SHBA rrëzoi non-gratën/ Berisha në Shkodër: Mirënjohje të pakufishme për presidentin Trump dhe për ju që qëndruat! LaCivita na zgjodhi ne sepse ai beson tek programi i Reganit

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË TAKIMIN PËRMBYLLËS ELEKTORAL NË SHKODËR

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha gjatë takimit përmbyllës elektoral në Shkodër të PD-ASHM, shprehu urimet më të përzemërta për Papën e sapozgjedhur, duke i dëshiruar suksese në misionin e tij hyjnor si udhëheqës i miliarda katolikëve në botë. Berisha theksoi rëndësinë e lidhjeve historike dhe miqësisë së hershme ndërmjet trojeve shqiptare dhe Vatikanit, ndërsa përshëndeti dhe nderoi qytetarët e Shkodrës dhe shqiptarët kudo që ndodhen.

Gjatë takimit madhështor në qytetin e Shkodrës, Berisha, së bashku me Chris LaCivita, bashkëstrategun e fushatës së rikthimit të Donald Trump, uroi për ditëlindjen Susan Wiles, shefen aktuale të kabinetit të Trump në Shtëpinë e Bardhë. Berisha e quajti Ëiles një nga arkitektet kryesore të rikthimit të Trump dhe i uroi asaj jetë të gjatë dhe plot suksese, duke përdorur urimin tradicional shqiptar: edhe 120 vjet!

Kryetari i PD, Sali Berisha akuzoi me tone të ashpra kryeministrin Rama, duke e akuzuar se ka qeverisur me një “narkodiktaturë” që ka dëmtuar rëndë. Berisha theksoi se Rama erdhi në Shkodër “me një thes me rrena” dhe i krahasoi fyerjet e tij me ato të diktatorëve si Maduro dhe Hitleri. Berisha u bëri thirrje qytetarëve që më 11 maj të votojnë për ndryshim dhe t’i japin fund një regjimi që sipas tij ka çuar në emigrim masiv, varfëri dhe zhgënjim kombëtar.

Lideri Opozitar, Sali Berisha tha nga Shkodra se, zgjedhja e Papës së ri, Leo, një amerikan, është “një Donald Trump i ri në Vatikan.” Berisha e uroi Papën për sukses dhe jetë të gjatë në udhëheqjen e Kishës Katolike.

Kryetari i PD, Sali Berisha u bëri thirrje qytetarëve në Shkodër që më 11 maj të votojnë për ekipin e Luçiano Boçit, duke e cilësuar si alternativën e ndershmërisë përballë krimit. Ai akuzoi kundërshtarët politikë si bashkëpunëtorë të Edi Ramës dhe i paralajmëroi se pas 12 majit do shpallen “grupe terroriste” nëse tentojnë të kërcënojnë procesin zgjedhor. Berisha e quajti Tom Doshin “skllav të Ramës” dhe kërkoi që asnjë votë të mos i shkojë as atij, as partive që nuk mbështesin rotacionin politik, duke i cilësuar si vegla të regjimit. Sipas Berishës, vetëm përmes votës për Aleancën për Shqipërinë Madhështore mund të arrihet integrimi në BE dhe forcimi i aleancës me SHBA.

Kryetari i PD, Sali Berisha komentoi lajmin për rrëzimin e shpalljes “non-grata” nga SHBA, duke e cilësuar si fitore të së vërtetës. Ai shprehu mirënjohje të thellë për ish-presidentin Donald Trump, që “i preu kokën gjarprit Soros”, si dhe për mbështetësit që qëndruan besnikë ndaj tij dhe Partisë Demokratike në kohë të vështira.

Në përfundim të fjalimit të tij, Berisha u shpreh se 11 maji do të jetë dita kur Shkodra dhe Shqipëria do të hapin një kapitull të ri, duke rikthyer dinjitetin dhe shpresën.

FJALA E PLOTË

Të dashur qytetare dhe qytetarë të Shkodrës, përshëndetjet më të përzemërta për ju në këtë shesh, në këtë tubim fantastik, qytetarëve të Shkodrës kudo që janë nga Shala, Dukagjini gjer në Torovicë, në Fierzë dhe në Velipojë.

Nderimin më të madh për të gjithë ju.

Por sot, ndërkohë në jemi mbledhur këtu në prag të fitores sonë madhështore, me qindra mijëra shqiptarë nga e mbarë bota po presin emrin e shenjtërisë së tij, Papës së sapozgjedhur.

Le t’i urojmë ne sukseset më të mëdha në misionin e tij hyjnor, udhëheqjen e miliarda katolikëve në Europë dhe në botë.

Le të nderojmë ne miqësinë tradicionale shekullore mijëravjeçare që ka lidhur trojet arbnore me Vatikanin.

Por miq, këtu bashkëkryestrategu i rikthimit më të madh në historinë e njerëzimit, rikthimit të presidentit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë se na njoftoi se bashkëarkitektja e këtij rikthimit të jashtëzakonshëm, aktualisht shefe e kabinetit në Shtëpinë e bardhë, zonja e nderuar Susan Wiles ka ditëilindjen.

Le të bashkohemi ne me mikun tonë Chris LaCivita për t’i uruar asaj dhe 120 vjet, siç thotë urimi ynë tradicional, vite plot shëndet dhe suksese.

Të dashur qytetare dhe qytetarë të Shkodrës, më pak se tre ditë na ndajnë nga një ditë e madhe, nga një ditë që ndan historinë tonë.

Nga një ditë, në të cilën Shkodra, qytetarët e saj, do të jenë në orën më të bukur të jetës së tyre.

Do të jenë në orën e lirisë së tyre, në orën e dinjitetit të tyre, në orën e fitores së tyre.

Unë kam bindjen se 11 Maji është para së gjithash dita e shpirtit liridashës të këtij qyteti të mrekullueshëm.

Është dita në të cilën shkodranët, që kanë ruajtur më shumë se kushdo tjetër, idealin e lirisë, që kanë ruajtur dinjitetin e tyre në kohërat më të vështira, më 11 Maj do firmosin një kapitull të ri në historinë e Shkodrës dhe Shqipërisë.

Do të ndahen me një diktaturë, të cilën Europa në shekuj dhe mijëvjeçarë nuk e ka njohur.

Europa ka njohur të gjitha llojet e diktaturave, por jo kurrë narkodiktaturën.

Narkodiktatura e vendosur këto 12 vite ishte formë mizore, e pashpresë, formë e egër si çdo diktaturë tjetër, por kjo zbrazi, boshatisi Shkodrën dhe Shqipërinë më shumë se çdo luftë, më shumë se çdo mynxyrë, më shumë se çdo epidemi.

Kjo diktaturë, njëlloj si ajo tjetra që kaluam, votën tuaj, vullnetin e njerëzve të lirë, e dhunoi dhe e dominoi me krimin, me drogën, me paratë e helmit.

Kjo diktaturë për 12 vite me radhë bëri pensionistët shqiptarë të vuajnë çdo vit e më shumë.

Rrogëtarët shqiptarë të vuajnë çdo vit e më shumë.

Kjo diktaturë bëri që mijëra ndërmarrje të falimentojnë, mijëra ferma të falimentojnë.

Bëri që sofra të mos ketë më pjata për ët gjithë anëtarët e shtëpisë dhe që të detyrohen prindërit, gjyshërit t’u thonë të rinjve, shkoni, merrni rrugët e botës, paçi fatin tuaj.

Miq, qytetarë të mençur të Shkodrës, atdhetarë të flaktë siç jeni, imagjinoni një moment ku kemi arritur.

U bëj thirrje ju, mendoni për një moment ku na çoi në 12 vite ky regjim.

Sot ne jemi kombi me lindshmërinë më të ulët në botë.

Sot për shkak të emigracionit ne jemi vendi me lindshmërinë më të ulët në botë sepse në 10 vite përzuri nga Shkodra dhe Shqipëria, vetëm të ri 620 mijë të rinj.

Një shtëpi pa djep, edhe e florinjtë po të jetë, është një shtëpi që mbyllet, një shtëpi pa zot, një shtëpi muze dhe asgjë më shumë.

Qytetarë dhe qytetare të Shkodrës, historia na mëson se kombet edhe të fuqishme, se shtete edhe të fuqishme, edhe perandori të fuqishme janë zhdukur.

Ndaj dhe sot jemi para kësaj përgjegjësie të madhe, do të lëmë ne këtë komb të rrokulliset në greminën e historisë apo do t’i dalim zot?

Kurrën e kurrës nuk mund ta lëmë farën tonë të shuhet.

Fara jonë nuk shuhet kurrë.

A është 11 Maji pra një votë për të ndalur këtë rrokullisje të madhe?

A është 11 Maji një votë për një epokë të re për Shqipërinë?

Miqtë e mi, u ndala vetëm në këtë aspekt, po çfarë i shtyn të rinjtë tanë të marrin rrugët e dheut në një kohë kur Shkodra është vendi i pasurive përrallore?

Shumë zor të gjesh një vend tjetër të ketë një det fantastik dhe alpet madhështore në një shikim.

Shumë zor të gjesh një qytet me një liqen kaq të bukur dhe kaq të madh.

Shumë zor të gjesh një tokë siç është Nënshkodra, Misir e kaluar Misirit, tokë ndër më pjelloret.

Shumë zor të gjesh kanionet, liqenet e mrekullueshëm të Vaut të Dejës dhe Komanit.

Miq, askund nuk mund të gjesh njerëz që e njohin, e ndërtojnë dhe e shijojnë jetën më bukur se shkodranët. Njerëz punëtorë.

Atëherë miq, çfarë kanë që ikin e ikin shkodranët?

Ikin e ikin sepse kemi një regjim të pashpirt.

Sepse ky regjim pensionistët, që kishin një pension prej 142 mijë lekë në vitin 2013, por që ishte pensioni më i lartë në rajon, i la sot të fundit në rajon dhe malazezi që merrte 138 mijë lekë, merr sot 450 mijë lekë.

Sepse rumuni që merrte 164 euro rrogën minimale në kohën kur shqiptari e kishte 220 euro, sot merr 800 euro.

Po pse këto? Sepse çdo qeveri, taksat që u merr qytetarëve, në radhë të parë ua kthen qytetarëve. Ua kthen në pensione, ua kthen në rroga, ilaçe, shkolla, asfaltime, ujësjellësa, kanalizime.

Ku janë?

Erdhi këtu … do t’u them një gjë, sikur 12 vjet pushtim i huaj të kishte pasur Shkodra dhe pushtuesi të vinte këtu, kurrë nuk do i lejonte vetes të thoshte se unë kam investuar në Shkodër 1 miliardë e 300 milionë euro.

Mashtrues i neveritshëm. I turpshëm.

Ai në Shkodër në 12 vite asnjë projekt të ri, që të gjitha vazhdim i projekteve në përfundim e sipër të mëparshme.

Miq, pra erdhi me një thes me rrena dhe mendoi se mund të rrejë shkodranët.

U soll tetë muaj në fushatë nga takimi në takim duke bërë zhonglerin, duke bërë hokatarin, duke bërë analistin dhe të vetmen që bëri, nuk dha kurrë shpjegim se ku shkuan 130 milionë euro, baras me 812 mijë pensione të djegësit të Tiranës.

Ku shkuan ato?

Ku shkuan 90 përqind e fondeve që përdoren për rrugë?

Ku shkuan fondet që ndërtojnë shkollat me 10-fishin e BE?

Ku shkuan, kush i mori? Miq, këto i mori qeveria. Dhe i mori nga pensionet tuaja, nga rrogat tuaja.

Dhe duhet ta dijë çdo shqiptar se nëse pensionet mbetën ato dhe në Mal të Zi u trefishuan, këtu paratë e pensioneve u vunë në rrugë për t’u vjedhur.

Dhe ky njeri, që ndërton saraje dy herë më të mëdha se Enver Hoxha, me një kopsht 4 herë më të madh, ky njeri tani bën fjalë për çyrykë, për autikë, nuk i vë asnjë fre gojës së tij, duke fyer në këtë mënyrë fëmijë, duke fyer në një akt se atë e ka bërë vetëm Maduro, diktatori i Venezuelës e ka në fjalim të njëjtin term.

Dhe Adolf Hitleri i cili kishte dekretin e eugjenikës për fëmijë me të meta, raca arjane thoshte nuk i priste.

Të dashur miq, kjo ishte fushata e tij.

Fushata e njeriut që qeverisi 12 vjet.

Shkodrane dhe shkodranë, ky meriton ndëshkimin më të madh.

Papë i ri u zgjodh një Donald Trump i ri në Vatikan.

Papa Leo, një amerikan!

Le ta urojmë.

Le t’i urojmë edhe njëherë jetë të gjatë dhe sukseset më të mëdha në udhëheqjen e Vatikanit dhe të besimtarëve katolikë në mbarë botën.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale