrem me fushata politike në vende të ndryshme të botës. Por ajo që e bën të veçantë për mua këtë rast, është fakti që këtu kemi konservatorë të vërtetë që po përballen me një regjim socialist dhe me një udhëheqës shumë të paqëndrueshëm, i cili ka sjellë paqëndrueshmëri si në qeveri, ashtu edhe në ekonomi. Dhe, natyrisht, është e domosdoshme të sigurojmë stabilitet në rajon. Kjo është arsyeja pse zhvillimet në Shqipëri ndiqen me vëmendje edhe nga Shtetet e Bashkuara, siç ndodh me çdo vend tjetër.

Dhe, e dini, kjo ka të bëjë me ndërtimin e aleancave. Shqipëria ka qenë gjithmonë në pararojë, dhe sigurisht që Dr. Berisha ka pasur një rol shumë të rëndësishëm në këtë drejtim. Por, përsëri, është jashtëzakonisht e rëndësishme që ju, sidomos ata në një moshë të caktuar, ta kuptoni sa e rëndësishme është ajo që po bëni. Jo vetëm që duhet të votoni vetë, por merrni me vete edhe pesë veta, merrni edhe dhjetë, dhe sigurohuni që të votojnë edhe ata. Është shumë e thjeshtë. Ju mund të keni ndikim të drejtpërdrejtë në rezultatin e çdo zgjedhjeje, për sa kohë që ngriheni dhe bëheni pjesë e vendimit.

Sali Berisha: Lidhur me pyetjen tuaj për Europën. Në Shqipëri ka dy Europa. Një Europë që censurohet, dhe tjetra që manipulohet dhe deformohet. E vërteta është, Europa që censurohet në Shqipëri këtë javë ka folur për Shqipërinë më fuqishëm se kurrë ndonjëherë në 32 vite, dhe ndofta më fuqishëm se për çdo vend tjetër në 32 vite. Kjo Europë, në Këshillin e Europës, në një kohë krejtësisht të pazakontë mbajti 2 seanca me dy grupet kryesore parlamentare, në të cilat ajo u informua dhe debatoi për narkoshtetin në Shqipëri, për Edi Ramën, si një armik të pluralizmit, që arreston kudnërshtarët e tij politik, që burgos kundërshtarët e tij politik, dhe që  shndërron zgjedhjet në farsë elektorale.

Kjo Europë, nga mediat e mëdha dhe të kontrolluara nga qeveria u censurua plotësisht. Por, e vërteta është që kjo Europë, që ta dini ju, në vizitën e tij në KE, drejtuesit e këtij institucioni do të më informonin se ata Edi Ramës ia anuluan darkën zyrtare të planifikuar për nder të tij. Akt që nuk kishte ndodhur ndonjëherë në historinë e atij institucioni. Darkën ia anuluan dhe ia anuluan për shkak të keqsjelljeve të tij, për shkak se aty ai nuk e përmbajti veten dhe demonstroi se cili ishte. Por, nuk është e tëra kjo.

Pas anulimit të darkës, duket se ky kishte mbledhur grupet kriminale shqiptare nëpër Europë, dhe pas anulimit të darkës me qindra measzhe kërcënimi shkuan drejt drejtuesve të KE-së.

Kjo është Europa që u censurua, por jo vetëm kaq.

Në qoftë se, kjo ndodhi ditën e hënë. Ditën e martë ndodhi një ngjarje tjetër madhore për Shqipërinë në Komisionin e Punëve të Jashtme dhe Sigurisë të Parlamentit Europian.

Seanca në Komisionin e Punëve të Jashtme dhe të Sigurisë, që është komisioni qendror i PE-së, ishte një seancë ku merrnin pjesë deputetë të të gjitha grupeve parlamentare.

Dhe në këtë seancë kushtuar, të jemi realistë, në tërësi zgjedhjeve në Shqipëri, ç’ka edhe kjo tepër-tepër e pazakontë. Sepse, normalisht, në këtë fushatë nuk ndërmerren aktivitete të tilla. Në këtë seancë, që përsëri ëstë Europa e censuruar, por ju siguroj se, ai komision, është komisioni vendimarrës më i rëndësishëm parlamentar i BE-së.

U paraqitën qoftë nga ekspertë, qoftë nga anëtarë të komisionit situata dramatike e Shqipërisë. u paraqit me vërtetësi, Edi Rama një lloj narkoditatori që respekton parlamentin, nuk respekton vendimet e gjykatës kushtetuese, nuk respekton votën e lirë të shqiptarëve.

U paraqitën me vërtetësi të madhe, qendrimi i tij ndaj pluralizmit dhe kundërshtarëve politikë.

Pra, i dashur, vërtetë ka patur ndonjë deklaratë tek tuk, të cilat edhe ato i ka manipuluar Edi Rama. Sepse, në qoftë se marim deklaratën e fundit të të dy komisionereve, që të dy e bënë të qartë se nuk mund të ketë integrim pa reforma të thella, të cilat Edi Rama kurrë nuk i bën. Edi Rama bën fasadë. Mirëpo, fasada e Edi Ramës mori fund ditën e hënë dhe ditën e mërkurë në dy institucionet themelore të demokracisë europiane dhe të BE-së, dhe të politikës europiane.

Duhet të përpiqemi që ta kalojmë censurën. Edhe kjo. Unë e thashë në KE. Akti i mbylljes së Tik Tok, është akti i Habitullahut të Kabulit. Sqarova dhe një gjë. Mos e merrni për të thjeshtë, se i ati i tij në vitin 1988, në 10 gusht firmosi varjen në litar të një poeti disident, guximtar, vetëm pse shkroi vargje për fjalën e  lirë, shkroi vargje për frymën e Helsinkit.

Kurse ky, tani var në litar Tik Tokun, sepse të rinjtë e përdorin shumë dhe e kritikojnë, e tallin, ose e qortojnë.

Ndaj dhe, është bërë një punë e madhe. Nuk i tejkalon dot kurrë me banalitetet e tij Edi Rama, por ishte bërë famëzi.

Mund të them për ta mbyll, ai ishte tashmë i vetmi kryeministër në historinë e Europës që i kishin anuluar darkën zyrtare, sikur të përfaqësonte Enver Hoxhën apo Gadafin.

Zoti Berisha, zoti LaCivita, unë jam Emanuel. Jam Sekretari Ndërkombëtar i Forumit Rinor të partisë. Gjatë studimeve të mia në Mbretërinë e Bashkuar, hasa në diçka shumë interesante që lidhet me strategjitë e fushatës, e cila quhet rregulli 3-3-3. Ky rregull thotë që tre muaj para ditës së zgjedhjeve duhet të ndodhë diçka tronditëse, tre javë para – sërish diçka e fortë, dhe tre ditë para – gjithashtu.

Ndaj më lejoni të “ngacmoj” pak, nëse më lejoni. Pikërisht tre muaj përpara zgjedhjeve, ne dhamë lajmin që ju do të ishit strategu ynë i fushatës – një lajm që bëri shumë bujë dhe që pati ndikim të madh në sondazhe për partinë tonë.

A mund të presim, ndoshta që javën që vjen – kur do të jenë saktësisht tre javë nga dita e zgjedhjeve – diçka po aq tronditëse, nëse ndjekim logjikën e kësaj strategjie që kam mësuar? Faleminderit.

LaCivita: Ajo që dua të them është se çdo ditë duhet të jetë Çdo ditë duhet të jetë një shpërthim, si një zgjim i ri. Një zgjim dhe edukim i elektoratit për mënyrën se si Edi Rama ka dështuar keqazi në këtë vend.

Unë kam një rregull të ngjashëm: të jesh i shkurtër, i qartë dhe të përçosh mesazhin në mënyrë të vazhdueshme. Dhe e vetmja e ardhme që kemi këtu është nëse z. Berisha zgjidhet. Përndryshe, do të kemi më shumë nga e njëjta gjë.

E dini, në politikë, nëse përpiqesh të “shtysh” me zor diçka, kjo duket artificiale. Dhe mendoj se gjëja më e rëndësishme është të jesh vetvetja. Siç tha edhe z. Berisha, të jesh i vërtetë me veten, i vërtetë me atë që përfaqëson si parti, të luftosh për taksa më të ulëta, të luftosh për njeriun e zakonshëm që punon, dhe të tregosh qartë se ky vend nuk përballon dot edhe katër vite të tjera me Edi Ramën. Thjesht nuk mundet. Ky është momenti shpërthimit. Faleminderit!

Është një nder i madh për ne që ju kemi mes nesh. Duke qenë se kemi parë shumë foto tuajat duke hipur në Trump Force One, dhe gjithashtu ju kemi parë duke shkëmbyer ndonjë batutë ndoshta me drejtorin e ri të FBI-së, z. Kash Patel, kisha një pyetje:

A është Presidenti Trump personalisht në dijeni të korrupsionit në Shqipëri? Dhe a është i informuar për atë që po ndodh këtu?

Gjithashtu, nëse do të kishit mundësi ta takonit sërish z. Kash Patel, a mund t’ia kujtonit që Edi Rama ka një çështje të hapur atje në Uashington?

Faleminderit!

LaCivita: Pra, edhe një herë, unë nuk flas në emër të qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Sigurisht që kam shumë miq atje, sepse punoj shumë ngushtë me fushatën. Por mendoj se mjafton të themi që ekziston një kuptim i qartë i situatës politike dhe korrupsionit që ekziston këtu.

Siç e përmenda edhe mbrëmë, shumë nga gjërat që administrata Biden ka tentuar të bëjë gjatë katër viteve të fundit për të futur Donald Trump në burg, duke përfshirë edhe bastisjen e shtëpisë së tij, janë gjëra që nuk kishin ndodhur më parë.

Dhe ngjashmëritë mes asaj që po përpiqen t’u bëjnë konservatorëve këtu, dhe asaj që ata bënë në Shtetet e Bashkuara, janë jashtëzakonisht të ngjashme. Dhe kjo ndodh sepse ata nuk janë në gjendje të mbrojnë bilancin e tyre. Nuk janë në gjendje të mbrojnë gjendjen e ekonomisë.

Dhe gjithmonë duhet të kthehemi tek kjo. Do ta mbyll duke thënë se jam jashtëzakonisht i impresionuar nga ju të gjithë. Mendoj se keni shumë për të ofruar dhe e ardhmja duket shumë premtuese. Dhe anglishtja juaj është thjesht e mrekullueshme. Pra, përgëzime të gjithëve. Faleminderit.

Sali Berisha: Hija e McGonigalit, do ta ndjekë Edi Ramën gjer ditën e fundit të jetës së tij. Nuk i ndahet. Është skandal planetar.

Ndaj dhe ai, siç e shihni, ka një terror të brendshëm. Ai ka patur probleme, të njohura, serioze, me ekuilibrat psikologjike, por tani ka zgjedhur autoizolimin si rrugën për të mos shfaqur publikisht momentet e disekuilibrit, siç ndodhi ajo që i ra tavolinës, seç i ra me kokë, me grusht, etj.

Dihet që Edi Rama ka afera shumë të mëdha korruptive, por afera e cila ju cituat është e faktuar, e gjykuar nga gjykatës amerikanë. Dhe Rama e di që ajo nuk është një krim që parashkruhet ai akt që ka kryer.

BASHKËBISEDIMI NË KAFE ME TË RINJTË

Sali Berisha: Nuk e kam dëgjuar kurrë më parë. Asnjëherë. Është një treg pluralist, siç janë njerëzit. Por vura re që qëndrova më shumë se një orë e gjysmë, dy orë, rreth dy orë, duke ecur, duke takuar njerëz, duke takuar shitës, duke takuar të gjithë. Dhe nuk gjeta asnjë… Asnjë nëpër dyqane që të ishte i rezervuar apo jomiqësor. Jo. Të gjithë ishin shumë miqësorë. Madje edhe të gëzuar, që është një guxim i madh. Por ajo që më bëri përshtypje. Takova kasapin. Dhe e pyeta: Si po shkon puna? Më tha: Nuk është mirë. Më tregoi që tani, ajo që kishim çdo ditë më parë, tani e kemi vetëm në festa, dhe atë jo gjithmonë. Qarkullimi që kishim çdo ditë më parë, tani e kemi vetëm gjatë festave dhe kaq. Ishte me të vërtetë e jashtëzakonshme. Kishte vetëm dy qytetare, dy zonja, që kaluan pa folur, nuk dhanë ndonjë reagim negativ, por nuk ndaluan për të biseduar. Të gjithë të tjerët ndaluan për të folur. U impresionova shumë.

Asnjëherë nuk kam pasur një pritje në treg si këtë herë. Por… kemi një program vërtet të shkëlqyer. Ky është një program me të cilin mund të trokasim kudo. Mund të trokasim te bizneset, bizneset e vogla, te fermerët, te të gjithë. Dhe është programi më realist. Pse është më realist? Sepse pjesët më të vështira të tij janë testuar nga vetë ne. Kur unë ju them, kur vendosa për herë të parë tatimin e sheshtë 10 përqind, tatimi më i ulët i sheshtë në Europë ishte 17 përqind. Por ne ndodheshim në një situatë të panjohur, dhe FMN qëndroi mënjanë, na tha: Jo, nuk ju ndjekim. Do të shohim. Dhe nëse dështoni, është faji juaj. Ne nuk duam të jemi pjesë. OK, u thamë. Por kurrë nuk ishte bërë, 10 përqind. Por në fund të 6 muajve, morëm 300 milionë euro më shumë sesa ishte parashikuar, ose më shumë se një vit më parë. Kështu që tani dimë. Nuk jemi më në të panjohura. Jo, tani dimë gjithçka. Sepse ata shkuan në absurditete. Çfarë diskutuam mbrëmë? Për një metër katror trotuar, për një metër katror hapësirë publike, 20 euro. Ishte 1.2 euro. E çuan në 20 euro, e çuan në 15 euro. Si t’i bëjnë të vuajnë. Njerëzit nuk e kuptojnë sa e vështirë është jeta për bizneset e vogla. Jeta nuk është e lehtë për ta. Shko dhe shih ata njerëz. Qëndro 10 orë, 8 orë, në këmbë, në kushte aspak të mira. Ata vuajnë. Janë të lumtur. Por ne duhet të ulemi me ta. Jo si politikanë, jo si njerëz që shkojnë për premtime, por si misionarë që kujdesemi për ta. Që ndjejmë vuajtjet e tyre. Shtrëngimi i duarve është ende i shenjtë në Shqipëri.

Belind Këlliçi: Chris, a mund të të bëj një pyetje lidhur me rolin e të rinjve? Sepse, ashtu si në SHBA me fushatën tënde, edhe këtu ne kemi median kryesore kundër nesh, e cila kontrollohet nga e majta. Këta të rinj janë shumë aktivë në rrjete sociale, kryesisht në Facebook, Instagram dhe platforma të tjera. Si mendon ti, cili duhet të jetë mesazhi kryesor i të rinjve këtu? Si në kuptimin e një fushate pozitive dhe negative, por edhe në kuptim strategjik? A duhet të fokusohet te programi? Apo te rikthimi i shpresës? Apo ndoshta si një thirrje për miqtë e tyre që të punojnë në këtë fushatë, që të sigurohen që të qëndrojnë këtu dhe të kenë një jetë më të mirë? A ke ndonjë ide?

Chris LaCivita: Po, në fakt kam.

Para së gjithash, nuk është e gabuar të tregosh dështimet e Edi Ramës. Kjo nuk është negativitet. Kjo është thjesht e vërteta. Dhe ata duan ta përdorin këtë dhe të thonë që është… Mendoj se është e rëndësishme t’u komunikoni miqve tuaj jo vetëm çfarë jeni kundër, por duhet të dini t’u tregoni edhe çfarë përfaqësoni. Duhet t’i bëni të dyja. Dhe Edi Rama ka dështuar në 12 vitet e fundit sepse çdo gjë është bërë më e shtrenjtë. Korrupsioni, krimi. Dhe përgjigjja ndaj kësaj është programi dhe pikat specifike të programit. Kur postoni diçka në Facebook apo jeni online në rrjete sociale, politika është një medium shumë vizual, njerëzit vizualizojnë. Duhet t’u bëni të qartë njerëzve ndikimin që ka pasur çmimi i vezëve, çmimi i bukës, çmimi i qumështit, dhe sa shumë është rritur gjatë 12 viteve të fundit. Duhet t’ua tregoni. Nuk mjafton t’ua thoni. Duhet t’ua tregoni si janë rritur çmimet dhe si është ndërtuar programi për t’i ulur ato.

Dhe po e shohim këtë tani në Shtetet e Bashkuara. Inflacioni ka rënë. Punësimi është rritur. Inflacioni ka rënë. Kostoja e jetesës ka rënë. Të gjitha këto po ndodhin. Absolutisht!

Dhe kanë kaluar vetëm 100 ditë. Po imagjinoni ndikimin që mund të ketë kur ndërron qeveria. Keni pasur të njëjtin person për 12 vite. E dini si e quajmë ne këtë në Amerikë? Diktaturë. E quajmë kështu edhe këtu. E pra, ky është fundi i saj.

Sali Berisha: Sa më shumë që tregoni veten tuaj te qytetarët, aq më të mëdha do të jenë shanset tona për fitore. Ju thashë, nënkryetari i Partisë Demokratike të Kavajës ishte në një zonë që ndonjëherë voton për ne, ndonjëherë jo. Dhe çfarë bëra, më tregoi ai. Mora gjithë stafin tim, të rinj. Punova vetëm me të rinj. Të rinj në çdo cep, në çdo detyrë, kudo. Dhe jo vetëm zona ime doli fituese, por edhe zonat fqinje u ndikuan aq shumë nga fushata e të rinjve. Sepse sa më shumë që takoni njerëzit, sa më shumë që lëvizni, ju jeni reklama më e mirë për këtë fushatë. Ju bëni një kontribut të vërtetë dhe të jashtëzakonshëm. Keni një moment në jetën tuaj për të kontribuar në rrëzimin e kësaj diktature. Ne do ta rrëzojmë atë.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale