KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT
EKSTRAKT
Në konferencën e së premtes me gazetarët, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, denoncoi skandalet në projektet infrastrukturore. Gjatë fjalës së tij, ai deklaroi se 12 vitet e qeverisjes së Edi Ramës kanë qenë vite të bllokimit të zhvillimit të infrastrukturës. Sipas tij, gjatë kësaj periudhe janë vjedhur të paktën 11 miliardë euro nga një total prej 12 miliardë eurosh të dedikuara për projektet infrastrukturore. Berisha akuzoi drejtpërdrejt ministren Belinda Balluku, të cilën e cilësoi si përgjegjësen kryesore për këto vjedhje të fondeve publike. ‘Lubi Balluku është përgjegjëse kryesore për këto vjedhje të tmerrshme të fondeve publike në ndërtimin e rrugëve’, deklaroi Berisha.
Në të njëjtën konferencë, kryedemokrati Berisha përmendi rëndësinë e hekurudhës Tiranë-Prishtinë, duke e cilësuar si projektin më të madh pas Rrugës së Kombit, që do të forcojë lidhjet mes dy vendeve. Ai tha se ky projekt do të realizohet gjatë mandatit të ardhshëm të qeverisjes së demokratëve. ‘Kjo hekurudhë u rikthye në tryezë në vitet 2005-2013, kjo hekurudhë do ndërtohet gjatë mandatit të ardhshëm. Kombi do ketë edhe lidhjen e fortë, të shkurtër hekurudhore’, nënvizoi kreu i PD në fjalën e tij.
Gjatë fjalës së tij, lideri i opozitës Sali Berisha premtoi gjithashtu se, nën drejtimin e Partisë Demokratike, Unaza e Shqipërisë do të jetë një tjetër projekt madhor infrastrukturor që do të urbanizojë periferinë dhe do të lidhë çdo qendër komune me akset kombëtare brenda 20 minutash.
Lideri i opozitës bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen në protestën anticensurë kundër mbylljes së TikTok-ut, duke theksuar rëndësinë e fjalës së lirë dhe të drejtës së qytetarëve për informacion të pakontrolluar nga qeveria. ‘Nesër është një ditë ku ne të protestojmë që të gjithë për fjalën e lirë. Të protestojmë kundër një qeverie të korruptuar që kërkon të kontrollojë informacionin që marrin qytetarët’, u shpreh lideri i opozitës për mediat.
Berisha kritikoi gjithashtu rrugën e Arbrit, duke thënë se ajo nuk plotëson standardet e sigurisë dhe se tuneli është ndërtuar në kundërshtim me rekomandimet e ekspertëve ndërkombëtarë. Sipas Berishës, tuneli është ndërtuar duke shkelur kushtet dhe rekomandimet e kompanive më prestigjioze të fushës, ndër të cilat kompanitë daneze, edhe pse zona është problematike. Berisha theksoi faktin se, nën qeverisjen e Edi Ramës, vetëm 27 km të rrugës së Arbrit kanë kushtuar 450 milionë euro.
Gjatë fjalës së tij, kreu i PD, Sal iBerisha u shpreh edhe për festimet e Ditës së Verës në Elbasan dhe takimet e zhvilluara atje, duke lavdëruar kandidatët e Partisë Demokratike. ‘Pashë aty një ansambël. Nuk mbaj mend ndonjëherë të ketë patur para qytetarëve të atij qarku një ansambël të tillë’, theksoi kreu i PD-së.
Interesimit të gazetarëve për heqjen e disa emrave nga lista e PD për kandidatët që do të garojnë në zgjedhjet e 11 majit, me argumentin e mendimit ndryshe brenda partisë, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha dha garanci se një gjë e tillë nuk ka ndodhur kurrë. Në konferencën e së premtes në selinë blu me median, Berisha tha se jo vetëm që mbështet diversitetin, por edhe e pranon atë.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha se Edi Rama e lëshoi Veliajn, pasi ky i fundit bëri gabimin fatal duke u paraqitur si zëvendësi i tij .’I futi dhe ato çimkat me Uluziun, ja nxorrë regjistrimet ku i thotë ndër të tjera, Ajolës, shko e thuaji Ramës se, Belinda i ka paguar Olsit 2 mln euro në Greqi. Dhe ajo shkon i thotë, ajo nuk e dinte se çdo operacion aty drejtohej nga Rama’, theksoi kryedemokrati Sali Berisha.
Teksa prej së enjtes së 13 shkurtit, të rinjtë dhe përdoruesit e platformës TikTok nuk kanë mundur më të futen në rrjetin social, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij në protestën që është parashikuar të zhvillohet në orën 19:00 të shtunën në Tiranë. ‘Do jem pjesë. Nuk jam unë maestro i Tik Tokut, janë të rinjtë’, u shpreh Berisha pas interesimit të gazetarëve nëse do të ishte pjesëmarrës.
FJALA E PLOTE:
Përsëri një urim të përzemërt, një lule të bukur për të gjithë shqiptarët këtë ditë të ndërrimit të natyrës, këtë ditë shprese, optimizmi, ditë ndryshimi.
Sot jam këtu për të paraqitur elementët bazë të programit të PD-së për infrastrukturën e Shqipërisë.
PD, promotore e ndryshimeve më të fuqishme infrastrukturore të vendit, pas 11 majit merr përsipër kompletimin përfundimtar të ndërtimit të infrastrukturës më moderne që Shqipëria ka pasur në t gjitha kohërat.
PD gjatë viteve 2005-2013, ndërtoi dhe rindërtoi rrugë, autostrada, tunele më shumë se në të gjitha kohërat të marra së bashku në Shqipëri.
Por krahas tyre, ajo në ato vite realizoi 220 studime dhe projekte, me të cilat Shqipëria transformohej tërësisht në rrafshin infrastrukturor.
12 vitet e qeverisjes së Edi Ramës janë vitet e ndalimit pothuaj të kohës për ndërtimin e infrastrukturës.
Janë vitet e plaçkitjes më të madhe, më të jashtëzakonshme të fondeve, buxhetit publik, të përcaktuara për ndërtimin e rrugëve dhe veprave publike.
Do ndalem në disa shembuj për të ilustruar këto abuzime të tmerrshme dhe të paprecedent.
Rruga Tiranë-Elbasan u kontraktua me çelësa në dorë, me një lot, me vlerën 255 milionë euro me tunel me dy kalime.
Në qershor të vitit 2013, segmenti Ibë-Elbasan përfshirë dhe tunelet ishte tërësisht i përfunduar. Mbetën 7 kilometër, e hapur plotësisht traseja Ibë-Farkë. Këto 7 kilometra u kushtuan qytetarëve shqiptarë 215 milionë euro. U kushtuan 30 milionë euro për kilometër. Kushtuan me vjedhje 2.2 herë më shumë se sa 1 kilometër në tunel, i cili u ndërtua me 14 milionë euro kilometri.
Shembull tjetër i kësaj infrastrukture janë rrugët e ndërtuara me 10-fishin, 12-fishin e çmimit të rrugëve të ndërtuara më parë, ndërkohë që indeksi i çmimeve në ndërtim dhe punë publike, për materiale dhe të gjitha, është rritur me vetëm 32 përqind.
Nuk janë shënuar kurrë në histori vjedhje kaq të papërmbajtura siç janë shënuar në infrastrukturën e Shqipërisë.
Ka rrugë të cilat janë prokuruar dhe nuk ekzistojnë.
Ka rrugë që janë prokuruar me 73 milionë euro siç është rruga Qukës-Qafë Plloçë dhe ajo ka shkuar sot në 215 milionë euro dhe nuk është kurrkund në përfundim.
Për të mos thënë rruga Korçë-Kolonjë e cila në 18 kilometrat e para është ndërtuar me 800 mijë euro kilometri, kurse në pjesën tjetër, në 17 kilometrat e dytë, kostoja është rritur 7 herë. Mbi 5 milionë euro kilometri.
Nuk ka ndodhur, nuk mund të konceptohet një vjedhje e tillë.
Për të mos thënë Sheshi Shqiponja, rimodelimi i tij, 40 milionë euro nga Bashkia e Tiranës.
Unaza e Madhe, çmime stratosferike.
6 herë më shtrenjtë se sa 8 kilometrat e ndërtuara në kilometrat e ndërtuara para vitit 2013.
Pra, në infrastrukturë ku janë investuar 12 miliardë euro, ju garantoj se janë vjedhur më së paku 11 miliardë.
Ju lutem, vepra të përfunduara, me 65 miliardë euro buxhet të 12 viteve, është vetëm tuneli i Llogarasë, 19 kilometrat e Unazës së Tiranës të mbetura nga viti 2013 e këndej.
Është vetëm zgjerimi i Unazës së Tiranës tek Sheshi Shqiponja.
Janë 3-4 kilometra Elbasan-Librazhd.
Nuk mund të imagjinoj se ku janë zhdukur paratë.
Lubi Balluku është përgjegjëse kryesore për këto vjedhje të tmerrshme të fondeve publike në ndërtimin e rrugëve.
Dhe jo më pak Edi Rama.
Mos harroni një gjë, 2.3 miliardë euro kanë kushtuar pllakat e gurëve të shtruar në sheshet e qyteteve.
Specialistë të shquar më garantojnë mua se kostoja e tyre nuk mund të jetë më e madhe se 300 milionë euro në maksimum.
Pra janë vjedhur fiks 2 miliardë euro nga korporata shtetërore e krimit që është qeveria.
Merr fund kjo.
Një audit i përgjithshëm pas datës 11 maj do bëhet për çdo qindarkë të investuar në infrastrukturë.
Dhe do t’u tregohet shqiptarëve se çfarë ka ndodhur, vjedhja e tmerrshme që është kryer në kurrizin e tyre.
Por nuk ishte ky qëllimi.
Qëllimi është për të shpalosur këtu përparësitë e projekteve të mëdha të infrastrukturës.
Ku do lëvizim ne në infrastrukturë?
Së pari, përparësi absolute do jetë zgjerimi i autostradës Tiranë-Durrës.
Dy, autostrada Milot-Shkodër, e cila pas Rrugës së Kombit, ka trafikun më të madh në Shqipëri përveç trafikut Tiranë-Durrës.
Bajpasi i Elbasanit, vepër që do fillojë menjëherë, për të cilën ne kemi gati projektin, që ka 12 vite që fle në sirtar. Unë nuk dua të përdor terma të vjetër, të flas për sabotime, por të fillosh ndërtimin e segmentit Elbasan-Librazhd në një segment që nuk ka asnjë lloj bllokimi trafiku dhe të mos ndërtosh me përparësi absolute bajpasin e Elbasanit, i cili u kushton udhëtarëve të paktën gjysmë orë vonesë, nuk them sabotim, por është korrupsion, korrupsion dhe vetëm korrupsion.
Dikush ka paguar Edi Ramën dhe Lubi Ballukun. Por ajo nuk mund të ndodhë.
Mungesa e bajpasit ka neutralizuar favoret e tunelit dhe të autostradës. Në kushtet e trafikut të lirë, Elbasani është bërë qyteti më i afërt me Tiranën.
Pra, hekurudha Tiranë-Prishtinë është projekti më madhor pas Rrugës së Kombit në infrastrukturën e Shqipërisë, që lidh dy vendet tona, por edhe brigjet shqiptare i bën brigjet më të rëndësishme se të gjithë detërat e tjera.
Kjo hekurudhë është një ide e vjetër, që nga Perandoria Otomane e viteve 1880 kur solli hekurudhën në Ferizaj. Kjo hekurudhë ishte një ide e Perandorisë Austro-hungareze.
Kjo hekurudhë u rikthye në tryezë në vitet 2005-2013, kjo hekurudhë do ndërtohet gjatë mandatit të ardhshëm.
Do ndërtohet. Kombi do ketë edhe lidhjen e fortë, të shkurtër hekurudhore.
Po!
Unaza e Shqipërisë do të jetë projekt tjetër madhor infrastrukturor.
Të dashur miq, në vitet 2005-2007, në zbatim të këtij projekti ne ndërtuam dhe rindërtuam rrugë nga Valbona gjer në segmentin Korçë-Ersekë, të cilin e filluam dhe ndërtuam 18 kilometrat e parë.
Kjo unazë do zbriste, do shkonte në Kolonjë, Leskovik, Përmet, Kardhiq, Delvinë. Do rikthehej rruga e bregut, e cila u rindërtua dhe do ndiqte bregun për të dalë në Velipojë dhe për të ecur drejt Hanit të Hotit dhe Vermoshit.
Në ndarjen e vjetër administrative, kjo unazë bashkonte dy të tretat e komunave të vendit. Kjo unazë, e tëra në zonat malore përveç ultësirës bregdetare, bënte disponibël të gjitha pasuritë e mëdha dhe potencialet turistike, bujqësore, blegtorale, etj, të dy të tretave të Shqipërisë.
Unaza me fjalë të tjera urbanizon të gjithë periferinë e Shqipërisë.
Ajo bën të mundur që çdo qendër komune në ndarjen e vjetër, të lidhet me akset kombëtare në kohë 20 minuta.
Këto janë vetëm disa nga projektet me përparësi të madhe të infrastrukturës në 4-vjeçarin që vjen.
Projekte të tjera të mëdha do të vazhdojnë.
Lugina e Drinit ka të gatshëm projektin për autostradën Vau i Dejës-Fierzë.
Por natyrisht thashë, përparësi absolute merr hekurudha.
Nuk po ndalem këtu në projektet e transportit detar dhe ajror, të cilat janë projekte madhështore dhe e bëjnë Shqipërinë epiqendër të transporteve në Ballkan.
Çështja e dytë që dua të sjell sot, thirrja ime këtë ditë feste për të gjithë gjimnazistët, për të gjithë studentët, për të gjithë nxënësit e shkollave 9-vjeçare, për të gjithë të rinjtë, por edhe prindërit, të bashkohen nesër në protestën e madhe anticensurë.
Një tiran i barabartë me Habitullahun e Kabulit, i njëllojtë me Ajatollahun e Teheranit, një intolerant ndaj fjalës së lirë dhe mendimit të lirë, duke shkelur Kushtetutën, duke shkelur ligjin dhe konventat universale të të drejtave të njeriut, i vuri gërshërët TikTokut, duke firmosur në këtë mënyrë aktin më të rëndë të censurës që nga diktatura komuniste, që rrethonte vendin me zhurmues kundër radiove dhe televizioneve të vendeve të tjera.
Një goditje e rëndë shumë për fjalën e lirë, mendimin e lirë, të drejtën e komunikimit.
Një akt i ngjashëm shumë me firmën që Kristaq Rama, babai biologjik i Edi Ramës, vendosi më 10 gusht të vitit 1988 për të varur në litar poetin disident Havzi Nela.
Nesër është një ditë ku ne të protestojmë që të gjithë për fjalën e lirë.
Të protestojmë kundër censurës.
Të protestojmë kundër një qeverie të korruptuar që kërkon të kontrollojë informacionin që marrin qytetarët.
Në dekadat e mia në diktaturë, gjëja që urreja më shumë ishte censura, fondet rezervë të bibliotekave, të cilat mund të shfrytëzoheshin vetëm me autorizime speciale, se përndryshe nuk i prekje dot me dorë.
Kurse Edi Rama tejkaloi edhe këtë dhe censuron TikTokun, mjetin aktualisht më modern të komunikimit.
Bazuar fund e krye në intolerancën e tij ndaj kritikave që i bëhen në këtë mjet.
Garantoj të gjithë shkollarët e Shqipërisë, nxënësit e shkollave 9-vjeçare, gjimnazistët, studentët dhe të tjerët, se me datën 12, TikTokun do e kenë në telefonat e tyre, në kompjuterat e tyre dhe do ndëshkohet rëndë për veprën antikushtetuese një megakrim i përmasave gjigante, Edi Rama për këtë akt të tij.
Ndaj dhe të lëmë çdo gjë në respekt të fjalës së lirë dhe të lirisë, të protestojmë nesër në ora 7 në sheshin Skënderbej të Tiranës, të mblidhemi nga e gjithë Shqipëria.
Veçanërisht të rinjtë.
Kjo është protesta juaj.
Nesër fjala do jetë e juaja.
Nesër fjala e lirë do u ketë ju kalorësit mbrojtës të saj.
Ndaj dhe të mblidhemi të gjithë në mbështetje të tyre në kërkesën që kanë.

PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET
Ermal Rizaj, SYRI TV: Z. Berisha kam një pyetje që i takon çështjes së infrastrukturës. Sot inaugurohet hapja e tunelit të Murrizit, keni ju një koment sa i ka kushtuar qytetarëve shqiptarë, dhe a rrezikon ky tunel të mbyllet siç ndodhi me atë të Llogarasë?
Sali Berisha: Rruga e Arbrit inaugurohet 16 vite pas fillimit të saj. Jo plotësisht bile. 32 kilometra të kësaj rruge u inauguruan para vitit 2013. 27 kilometra rrugë të parashikuara për 160 mln euro, kanë shkuar gjer tani 450 mln euro. Dmth, 3 herë mbi parashikimin. 1 kilometër i saj ka kushtuar 1.2 herë më shtrenjtë se 1 klm i Rrugës së Kombit.
Tuneli i Murrizit është inauguruar gjer sot sipas Edi Ramës dhe Lubi Ballukut, nga 2022 tre herë. Është shpallur që do të inaugurohet këtë datë e këtë datë dhe nuk është inauguruar ndonjëherë.
Uroj me gjithë zemër që tuneli të funksionojë, sepse në vlerësimin tim tuneli është ndërtuar duke shkelur kondicionet dhe rekomandimet e kompanive më prestigjioze të fushës, ndër të cilat kompanitë daneze etj. Uroj edhe njëherë që të jetë i suksesshëm më së fundi. Por zona është realisht problematike.
Kurse parametrat e tjera të asaj rruge janë copë, copë. Nuk ka asnjë parametër, asnjë standard që duhet të plotësojë. Thashë janë, ku ta kapësh më parë. Edhe atë që ndërtuam ne e lanë. Ne ndërtuam gjer në urën e Vashës dhe nga ura e Varës gjer tek ura e Gjoricës ishte e përfunduar, bashkë me tunelin e Qafë Buallit. Ata që e kanë bërë atë rrugë, ata shohin një rrugë e cila vetëm në 27 kilometra ka kushtuar 450 mln euro.
Këta janë të lidhur, me Ramën me tjetrin, janë një konglomerat. Këtë do thosha unë.
Osman Stafa, News24: Dua ta nis pyetjen e parë me qarkun e Elbasanit, që e dini se është një qark mjaft i rëndësishëm për partitë politike, duke qenë se ka 14 mandate dhe në fakt Z. Berisha në këtë listë të mbyllur që ju keni përgatitur, bashkitë si Cërriku, Belshi, Gramshi, Peqini, Librazhdi, Prrenjasi të cilat në zgjedhjet e fundit të vitit 2021 i kanë siguruar 26 mije vota PD, pse keni vendosur që në këto zgjedhje të vitit 2025, të mos i përfaqësoni në listat e mbyllura ? Pra këto 6 bashki të qarku të Elbasanit.
Sali Berisha: Siç ke konstatuar këto zgjedhje janë konceptuar si betejë, fushë beteje. Rrethanat ngushtuese, koalicioni etj., kanë diktuar në këto qëndrime. Unë po vij nga një takim me përfaqësuesit, me deputetët e këtyre zonave. Të garantoj se në sytë e tyre, unë pashë vetëm fitore. Përfaqësues të shkëlqyer, njohës të mirë të qytetarëve, nevojave të terrenit,
Pra mund të them se, pas urimeve me qytetarët e Elbasanit, pjesa tjetër e festimeve të Ditës së Verës për mua në Elbasan, kaloi me një mbledhje pune me ata kandidatë të shkëlqyer të Peqinit, Gramshit, Dumresë, Cërrikut, Librazhdit, Përrenjasit. Me kandidaturat e koalicionit.
Pra pashë aty një ansambël. Nuk mbaj mend ndonjëherë të ketë patur para qytetarëvë të atij qarku një ansambël të tillë.
Nga forca natyrale në fushata, tek njëri prej zërave dhe këngëtarëve më të mirë, më virtuoz të Shqipërisë, siç është Armando Kllogjeri, etj. Zonja të nderuara të gatshme për të sakrifikuar në pozicionin që janë emëruar. Pra u largova nga Elbasani me kënaqësi të veçantë nga takimet që para në rrugë me burra e gra fisnikë në këtë ditë feste, por edhe me përfaqësues të tyre që do jenë në parlamentin e Shqipërisë.
Osman Stafa, News24: Berisha teksa propozuat listat e mbyllura të Partisë Demokratike përpara anëtarëve të kryesisë, kishit parasysh të shpërblenit besniket tuaj apo të ndërtonit një ekip përpara zgjedhjeve të 11 Majit?
Sali Berisha: Po të ndalesh si politolog nuk do të gjesh në 34 vite në skenën politike shqiptare një njeri si Sali Berisha që jo vetëm e pranon, por e parapëlqen diversitetin dhe këtë ta them me bindjen më të thellë. Asnjë njeri nuk është hequr dhe nuk mund të hiqet se Sali Berisha nuk mund ta toleronte atë për mendimet e tij ndryshe nga unë. Kurrë, nuk ndodh ajo.
Atë që e mendojnë këtë. Ndonjë prej personave që mund të ketë menduar se nuk është në listë për këtë arsye, ka gabuar, nuk mund të mbetet kush. Unë në fund të fundit, këtë jetë politike e kam nisur për motivin më themelor të pranimit të mendimit ndryshe. Kjo ka qenë.
Po të më kthesh në origjinë atje ku kam filluar, për mendimin ndryshe e kam filluar. E kam filluar për mendimin ndryshe, kur ai kushtonte ndonjëherë me çmim shumë të shtrenjtë. Nuk heq dorë unë nga ajo. Nuk më pozicionon mua kush se pse, kundërshton apo kritikon në pozicion që unë të them, se nuk të toleroj.
Mund të mendojnë, kjo është normale, por nuk është e vërtetë.
Osman Stafa, News24: Z. Berisha, ju i keni pranuar zgjedhjet e vitit 2013 ku në fakt po të shikosh listën e kandidatëve në këto zgjedhje, ju keni emra të ricikluara nga zgjedhjet e vitit 2013, ku Partia Demokratike mori kundër rreth 900 mijë e ca vota. A mendoni ju se, këto emra nuk i kanë votuar në 2013 do të votojnë në 2025?
Sali Berisha: Ata emra që nuk janë votuar në vitin 2013, në 12 vite kanë dëshmuar besnikërinë ndaj shqiptarëve që nuk i kanë votuar.
Në 12 vite kanë faktuar, se në rast se ka patur ndonjë presupozim ndaj tyre, ka qenë i padrejë sepse ata janë faktuar se ata i kanë shërbyer qytetarëve dhe janë në shërbim të tyre. Janë disa prej tyre, se unë të them patjetër. Kudo në botë po të shohësh, gjen politikanë afatgjatë, gjen politikanë meteorikë, gjen politikanë afatmesëm.
Por ata që janë afatgjatë, të garantoj se kur figura e tyre del e pakompromentuar ata janë një aset i vërtetë për politikën. Ja ku i ke, Edi Rama i kishte të gjithë aty. Bëri gjithçka, me lupë dhe nuk u gjeti dot asgjë.
Pra këta vërtetë janë, disa prej tyre edhe para 2013, por ama kanë qenë shërbëtorë në këtë politikë dhe eksperienca në politikë është aset, nuk është dobësi, ndaj dhe siç janë ata, janë grupi i të rinjve që nuk kanë marrë pjesë kurrë në fushatën elektorale dhe do të futen këtë vit. Unë do të bëjë një analizë statistikore për të gjithë dhe do të ua sjell ju.
Janë jo pak, por janë një grup i gjerë që konkurron për herë të parë. Një gjë është e sigurtë se, formimi i tyre është i shkëlqyer, në tërësi. Është një Shqipëri tjetër.
Mua më erdhi para disa ditësh sekretari i një dege, nuk e kisha takuar. Dhe ai më paraqiti CV e tij. Ai duhet të ishte jo më shumë se 26-27 vjeç, por një CV fantastike dhe më rreshtoi shkurtimisht të gjithë investimin që kishte bërë për formimin e tij politik.
Në këto lista janë kualitete të mëdha. Po ta krahasosh me listën tjetër, kap kokën me dorë. Çfarë është ajo listë, që në listë të mbyllur janë futur personat që i kanë dosjet më të rënda se peshën e trupit, në SPAK.
Po tani ti e di sa dosje ka korba e Covidit, besoj e di, se je marrë me të. Numri i dosjeve të saj, shkon sa dosjet e Erion Veliajt. Por tjetër punë, se Rama këtë e mbron se ka vjedhur me të, edhe me Erionin, por Erionin. Por Erionin e lëshoi se, ai bëri gabimin fatal se u paraqit si zëvendësi i tij. Mos mendo ti se e ka lëshuar Rama atë për arsye tjetër. Absolutisht jo, se e dinte se në 12 maji i zinte vendin ai. Ishte i papërmbajtur në karrierë.
Tha më mirë i futi dhe ato çimkat me Uluziun, ja nxorrë regjistrimet ku i thotë ndër të tjera, Ajolës, shko e thuaji Ramës se, Belinda i ka paguar Olsit 2 mln euro në Greqi. Dhe ajo shkon i thotë, ajo nuk e dinte se çdo operacion aty drejtohej nga Rama. Midis të tjerave, se i keni marrë vesh ju këto, por nuk i publikoni. Plus gjëra të tjera, çfarë kishin aty ato regjistrime të Uluziut dhe Ramës.
Pra nuk kanë të krahasuar.
Anisa Kadesha, RTSH: Do të jeni edhe ju pjesë e protestës së Tik Tok?
Sali Berisha: Do jem pjesë. Nuk jam unë maestro i Tik Tokut, janë të rinjtë. Ata janë frymëzimi, unë aty do të jem ti mbështes, por fjalën e kanë ata, ata do flasin se janë anti censurë.
Tek kryeministria. Protesta është tek kryeministria, para ndërtesës së tiranit, të habitullahut të Tiranës.