Asistencë Ligjore 24/7 për Protestuesit

Këlliçi: Rama është në përpëlitjet e fundit, studentët kërkojnë largimin e tij dhe krijimin e një qeverie teknike. Protesta nuk ka lidhje fare me persona me precedentë penalë

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, deklaroi se demokratët i janë bashkuar  protestës studentore në mbështetje të kërkesave për largimin e menjëhershëm të Edi Ramës, krijimin e një qeverie teknike dhe shpërndarjen e Parlamentit.

Gjatë një prononcimi për mediat në bulevard, Këlliçi e cilësoi protestën si një moment historik për Shqipërinë, duke e krahasuar lëvizjen studentore me atë të dhjetorit 1990. Sipas tij, këtë herë të rinjtë janë të vendosur për të rrëzuar atë që ai e quajti narkoshtet.

“Është e pafalshme për ne, për çdo qytetar, për çdo demokrat, për çdo të ri, që në këtë moment historik për vendin të mos i vijmë në ndihmë kësaj kauze, që nuk është një kauzë vetëm për studentët, por është një kauzë për Shqipërinë dhe gjithë shqiptarët”, u shpreh Këlliçi.

Ai theksoi se kërkesat e studentëve për largimin e Ramës, krijimin e një qeverie teknike dhe shpërndarjen e Parlamentit përputhen me kauzat shumëvjeçare të opozitës për rikthimin e votës së lirë dhe të ndershme.

Prononcimi i nënkryetarit të PD, Belind Këlliçi:

Do të ndodhë ajo që ne kemi paralajmëruar. Kemi njoftuar protestën kombëtare të sotme për t’u ardhur në ndihmë studentëve, me të gjithë demokratët dhe demokratet e Tiranës dhe jo vetëm, por në rang kombëtar. Siç e shihni, demokratët po mblidhen, duke ardhur në mbështetje të një lëvizjeje studentore, e cila është parë vetëm në dhjetor të vitit ’90 dhe që atëherë rrëzoi një sistem diktatorial, por kësaj radhe është e vendosur për të rrëzuar një narkoshtet.

Është e pafalshme për ne, për çdo qytetar, për çdo demokrat, për çdo të ri, që në këtë moment historik për vendin të mos i vijmë në ndihmë kësaj kauze, e cila nuk është një kauzë vetëm për studentët, por është një kauzë për Shqipërinë dhe gjithë shqiptarët.

Ajo çka studentët po kërkojnë sot, që është largimi i menjëhershëm i Edi Ramës, dorëheqja e tij, krijimi i një qeverie teknike dhe më pas shpërndarja e parlamentit, është në fakt thelbi i kauzave tona disa vjeçare për të rikthyer votën e lirë dhe të ndershme në Shqipëri.

Kështu që, thënë këtë, ne do të qëndrojmë këtu, do të jemi në mbështetje të studentëve dhe do të shohim pastaj, me kalimin e minutave, a do të shkojmë nga këtu për t’u bashkuar me studentët apo do të priten studentët këtu. E rëndësishme është që çdo njeri që sot ka një objektiv të qartë për të larguar Edi Ramën duhet të bëhet bashkë për ta rrëzuar Edi Ramën me çdo kusht, me çdo mjet, me çdo çmim.

Këto janë akuza haluçinante në mendjen e një të sëmuri. Vetëm në mendjen e Edi Ramës mund të jesh aq pervers dhe aq i sëmurë sa të akuzosh studentët, elitën e vendit, studentët ekselentë, për akte dhune dhe t’i paraqesësh sikur janë persona me precedentë penalë.

Përgjigjen nuk keni nevojë ta kërkoni te funksionarët politikë, e dhanë vetë studentët dje. Ishte rasti i 20-vjeçarit Joni Sinomeri, i cili ditën e djeshme ishte akuzuar publikisht nga Edi Rama si person i dënuar për kultivim dhe trafikim të lëndëve narkotike. Ndërkohë, ai nxori librezën e notave dhe deklaroi me zë dhe me figurë se ishte student ekselence me mesatare 10 dhe student i Fakultetit të Mjekësisë.

Si rasti i Joni Sinomerit ka shumë raste të tjera, kur Edi Rama i portretizon studentët ekselentë sikur janë persona me probleme dhe me precedentë, për t’i intimiduar, në radhë të parë, studentët dhe më pas për të krijuar atë narrativë që ai kërkon, sikur kjo protestë e studentëve organizohet nga Antifa, gjë që në fakt është vetëm një realitet që ekziston në mendjen perverse të Edi Ramës.

Protesta është e studentëve, protesta është e të rinjve dhe nuk ka asnjë lidhje fare as me persona me precedentë penalë.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale