KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar Edi Ramën për dhunën e rëndë të ushtruar ndaj protestuesve gjatë protestës së 24 tetorit në Tiranë, ndërsa i ka bërë thirrje Prokurorisë të identifikojë dhe të vërë para ligjit autorët e plagosjeve. Në konferencën e sotme për mediat, Berisha deklaroi se PD do të thërrasë protesta të tjera kombëtare dhe u bëri thirrje demokratëve që të bashkohen me studentët. ‘Kryeqyteti i Shqipërisë përjetoi një ditë dhe natë terrori si kurrë ndonjëherë më parë’, u shpreh ai, ndërsa akuzoi policinë për dhunën ndaj protestuesve paqësorë, duke kanë përdorur armët në shkelje të rregullave.
Gjatë fjalës së tij, lideri i opozitës Sali Berisha përmendi edhe rastet e protestuesve të plagosur që janë identifikuar deri më tani, mes tyre Erjon Vishkurti, i cili ka humbur syrin, si dhe qytetarë të tjerë që, sipas tij, pësuan dëmtime të rënda. ‘I bëj thirrje prokurorit, të vërë para ligjit këta punonjës që sillen si kafshë ndaj studentëve dhe qytetarëve. Të sekuestrojë menjëherë planin e përhapjes të Forcave të Rendit. Të identifikojë vrasësit me pagesë 2500 euro që u marrin nishan në syrin apo në ballin apo në gjoksin e protestuesve paqësorë’, u shpreh kryetari i PD-së.
Lideri i demokratëve, Sali Berisha falënderoi studentët dhe qytetarët që iu bashkuan protestës, duke e cilësuar qëndresën e tyre si të jashtëzakonshme. ‘Me çfarë heroizmi, me çfarë epike u përballën studentët dhe qytetarët e Tiranës, në përballjen më të gjatë, 9 orë dhëmbë për dhëmbë me banditët. 9 orë të pamposhtur’, deklaroi ai.
I pyetur nga gazetarët nëse Partia Demokratike do të vijojë organizimin e protestave, Berisha konfirmoi se opozita do të thërrasë protesta të tjera kombëtare. ‘Partia Demokratike pa diskutim që do të thërrasë protesta të tjera kombëtare si në mbështetje të studentëve ashtu dhe për kauzë direkt’, tha ai, duke u bërë thirrje demokratëve të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë që të bashkohen me studentët.
Gjatë fjalës së tij, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha e cilësoi pjesëmarrjen në protestë si ‘impozante’ dhe deklaroi se Tirana nuk kishte parë më parë një masë kaq të revoltuar. ‘Nuk ka patur ndonjëherë kurrë në Tiranë një masë të tillë të revoltuar si kjo ditë.
Ishte, do ta pranojmë ne, ne kemi patur protesta të shkëlqyera, unë nuk mund të them, nuk mund të mohoj atë të 20 shkurtit të vitit ’91. Por ajo, siç e dini, pas orës 2 e 5 minuta u shndërrua në festën më të madhe që kanë bërë ndonjëherë shqiptarët. Lumenj të gëzimit të tyre për shembjen e kultit, e monumentit të Enver Hoxhës’, u shpreh Berisha.
FJALA E PLOTË
Kryeqyteti i Shqipërisë përjetoi një ditë dhe natë terrori si kurrë ndonjëherë më parë.
Gjatë ditës dhe sonte narkobanditë me uniformë të ‘Shqiponjave’ dhe ‘RENEA-s’ kanë ushtruar një dhunë të paparë ndaj protestuesve paqësorë.
Kanë qëlluar me mjete zjarri në shkelje të plotë të rregullave të përdorimit të armëve që përdorin.
Erjon Vishkurti humbi syrin. I diplomuar në gazetari, ndërkohë që në absolute nuk po kryente asnjë veprim të dhunshëm ndaj askujt.
Në sy u plagos një protestuese paqësore tjetër, mbi vetull u godit me plumb një protestues tjetër, në abdomen me plumb, që duhet heq në operacion.
Akte barbare.
40 vjeçari Lorenco Bezani u shkelmua barbarisht në kokë e trupi në kënd, pa asnjë akt, nuk kryente asnjë akt dhune.
Dhjetëra e dhjetëra të tjerë janë torturuar, terrorizuar dhe janë marrë përdhunisht në komisariate, njerëz që s’kanë pasë asnjë lidhje me protestën.
Unë sot këtu, dua t’i informoj shqiptarët se në mënyrë të përsëritur, banditë të droguar me uniformë ngacmojnë në makinat e tyre seksualisht vajzat që marrin. Për të mos thënë jo vetëm vajzat.
Horra si ata nuk ka Shqipëria.
Unë i garantoj shqiponjat e Edi Ramës, banditë të Edi Ramës, shqiponja apo çfarëdo jenë, se akti i parë i përmbysjes, i largimit të padronit të tyre, ato një për një do të përgjigjen para ligjit për krime të shëmtuara.
Për krime, ju e keni marrë vesh, arrestimet e paligjshme me dhjetëra, dhjetëra e dhjetëra.
Një bandë e droguar që beson se do mund të mbajë në pushtet kreun e organizatës kriminale të Shqipërisë.
Jo vetëm do shkrihet, jo vetëm do shkrihet si shërbim, por në absolute, secili prej jush do të procedohet mbi bazën e veprës penale që ka kryer. Sjellje të paimagjinueshme.
Nga ana tjetër, në kontrast me këtë barbari, sot u shpalos me të gjithë forcën qytetare, burrëria, guximi i studentëve dhe qytetarëve të Tiranës në mbrojtje të tyre. Ju e patë, me çfarë heroizmi, me çfarë epike u përballën studentët dhe qytetarët e Tiranës, në përballjen më të gjatë, 9 orë dhëmbë për dhëmbë me banditët. 9 orë të pamposhtur.
Unë kam një mirënjohje të pakufishme ndaj studentëve dhe guximit, trimërisë së tyre.
Dua të falënderoj përzemërsisht ata mijëra qytetarë të Tiranës, që sot u shkrinë në një, me vajzat dhe djemtë e tyre dhe të shqiptarëve.
Që po luftojnë çdo ditë, për secilin prej nesh, po luftojnë çdo ditë, për dinjitetin e këtij vendi dhe këtij kombi. Mbështetja e qytetarëve ndaj studentëve, është e një rëndësie vendimtare, për suksesin e kësaj revolte shpëtimtare për Shqipërinë.
Ndaj dhe falënderoj me shumë mirënjohje ata mijëra e mijëra të rinj, të reja, burra, gra, që vërshuan nga të katër anët e vendit dhe lagjet e Tiranës, me thirrjen e Partisë Demokratike.
Dy sindikatave të pavarura të arsimit, Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, por edhe Urdhrit të Arkitektëve, Inxhinierëve, dhe u bënë një fuqi e jashtëzakonshme sot, në betejë me narkoshtetin.
Falënderoj shumë sindikatat, falënderoj ata qindra, qindra mësues që iu përgjigjën sot thirrjeve të tyre, jo vetëm, po së bashku dhe me nxënësit e tyre.
Falënderoj minatorët, në detyrë dhe pensionistë, që u bënë një në mbrojtje të studentëve. Falënderoj intelektualët, ekspertët, specialistët, të gjithë ata që sot shënuan një moment kulmor në revoltën studentore shpëtimtare.
Falënderoj kryetarët e degëve, anëtarët, simpatizantët, mbështetësit, drejtuesit, deputetët e Partisë Demokratike, që qëndruan në mbrojtje dhe mbështetje të studentëve.
Falënderoj mediat për raportimet e tyre nga sheshbeteja.
Dënoj sulmet ndaj gazetarëve. I kanë hedhur lëndë djegëse Klevin Mukës. Një reporter amerikan e kanë marrë në rajon.
Këta sillen si të droguar, dhe janë të droguar një pjesë e tyre.
I bëj thirrje prokurorit, të vërë para ligjit këta punonjës që sillen si kafshë ndaj studentëve dhe qytetarëve. Të sekuestrojë menjëherë planin e përhapjes të Forcave të Rendit.
Të identifikojë vrasësit me pagesë 2500 euro që u marrin nishan në syrin apo në ballin apo në gjoksin e protestuesve paqësorë.
Ndërkohë që ato armë lejohen përdorimi in extremis dhe vetëm në gjymtyrët e poshtme.
Jam këtu gjithashtu për të shprehur mirënjohje të pakufishme ndaj miqve tanë, në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, Parlamentin Evropian, Këshillin e Evropës, Bundestag, për mbështetjen e revoltës studentore dhe qëndrimin e tyre kundër dhunës ndaj studentëve.
Albi Rakip, SYRI TV: Zoti Berisha, ju keni dalë hapur në mbështetje të protestës studentore që prej nisjes së saj. Ndërkaq, po krahas lëvizjes dhe protestës së ditës së sotme, Partia Demokratike thirri po ashtu protestë pranë ambienteve të Kryeministrisë. Pyetja ime për ju zoti Berisha është, a do të vijojë Partia Demokratike të thërrasë protesta në vijim apo do të shtrijë të gjithë energjinë dhe mbështetjen e saj tek protestat studentore?
Sali Berisha: Të falënderoj për pyetjen.
Së pari, shfrytëzoj rastin t’u bëj thirrje të gjithë demokratëve dhe demokrateve, demokratëve të Tiranës dhe të Shqipërisë, që nesër të bashkohen në orën e protestës me studentët në mbrojtje të kauzës së tyre, në mbështetje të tyre. Kjo e para.
E dyta, kjo e sotmja ishte protestë kombëtare e Partisë Demokratike, e thirrur në mbështetje të studentëve.
Partia Demokratike pa diskutim që do të thërrasë protesta të tjera kombëtare si në mbështetje të studentëve ashtu dhe për kauzë direkt, e cila s’mund të jetë ndryshe nga ajo e studentëve, është e vërteta në këtë periudhë.
Kështu që është një detyrim madhor, jo partiak, të mbështesësh ato vajza që kanë treguar një guxim të jashtëzakonshëm. Ju jeni gazetarë dhe lexoni, po ato kanë fituar një simpati botërore të paparë.
Mediat e botës, rrjetet sociale në botë, ato i mbajnë flamur, edhe djemtë dhe po kështu.
Pra, për çdo shqiptar, aktet e burrërisë, të guximit, të trimërisë të studentëve janë një frymëzim, duhet të jenë një frymëzim.
Por është dhe një detyrim madhor. Çdo prind, çdo gjysh, gjyshe, nënë, baba, çdo qytetar duhet të jetë në këmbë në mbështetje të tyre.
Pse po luftojnë ata? Ata po luftojnë për idealin më atdhetar, po luftojnë që të qëndrojnë në vendin e tyre, të mos ikin siç kanë ikur 750 mijë të tjerë.
Ata po luftojnë pra që ky vend të banohet nga shqiptarë, nga kombi shqiptar dhe Shqipëria të quhet Shqipëri. Nuk ka luftë, nuk ka betejë më atdhetare, më fisnike, më patriotike se kjo.
Albi Rakip, SYRI TV: Zoti Berisha, ju i bëtë thirrje Prokurorisë për të nisur hetime mbi atë se çfarë ka ndodhur në rrugët dhe sheshet kryesore të kryeqytetit të paktën përgjatë 12 ditëve të fundit. A do të ndërmarrë Partia Demokratike hapa ligjorë për zbardhjen e plagosjeve nga më të rëndat dhe ndëshkimin e autorëve?
Sali Berisha: Absolutisht ta dini, ky proces ka filluar.
Dhe unë prapë sot i bëj thirrje Prokurorisë të bëjë detyrën.
Shikoni, ju keni parë me dhjetëra, dhjetëra, dhjetëra studentë të torturuar, të lënduar rëndë, të thyer kockash, të çarë balli, të nxjerrë syri.
Keni parë akte çnjerëzore saqë e vështirë për shqiptarët të dinin nëse janë shqiptarë këto qenie jo njerëzore apo janë mercenarë të importuar.
Pra ne, sigurisht që do bëjmë gjithçka për vendosjen para ligjit. Sikundër i garantoj se Edi Ramën nuk do mund ta mbajnë kurrë në pushtet. Edi Rama ka marrë fund. Ai është kryetari i një organizate të tmerrshme kriminale. Dhe ata do shkojnë pas tij pastaj, do të gjykohen secili për veprën penale që ka kryer.
Të marrin ato 250 euro po absolutisht do i paguajnë, do i paguajnë shumë, shumë shtrenjtë.
Pyetje: Zoti Berisha, protesta e sotme si një protestë mbarëkombëtare e thirrur nga opozita, ju vetë nuk ishit sot në shesh, dhe si e konsideroni pjesëmarrjen e demokratëve?
Sali Berisha: Së pari, i sigurt të jesh se non-stop kam qenë në krye të detyrës.
Dhe unë qëndroj aty ku më thërret detyra. Kur më thërret në shesh, ju e dini që unë dal në shesh. Kur më duhet të qëndroj diku tjetër, qëndroj diku tjetër.
Përsa i përket pjesëmarrjes, ajo ishte një pjesëmarrje impozante. Impozante, ju e patë, si kurrë sheshi nuk ka qenë ndonjëherë më i mbushur.
Dhe natyrisht, në klimën e krijuar, në klimën e terrorit, janë guximtarët ata më të parët.
Por e vërteta është që protesta pati përmasa shumë të mëdha, dora, dorës.
Duhet të them, nuk kemi qenë vetëm. Kanë qenë sindikatat, kanë patur jo përfaqësues, po me qindra e qindra mijëra anëtarë të tyre. Kanë qenë qytetarë të lirë të cilët kanë dalë.
Pra nuk ka patur ndonjëherë kurrë në Tiranë një masë të tillë të revoltuar si kjo ditë.
Ishte, do ta pranojmë ne, ne kemi patur protesta të shkëlqyera, unë nuk mund të them, nuk mund të mohoj atë të 20 shkurtit të vitit ’91.
Por ajo, siç e dini, pas orës 2 e 5 minuta u shndërrua në festën më të madhe që kanë bërë ndonjëherë shqiptarët.
Lumenj të gëzimit të tyre për shembjen e kultit, e monumentit të Enver Hoxhës.
Kurse kjo vazhdoi deri në ora 10.
Faleminderit.


