Duke folur në ceremoninë e prezantimin të veprës së Giuseppe Tatarellës, ‘E djathta drejt së ardhmes’, një dorëshkrim i pabotuar më parë, me parathënie të Kryeministres së Italisë, Giorgia Meloni, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh se, politikani italian Pinuccio Tatarella, është një nga reformatorët më të rëndësishëm të së djathtës europiane pas rënies së Murit të Berlinit.
Gjatë fjalës së tij, Berisha e vuri theksin tek roli i Tatarellës në transformimin e së djathtës italiane, duke e paraqitur atë si një nga figurat kyçe që solli ndryshimin e madh në skenën politike të Italisë, së bashku me Silvio Berlusconin. Në këtë kontekst, ai vlerësoi edhe ish-kryeministrin italian Silvio Berlusconi, duke e konsideruar si një prej liderëve që ndryshuan kursin politik të Europës Perëndimore.
‘Pinuccio Tatarella ishte avokati i shqiptarëve në institucionet europiane,’ u shpreh Berisha, duke theksuar se figura e tij ka luajtur një rol të rëndësishëm në mbështetjen e Shqipërisë në momente kyçe të integrimit dhe në forcimin e lidhjeve me të djathtën europiane.
Në fjalën e tij, Berisha e paraqiti periudhën pas rënies së komunizmit si një moment transformimi të thellë politik në Europë, ku sipas tij, e djathta italiane u përball me sfida të mëdha, por u ringrit përmes figurave si Tatarella dhe Berlusconi, duke u shndërruar në një ‘lokomotivë të progresit europian’.
FJALA E PLOTE:
Të dashur miq,
Së pari, dua të falënderoj nga zemra mikun tonë Tatarella, i cili vendosi të prezantojë në Shqipëri, në Tiranë, një libër kushtuar reformatorit të madh, një italiani të madh, të pavdekshmit Pinuccio Tatarella.
Kam pasur rastin ta njoh dhe ta takoj shumë herë Pinuccio Tatarellën. Që në fillim kam vënë re respektin e tij për Shqipërinë dhe shqiptarët. Do t’i mbetem përherë mirënjohës, sepse me zërin e tij në qeverinë italiane, në Itali, por edhe në Parlamentin Europian, Pinuccio Tatarella ishte një avokat i shqiptarëve, i Shqipërisë dhe i programit të Partisë Demokratike.
Ky libër përfaqëson një pjesë të punës së madhe që Pinuccio Tatarella bëri për të reformuar jo vetëm një parti të djathtë në Itali, por të gjithë qendrën e djathtë dhe skenën politike italiane pas rënies së Murit të Berlinit.
Siç e dimë të gjithë, pasojat e kësaj ngjarjeje në Itali ishin të paparashikueshme. Në një mënyrë ose në një tjetër, qendra e djathtë italiane pësoi një goditje të madhe.
Por në skenë hyri Silvio Berlusconi, i pavdekshmi Silvio Berlusconi.
Dhe më lejoni të falënderoj qeverinë italiane, sepse sot mësova se aeroporti i Milanos, Malpensa, mban tashmë emrin ‘Aeroporti Silvio Berlusconi’. Ky është vërtet një moment i rëndësishëm për miqtë e tij, për italianët dhe për miqtë e tij në mbarë botën.
Hyrja e Silvio Berlusconit në skenën politike italiane dhe gjenialiteti reformues i Pinuccio Tatarellës arritën të krijonin një qendër të djathtë fituese, një lokomotivë të vërtetë të përparimit të Italisë dhe të Europës.
Më kujtohet shumë mirë se Pinuccio Tatarella ishte reformatori i lëvizjes së vjetër ‘Movimento Sociale Italiano’, duke e shndërruar atë në ‘Alleanza Nazionale’, me një lidership të ri dhe të ri në moshë, duke vendosur në themelet e kësaj force politike vlera universale si përgjegjësia ndaj institucioneve dhe toleranca. Ai arriti ta bënte këtë parti një nga shtyllat më të rëndësishme të qendrës së djathtë italiane.
Tatarella udhëhiqte parlamentarët italianë në Parlamentin Europian. Ai i jepte gjithmonë një mbështetje të madhe grupit të Partisë Popullore Europiane në këtë parlament. Më kujtohet shumë mirë se shumë herë përfaqësuesit e tij votonin së bashku me deputetët e ‘Forza Italia’ dhe të ‘Lega Nord’, duke luajtur kështu një rol shumë të rëndësishëm në vendimmarrjet e Parlamentit Europian në Bruksel.
Edhe një herë, duke shprehur respektin tim më të madh për të pavdekshmin, për gjeniun e politikës italiane dhe për reformatorin e madh Pinuccio Tatarella, falënderoj mikun tonë që erdhi mes nesh për të zhvilluar një debat mbi këtë libër.
Ju faleminderit shumë.


