Asistencë Ligjore 24/7 për Protestuesit

Berisha: Opozita është shumicë me distancë në Tiranë dhe Kamëz! Nesër ta shndërrojmë 28 Nëntorin në ditën e nderimit më të madh dhe historik të flamurit tonë kombëtar

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË FOLTOREN E RIPËRTËRITJES NË KAMZË

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë fjalës së mbajtur në foltoren e ‘Ripërtëritjes’ në Kamzë, akuzoi qeverisjen e Edi Ramës për varfërimin e shqiptarëve dhe largimin masiv të tyre nga vendi. Duke bërë një krahasim me periudhën e qeverisjes së PD-së, Berisha deklaroi se nga viti 2007 deri në vitin 2014 ‘numri i shqiptarëve rritej çdo vit’ dhe se 180 mijë emigrantë u kthyen në Shqipëri. ‘Kishte korrupsion, por kurrë sistemik, por luftohej me vendosmërinë më të madhe’, u shpreh Berisha, duke theksuar se në atë periudhë u rritën prodhimi, besimi dhe shpresa te Shqipëria.

Lideri i demokratëve Sali Berisha, e cilësoi buxhetin e vitit të ardhshëm si ‘buxhet të turpshëm’, duke akuzuar qeverinë Rama për abuzime masive me fondet publike dhe favorizim të skemave korruptive në investimet publike. Gjatë fjalës në foltoren e ‘Ripërtëritjes’ në Kamzë, Berisha deklaroi se nga 2.2 miliardë eurot e parashikuara për investime, të paktën 1.8 miliardë euro do të vidhen. ‘Këta vjedhin sipas të gjitha kontrolleve të dokumenteve 90 deri në 100 për qind’, u shpreh ai, duke përmendur si shembuj kostot e larta të ndërtimit të rrugëve dhe shkollave, si dhe projektet e inceneratorit të Tiranës dhe impiantit të ujërave të zeza të Lanës.

Gjatë fjalës së mbajtur në foltoren e ‘Ripërtëritjes’ së PD në Kamzë, kryetari i PD-së Sali Berisha kërkoi bashkimin e të gjithë faktorëve opozitarë, duke e cilësuar këtë si kusht për largimin e qeverisë së Edi Ramës. Sipas tij, protestat e fundit dhe angazhimi i forcave të reja politike e kanë ndryshuar raportin e forcave në vend. ‘Sot opozita është shtuar me një opozitë të re, ajo që quhet mazhorancë të jetë një minorancë’, deklaroi kreu i PD-së, duke u bërë thirrje demokratëve, qytetarëve pa parti dhe të gjithë faktorëve kundërshtarë të qeverisë të bashkohen, pa hequr dorë nga identiteti i tyre politik.

Lideri i demokratëve Sali Berisha vendosi si objektiv kryesor të opozitës largimin e qeverisë së Edi Ramës, duke e cilësuar bashkimin e forcave politike, shoqatave dhe sindikatave si domosdoshmëri për arritjen e këtij qëllimi. Ai theksoi se beteja për pushtet mes partive duhet të vijë vetëm pas garantimit të zgjedhjeve të lira. Për të argumentuar këtë qëndrim, ai solli në vëmendje bashkimin e forcave kundërshtare në Serbi kundër Aleksandër Vuçiçit. ‘Çështja e parë është largimi me çdo kusht i rrezikut ekzistencial, regjimit të Edi Ramës, dhe pastaj zgjedhjet e lira’, deklaroi Berisha, duke u bërë thirrje të gjithë faktorëve opozitarë të krijojnë një front të përbashkët.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u bëri thirrje demokratëve të mos tërhiqen nga aksioni opozitar dhe të vijojnë protestat deri në largimin e Edi Ramës nga pushteti. Duke e cilësuar situatën politike si një fazë vendimtare, Berisha deklaroi se opozita ndodhet në ‘kilometrin e fundit’ dhe duhet të qëndrojë e bashkuar përballë qeverisë. ‘Tani që jemi në kilometrin e fundit, ne duhet të qëndrojmë si viganë. Edi Rama, përveç gjuhës së protestës, nuk njeh gjuhë tjetër’, u shpreh ai, duke vlerësuar se protestat e qytetarëve duhet të shërbejnë si thirrje për mobilizimin e gjithë opozitës.

Në prag të protestës së 28 Nëntorit, lideri i opozitës shqiptare Sali Berisha u bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen në shesh, ndërsa kërkoi konsolidimin e frontit opozitar për zgjedhjet e ardhshme lokale. Kryetari i PD-së Sali Berisha deklaroi se, opozita ka epërsi të ndjeshme në Tiranë dhe Kamëz, duke deklaruar se Partia Demokratike është forca që ka shënuar rritjen më të madhe politike. ‘Opozita është shumicë në Tiranë, shumicë me distancë në Tiranë. Shumicë me distancë në Kamëz. Opozita duhet të bashkohet’, u shpreh Berisha, i cili premtoi bashkëpunim me të gjithë faktorët opozitarë dhe ftoi qytetarët ta kthejnë 28 Nëntorin në një ditë nderimi për flamurin kombëtar.

FJALA E PLOTE:

Të dashur demokrate e demokratë të Kamzës dhe Paskuqanit, banorë të Kamzës dhe Paskuqanit, një përshëndetje vëllazërore për ju që jeni këtu, për të gjithë banorët e Kamzës dhe Paskuqanit, për të gjithë qytetarët, banorët e zonave nga jeni mbledhur këtu dhe për të gjithë shqiptarët.

I dashur Xhelal, të dashur kryetarë të degëve të PD në Kamëz dhe Paskuqan, i dashur Asllan, Petrit, Mëhill, i dashur Klevis, Marash dhe të gjithë të pranishmit në këtë sallë.

Së pari, një mirënjohje të pakufishme ndaj jush për qëndresën me vetëmohim tuajën në këto vite, vite ndër më të vështirat në historinë e Shqipërisë.

Këto vite nuk kanë pasur njëlloj si vitet e diktaturës totalitare kampe përqendrimi, burgje dhe skuadra pushkatimi.

Por këto vite, duke përdorur një armik tjetër të egër, po aq të egër sa diktatura që është varfëria, varfërimi, vjedhja, përqendrimi i të gjitha pushteteve në një dorë, kanë qenë vitet në të cilat duhet ta pranojmë soji ynë në këtë tokë, fara jonë në këto troje u pakësua më shumë se kurrë në memorien e kohërave.

U larguan shqiptarët nga Shqipëria dhe arritëm sot pas 100 vitesh të kemi atë lindshmëri që kishim 100 vite më parë.

Kemi disa vite që mijëra shqiptarë vdesin më shumë se sa lindin në këto troje.

Kemi vite e vite që në të katër anët e Shqipërisë, edhe në zonat më të thella ku nuk ta pret mendja, punëtorët janë nga kontinente të tjera.

Pra, këto vite ishin vitet në të cilat ky regjim i Edi Ramës dëmtoi njëlloj, dhe më shumë, se sa pushtimi serb me platformën e Çubrilloviçit, Kosovën.

Nga Kosova, me platformën e Çubrilloviçit, u larguan gjithsej 460 mijë shqiptarë.

Nga Shqipëria, vetëm në hapësirën e BE në 10 vite janë larguar 1 milion e 99 mijë shqiptarë.

Shifrat janë shumë të frikshme.

Tani së fundmi ka shifra që thonë se në 1 mijë shqiptarë, 466 janë vetëm në hapësirën e BE.

Të gjitha këto, e vërteta është jo se ky vend nuk ka potenciale. Do u rikthehem pak kohërave të shkuara.

Në kulmet e diktaturës hoxhiste, meqenëse hiperkolektivizimi shkaktonte rënie të prodhimit, mungesa të mëdha ushqimesh, nën zë diskutonin Maltusin. Po, po, marksistët shqiptarë përpiqeshin të ngushëlloheshin me teorinë maltusiane që ka një kapacitet që toka mund të mbajë dhe pastaj njerëzimi duhet të pakësohet.

E vërteta është se Shqipëria ka një potencial të jashtëzakonshëm jo për dy e tre, por edhe për 10, 12 e 15 milionë qytetarë për t’u rritur në mëkëmbje, në begati, në liri dhe të lumtur.

Nuk ka një vend të dytë në këtë gadishull, nuk ka një vend të dytë në asnjë vend tjetër që të ketë pasuritë përrallore që ka Shqipëria.

E kam treguar dhe po e tregoj prapë. Takova njëherë në OKB presidenten e Zvicres, Kalmire. Ajo ishte një mike e shqiptarëve dhe ajo e kishte ndihmuar Kosovën shumë.

Zvicra në mirësinë e saj u shndërrua në një nga bazat e fuqishme që mbështeti përpjekjen e Kosovës për pavarësi.

Dhe unë e ftoj si mike të shqiptarëve që të vinte në Shqipëri.

Po se si më shkau goja dhe i them se do shohësh në avion një Zvicër me det.

Ajo, menjëherë u rrudh. Për t’u ndërtuar, i them.

Pastaj u çlirua. Se ashtu është.

Por në të vërtetë ashtu është.

Nuk ka si Shqipëria, absolutisht.

Nuk ka asnjë vend tjetër.

Një vend i vogël ka ujëra më shumë se shumica e vendeve të tjera të mëdha.

Një vend i vogël që prodhon gjithçka, një vend i vogël që ka depozita botërore mineralesh, hekuri, nikeli, bakri, etj.

Një vend i vogël me 400 kilometra brigje deti. Me një potencial të jashtëzakonshëm turistik.

Nga ky vend, shqiptarët marrin me vete ëndrrën e tyre shqiptare dhe ecin rrugëve të botës.

Kjo për një arsye më kryesore.

Për arsye të varfërimit të tyre çdo vit nga vjedhja e papërmbajtur e qeveritarëve.

Vjedhje që tejkalon çdo lloj imagjinate.

Vjedhje që i rrokullisi shqiptarët, që u shkatërroi atyre qindra mijëra vende pune.

I rrokullisi shqiptarët nga qytetarët më të mirëpaguar në rajon, sepse duhet të paguheshin më mirë, vendi i tyre është më i pasur se vendet përreth.

Dhe ne e arritëm këtë. Por nuk pësoi asgjë stabiliteti financiar.

Nuk pësoi asgjë inflacioni.

Nuk pësuan asgjë çmimet.

U rrit prodhimi.

U rrit besimi tek Shqipëria.

U rrit shpresa tek Shqipëria dhe potencialet e saj.

Dhe nga viti 2007 deri në vitin 2014, numri i shqiptarëve rritej çdo vit. Dhe erdhën 180 mijë shqiptarë nga emigracioni.

Dhe thonë se atje kishte krizë. Po edhe më e mirë. Domethënë se atje kishte krizë, këtu nuk kishte krizë.

Dhe kjo është e vërtetë.

Po pse nuk kishte krizë?

Se ka potenciale vendi.

Se kishte korrupsion, po kurrë sistemik, por luftohej me vendosmërinë më të madhe.

Çfarë ndodh?

Më lejoni t’u njoftoj vetëm me buxhetin e fundit.

Buxheti i fundit, dhe dalin e kapardisen në mënyrë të shpifur para jush, 10 miliardë euro, e doni çfarë do të thotë kjo?

Kjo do të thotë se nga xhepat e qytetarëve këta marrin 10 miliardë euro.

Asnjë qindarkë, asnjë euro nuk prodhon qeveria.

Paratë vijnë që të gjitha nga mundi, nga djersa, nga krijesa, nga sakrifica e qytetarëve.

Vijnë me taksa, vijnë me tarifa dhe në mënyra të tjera.

Çfarë bënë me to?

E shihja mbrëmë, një natë shumë e sikletshme ku votohej se si të vidhen më shumë qytetarët shqiptarë.

Absolutisht.

10 miliardë.

Po çdo njeri që e ndjen edhe minimumin e përgjegjësisë para atyre që i qeveris, i thotë vetes jo njëherë, por 100 herë, si do t’u kthej unë këtyre më shumë nga kjo shumë.

Çfarë do bëj unë, si do i administroj unë këto.

Dhe u them unë ju, në mënyrë absolute se ajo skemë që u vendos mbrëmë ishte si t’i vjedh më shumë këta qytetarë.

Më lejoni të jap vetëm një shembull.

Kishin caktuar 2.2 miliardë euro investim.

Tani, t’u them unë ju, Rruga e Kombit, Rruga e Elbasanit, rruga Levan-Vlorë, rruga Levan-Tepelenë, rruga Tiranë-Elbasan, rruga Korçë-Qafë Plloçë, të gjitha të marra së bashku u garantoj se nuk shkojnë 2.2 miliardë. Jo, më pak.

Po çfarë do bëjnë me ta?

Do t’i vjedhin në mënyrë absolute jo më pak se 1.8 miliardë.

Do të thoni ju si, pse?

Se këta vjedhin sipas të gjitha kontrolleve të dokumenteve 90 deri në 100 përqind.

Prandaj i ndajnë për investim këta.

Ne ndanim për investim 700 milionë, mundet një vit të kemi ndarë 800 milionë. Dhe janë ndërtuar gjithë ato.

Po këta pse kaq?

Se caktojnë 130 milionë djegësin e Tiranës dhe aty nuk venë asnjë tullë dhe paratë i vjedhin.

Se caktojnë 120 milionë impiantin e ujërave të zeza të Lanës dhe aty nuk ekziston një tullë.

Se ndërtojnë rrugën me çmim 8 deri 12 fish.

Se ndërtojnë shkollën nga 700 apo maksimumi 1 milion e 200 mijë euro, e ndërtojnë me 8 gjer në 10 milionë.

A e dëgjuat kur thoshte ca shkolla aty në Kamëz, u çuditën edhe të huajt.

Ato shkolla janë ndërtuar nga Banka Botërore kur Xhelal Mziu drejtonte Kamzën dhe janë ndërtuar me 1 milion e 200 mijë euro.

Ky me 8 milionë, 10 milionë.

Ndaj dhe vjedhje e paimagjinueshme.

Ishte buxhet i turpshëm.

Sa u lanë të përndjekurve politikë? U lanë gjithsej 20 milionë, në një kohë kur në mënyrë absolute pa asnjë lloj cenimi u liheshin të paktën 100 milionë euro kompensim.

Sa u lanë ish-pronarëve? U lanë gjithsej 40 milionë, në një kohë kur pa asnjë vështirësi mund t’u liheshin të paktën 200 milionë se ato janë detyrime shumë të rëndësishme të shoqërisë.

Po jo, i lanë se si t’i vjedhin më shumë.

Tjetër. Në vitin 2012, 2013, merrni cilin vit të doni, administrata ka gjithmonë një kosto për ta mbajtur kudo, për Shqipërinë me 2.9 milionë banorë, administrata e kësaj Shqipërie shpenzonte gjithsej 300 milionë euro.

Administrata e sotme e Kipes dhe Edi Ramës shpenzon gjithsej 960 milionë euro.

Atëherë çfarë ndodh?

Rrogat, u bëmë më rrogëulëtit në rajon.

Pensionet më të ulëtat, çnjerëzore, nuk mjaftojnë as për kafshatën, as për ilaçet, mezi mjaftojnë për qiratë, dritat dhe ujin.

Të gjitha këto janë instrumente me të cilat ky regjim largon çdo ditë shqiptarët nga Shqipëria.

Tjetër, çmimet në stratosferë.

Një litër qumësht në vitin 2012, prodhohej me një kosto 40 lekë, shitej me në çmim 67 lekë. Fermeri fitonte 27 lekë. Por edhe blerësi blinte me një çmim të arsyeshëm.

Sot një litër qumësht blihet me 180, 190 apo 200 lekë në një kohë kur rrogat janë më të ulëtat në rajon.

Të gjitha këto bënë që shqiptarët të ikin masivisht nga ky vend i bekuar.

Por mbi të gjitha faktori që i ka përzënë shqiptarët nga Shqipëria ka qenë vrasja e shpresës.

Zgjedhjet e fundit, ndaj dhe unë e them dhe e ritheksoj, një mirënjohje të pakufishme ndaj të gjithë atyre që votuan opozitën.

Zgjedhjet e fundit u zhvilluan në kushtet e një presioni të jashtëzakonshëm.

4530 aktivitete u zhvilluan në mënyrë të paligjshme për të ndikuar te qytetarët për të ndryshuar votën e tyre.

2 miliardë e 100 mijë euro u falën gjoba dhe kamata dy ditëve para zgjedhjeve me impakt në 200 mijë familje dhe 84 mijë biznese.

100 euro për çdo pensionist në mes të fushatës.

Mijëra e mijëra leje legalizimi, certifikata pronësie, leje ndërtimi për vota.

29 mijë hektarë kanabis për vota u firmosën.

Ushtria e patronazhistëve si terroristë elektoralë sulmonin, trysnonin qytetarët.

Ndaj dhe ju keni meritë të jashtëzakonshme që qëndruat.

Por duhet të theksoj me këtë rast, qëndruat ju, pa u ngrit Shqipëria, dhe kjo është meritë e jashtëzakonshme e juaja.

Dhe sot të dashur miq jemi në një situatë sa kritike, por po aq shpresëdhënëse.

Sot ne jemi opozitë masive.

Sot opozita është shtuar me një opozitë të re, e cila ka bërë që në Shqipëri, ajo që quhet mazhorancë të jetë një minorancë, çdo ditë e më e madhe si minorancë.

Lëvizja, e quajtur e flamengove, që bashkoi në shesh si kurrë ndonjëherë demokratë, socialistë, të paparti, në dhjetëra mijëra, qindra mijëra qytetarë ishte një goditje shumë e rëndë për regjimin, një damkosje ndërkombëtare e jashtëzakonshme. Revolta studentore ishte shpërthim i një guximi të paparë, shpërthim të atillë guximi rrugët e Tiranës, guximtarë si studentët nuk kishin parë ndonjëherë.

Dhe ja pra ku jemi në një situatë krejt tjetër.

Jemi në një situatë në të cilën ka një kushtrim, ka një apel që kjo opozitë, më e madhe se kurrë; kjo opozitë, më luftarake se kurrë; kjo opozitë, më e fuqishme se kurrë, duhet të bashkohet. Bashkimi i saj në të gjithë pluralitetin, në respekt të të gjithë identiteteve të këtyre faktorëve kundër të keqes më të madhe që përbën rrezik ekzistencial për Shqipërinë është sot detyrë e çdo shqiptari që i thotë vetes shqiptar.

Është sot detyrë e çdo qytetari që i thotë lirisë liri.

Është sot detyrë e çdo atdhetari që thotë të shpëtojmë Shqipërinë nga kjo boshatisje e tmerrshme.

Pra, të themi të vërtetën nuk është çështja e parë çështja e pushtetit të Partisë Demokratike apo të këtyre apo atyre forca.

Çështja e parë është largimi me çdo kusht i rrezikut ekzistencial, regjimit të Edi Ramës, dhe pastaj zgjedhjet e lira, shqiptarët të sjellin në pushtet forcën politike që besojnë më shumë, koalicionin që besojnë më shumë, të votojnë kandidatët që u duken më të mirët.

Ama kjo kërkon që ne të bashkohemi.

U bashkuan armiqtë tanë, serbët u bashkuan ta themi atë që është.

U bashkuan paçka se në spektrin e tyre kishte kundërshtarë nga më të papajtueshmit, por vendosën të bashkohen kundër padronit të Edi Ramës, Aleksandër Vuçiç.

Dhe çfarë thotë sot ai? Po e dëgjoja atë kryetarin e parlamentit. Nuk po shkoj tha në Bruksel, se nuk i kam punët, nuk mund të them se përfaqësoj se sa jam zgjedhur. Por tani kemi detyra të mëdha.

Detyrat e mëdha ishin të krijojmë qeverinë për të bërë zgjedhje normale, zgjedhje të lira.

Pra, nuk e konsideronte detyrë që të qeverisim, e morëm pushtetin tani, hajde o burra, jo, erdhëm në pushtet, tani të bëjmë zgjedhje.

Qytetarët të zgjedhin partinë që duan, të zgjedhin kandidatët që duan, se ato që i bëmë me Vuçiçin, i bëmë me këtë front të përbashkët.

Pra, dhe unë këtu nga ju ftoj të gjitha forcat politike opozitare, të gjitha shoqatat, të gjitha sindikatat të bashkohemi në një front të përbashkët për ta larguar nga pushteti këtë narkodiktator, i cili është sot narkodiktatori më i keq në planet.

Maduro iku, e kapi me ushtarë presidenti Trump, ky me ushtarë nuk do kapet, por do ta kapim ne këtë, duhet ta largojmë ne këtë, nuk mundet më ky të përbëjë rrezik ekzistencial për ne. Ndaj dhe ky bashkim është jetik.

Ndaj dhe secili prej nesh duhet të bisedojë me secilin që njeh për këtë bashkim.

U bashkuan në qershor demokratë, pa parti dhe socialistë, po, po, ishin aty, madje javën e parë ishin më shumë socialistë, ta themi të vërtetën, në shesh kundër Edi Ramës.

Ndaj dhe këtë situatë shpresëdhënëse, të vërtetë, nuk mund ta lëmë kurrë të na ikë.

Do na dënojë historia në qoftë se ne nuk jemi në lartësinë e saj për të vazhduar veprimin tonë.

Demokratë e demokrate, ne do të bëjmë gjithçka për ripërtëritjen tonë dhe Kuvendi që bëmë, siç e patë, u zhvillua në shenjë ripërtëritjeje.

Ne do përpunojmë vizionin tonë dhe unë u garantoj se emergjencës kombëtare, sirenat e varfërisë dhe të mjerimit i shuajmë që vitin e parë të qeverisjes.

Ju garantoj se biznesit do t’i krijojmë klimën më të favorshme për lulëzimin e tij.

Garantoj të rinjtë dhe të rejat se vizioni i Partisë Demokratike është vizion në të cilin ata do të kenë çdo mundësi, shkollim, punësim, begatim, strehim në vendin e tyre.

S’do kenë asnjë nevojë të marrin ëndrrat shqiptare mbas krahëve nëpër rrugët e botës.

Shqipëria është vendi i mundësive të jashtëzakonshme, por kjo kërkon të heqim të keqen më të madhe ekzistenciale, të heqim këtë regjim.

Heqja e tij kërkon të qëndrojmë në këmbë dhe në protestë.

Unë e di se opozitarët kaq vite në opozitë janë të lodhur.

Unë e di se janë të rraskapitur.

Unë e di se nuk kanë, se për të ardhur nga një qytet në Tiranë i duhet gjysma e pensionit. I di të gjitha.

Por di dhe këtë që ne kurrë s’duhet të dorëzohemi.

Tani që jemi në kilometrin e fundit, ne duhet të qëndrojmë si viganë.

Edi Rama, përveç gjuhës së protestës, nuk njeh gjuhë tjetër.

Ka qytetarë, ka djem dhe vajza që protestojnë çdo ditë.

Të bekuar janë në protestën e tyre, por ajo protestë është një kushtrim i madh për opozitën.

Opozita është jo sa janë ata sot në shesh, por është 100, 200, 300 herë më e madhe se aq.

Prandaj ajo duhet të tregohet.

Prandaj ajo duhet të bashkohet me bindjen që nuk do i ndahet me protesta gjer në largimin e Edi Ramës.

Janë zgjedhjet lokale përpara.

Opozita është shumicë në Tiranë, ju e keni parë, shumicë me distancë në Tiranë.

Shumicë me distancë në Kamëz.

Opozita duhet të bashkohet.

Dhe ne do bëjmë gjithçka si parti kryesore opozitare të mirëkuptohemi dhe të bashkëpunojmë me ta.

U bë një eksperiment. Pati armiq tanë, që menduan se pasi kishim qëndruar të pamposhtur në situatat më kafkiane, tani kujtuan se i erdhi koha për ta fshirë Partinë Demokratike dhe në vend se të luftonin Edi Ramën, hidhnin parulla kundër nesh.

Koha provoi se besonin një skenar serb.

Po skenari serb ishte krejt tjetër.

Koha provoi se në këtë periudhë, forca politike që është rritur më shumë se çdo forcë tjetër, është Partia Demokratike dhe kjo vetëm e vetëm për qëndrimet e saj të drejta, të ndershme, parimore që mbajti.

Ndaj dhe besimplotë në fitoren tonë dhe të opozitës shqiptare, në misionin tonë për shpëtimin e Shqipërisë, le të vazhdojmë në çdo përpjekje për ripërtëritjen e Partisë Demokratike, për bashkimin në të gjerë të mundshëm të opozitës shqiptare.

Nesër të shndërrojmë 28 Nëntorin në ditën e nderimit më të madh dhe historik të flamurit tonë kombëtar, flamur që në çdo qelizë të tij ka jetë të të rinjve, djemve, vajzave, burrave shqiptarë të rënë për liri.

Zoti e bekoftë flamurin tonë, zoti ju bekoftë ju, zoti e bekoftë Shqipërinë.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale