Serjani: Rithemelimi është ndryshim rrënjësor i PD-së dhe rruga drejt fitores

Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Rezenbrik Serjani, deklaroi në Vlorë se Rithemelimi nuk duhet të jetë thjesht rinovim i strukturave, por një ndryshim rrënjësor i marrëdhënies së Partisë Demokratike me shoqërinë dhe veçanërisht me të rinjtë.

‘Rithemelimi është e lidhur me fitoren dhe fitorja është shpalosja e alternativës në të gjitha format’, u shpreh Serjani. Ai kërkoi llogaridhënie ndaj demokratëve dhe shqiptarëve, duke e cilësuar Rithemelimin si ‘alternativën politike, shoqërore dhe morale’ të PD-së.

Sipas Serjanit, suksesi i kësaj nisme lidhet me meritokracinë, të rinjtë dhe ‘kapitalin e vërtetë njerëzor’ brenda dhe jashtë partisë. ‘Duhet të jemi krenarë që jemi Partia Demokratike. Duhet të jemi krenarë sepse kemi qenë në krah të së vërtetës, në krah të së drejtës’, deklaroi ai.

Fjala e anëtarit të Këshillit Kombëtar të PD, Rezenbrik Serjani

Të nderuar demokratë dhe demokrate.

Të nderuar vlonjatë dhe vlonjate, të rinj dhe të reja. I nderuar dhe shumë i dashur doktor Berisha, mirë se keni ardhur! Është një nder i veçantë që sot në Vlorë, hapet sipari i një lëvizjeje të shkëlqyer, siç është foltorja e Rithemelimit.

Vazhdimi i një lëvizjeje që filloi 5 vite më parë, në kushte jashtëzakonisht të vështira. Sot kjo sallë, e mbushur me heronj, me njerëz që nuk u përkulën, nuk u thyen këto vite përballë presionit, shantazhit, deformimit të gjithanshëm që sekti Rama ka bërë këto 12 vite, por qëndruan të fortë përballë parimeve dhe idealeve të kësaj force, dhe i mbajtën ato më të gjalla se kurrë.

Besuan me gjithë qenien e tyre dhe vazhdojnë të jenë krenarë në këtë rrugëtim dhe përballje jo të zakonshme. Kësaj salle, këtyre njerëzve, këtij qyteti, idealeve dhe parimeve tona, ua shton bukurinë slogani ynë i Rithemelimit, si akti më i nevojshëm, i bërjes së forcës sonë politike, triumfuese dhe fitimtare.

Unë si i ri, e besoj Rithemelimin jo thjesht si një rinovim mekanik i njerëzve apo strukturave, por ndryshim rrënjësor të marrëdhënies së Partisë Demokratike me shoqërinë, dhe në veçanti me të rinjtë. Për mua si i ri, Rithemelimi është e lidhur me fitoren, dhe fitorja është shpalosja e alternativës në të gjitha format, jo vetëm me ato tradicionale.

Rithemelimi kërkon llogaridhënie përpara demokratëve, dhe mbi të gjitha përpara shqiptarëve. Rithemelimi, jo vetëm si një sfidë e brendshme e jona, por është misioni ynë më i madh përballë keqqeverisjes monstruoze të sektit Rama.

Është alternativa jonë politike, shoqërore dhe morale. Rithemelimi është rruga drejt fitores, është forca jonë më e madhe. Si i ri, si vlonjat, si çam, si lab, si demokrat, Rithemelimi ka domethënie akoma dhe më të madhe.

Bëhet akoma dhe më e shenjtë, sepse Rithemelimi për mua do të jetë e suksesshme, do të jetë fitimtare, vetëm nëse mbështetet te demokratët e vërtetë, te meritokracia, tek të rinjtë e pastër, të pakomprometuar dhe tek kapitali i vërtetë njerëzor brenda dhe jashtë partisë.

Duhet të jemi krenarë që jemi Partia Demokratike. Duhet të jemi krenarë për sakrificën, mundin dhe djersën e këtyre viteve. Duhet të jemi krenarë sepse kemi qenë në krah të së vërtetës, në krah të së drejtës.

Mirënjohje të pakufishme çdo demokrati vlonjat, çdo qëndrestari, të riu dhe të reje që është pjesë e këtij orteku të madh politik e shoqëror, që është pjesë e këtij rrugëtimi për të sjellë ndryshimin.

Zoti e bekoftë Vlorën, Zoti e bekoftë Shqipërinë! Fitore!

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale