Shëndetësia ‘falas’ e Ramës/ Eskiu: Shifrat e Eurostat tregojnë se shqiptarët paguajnë nga xhepi 48.3% të faturës, më shumë se çdo popull tjetër në Europë

Deklarata e Sekretarit për Aksionin Qytetar në PD, Erges Eskiu:

Shqiptarët paguajnë drejtpërdrejt nga xhepi 48.3 për qind të të gjitha shpenzimeve për shëndetin, përqindja më e lartë në Europë. Ky është realiteti pas propagandës 13-vjeçare të Edi Ramës për të ashtuquajturën ‘shëndetësi falas’.

Pothuajse gjysma e çdo analize, ilaçi, ekzaminimi apo trajtimi shëndetësor paguhet drejtpërdrejt nga qytetari shqiptar. Askund tjetër në Europë familjet nuk mbajnë mbi shpatulla një pjesë kaq të madhe të faturës së kujdesit shëndetësor.

Shqiptarët paguajnë taksa, paguajnë sigurime shëndetësore, por kur sëmuren, detyrohen të paguajnë përsëri nga xhepi.

Kjo nuk është shëndetësi falas, por sistemi zhvatës ku qytetarët paguajnë tri herë.

Ndërkohë, konsumi shëndetësor për frymë në Shqipëri është vetëm rreth 40 për qind e mesatares së Bashkimit Europian. Pra, shteti financon pak, shërbimi publik ofron pak dhe familjet detyrohen të paguajnë më shumë.

Kjo faturë godet veçanërisht pensionistët, të sëmurët kronikë dhe familjet me të ardhura të ulëta. Për mijëra shqiptarë, sëmundje do të thotë mjerim: ata marrin borxhe, shesin pasuri ose heqin dorë nga mjekimi sepse nuk mund ta përballojnë.

Në të njëjtën kohë, qindra milionë euro të buxhetit të shëndetësisë janë devijuar drejt koncesioneve dhe kontratave klienteliste. Paratë që duhet të shkonin te pacientët, barnat, mjekët dhe spitalet kanë financuar interesat e klientëve të qeverisë.

Partia Demokratike e konsideron shifrën 48.3 për qind aktakuzën më të qartë ndaj dështimit të modelit shëndetësor të Edi Ramës.

Me ardhjen, së shpejti, në krye të qeverisjes së vendit të Partisë Demokratike, do të vijë edhe përmbysja e këtij sistemi zhvatës dhe riprëtëritja e sistemit shëndetësor. 

Programi ynë është i qartë dhe i palëkundur:

-dyfishimin e buxhetit të shëndetësisë, me financim të drejtpërdrejtë për barnat, diagnostikimin, spitalet dhe kujdesin parësor;

-krijimin, sipas modelit gjerman, të një skeme të re sigurimesh shëndetësore, me më shumë alternativa, konkurrencë dhe cilësi për pacientin;

-zgjerimin e listës së barnave të rimbursueshme, garantimin e cilësisë së tyre dhe uljen e çmimeve përmes prokurimeve transparente dhe bashkëpunimit rajonal;

-dyfishimin e pagave për mjekët dhe infermierët, për të ndalur largimin e personelit shëndetësor dhe për të rikthyer profesionistët shqiptarë;

-pajisjen e spitaleve me teknologji moderne diagnostikuese dhe mjekuese dhe përfundimin e kartelës elektronike të pacientit;

-krijimin e një fondi të posaçëm për barnat dhe aparaturat kundër kancerit, në mënyrë që asnjë pacient të mos mbetet pa mjekim për shkak të pamundësisë ekonomike;

-forcimin e mjekësisë së familjes, programe të posaçme për të moshuarit dhe depistim të orientuar sipas moshës dhe rrezikut shëndetësor;

-rishikimin e koncesioneve abuzive dhe rikthimin e parave të tyre te pacientët dhe sistemi publik.

Objektivi ynë është i matshëm: të ulim ndjeshëm pjesën që shqiptarët paguajnë sot nga xhepi dhe të garantojmë që askush të mos heqë dorë nga analizat, ilaçet apo trajtimi sepse nuk ka para.

Paratë e shëndetësisë do të ndjekin pacientin, jo koncesionarin. Ky është ndryshimi ndërmjet propagandës së ‘shëndetësisë falas’ dhe një qeverisjeje të Partisë Demokratike, që mbron qytetarin.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale