FJALA E KRYETARIT TE PD-së, SALI BERISHA NË TAKIMIN ME DREJTUESIT E DEGEVE TE TIRANËS
EKSTRAKT
Në takimin me drejtuesit politik dhe të degëve të Tiranës, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka falënderuar pedagogët që iu bashkuan sot protestës studentore. Sipas tij, ata i dhanë Ramës, përgjigjen e merituar. ‘Kam mirënjohjen më të pakufishme për të gjithë pedagoget dhe pedagogët e universiteteve, të cilët në mënyrën më të vendosur i dhanë përgjigjen më shkatërrimtare strategjisë së terrorit të kuq që ai shpalosi dje gjatë ditës me akte që Tirana i kishte parë ndonjëherë. Sheshi plot i pedagogëve dhe studentëve sot ishte përgjigja më dinjitoze e këtyre grave dhe burrave fisnikë, intelektualë të vërtetë, që hoqën mënjanë mantelin e konformizmit dhe dolën në shesh të mejdanit me studentët e tyre.’, theksoi Berisha.
Gjatë fjalës së mbajtur në takimin me drejtuesit e PD-së së Tiranës, lideri i demokratëve Sali Berisha komentoi edhe takimin e mëngjesit të Edi Ramës me mësuesit dhe stafin e Ministrisë së Arsimit. Berisha tha se, Rama e la në mes takimin, kur mori vesh se ndaj Lubi Ballukut po lexoheshin akuzat, sepse dosjet e saj janë të gjitha me firmat e tij. ‘Sot ai la mbledhjen e arsimtarëve pas çerek ore sepse mori lajmin e Lubisë dhe e di që dosjet e Lubisë që të gjitha kanë firmën e tij. Ata dy njerëz kanë 25 vjet që vjedhin së bashku. Ajo është thjesht një notere e pakarakter e vjedhjeve të përbashkëta me Edi Ramën.’, tha Berisha.
Kryetari i PD, Sali Berisha, deklaroi se protesta në Tiranë nuk ka asnjë lidhje me ngjarjet në Paris, dhe akuzoi Edi Ramën se dështoi në përpjekjen për të përdorur sulmin ndaj selisë së PD-së për të njollosur protestën dhe për ta paraqitur atë si lëvizje anarkiste. ‘Asnjë lidhje, fare asnjë lidhje’, theksoi Berisha, duke shtuar se kryeministri ‘donte të sillte këtu për të sulmuar selinë agjentë të policisë kriminale të shndërruar në një amalgamë me ekstremistët e majtë’, por ‘tentoi dy herë dhe dështoi’.
Lideri i opozitës Sali Berisha, e ka cilësuar si një përpjekje mjerane tentativën e Edi Ramës për të paraqitur studentët dhe gjimnazistët që marrin pjesë në protestë si pjesë të lëvizjes ANTIFA. Ai akuzoi qeverinë për korrupsion, abuzime me fondet publike dhe asgjësimin e zgjedhjeve të lira, duke theksuar se protesta është e diktuar nga ‘plaçkitja e proporcioneve të papara të buxhetit dhe pasurive publike’. Kryetari i PD-së deklaroi se opozita do të vijojë mobilizimin në mbështetje të protestuesve, ndërsa paralajmëroi grupet që, sipas tij, po përpiqen të manipulojnë lëvizjen. ‘Përpjekja e tij për të paraqitur si ANTIFA studentët shqiptarë dhe gjimnazistët është një përpjekje mjerane që e kanë kuptuar të gjithë’, u shpreh Berisha.
Lideri i opozitës Sali Berisha, paralajmëroi ndëshkime të rënda për patronazhistët dhe inspektorët që, sipas tij, janë veshur me uniforma policie kundrejt 2500 eurove për të vepruar kundër protestuesve. ‘Mos e shisni veten për 2500 euro, do t’ju dalë shumë më keq!’, deklaroi Berisha, duke akuzuar Edi Ramën se kishte planifikuar sulmin dhe djegien e selisë së PD-së.
‘Qëllimi ishte të digjej selia këtu. Po protestuesit nuk pranuan asnjë urdhër të tillë’, u shpreh ai, duke paralajmëruar se të gjithë përgjegjësit do të identifikohen dhe ndëshkohen rëndë.
Kryetari i PD-së, Sali Berisha, garantoi studentët dhe qytetarët se çdo protestues që dënohet për pjesëmarrjen në protestë do të dëmshpërblehet plotësisht nga Partia Demokratike. Ai premtoi gjithashtu mbrojtje ligjore falas, ndihmë mjekësore dhe mbështetje për të miturit. ‘Çdo lloj sanksioni që të shpallë do të jetë zero. Përkundrazi, do të dëmshpërbleheni për atë që keni sakrifikuar’, deklaroi Berisha, duke paralajmëruar se protestuesit do të dekorohen për qëndresën e tyre. Berisha tha se PD-ja do të ofrojë avokatë falas, do të hapë faqe për denoncimin e keqtrajtimeve dhe shkeljeve të të drejtave, si dhe do të krijojë një pikë mjekimi pranë selisë. ‘Shtëpia e Partisë Demokratike është shtëpia e protestuesve. E hapur për ta plotësisht dhe në çdo rrethanë’, u shpreh kryetari i PD-së, Sali Berisha.

FJALA E PLOTE
Së pari dua të falënderoj shumë përzemërsisht, të shpreh vlerësimin tim më të madh për të gjithë ata demokrate e demokratë dhe mbështetës tanë, që kanë kontribuar dhe kontribuojnë në këtë revoltë historike të rinisë studentore dhe gjimnazistëve të Tiranës.
Edi Rama nxori fytyrën e vërtetë, por u garantoj se vetëm njërën prej fytyrave të tij më të shëmtuar se shpirti i tij katran dhe i zi është me kate të pafundme.
Shqiptarët do të marrin vesh, do të mësojnë se cili është karakteri i vërtetë i këtij bastardi të xhelatëve të diktaturës.
Dita e sotme ishte një ditë jashtëzakonisht e rëndësishme në këtë revoltë.
Kam mirënjohjen më të pakufishme për të gjithë pedagoget dhe pedagogët e universiteteve, të cilët në mënyrën më të vendosur i dhanë përgjigjen më shkatërrimtare strategjisë së terrorit të kuq që ai shpalosi dje gjatë ditës me akte që Tirana i kishte parë ndonjëherë.
Edi Rama dje gjatë ditës, me mercenarë të blerë 2500 euro, që dëshmuan se janë të gatshëm të shesin shpirt, nder, dinjitet dhe çdo gjë për pesë lekë, u vërsul ndaj të rinjve, ndaj qytetarëve me një egërsi të paparë.
Ai mendoi se me atë dhunë të egër sot Tiranën do ta kishte të qetë.
Ai beson verbërisht tek dhuna.
Bastardi i xhelatëve të egër të diktaturës komuniste, i Kristaq Ramës që firmoste varjen e kundërshtarëve, i Spiro Kolekës, një xhelat i inteligjencës teknike të Shqipërisë, ai mbrëmë shpalosi një egërsi të paparë.
Nxori dhëmbët duke besuar se mund të mposhtë një rini.
Por sheshi plot i pedagogëve dhe studentëve sot ishte përgjigja më dinjitoze e këtyre grave dhe burrave fisnikë, intelektualë të vërtetë, që hoqën mënjanë mantelin e konformizmit dhe dolën në shesh të mejdanit me studentët e tyre.
Nuk ka asgjë që dallon intelektualin e vërtetë nga pseudointelektuali.
Intelektuali i vërtetë beson dhe është një avokat i pamposhtur i interesit publik.
Pseudointelektuali është në mizantrop meskin që beson se profesioni i tij është gjithçka dhe harron se me profesionin është thjesht një zanatçi.
Ndaj dhe sot pedagogët e universiteteve dëshmuan veten intelektualë të vërtetë.
Në një moment kritik të revoltës studentore i dhanë përgjigjen më të merituar një dëshmi që dëshmon se për lëkurën e tij, për paratë e tij është i gatshëm të ndërmarrë çdo akt.
E them edhe njëherë, kjo ishte një nga ditët më të rëndësishme, me fuqi përcaktuese.
Jo se ai do të arrijë të shpëtojë nga kjo revoltë, por natyrisht do ta spostonte, do ta ngadalësonte, ndërsa sot ai mori atë që meritonte dhe do ta marrë çdo ditë.
Nuk duhet të ndalem në fjalët e tij sepse pranohet tashmë se atij i ka dalë boja në çdo drejtim.
Ai është bërë bajat, është si ai që nuk di ku të fusë kokën.
Sot ai la mbledhjen e arsimtarëve pas çerek ore sepse mori lajmin e Lubisë dhe e di që dosjet e Lubisë që të gjitha kanë firmën e tij.
Ata dy njerëz kanë 25 vjet që vjedhin së bashku.
Ajo është thjesht një notere e pakarakter e vjedhjeve të përbashkëta me Edi Ramën.
Binjakë siameze si ata në vjedhje nuk gjen, që në Bashki, në Bashki e ka pasur njeriun më të afërt në vjedhje dhe vazhdoi edhe në qeveri.
Kështu që ky njoftim për veprat duke se e detyroi të ndërpresë edhe fjalën.
Kjo ditë e sotme na ngarkon me përgjegjësi edhe më të mëdha.
Ndaj dhe të nderuar kryetarë degësh, të deleguar në degë, koordinatorë, duhet të bëjmë gjithçka në dy parimet që kemi shpallur.
Parimi i parë, ne mbështesim me të gjithë potencialin tonë protestën.
Parimi i dytë, ne mbrojmë me të gjithë potencialin tonë studentët dhe të rinjtë.
Mbështetja e protestës kërkon angazhimin e të gjitha burimeve njerëzore të mundshme për t’i nxjerrë në protestë.
Ne kemi përgatitur një fletëpalosje, do të krijohen grupet e punës dhe do të shpërndahet në çdo derë, në çdo familje, në çdo lagje.
Do të bëjmë gjithçka për mobilizimin maksimal të qytetarëve, të të rinjve, të prindërve në mbështetje të gjimnazistëve, të rinjve dhe qytetarëve në protestë.
Është rruga e vetme për ta përcjellë sa më shpejt këtë monstër, se ky nuk është njeri, është një monstër njerëzore, nga ajo kryeministri.
Çdo ditë që kalon, Shqipëria paguan koston më të lartë prej tij.
Çdo ditë që kalon është një ditë më e rëndë për shqiptarët.
Ndaj dhe ne do bëjmë gjithçka për pjesëmarrjen më maksimale të qytetarëve në këtë protestë.
E them edhe njëherë, ne jemi në protestë, nuk mohojmë asgjë.
Asgjë në botë nuk na ndan ne nga protesta.
Dështuan.
E patë ju, Edi Rama donte të sillte këtu për të sulmuar selinë agjentë të policisë kriminale të shndërruar në një amalgamë me ekstremistët e majtë.
Dështoi!
Tentoi dy herë dhe dështoi.
Dhe në fund në shkelje flagrante të Kushtetutës dhunoi selinë duke futur narkobanditë me uniformë.
Vetëm e vetëm, edhe njëherë, vetëm e vetëm që të justifikojë, të argumentojë tezën e tij të rreme se kjo është një ANTIFA, se këta nuk e kanë hallin tek korrupsioni i tij, tek vjedhjet e tij, tek droga, tek zgjedhjet, tek farsa elektorale, por këta janë anarkistët e shkatërrimit.
Kjo është e gjithë përpjekja e tij për t’i thënë komunitetit ndërkombëtar se ajo që po ndodh në Paris erdhi edhe në Tiranë.
Asnjë lidhje, fare asnjë lidhje.
Nuk ka kryetar shteti apo kryeministër në Evropë që të ketë vjedhur me firmën e tij siç ka vjedhur Edi Rama miliarda nga taksat e qytetarëve shqiptarë.
Që të ketë bërë punë publike si qeveri me çmim 10 fish më shumë se çmimet në BE. Është manual, në botë janë dy manuale, një evropian dhe një amerikan, fillon me çdo gjë të ndërtimit, mund të kenë edhe kinezët një të tyre.
Nuk ka një të dytë si Edi Rama që ta përdorë agjencinë e teknologjisë së informacionit me Lindat e tij për të vjedhur qindra e qindra milionë euro dhe për të survejuar dhe përgjuar çdo kundërshtar politik dhe absolutisht të gjitha ambasadat e huaja në kundërshtim të hapur me Konventën e Vjenës.
Dhe kjo me dëshmitarë.
Nuk ka një të dytë në Evropë që të ketë transportuar me qindra valixhe diplomatike plot me euro nga Tirana në Bruksel dhe të mos pranojë komisionin hetimor parlamentar.
Nuk ka një të dytë në Evropë që të presë terroristët e Sinaloas dhe t’u japë licencë kazinoje dhe hoteli me pesë yje. Apo që të shkojë vetë apo të dërgojë qeveritarët në Aruba.
Nuk ka, është unik.
Kjo protestë është kryekëput e diktuar nga plaçkitja e proporcioneve të papara të buxhetit dhe pasurive publike.
Është e diktuar kryekëput nga ndërtimi i narkoshtetit dhe asgjësimi i zgjedhjeve të lira.
Pra, përpjekja e tij për të paraqitur si ANTIFA studentët shqiptarë dhe gjimnazistët është një përpjekje mjerane që e kanë kuptuar të gjithë.
Është kuptuar kjo.
Ndaj dhe mobilizimi ynë i madh për mbështetjen më maksimale të kësaj proteste.
Përpiqen ta manipulojnë, zero, dështim i madh.
Përdor ato grupe kriminale që përdori në protestën e parë. Nuk do i ecë.
Dhe unë i paralajmëroj se në mënyrë absolute janë në vëzhgimin e opozitës.
Ta dinë mirë.
24 orë mbi 24 orë dhe nuk mund të bëjnë kurrë atë që bënë në protestën e parë. Jago të vërtetë. Protestuan muaj e muaj duke bërtitur ‘Rama jep dorëheqjen’ dhe në fund dolën me tezat ‘ne protestojmë, Ramën e korrigjojmë’.
‘Ai na dëgjon dhe ne e korrigjojmë’.
Prandaj dhe i paralajmëroj se në mënyrë absolute nuk do mund të përmbushin misionin që përmbushën në protestën e parë.
Të heqin dorë, po të duan protestë, ajo është e hapur, bulevardi dhe protesta është e qytetarëve, por grupet ekstremiste të majta, shërbëtorët e Edi Ramës që ushqehen me dhjetëra milionë euro nga paratë, të cilët duhet t’i marrin qytetarët shqiptarë dhe i marrin në mënyra të ndryshme, ata do të dështojnë bashkë me patronin e tyre.
Janë çirakë, janë thjesht çirakë.
Së fundi, dua t’u them një fjalë atyre që vishen sot vullnetarë të së keqes.
Janë të paktën mbi 2000 patronazhistë, inspektorë të inspektoriateve të ndryshme në qarqe, që vishen me uniforma policie.
Unë u them do regjistroheni dhe absolutisht do të ndëshkoheni për këtë akt antikushtetues, antiligjor.
Detyra juaj është e përcaktuar me ligje dhe nuk është kurrë të vishni rroba mercenarësh për 2500 euro.
Mos e shisni veten për 2500 euro, do t’ju dalë shumë më keq!
Do ndëshkoheni, do ndëshkoheni shumë rëndë, më rëndë se të tjerët!
Qytetarët shqiptarë u paguajnë ju si inspektorat ndërtimi, si inspektorat mjedisi, si inspektorat ushqimor, nuk u paguajnë ju për të ardhur dhe trajtuar shtazërisht studentët dhe gjimnazistët në Tiranë.
Ndaj dhe edhe një herë, të gjitha degët të regjistrojnë të gjithë ata inspektorë, të cilët kanë veshur uniformën e policisë ose marrin detyra, siç ndodhi para dy ditësh.
Një faqezi, me mbiemrin Sheqeri nga Bashkia e Tiranës, çoi të gjithë inspektoratin në mbrojtje të Partisë Socialiste ditën që do sulmonin selinë se kishin bërë projektin me tezën se ‘tani ne kryeministrinë s’kemi punë se s’e marrim dot, kështu që t’u kthehemi selive’.
Problemi ishte t’i kthehemi selisë së Partisë Demokratike. Dhe atje kishin mbushur me inspektorë të ndërtimit të IKMT-së së bashkisë dhe me policë bashkiake.
Edhe ti i policisë bashkiake që ke shkuar në seli do të ndëshkohesh shumë rëndë. Shumë, shumë rëndë!
Urdhëroni, atje sigurisht i prisnin me hunj dhe këtu mendonin se ata do të vijnë protestuesit dhe qëllimi ishte të digjej selia këtu. Po protestuesit nuk pranuan asnjë urdhër të tillë, përkundrazi. Jo, thanë, s’kemi asnjë gjë, përkundrazi, me vlerësimin më të madh për PD-në.
Ndaj dhe mos u gaboni, Edi Rama është i pashpresë, nuk e shpëton asgjë. Absolutisht asgjë!
Kurse ju për një moment e bëni veten të dënueshëm me ligj aq sa s’ua pret mendja.
Sikundër dua të garantoj studentët dhe qytetarët se për çdo lloj dënimi që ata marrin sot, do të dëmshpërblehen 100% nga Partia Demokratike nesër pasi të përcjellim këtë kufomë politike.
Do të dekorohen për qëndresën e tyre, do marrin vlerësimin që meritojnë.
Ndaj dhe, se del e thotë se nuk do u paguaj, nuk do dilni jashtë shtetit, do bëjmë këtë e atë, marrëzirat e tij si një njeri i rrjedhur që nuk di se çfarë flet, por u them studentëve dhe të rinjve, se çdo lloj sanksioni që të shpallë do jetë zero, përkundrazi, do dëmshpërbleheni për atë që keni sakrifikuar.
Po, do të ndëshkohen mercenarët që vishen për të mbrojtur një monstër për të qëndruar kundër popullit të vet.
Së fundmi, çdo protestues, ne kemi shpallur parimin, ne bëjmë gjithçka për mbrojtjen e tyre. Ka shërbim falas avokatie, denoncimesh dhe gjithçka tjetër.
Është hapur një faqe për keqtrajtimet dhe shkeljet e të drejtave.
Do hapet një faqe për plagët që mund të marrin, por dhe mjekime mund të gjejnë këtu. Do të krijohet një pikë mjekimi.
Kemi ne kapacitetet, mjekë dhe infermierë, sepse ka prej tyre që nuk duan të shkojnë në qendra shtetërore, natyrisht që rastet e komplikuara ne do i çojmë, ta dinë sepse ne jemi për shëndetin e tyre, por për gjëra të vogla do mund të përballohen nga një grup i vogël mjekësh e infermierësh të rinj këtu.
Shtëpia e Partisë Demokratike është shtëpia e protestuesve. E hapur për ta plotësisht dhe në çdo rrethanë.
Dhunimi që i bëri policia tregoi fytyrën e vërtetë, por në mënyrë absolute çdo i mitur do ketë mbrojtjen e Partisë Demokratike, sepse kjo mbrojtje i garantohet atij nga Kushtetuta dhe ligjet.
Kjo që po ndodh me të miturit, kjo tejkalon të gjitha praktikat staliniste dhe naziste të kohërave më të zeza.


