Kundër shkrirjes së bashkive/ Berisha: Ftoj qytetarët nga mbarë Shqipëria të protestojnë kundër parlamentit që nuk meriton të ekzistojë. Vetëm revolta mund të shpëtojë shqiptarët nga narkoshteti i Edi Ramës

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË GRUPIN PARLAMENTAR

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u bëri thirrje qytetarëve nga e gjithë Shqipëria të marrin pjesë në protestën e paralajmëruar kundër reformës territoriale, ndërsa akuzoi qeverinë se po redukton numrin e bashkive për interesa politike dhe elektorale. Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, Berisha deklaroi se qeveria synon të ‘ekzekutojë’ 15 bashki, duke e çuar numrin e njësive vendore në 41. ‘Edi Rama ekzekuton, për hir të karriges së tij, 15 bashki dhe redukton në këtë mënyrë në 41 bashki, 41 njësi të qeverisjes vendore, në mbarë vendin’, tha Berisha.

Sipas kryetarit të PD-së, Sali Berisha ndryshimi territorial është pjesë e një politike që synon shpopullimin dhe konsolidimin e pushtetit. Berisha tha se qytetarët, pavarësisht bindjeve politike, duhet të bashkohen në protestë për të kundërshtuar reformën. ‘Nesër qytetarët nga mbarë Shqipëria, pavarësisht nga bindjet e tyre politike, do bashkohen në një protestë për të mbrojtur interesat qytetare’, u shpreh ai.

Gjatë fjalës së tij, lideri i demokratëve Sali Berisha u shpreh se, parlamenti është kthyer në mbështetës të Edi Ramës dhe narkoshtetit të tij. ‘Ftoj qytetarët nga mbarë Shqipëria të protestojnë për atë parlament që nuk meriton të ekzistojë’, deklaroi kryetari i PD-së. Ai u ndal te disa prej çështjeve që opozita ka denoncuar ditët e fundit, duke përmendur edhe akuzat lidhur me tendera dhe kontrata publike. Ai pretendoi se kryeministri Edi Rama po mbron persona dhe kompani që, sipas tij, janë të lidhura me aferat korruptive.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha foli edhe për aktivitetin e call center-ave në Shqipëri dhe akuzoi disa figura politike se kanë lidhje me një rrjet kriminal të lidhur me mashtrimet përmes këtyre kompanive. ‘Në krye të grupit mafioz, dhe e them me përgjegjësi të plotë, të call center-ave në Shqipëri është Olsi Rama, Olta Xhaçka’, deklaroi Berisha. Ai përmendi dënimin e një gruaje me një fëmijë 6-muajsh, e cila sipas tij është dënuar me burg, duke e përdorur rastin për të kritikuar trajtimin e punonjësve të call center-ave dhe hetimin e strukturave që, sipas tij, qëndrojnë pas tyre.

Në fund, kryetari i PD-së kërkoi mobilizimin e qytetarëve dhe deklaroi se protesta duhet të shërbejë si mjet presioni politik ndaj qeverisë. ‘Zemërimi dhe urrejtja popullore për këtë qeveri po është në zenit. Ndaj dhe të bëjmë gjithçka për të mobilizuar në shkallë maksimale qytetarët, me takime intensive me ta, me bindjen e plotë se revolta popullore është zgjidhja e vetme për të përmbysur këtë narkoshtet’, deklaroi kryetari i PD-së, Sali Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar.

FJALA E PLOTE:

Mblidhemi për seancën e nesërme në të cilën në mënyrën më kriminale Edi Rama ekzekuton, për hir të karriges së tij, 15 bashki dhe redukton në këtë mënyrë në 41 bashki, 41 njësi të qeverisjes vendore, në mbarë vendin.

Në një vend më malor, përsa i përket sipërfaqes së mbuluar nga malet, se çdo vend tjetër në Evropë. Kjo politikë shpopullimi në funksion të pushtetit të tij, kryekëput në funksion elektoral, pa asnjë lloj kriteri tjetër, është një akt shumë i rëndë.

Një akt faktikisht shpallje armiqësie të hapur ndaj banorëve të këtyre bashkive, të cilët kanë reaguar me qytetari dhe në përgjithësi kundër këtij projekti. Përveç kësaj, Partia Demokratike në projektin e saj ka parashikuar 100 bashki dhe e ka lënë të hapur këtë projekt për shtimin bazë të konsultimeve të bashkive të tjera.

Nesër qytetarët nga mbarë Shqipëria, pavarësisht nga bindjet e tyre politike, do bashkohen në një protestë për të mbrojtur interesat qytetare, sepse kundërshtimin për asgjësimin e bashkive e kanë dëshmuar në shumicën e rasteve qytetarët e të gjitha bindjeve politike.

Është shumë e rëndësishme kjo seancë në të cilën ne duhet t’u faktojmë qytetarëve shqiptarë se ky, person i shndërruar në padrinon e vendit nuk ka asnjë interes tjetër për ta përveçse interesave të pushtetit të tij, si të garantojë karrigen dhe mbijetesën mbi krimin monstruoz.

Edi Rama po bën gjithçka të mbahet me çdo kusht në pushtet. Në këtë rast unë ftoj qytetarët nga mbarë Shqipëria të protestojnë për atë parlament që nuk meriton të ekzistojë.

Ai parlament është bërë zëdhënës i interesave më kriminale të Edi Ramës dhe organizatës së tij kriminale.

Ai parlament është bërë mburojë e vjedhjeve më të mëdha, nga Edi Rama, Lubi Balluku e të tjerë. Ai parlament ka vendosur terrin dhe errësirën për qytetarët shqiptarë, të votojë në emër të interesave strikt të ngushta të Edi Ramës dhe deputetëve të skllavëruar prej tij, çdo ligj dhe vendim që bie ndesh me interesat e qytetarëve shqiptarë.

Barometri i urrejtjes popullore ndaj parlamentit dhe Edi Ramës po arrin në nivelet më të larta dhe natyrisht është revolta dhe vetëm revolta ajo që mund të shpëtojë shqiptarët nga narkoshteti i Edi Ramës.

Siç keni konstatuar këto ditë, ai është shndërruar në një avokat publik të hapur të bandës së tij kriminale në AKSHI, të Mirlindës dhe Lindës, të Ergys Agasit dhe Vlora Hysenit, dhe tani edhe të Roni Yeffetit, Arjet autobllindës dhe famëziut Ardi Veliu.

Duke faktuar se ata nuk janë gjë tjetër veçse shërbëtorë të tij. Sot ai shkonte vizitonte garazhet e Arjetës, atje ku blejnë makinat me lekët e shtetit dhe ia shesin po shtetit.

S’ndodh kund në botë vetëm këtu. 45 milionë euro ka marrë kompania e Edi Ramës me Roni Iffetin. Dhe ju besoj e dëgjuat, kur ekipi i BKH-së hyri në banesën e Iffetit, ai haptas, në sfidë të hapur telefonoi katër herë Edi Ramës.

I bëri thirrje hetimit t’ia hetojnë atë telefon. Dhe po sipas këtij burimi, tre herë të tjera i lidhi Rama.

Kaq familjar, kaq shërbëtor i tyre është ky. Dhe sot, në një mburojë, në një mbrojtje për ta, shkon dhe viziton garazhet, fabrikat gjoja, ku makinat që i bëjnë me lekët e taksapaguesve ua shet ministrive.

E padëgjuar ndonjëherë.

Të nderuar deputetë, një nga vjedhjet më të mëdha që bëhet në Shqipëri qytetarëve të huaj janë call center-at.

Sot po lexoja, një nënë me fëmijë gjashtë muaj e dënuan shtatë vjet. Nuk mbroj njeri që ka kryer krime, por e vërteta është se në krye të grupit mafioz, dhe e them me përgjegjësi të plotë, të call center-ave në Shqipëri është Olsi Rama, Olta Xhaçka.

Janë këta të dy, me famëziun Amant Josifi, i cili u largua dhe rroftë një gjykatë spanjolle që u doli zot qytetarëve, që e arrestuan, se për këta as hetim nuk bëhet. Jo, thoshte Altin Dumani, nuk e hetojmë ne atë. Merrni deklaratat e tij, nuk e hetojmë ne atë.

Dhe tani marrin arrestojnë punëtorë të cilët punësohen për kafshatën e gojës në kushtet më skllavëruese. Punëtorët e call center-ave, siç e dini ju, janë punëtorët më të skllavëruar, të cilët instruktohen të kryejnë një veprimtari, shumë prej të cilëve nuk dinë se çfarë bëjnë.

Çdo call center i ri që hapet merr programet nga grupi Milton, nga grupi famëzi Milton, që ka vjedhur miliarda dhe që është i gjallë dhe aktiv plotësisht në Shqipëri. Dhe ky grup në Shqipëri ka anëtar kryesor Olsi Ramën.

Nuk është e vërtetë që është zhdukur grupi Milton, jo. Anëtarët kryesorë të këtij grupi janë Olsi Rama, Olta Xhaçka. Nuk ndahen ata në krim nga njëri-tjetri. Amantin kjo e kishte këshilltar të Ministrisë së Mbrojtjes, këshilltar të Ministrisë së Jashtme, se ishte këshilltar për çdo sezon, Amant Josifi.

Dhe çdo call center që hapet merr programin nga grupi Milton, merr pajisjet dhe paguan përqindjet. Dhe në krye të të gjitha këtyre është Olsi Rama, që i garanton nga tatimet, i garanton nga policia.

Dhe tani kishin gjetur një grua me foshnje 6 muajsh, e dënonin 8 vjet, kurse Olta me Olsin pasurohen në mënyrë të pamëshirë në kurriz të njerëzve që në mënyrë absolute shumica e tyre nuk dinë se çfarë bëjnë, se ua japin protokollin.

Ai është një proces aq mafioz punësimi aty, sa nuk mund ta imagjinoni. Dhe i mbrojtur nga Olsi, i mbrojtur. Se aty mjafton të shkosh të pyesësh punëtorët, t’i gjesh, të tregojnë vetë ata se si janë punësuar, çfarë kërkesash kanë, çfarë protokolli zbatojnë.

Por jo, kanë garanci nga Olsi se nuk shkojnë, as policia, as tatimet, as kush nuk shkon t’i shqetësojë.

Pa lëre më ato të tjerat, inspektorët e tjerë në asnjë mënyrë s’u afrohen dot.

Megjithatë, zemërimi dhe urrejtja popullore për këtë qeveri po është në zenit. Ndaj dhe të bëjmë gjithçka për të mobilizuar në shkallë maksimale qytetarët, me takime intensive me ta, me bindjen e plotë se revolta popullore është zgjidhja e vetme për të përmbysur këtë narkoshtet.

Faleminderit.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale