FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË VIZITËN TEK KISHA ORTODOKSE NË KAVAJË
EKSTRAKT
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka zhvilluar një vizitë në Kishën Ortodokse në Kavajës këtë të diel, ku ka uruar të gjithë besimtarët për festën e Pashkës.
Gjatë fjalës së tij, lideri i opozitës, Sali Berisha ka deklaruar se, qeverisja e re pas 11 Majit do të ketë dy prioritete për komunitetet fetare, e para është dyfishimi i fondit për ta dhe e dyta, rikthimi i pronave të tyre, që deri më tani janë abuzuar dhe grabitur.
Në vizitën e kryer këtë të diel për kremtimin e Pashkës në Kavajë, kreu i PD, Sali Berisha vlerësoi figurën dhe kontributin e imzot Anastas Janullatos, duke e cilësuar atë si një prej personaliteteve më të shquara të besimit, dijes dhe përkushtimit në shërbim të Shqipërisë.
Berisha theksoi se Janullatosi ishte një “burrë vigan dhe meshtar vigan”, i cili me përkushtim të rrallë e ngriti nga hiri Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, duke fituar respektin dhe dashurinë e besimtarëve shqiptarë.
Në vijim të fjalës së tij, krydemokrati Sali Berisha u ndal edhe te kontributi historik i komunitetit arumun në Rilindjen dhe Pavarësinë Kombëtare, duke përmendur emra dhe figura të shquara si Aleksandër Moisiu dhe mbështetjen e komunitetit vllah në Bukuresht ndaj Ismail Qemalit.
FJALA E PLOTE:
Një për Ju dhe një për fitoren e 11 Majit!
Të gjithë besimtarëve ortodoksë të Shqipërisë dhe të Kavajës, Gëzuar!
Jam shumë i nderuar dhe gëzuar që jam sot këtu tek Ju.
Histori ringjallje e plotë, pas Krishtit mbret, besimet fetare kanë Ringjalljen e dytë në Shqipëri. Kjo është e vërteta dhe meritat tuaja janë shumë të mëdha.
E ngritët nga hiri në kushte shumë të vështira. Themi atë që është, sepse psikologjia ateiste është psikologjia më fatkeqe e njeriut, e cila e përjashton njeriun nga disa shtylla bazë të ndërgjegjes njerëzore.
Kështu që përkushtimi ndaj Zotit dhe ndaj njeriut bëri që këto institucione të ngrihen nga shkrumbi dhe janë një faktor shumë i fuqishëm sot, pikërisht jo vetëm, padiskutim në ushqimin shpirtëror dhe në mësimet e librave të shenjtë të Zotit, por janë një faktor i fuqishëm edhe në atë që ne e quajmë dhembshuri njerëzore.
Pasi kudo, dora e tyre, dora e kishave, dora e xhamive, e teqeve, tek ata që janë në gjendjen më të pamundur, është reale në të gjitha mundësitë.
Unë e kam deklaruar edhe më përpara, ajo që ne do bëjmë, dy gjëra, do përpiqemi dhe do i bëjmë.
Së pari do të dyfishojmë fondin që kemi për komunitetet fetare, fondin buxhetor. Ne e patëm vendosur në atë kohë në buxhet një fond për komunitetet fetare dhe këtë fond e ndanin vetë në komitetin e tyre.
Por ky fond ka mbetur aty ku ishte dhe ne do e dyfishojmë atë, se është e domosdoshme të dyfishohet.
Së dyti, brenda këtij mandati që vjen në rast se qytetarët shqiptarë votojnë, ne do të zgjidhim përfundimisht problemin e pronave me përparësi absolute për institucionet fetare, por edhe për të gjithë shqiptarët.
Ne kemi marrë angazhim që në 4 vitet që vijnë, çështja e pronave të marrë përgjigje përfundimtare, duke angazhuar kështu të gjithë potencialin që ka qeveria në të gjitha aspektet financiare, rikthime fizike, kompensime fizike, por shoqëria duhet të ndahet nga ato padrejtësi të krijuara, shumë të mëdha.
Vazhdojnë dhe sot, dhe për fat të keq dua ta them, që pronat e komuniteteve fetare janë viktimat e para. Ato i kanë plaçkitur, i kanë grabitur, por ne do të qëndrojmë 100% me vendosmërinë më të madhe.
Ne e kemi çështjen e zgjidhjes së pronave dhe të të përndjekurve politikë, duhet me çdo kusht që shoqëria të ndahet nga ato padrejtësi që janë bërë në të shkuarën.
Të bëhet e drejta, të bëhet ligji që i njeh.
Unë kam mirënjohje të pakufishme për ju.
Ne komb me shumë probleme, por një thesar e kemi të paçmuar, edhe këtë thesar të paçmuar e kemi në radhë të parë në sajë të mençurisë, shpirtmadhësisë të udhëheqësve fetarë të cilët prijnë drejt tolerancës, mirëkuptimit, bashkëpunimit dhe kjo në fakt, ka dhe kombe të tjera që kanë disa besime, por askund më në harmoni se në Shqipëri nuk janë.
Një harmoni natyrale, native.

***
At Jani!
Kërkesë shumë e drejtë dhe komunitet vllah, arumunët janë një komunitet historik, një histori me bashkëpunimin më të shkëlqyer me shqiptarët. Me kontributin më të madh në Rilindjen Kombëtare.
Janë penat dhe mendjet e tyre, ato që kanë një kontribut thelbësor në rilindjen tonë.
Ky komunitet ka një kontribut tjetër të jashtëzakonshëm në pavarësinë kombëtare, sepse në
fakt ishte komuniteti i tyre në Bukuresht, që Ismail Qemalin e bindi se duhej të shpallej pavarësia pa asnjë protektorat tjetër dhe ka ndenjur aty disa ditë.
E jo vetëm kaq, por për koincidencën e kohës, kryeministri rumun i asaj kohe ishte me origjinë nga Voskopoja dhe ai i dha Ismail Qemalit çekun me gjysmë milionë franga ar.
Ai u nis nga Komiteti Stambollit, por e kishin pasigurinë se dalja jashtë ombrellës së perandorisë mund të na vërsuleshin, por Austro-Hungaria, se ajo u bë mbështetësja e vetme reale e pavarësisë tonë, dhe ky komunitet me njerëz të shquar, figura të shquara në Bukuresh dha një kontribut thelbësor.
Por të kthehemi tek i Kavajës, i ka dhënë gjeniun e të gjitha kohërave të skenës botërore, Aleksandër Moisiun.
Në fakt, e thashë dhe më parë, po të shkojmë në Frashër rrënjët i kemi të përbashkëta aty. Po të lexoni Sami Frashërin, vetëkuptohet se çfarë simbioze, harmonie ka mes shqiptarëve dhe komunitetit arumun.
Ndaj dhe kjo që kërkon At Jani, duhet ta plotësojmë dhe mundësisht ku të plotësohet të më ftoni dhe mua të jem i pranishëm se, ky komunitet e meriton ti nderojmë me më shumë, sepse Kavajës i takon.
Ndonjëherë, pse del dikush prej nesh sikundër nuk duhet, Enver Hoxha nuk ishte vllah, shqiptar, por edhe një Enver Hoxhë tjetër del si puna e tij, këto janë punët e Zotit.
Ju siguroj dhe kam patur edhe ruaj konsideratën më të lartë për udhëheqësin e Kishës Autoqefale Shqiptare, Anastas Janullatos, kontributin e tij të jashtëzakonshëm.
Ai ishte një burrë vigan, ai ishte një meshtar vigan.
Ai e nisi misionin në kushtet më të vështira se kushdo tjetër, por nuk u mposht kurrë për të
mbetur një misionar dhe për tu nderuar sot e gjithë kohërat për atë kontribut të jashtëzakonshëm që ka dha në ngritjen e kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
Që në fillim, imzot Anastas Janullatos, pushtoi zemrat e besimtarëve shqiptarë, respektin e madh të tyre dhe ngriti kishën nga hiri, e ngriti atë me të gjithë infrastrukturën e saj, me të gjithë veprimtaritë e saj dhe ai u nda nga jeta si një misionar i madh, që i bëri nder kishës, Zotit, por dhe kombit shqiptar.
Kështu që ne mbetemi gjithnjë borxhli dhe mirënjohës ndaj kontributit të tij.
Ai i meritonte të gjitha nderimet dhe vlerësimet, sepse ai ishte një burrë vigan, intelektual vigan. Ishte një akademik që nderonte Shqipërinë, kishën.