Takimi i Brukselit përfundoi me/pa sukses?!

Miq, takimi i shumë pritur i datës 27 shkurt 2023 në Bruksel për firmosjen e Marrëveshjes franko-gjermane, marrëveshje bazë e BE për marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë përfundoi me/pa sukses apo gota gjysëm bosh/plot. Në fakt marrëveshja për të cilën të dy palët kanë deklaruar se e pranojnë nuk u firmos.
Por në dallim nga takimet e tjera në përfundim të këtij të fundit, pati vetëm akuza soft, të buta midis palëve. Pra pas takimit tonet ishin të qeta të përmbajtura dhe kjo ishte pozitive.
Kryeministri Kurti pas takimit deklaroi se të dy palët u pajtuan me përmbajtjen e dokumentit të marrëveshjes dhe se ai ishte gati të firmoste marrëveshjen apo planin franko-gjerman por presidenti Vuçiç nuk pranoi të firmosë.
Kurse presidenti Vuçiç deklaroi se Kryeministri Kurti nuk pranoi të flitet për asocacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë.
U njoftua gjithashtu se takimi tjetër do mbahet në Bruksel gjysmën e dytë të marsit.
Marrëveshja Kosovë- Serbi është shumë e rëndësishme për marrëdhëniet midis dy vendeve, por edhe për të gjithë rajonin tonë. Kjo marrëveshje nuk jep zgjidhje përfundimtare të problemeve midis dy vendeve të pavarura fqinje, por zbatimi i saj e bënë atë marrëveshje win-win per palët domethënë vërtet të dobishme për Kosovën, Serbinë por dhe rajonin.
Për këtë arsye me qëllim që takimi tjetër të mos ketë të njëjtin rezultat si ky i datës 27 shkurt, mendoj se do të duhet të punohet për zhdukjen e pengesave ekzistuese për firmosjen e kësaj marrëveshje dhe aneksit të saj.
Nga qëndrimi dhe deklaratat e palës serbe del se mospranimi i kryeministrit Kurti të diskutojë për Asocacionin ishte pengesë për të firmosur marrëveshjen nga ana e tyre. Dhe kjo në pamje të parë kalon përgjegjësinë te autoritet e Kosovës.
Në bindjen time asnjë vend i lirë nuk mund të ndalojë krijimin e asocacioneve të qytetarëve pavarësisht nga bindjet politike, besimet fetare, përkatësia rracore dhe ajo etnike e tyre me kushtin e vetëm që ato të ngrihen në përputhje me kushtetutën e vendit. Në një vend të lirë kjo e drejtë është e pamohueshme.
SHBA në menyrë të përsëritur janë shprehur për Asocacion në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Mendoj se Prishtina zyrtare duhet të angazhohet për një detyrim të tillë.
Por e vërteta është se Beogradi nuk pretendon dhe nuk do pranonte nje asocacion brenda kornizës kushtetuese të Kosovës. Nuk duhet të kemi iluzione, presidenti serbomadh Aleksandër Vuçiç kërkon një asocacion etnonacionalist supra-kushtetues që de facto dhe de jure garanton shtrirjen e shtetit serb në Kosovë, shtrirjen e serbomadhisë në rajon. Një asocacion i tillë që do të mishëronte frymën e preambulës aneksioniste të kushtetutës serbe, preabmulë që qëndron si shpata e Demokleut edhe mbi këtë marrëveshje është i papranueshëm dhe i rrezikshem jo vetëm për Kosovën, por për mbarë rajonin. CiIido që mund të mbrojë apo mbështes një asocacion të tillë nuk duhet të harrojë se baruti i fuçisë në rajon është ultranacionalizmi serb dhe se minoriteti serb në Kosovë gëzon të drejta politike më të mëdha se sa çdo minoritet tjetër në Europë. Aq më tepër duhet mbajtur parasysh se në çdo vend të rajonit tonë gjenden komuna me shumicë të etnive që janë pakicë në këto vende dhe kjo ide sherrmbjellëse hap kështu kutinë e pandorës, domethënë një proces të pandalshëm me pasoja të paparashikueshme.
Si përfundim marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë nuk mbahet dhe nuk mund të mbahet peng nga autoritet e Kosovës të cilat duhet të pranojnë asocacione që respektojnë plotësisht normat e kushtetutës vërtet të mirë të Kosovës të hartuar nga komuniteti ndërkombëtar që garanton plotësisht liritë dhe të drejtat e qytetarëve të Kosovës dhe pakicave në këtë vend. Por firmosja e marrëveshjes nuk mund të arrihet duke aplikuar presione bazuar në parimin e locus minoris resistentiae ndaj Kosovës që kjo e fundit të shkelmojë Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese te saj.
Marrëveshja franko-gjermane në të vërtetë po mbahet dhe druaj shumë se do të mbahet peng nga Serbia e cila jo vetëm nuk pranoi në marrëveshje njohjen e Kosovës as dhe heqjen e preambulës aneksioniste nga kushtetuta e saj, por kërkon t’i imponojë Kosovës një asocacion supra-Kushtetues etnonacional të komunave me shumicë serbe në këtë vend i cili do të ishte një kërcenim serioz per stabilitetin e Kosovës, rajonit dhe shpërblim i rrezikshëm për ultranacionalizmin serb. Ndaj dhe heqja dorë nga Beogradi nga kërkesa për një asocacion mbikushtetues në Kosovë është rruga e vetme për të arritur firmosjen dhe jetësimin e planit franko- gjerman i cili duket se gëzon mbështetje të plotë nga të dy vendet si nje marrëveshje win-win dhe qe mbeshtet nga BE, SHBA dhe rajoni.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale