Takimi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike me europarlamentarët të Komisionit të Përbashkët të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri/ Oerd Bylykbashi

Faleminderit!

Të nderuar ne patëm sot mundësinë që të diskutojmë edhe më herët për këtë çështje, por është hera e parë që e bëjmë takimin në këtë format.

Unë do të trajtoj çështjen e zgjedhjeve në Shqipëri.

Ju keni dëgjuar ndoshta pa fund për reformën zgjedhore në Shqipëri.

Ndryshe nga reforma në drejtësi që zgjat 10 vjet, ne kemi bërë vazhdimisht reforma që kanë mbaruar, me sukses pa sukses kemi vazhduar përsëri.

Ajo që është shumë interesante, është se në 12 vitet e fundit nuk ka një reformë zgjedhore të bërë mbi bazën e rekomandimeve të OSBE-ODIHR në parlamentin e Shqipërisë. Edhe një që është bërë në vitin 2020, ka ndodhur jashtë parlamentit sepse opozita ishte jashtë.

Para pak muajsh, dështoi plotësisht reforma zgjedhore në Shqipëri. Nuk ka asnjë rekomandim të trajtuar nga parlamenti i Shqipërisë nga të gjitha ato që janë thënë në një numër raportesh.

Për rrjedhojë, nëse dikush ju thotë se Shqipëria ka bërë reformë zgjedhore, jo thotë një gjë të pavërtetë.

A është qëllim në vetvete reforma zgjedhore? OSBE-ODIHR thotë se ligji shqiptar është një bazë e mirë për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike. Po çfarë qenka kjo që ligji është bazë e mirë, dhe zgjedhjet siç thotë OSBE-ODIHR janë gjithmonë e më të këqija.

Nëse në vitin 2013 zgjedhjet mundësuan rotacioni paqësor, politik me votë, ku PD-ja ne që jemi sot në opozitë, ikëm nga pushteti me ato zgjedhje. Pas atyre zgjedhjeve, iku çështja e zgjedhjeve si problem me BE-në dhe pak muaj më pas u dha statusi i vendit kandidat, ku në atë raport të vitit 2013, nuk përmendet asnjë shkelje parimi themelor të OSBE-së dhe Këshillit të Europës, sot hapni raportet e OSBE-ODIHR.

Po referohem tek raporti i vitit 2023.

Cenimi i sekretit të votës.

Cenimi i lirisë së votës.

Cenimi i barazisë mes subjekteve.

Përdorimi i shtetit masivisht në zgjedhje, që do të thotë thyerje e parimit të rregullave të barabarta.

Shitblerje e votës.

Përdorim i burimeve shtetërore, të dhënave personale të zgjedhësve në mënyrë masive. Nëse BE-ja do të marrë dhe zbërthejë në detyra për Shqipërinë, rekomandimet kryesore të OSBE-ODIHR nga viti 2023-2021, detyrat do të ishin pafund për qeverinë. Jo për të ndryshuar Kodin Zgjedhor, por për të ndryshuar mënyrën e qeverisjes, që kur të vijë dita e zgjedhjeve, zgjedhjet në Shqipëri të jenë të lira dhe të ndershme.

Ka një rekomandim të çuditshëm të vitit 2019 nga OSBE-ODIHR, i çuditshëm se nuk është tipik.

Në 2019, kur opozita nuk merrte pjesë në zgjedhje, gabim, OSBE-ODIHR thotë që depolitizoni administratën publike, nuk thotë depolitizoni administratën zgjedhore. Sepse administrata publike, pavarësisht ç’kanë ardhur raportet tek ju, është kokë e këmbë e politizuar.

Jo vetëm janë militantë të partisë në pushtet, të paktën në masën 80%, një administratë që është rreth 183 mijë persona, për një popullatë të mbetur në Shqipëri, ndoshta jo më shumë se 1 milionë e 800 mijë shtetas, maksimumi 2 milionë.

Pra raporti shumë i afërt, punonjës në adminstratë, zgjedhës, kjo administratë përdoret si sistem patronazhimi, ku çdo kush ka detyrë të çojë vota në kutinë e votimit për qeverinë.

Përdorim masiv nëpërmjet asaj që thotë OSBE-ODIHR, intimidim i zgjedhësve, përfshirë dhe atyre në administratë.

Pra nëse do të merrte detyrë qeveria shqiptare që të depolitizonte administratën publike me ritëm të shpejtë, ndoshta kishin shans zgjedhjet e ardhshme, por nuk do të ndodhë kjo. Por ama duhet të bëhet.

Nëse administrata shtetërore, qeveria do të merrte detyrën që të mos guxonte të fuste shtetin në zgjedhje, opozita do të kishte shans për të arritur dhe bëjë rotacion politik,.

Nëse SPAK-u i famshëm do të godiste shitblerjen e votës, sot nuk do të guxonte zyrtari më i thjeshtë në blerjen e votës.

Pra jemi përpara një situate pandëshkueshmërie, sepse prokuroria nuk ka bërë gjë, sepse gjykatat nuk ka bërë gjë. Ku këta mendojnë të kalojnë nga një palë zgjedhje në tjetrën, thjeshtë me një raport dhe nuk pyesin sepse kryeministri e zgjidh çështjen me kryeministrat homolog.

BE-ja ndryshe nga marrëdhëniet bilaterale të Shqipërisë me shtetet e tjera mike të BE-së, ka një potencial të jashtëzakonshëm që ne e kemi parë në 10-vjeçarin 2003-2013, fuqi e jashtëzakonshme transformuese të ligjit, sjelljes etj., me radhë.

Nëse ju do të merrni dhe do të zbërtheni detyra për qeverinë shqiptare, ndoshta në 10-vjeçarin e ardhshëm do të ketë zgjedhje të mira, por këto që po vijnë, sa kohë që nuk ka ndodhur asgjë prej këtyre në kaq shumë vite, ju do të shihni zgjedhjet e vitit 2025 që të jenë përsëri një përplasje e opozitës, ku psh; unë dhe kolegët e mi, unë duhet të drejtoj fushatën e opozitës në një nga zonat më të nxehta të krimit të organizuar, në qarkun e Durrësit dhe pavarësisht duam të ja themi njëri-tjetrit publikisht, sepse janë protestuesit, nuk ka njeri të majtë apo të djathtë në qarkun tim, se nuk e di që ne opozita përballemi me sasi të jashtëzakonshme paraje kriminale, korrupsioni, banda dhe një shtet që loz si aktor elektoral.

Nëse këto janë zgjedhje demokratike, unë besoj se asnjë prej jush nuk e pranon këtë gjë. Mos më citoni mua, lexoni OSBE-ODIHR-in. Nëse zgjedhjet kanë këtë rezultat, legjitimiteti i pushtetit është ai që ne dimë sot, do të keni propagandë të jashtëzakonshme, por njerëzit do të jenë në shtet, sepse nuk pranojnë që të zgjedhurve të tyre, tu hiqet mandati se kryeministri nuk i do që ata të jenë në detyrë.

Faleminderit!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale