Programi ekonomik i PD/ Berisha: Zero taksa për biznesin e vogël dhe profesionet e lira. Ulje nga 15 në 2% të taksës së shitjes së pronës, ulje të çmimit të karburanteve. Do të krijohen 4 zona të lira ekonomike

KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka prezantuar sot në një konferencë me gazetarët programin ekonomik të PD-së për qeverisjen 2025-2029. Gjatë fjalës së mbajtur për gazetarët, Beriha ka theksuar se, do të ketë zero taksa për profesionet e lira dhe biznesin e vogël. Gjithashtu Berisha tha se në programin ekonomik të PD, do të ulet nga 15 në 2%, e taksës së shitjes së pronës. Ky program ekonomik sipas kreut të PD, do të ndezë  fuqishëm motorët e sipërmarrjes së prodhimit në Shqipëri për të ngritur sa më larta moton ‘Made in Albania’.

Gjatë fjalës para gazetarëve, lideri i demokratëve Sali Berisha ka prezantuar pjesë të programit qeverisës të pas 11 majit. ‘Do të rishikohet në total sistemi aktual i gjobave dhe ndëshkimeve armiqësore ndaj biznesit’. ‘TVSH do të rimbursohet në kohë reale dhe nuk do të jetë më diskrecion ministror’, tha ai. ‘Ligji për investimet strategjike, siç është nuk do të ekzistojë. Korporata e Investimeve Strategjike, korporata e korrupsionit më të madh në histori, merr fund javën e parë të qeverisë së PD dhe aleatëve’, deklaroi bindshëm Berisha.

Kryedemokrati Sali Berisha u shpreh se, do të krijohen 4 zona të lira ekonomike në 4 qarqe të vendit, ku do të ofrohen të gjitha lehtësirat, me kushtin e vetëm që investitori të ketë një biografi investimesh disavjeçare në vendin e tij, ndërsa përjashtësoi mundësinë e pranimit të parave nga kontot ofshore. Në konferencën me gazetarët në PD, Berisha tha se fermeri do të ketë një ID, ku do të identifikojë niptin, ndërsa premtoi mbështetje dhe subvencionim direkt për fermerin. ‘Kjo është paketa më e fuqishme rregullatorë dhe fiskale që është paraqitur ndonjëherë në historinë e vendit’, u shpreh ndër të tjera lideri demokrat.

‘Programi ekonomik i PD do të forcojë stabilitetin ekonomik dhe do të hapë masivisht vende pune’. Kështu tha kreu i opozitës Sali Berisha gjatë një konferencë shtypi duke folur për projektin e PD-së për qeverisjen 2025-2029. ‘A mjafton një mandat? Plotësisht. Ku e bazoj këtë? Unë e bazoj në eksperiencën e parë. Ne nuk ecim në rrugë të panjohur tani. Kur kemi vendosur për herë të parë taksën 10%, FMN është ndarë mënjanë, na ka thënë se, ju bëjeni ne do ju vëzhgojmë. Ne nuk u këshillojmë ta bëni, ne u këshillojmë të gjejmë një rrugë të ndërmjetme’, tha Berisha në konferencën për mediat.

Kreu i PD-së Sali Berisha i është përgjigjur interesimit të gazetarëve, lidhur me udhëheqësin e fushatës së PD në zgjedhjet e 11 majit, Chris LaCivita. Sipas Berishës, Chris LaCivita është në aktivitet të plotë, ndërsa shton se PD është në komunikim të përditshëm me të. ‘Ai nuk është oficer fushe, ai është Marshall, e kuptoni vetë’, është shprehur Berisha.

Gjatë konferencës për shtyp, lideri i opozitës Sali Berisha ka folur edhe për Paketën e Dhembshurisë që është projektuar nga PD. ‘Ky premtim është vetëm fillestar’. ‘Premtimi prapa tij është ‘shqiptarët më mirë të paguarit në rajon’’, tha lideri demokrat. ‘Ky premtim është vetëm fillestar. Premtimi prapa tij është ‘shqiptarët më mirë të paguarit në rajon’. Kur shqiptarët më mirë të paguarit në rajon, atëherë vazhdoj që të mos ua dalë kush përpara dhe jemi shumë në rregull’, nënvizoi Berisha gjatë fjalës së tij.

Kryedemokrati Sali Berisha është shprehur se çdo kandidat dhe aktivist i PD, duhet të angazhohet me shpjegimin e programit ekonomik të PD. Sipas Berishës, nuk është koha që PD të merret me zhapinjtë e kundërshtarit, që për liderin e demokrarëve nuk janë të paqëllimta. ‘Do të flasim paketën tonë të dhembshurisë, do të marrim mendime për pastrimin e shtëpisë dhe për shndërrimin e Shqipërisë në një qendër të ’hightec’ në rajon dhe superfuqi energjetike’, theksoi Berisha.

Kryetari i PD-së Sali Berisha premtoi gjatë daljes së tij për mediat se, ‘brenda mandatit 2025-2029 çështja e pronave do zgjidhet përfundimisht’. ‘Dosjet e pronarëve në 12 vite, Edi Rama ka zgjidhur gjithsej 800 dosje. Thashë ka zgjidhur gjithsej 800 dosje. E paimagjinueshme. 800 dosje në 12 vite, i bie më pak se 70 dosje në vit. E kuptoni çfarë pune, Artan Lame, se ai ka disa agjenci të përfshira këtu. Kështu që kjo merr përgjigje përfundimtare. Do të zgjidhet brenda 1 mandati, sado që të kushtojë’, theksoi Berisha gjatë konferencës me gazetarët.

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha u shpreh se, ai asnjëherë nuk e ka shkelur fjalën e dhënë, ndërsa ka premtuar të mos ndalet deri sa Shqipëria të dalë e para në rajon për pagat dhe pensionet. Duke folur në konferencën me gazetarët në selinë blu, Berisha tha se nuk e bën kurrë një premtim pa u menduar mirë për të. ‘Mund të mos ketë nevojë për rritje kaq të mëdha, por indeksime dyfish’, u shpreh Berisha.

FJALA E PLOTE:

Pas një takimi frymëzues, mahnitës në stadiumin e Napolit, me mijëra qytetarë shqiptarë të diasporës në këtë qytet, kthehem më i inspiruar se kurrë në projektin tonë dhe konkretisht në shtyllën e tij të dytë, dhe themelore ‘Made in Albania’. Shtyllë e cila ka qëllime kryesore, prodhimin, prodhimin, prodhimin.

Që do të thotë punësim, punësim, punësim për shqiptarët.

Që do të thotë rritje rrogash, rritje rrogash, rritje rrogash për shqiptarët.

Pra, ne do të bëjmë gjithçka për të ndezur fuqishëm motorrët e sipërmarrjes së prodhimit në Shqipëri, me moton ‘Made in Albania’.

Duhet që prodhimet shqiptare të mbushin tregun shqiptar dhe të vërshojnë në tregjet e tjera.

Për këtë qëllim ne jemi të zotuar të garantojmë konkurrueshmëri të ndershme, me ligj dhe të sigurtë.

Të garantojmë nivelin më të ulët të taksave në Europë.

Të sigurojmë, derregullimin më të madh në interes të biznesit.

Të sigurojmë klimën më miqësore dhe kjo jo me fjalë, por me vepra, ligje, vendime konkrete.

Në këtë kuadër, do të zbatohet tatimi 10% mbi të ardhurat nga puna, duke përjashtuar 50 mijë lekët e para.

Tatimi 10% mbi të ardhura të tjera, jo nga paga.

Zero taksim mbi profesionet e lira dhe biznesin e vogël.

Tavani vjetor për tatim fitim, zero për biznesin e vogël, do të jetë 18 milionë lekë, apo 500 euro në ditë.

Kufiri i përjashtimit nga TVSH do të jetë po ashtu në masën 18 mln lekë xhiro vjetore, apo 500 euro në ditë.

Ulje nga 15 në 2 % të taksës së shitje së pronës dhe për këtë qëllim krijimi i kadastrës fiskale për përcaktimin e çmimeve të referencës.

Bie taksa ‘Rama’ e karburantit dhe karburantet nuk do të shiten në Shqipëri me një çmim që ndryshon +-10% nga ai i Kosovës dhe Maqedonisë.

Do të reduktohet 4 herë inspektimi nga inspektorë të ndryshëm në biznese, 4 herë.

Do të bëhet gjithçka për dixhitalizimin më të plotë të veprimtarisë së bizneseve.

Do të thjeshtohet në maksimum legjislacioni fiskal, për të siguruar qëndrueshmëri të kodit dhe ligjeve fiskale.

Do anulohen të gjitha lehtësirat fiskale të dhëna nga ligje dhe vendime preferenciale, të porositura nga familjarë dhe oligarkë të qeveritarëve.

Paguajnë taksën 6%, në një kohë kur qytetari e paguan TVSH 20%.

Ligji për investimet strategjike, siç është nuk do të ekzistojë. Korporata e Investimeve Strategjike, korporata e korrupsionit më të madh në histori, merr fund javën e parë të qeverisë së PD dhe aleatëve.

Do të rishikohet në total sistemi aktual i gjobave dhe ndëshkimeve armiqësore ndaj biznesit.

TVSH do të rimbursohet në kohë reale dhe nuk do të jetë më diskrecion ministror.

Do të ngrihet menjëherë bordi i cili do të përcaktojë kompensimin e pasojave që vijnë nga ndryshimi i kursit të këmbimit, në mbrojtje të sipërmarrësve dhe prodhimit vendas, pasi narkoeuro është shndërruar në një shpallë demokleu për to dhe ata do të kompensohen.

Ekonomia informale do të përgjysmohet.

Objektivi afat mesëm për të ardhurat buxhetore do të jetë 30%.

Në programin e sipërmarrjes janë disa kategori që do të kenë trajtim të veçantë.

Këta janë të rinjtë, gratë dhe diaspora. Zero sigurime shoqërore dhe shëndetësore për 12 muaj, për punësimin e parë të të rinjve nga sipërmarrësi gjer në moshën 25-vjeçare.

Gjithashtu përjashtim nga pagesa e tatimit mbi të ardhurat deri në moshën 25-vjeçare.

Stimuj fiskal dhe mbështetje financiare për investitorët nën moshën 35 vjeç.

Studentët, profesionistët do të mbështeten çdo vit me grante 5-30 mijë euro për startupet që do të fillojnë.

Do të hiqet barra e tatim fitimit për gratë që hapin një biznes dhe subvencionohen sigurimet shoqërore dhe shëndetësore për to dhe stafin e tyre, me kushtin që të paktën gjysma e të punësuarve të jenë gra e vajza, ose të rinj deri në moshën 30 vjeç.

Do të krijohen 4 zona të lira ekonomike në 4 qarqe kryesore të vendit në të cilat do të ofrohen të gjitha lehtësirat, me kushtin e vetëm që investitori të ketë një biografi investimesh disavjeçare në vendin e tij dhe nuk do të pranohet asnjë qindarkë nga kontot ofshore.

Investimet në zonat e lira industriale duhet të kenë transparencë të plotë.

Janë disa qarqe që do të përzgjidhen për krijimin e tyre.

Shqipëria është e fundit, nuk ka asnjë zonë të lirë industriale, në një kohë kur Maqedonia e Veriut ka 6 zona dhe po hap të tjera, Serbia ka 18 zona.

Do të u ofrohet defiskalizimi i të gjitha kompanive të huaja që hapin të paktën 20 vende pune në sektorin e IT dhe do merren me inteligjencën artificiale për 3 vitet e para.

Banka e Zhvillimit që do ngrihet për të mbështetur zhvillimin ekonomik, do të mbështesë fuqishëm startupet me preferencë të të rinjve.

Diaspora. Çdo investitor që vjen nga diaspora në Shqipëri, 5 vitet e para nuk do të ketë asnjë taksë. E theksova se taksat lokale nuk do të mund të jenë kurrë më shumë se 1% e xhiros vjetore, janë 10 fishi sot. Ai thotë se e kam bërë zero biznesin e vogël, ndërkohë që u janë 10-fishuar taksat lokale.

Përveç kësaj, për të rinjtë që vijnë nga diaspora, do të parashikohen për startupet e tyre edhe grante nga 5 në 30 mijë euro.

Kompanitë të cilat prodhojnë në lëvizjen ‘Made in Albania’ do të kenë mundësi të pëfitojnë nga fondet mbi dixhitalizimin, me qëllim automatizimin e proceseve prodhuese dhe rritjen e produktivitetit.

ID do të jetë nipti i fermerit, ID, letërnjoftimi.

Mbështetje direkte për sipërmarrjen bujqësore shumë të ndjeshme.

Subvencionim për çdo njësi prodhimi, për çdo krerë bagëti e fidanë të mbjellë.

Simetrizimi i menjëhershëm i TVSH në sektorin e përpunimit të produkteve bujqësore.

Garantimi i një të gjitha shërbimeve dhe këshillimeve për sistemin bujqësor nga autoritete vendore.

Pra kjo është paketa më e fuqishme rregullatorë dhe fiskale që është paraqitur ndonjëherë në historinë e vendit.

Janë tejkaluar siç e shihni, ndjeshëm kuadri ligjor i vitit 2006-2013 në të cilin Shqipëria zuri një nga vendet më të mira për klimën e biznesit.

‘Made in Albania’ do të jetë shtylla e krenarisë kombëtare të shqiptarëve.

Ndaj dhe ne e quajmë themelore realizimin e kësaj reforme në ekonomi. Pra me fjalë të tjera, ekonomia, ekonomia, ekonomia, do të jetë themeli i programit tonë.

PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET:

Isa Myzyraj, OraNews: Z. Berisha kam dy pyetje. E para lidhet me programin ekonomik që ju prezantuat ditën e sotme. A është i mjaftueshëm, pra mandate i parë i qeverisës, pra 4 vite për të bërë të gjithë këto reforma, dhe a ruhet stabiliteti ekonomik i vendit pasi ka një ndërhyrje të thellë në sistemin ekonomik dhe fiskal. A jeni ju i sigurt që ruhet stabiliteti ekonomik i vendit me gjithë këto ndryshime rrënjësore?

Sali Berisha: A mjafton një mandat? Plotësisht. Ku e bazoj këtë? Unë e bazoj në eksperiencën e parë. Ne nuk ecim në rrugë të panjohur tani. Kur kemi vendosur për herë të parë taksën 10%, FMN është ndarë mënjanë, na ka thënë se, ju bëjeni ne do ju vëzhgojmë. Ne nuk u këshillojmë ta bëni, ne u këshillojmë të gjejmë një rrugë të ndërmjetme.

Jo i thamë ne, do ta bëjmë se e kemi premtim dhe ne e bëmë. Çfarë ndodhi? Ndodhi që pas 6 muajsh ne na u krijuan të ardhura shumë më tepër. Jo që nuk na u ulën, por të ardhurat na u rritën në mënyrë të ndjeshme. Por çfarë bëmë ne? Ua lamë prap biznesit ato të ardhura. Ua ulëm prap taksa të tjera.

Tani ne kemi një rrugë të njohur ne këtë, ndaj ne japim garanci të plotë se, jo që nuk do të cenojë, por do të forcojë stabilitetin ekonomik, do krijojë masivisht punësim, do të nxisë masivisht prodhimin.

Në 8 vite, nëse ju do të merrni dhe studioni, eksportet që janë prodhim, eksportet u rritën me 320%. Eksportet po bien në mënyrën më dramatike nga muaji në muaj, nga viti në vit.

Kam parë të dhënat e fundit, janë tronditëse. Ka ra nga Janari në muajin Shkurt, kanë rënë 28%. Rënie dramatike, po i mbyllin. I shkatërroi euro. Euro është bërë një monedhë toksike për Shqipërinë.

Bordi çfarë do të bëjë bordi. Këtë mund ta bënte qeveria pa asnjë lloj vështirësie. Bordi përcakton çdo sipërmarrje, cila është goditja që merr nga narko euro dhe ja kompenson. Kaq.

Nuk hy dot në kursin e këmbimit qeveria. Ne krijojmë një bord dhe kompensojmë eksportuesin për aq sa humbet nga kursi i këmbimit në mënyrë që ai të punojë i qetë.

Isa Myzyraj, OraNews: Pyetja e dytë, lidhet me strategun Amerikan Chris La Civita. A ka nisur punën pra zyrtarisht për Partinë Demokratike apo do të jetë vetëm në fushatën zyrtare, pra 30 ditëshi i përcaktuar në fushatë elektorale?

Sali Berisha: Chris LaCivita unë të garantoj që është në aktivitet të plotë dhe unë jam në komunikim vazhdueshëm me bashkë krye strategun e fitores më të shkëlqyer në historinë e njerëzimit që ishte fitorja e Donald Trump.

Të vazhdueshëm, online.

Shpejt përfaqësuesi i firmës do të stacionojë këtu me ekipin tonë, ai do të vijë, do të shkojë. Me një fjalë është në aktivitet të plotë.

Unë nuk e di pse bëhet kjo pyetje.

Ai nuk është oficer fushe, ai është Marshall, e kuptoni vetë.

Enkel Xhangoli, KlanNews: Z. Berisha nëse për planin ekonomik përsa i përket uljes së taksave apo përmirësimit të biznesit, ju thoni që kaloni në një rrugë të njohur për ju por, ju keni premtuar dhe një rrugë që është e panjohur deri tani për Shqipërinë, kthimi i parave të vjedhura ndaj qytetarëve. Nëpërmjet tyre ju keni premtuar se do të rrisni paga dhe pensione duke anuluar qoftë tendera abuziv apo dhe PPP-të që ka bërë kjo qeveri, por këto tendera sigurisht nuk mund të anulohen me një të rënë të lapsit, pasi do të kërkohen hetime të cilat do të bëhen nga drejtësia, por dhe një drejtësi që nuk keni besim dhe keni premtuar që do ti bëni reformim nëse do të vini në qeveri.

Sa kohë mendoni se do të hajë i ky proces, pasi ne e kemi parë që reformimi i drejtësisë kërkon vite gjithashtu, po edhe hetimet për këto tendera po kërkojnë vite gjithashtu mendoni se do realizohen këto në një mandat duke premtuar qeverisëse dhe qoftë që në ditët e para të qeverisë tuaj po mendoni që mund të realizohen këto për katër vite.

Sali Berisha: Së pari, do të marrim paketën e dhembshurisë që e quajmë ne.

Paketa e dhembshurisë ju siguroj 100% se, mund të realizohej absolutisht që këtë vit.

Po të kishte vullnet qeveria, po të kishte ndjeshmëri qeveria ndaj këtyre hallexhinjve, nga ai 8 miliardë buxhet do të linte 25% për rrogat dhe pensione. Do të linte 2 miliardë. Dhe me 2 miliardë i jepte përgjigje totale të gjitha premtimeve për rritjen e rrogës mesatare në 1250 euro, rritjen e rrogës minimale në 500 euro, vendosjen e minimumit jetik dhe rritjen e pensioneve dhe këto maksimumi kaq ishin.

Po ky çfarë nisën? Ky thotë se s’më lejon fondi, u thotë pensionistëve se, fondi i pensioneve është i juaji, unë nuk mund të marr paratë e buxhetit e ti sjell tek fondi juaj, në një kohë kur është bërë gjatë qeverisjes së mëparshme jo njëherë, por disa herë, ndaj dhe pensionet e u rritën nga 36 euro në 82 euro pensioni minimal. Ndaj pensioni mesatar u rrit nga 90 në 145 euro dhe pensionet maksimale u rritën me 30%.

Dhe nuk pësoi asnjë lloj destabilizimi, fare.

Ky premtim është vetëm fillestar. Premtimi prapa tij është ‘shqiptarët më mirë të paguarit në rajon’.

Kur shqiptarët më mirë të paguarit në rajon, atëherë vazhdoj që të mos ua dalë kush përpara dhe jemi shumë në rregull.

Vetëm pashpirtësia dhe mungesa e predispozitës. Kujt i thotë ai, se po të ndërhyrë në fondin e pensioneve, po të çojë para nga buxheti, bëhet qameti, përmbyset Shqipëria, kthehemi në mesjetë.

Këta janë gënjeshtrat e një njeriu që nuk e ka për gjë të tallet me ata të cilët s’kanë dhe ia verbon sytë luksi në të cilin jeton. Kopshti i Edenit, shishja 33600 euro, avioni privat si sulltan. Por njeriu nuk mund ta thotë atë fjalë.

Po pse Albin Kurti mori 100 mln euro dhe i çoi në fondin e pensioneve para 4 muajve dhe u tha pensionistëve se me këto 100 mln euro, secili nga ju do të ketë një pension 20% më të lartë.

Nuk jemi një vend ne si Britania e Madhe, Franca apo Gjermania me një traditë të madhe fondesh pensionesh, etj., ne po e konsolidojmë, kjo është historia jonë.

Nuk ka asnjë lloj pengese.

Ermal Rizaj, SYRI TV: Z. Berisha prej kohësh ju prezantoni programin tuaj për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit. Dhe  pas 11 majit nëse PD vjen në pushtet, a mjafton që këtë program ta prezantoni vetëm ju apo ju keni dhënë direktiva drejtuesve politik dhe kandidatëve gjatë kësaj kohe, ku do të jetë fokusi i kandidatëve politik?

Sali Berisha: Çdo kandidat, çdo aktivist i PD duhet nga mëngjesi gjer në darkë, të merret me programin e PD, të merret me shpjegimin e këtij programi, me ofertën e tij, dhe në një përqindje minimale të merret me kundërshtarin.

Sepse kundërshtari, imagjinoni ju, ka krijuar skenën e tij me zhapinj, hardhuca, zhaba, do të shtojë dhe gjarpërinjtë aty, minjtë. Pse me këto do të merremi ne. Jo.

Ne do të merremi me punësimin, me rrogat, pensionet, minimumi jetik.

Ai nuk i ka të paqëllimshme ato, sepse propaganda është propagandë.

Ai ka bërë ato zgjedhje sepse mendon se mund ti hutojë shqiptarët, mund ti ç’orientojë, mund të zhvlerësojë dhe programin.

Kur ne themi minimumi jetik, ai thotë zhapinj, e kur themi me rradhë ne. Por ne nuk do biem në ato kurthe. Ne do të paraqesim programin tonë, kjo është e gjithë beteja jonë.

Ne shkojmë me program te çdo qytetar, në derë, rrugë, kafe, kudo që ta takojmë ne do të flasim programin tonë ekonomik, do të flasim paketën tonë të dhembshurisë, do të marrim mendime për pastrimin e shtëpisë dhe për shndërrimin e Shqipërisë në një qendër të ’hightec’ në rajon dhe superfuqi energjetike.

Ne e kemi të thjeshtë.

Osman Stafa, News24: Z. Berisha në fakt duke qenë shumë vite në politik, keni premtuar edhe shumë përpara shqiptarëve pra në zgjedhje që nga vitet 90, 2005 dhe tashmë edhe në 2025 cila është garancia juaj që ju jepni shqiptarëve që këto çfarë po premtoni para zgjedhjeve ti zbatoni, sepse edhe çfarë ju premtoni është një sfidë duke ditur dhe ekonominë e Shqipërisë edhe vendin tonë. Cila është garancia?

Sali Berisha: Unë mendoj se garancia më e madhe qëndron në memorien e shqiptarëve, të cilët në rast se rikthehen dhe lexojnë në memorien e tyre, do të gjejnë se, unë e kam mbajtur fjalën ndaj tyre.

E kam mbajtur fjalën edhe kur ajo ka patur një çmim shumë të madh, sepse do të thuash do të dyfishoj rrogat, në fakt jo për lavdërim, por nuk di ndonjë tjetër ta ketë bërë atë, në një kohë të shkurtër qe e kemi bërë ne, se pothuajse është e pabëshme, por ne e bëmë.

Të thuash se, do të transformojmë infrastrukturën, ne e bëmë.

Pra unë mendoj se çdo shqiptar mjafton të rikujtojë premtimet kryesore dhe do të gjejë se, ato janë mbajtur.

Ai buxhet është përdorur në mënyrën më të vendosur në interes të qytetarëve shqiptarë. Nëse shqiptarët, një prej tyre gjen një gjë madhore që unë nuk e kam mbajtur, le të ma thotë, por unë i kam mbajtur ato, por unë i kam mbajtur ato edhe i mbaj.

Sepse do të ju them këtu, para se të bëj një premtim e mendoj jo 7, por 17 herë. Nuk bëj unë premtim kurrë pa e pas menduar mirë.

Unë ju them tjetrën. Këto shifra që unë kam dhënë mund të ishin edhe pak më të larta, por unë kam dhënë shifrat e arsyeshme, sepse unë kam ndërmend të shkoj dhe më lart.

Nuk ndalem deri sa të dalim në krye të rajonit me rrogat dhe pensionet.

Atëherë mund të mos ketë nevojë për rritje kaq të mëdhaja, por indeksime dyfish.

Osman Stafa, News24: Pyetja e dytë: Z. Berisha a kane qenë premtimet e juaja të vitit 2025, kthimi i pronave te pronarët, legalizimet të paktën këto të dy tema.

Sali Berisha: Shumë e vërtetë. Po marr të parën. Gjatë viteve 2005-2013, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ka patur një bilanc të jashtëzakonshëm në dhjetëra e mijëra vendime të marra. Mbetën në atë kohë 10% të dosjeve të paevaduara.

Ju duhet të dini një gjë.

Dosjet e pronarëve në 12 vite, Edi Rama ka zgjidhur gjithsej 800 dosje. 800 dosje në 12 vite, refuzim i tmerrshëm për të zgjidhur problemin.

E dyta ka një moment, për shkaqe nga më të ndryshmet gjithmonë shtyhet afati i paraqitjes së dokumenteve dhe nuk ka një gjë të gabuar këtu. Nëse s’ke ndërmend me ja marrë pronën tjetrit, jepi mundësi. Se kështu ishte historia e këtij vendi.

Afatet e paraqitjes së dokumenteve janë shtyrë çdo 2-3 vite. Dhe kjo çfarë nënkupton. Kjo nënkupton dosje të reja. Megjithatë zotimi im solemn është brenda mandatit 2025-2029 çështja e pronave merr përgjigjen absolute përfundimtare.

Kur ne u larguam nga pushteti ne vërtetë kishte 10% të dosjeve të pazgjidhura, por ama kishim siguruar një fond 71 mijë hektarë tokë publike për të kompensuar në zona shumë të mira.

Atë fond e ka shkatërruar Edi Rama. Thashë ka zgjidhur gjithsej 800 dosje. E paimagjinueshme. 800 dosje në 12 vite, i bie më pak se 70 dosje në vit. E kuptoni çfarë pune, Artan Lame, se ai ka disa agjenci të përfshira këtu.

Kështu që kjo merr përgjigje përfundimtare. Do të zgjidhet brenda 1 mandati, sado që të kushtojë.

Së dyti, po kështu edhe të përndjekurit politikë, shoqëria do ti dëmshpërblejë detyrimin që ka ndaj tyre. Ky është qëndrimi i PD.

Andon Kello, AbcNews: Z. Berisha pak ditë më parë departamenti Amerikan i Shtetit publikoj raportin për narkotikët dhe volumin e dytë për pastrimin e parave, vlerësohej puna e SPAK dhe veçanërisht hetimet dhe akuzat e ngritura ndaj jush. Sa i besoni ju këtij raporti të ri të Departamentit Amerikan të shtetit.

Sali Berisha: Ai raport shprehte një fakt, ajo ka ndodhur, unë besoj se nuk gënjente. Të them se nuk gënjente, jo. Thoshte një fakt që ajo ka ndodhur dhe unë e kam denoncuar atë me qindra e mijëra herë.

Kështu që nuk kishte gjë të re.

Ju falënderojmë!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale