N/Kryetari i PD dhe deputeti Oerd Bylykbashi: Asnjë “lustracion” nuk ia heq Ramës njollën Mcgonigal nga duart!

Edi Rama është pushtuar nga ankthi si Makbethi. Sot ka sjellë me firmën e Taulant Ballës ndryshime në ligjin e Dekriminalizimit. Me këtë gjoja do të bëjë lustracionin e ishbashkëpuntorëve të Sigurimit.

Dy janë qëllimet e dukshme:

1- zhurmë që të tërheqë debatin nga skandali McGonigal që po i merr frymën si lak në fyt.

2- të përdorë ligjin si armë për të penguar kundërshtarët duke sajuar dosje.

A duhet lustracion? PO, duhet pa diskutim!

Për këtë ne si PD kemi paraqitur ligj të plotë, të veçantë e në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias. Ndërkohë amendamentet e Ballës janë sa tinzare, aq edhe antikushtetuese.

Pse nuk mund të futen rregulla lustracioni tek ligji i Dekriminalizimit? Sepse ligji i Dekriminalizimit kërkon nëse për një kandidat në zgjedhje ka ose jo një vendim gjykate që e dënon për krim.

As KQZ, as Prokuroria e asnjë organ kompetent sipas ligjit, nuk ka të drejtë të gjykojë nëse duhet dënuar për krim kandidati dhe sa duhet dënuar ai, sepse këtë e ka bërë tashmë gjykata. Prokuroria vetëm konfirmon që ka një vendim gjykate dhe se sa është dënimi. Më pas KQZ aplikon ndalimin për t’u zgjedhur apo heqjen e mandatit, sipas rasteve që ka ligji.

Propozimi i Ballës i jep të drejtën Autoritetit të Dosjeve që të konstatojë nëse dikush ka dosje apo jo. Kaq mjafton për t’i hequr dikujt të drejtë që të zgjidhet. Menjëherë më pas KQZ nuk e regjistron individin në zgjedhje.

Finese prej Lukashenkoje.

Komisioni i Venecias kërkon që autoriteti kompetent të ketë pavarësi reale. Duhet që ai të nxjerrë një vendim quasi-gjyqësor, me proces të rregullt, ku pala e interesuar të marrë pjesë e të paraqesë prapsimet e saj. Pra jo thjesht konstatim a ka apo jo dosje, me dyer të mbylluara e me kërkesë anonime. Pra propozimi i Ballës nuk i afrohet as komisioneve Mezini e Bezhani të viteve ‘90.

Komisioni i Venecias më pas kërkon që vendimi i autoritetit t’i nënshtrohet patjetër shqyrtimit gjyqësor. Ballës as që i kalon nëpër mend kjo kërkesë e detyrueshme. Finesë kushtetuese e tepërt për të.

Ligji i Dekriminalizimit nuk ka as strukturë e as proces që të përmbushë këto detyrime. Ai që kandidon sot e di nëse ka një vendim gjyqësor që e denon për një krim. Ndaj kur kandidon e bën vetëdeklarim, nuk ka çfarë pret që një organ tjetër të vendosë.

Me propozimin e Ballës, ai që kandidon duhet të presë deri sa të shprehet Autoriteti i Dosjeve. Afati që një kandidat dorëzon kërkesën për regjistrim në KQZ është 50 ditë para zgjedhjeve, ndaj nëse Autoriteti vonohet “se ashtu ishte një punë”, kundërshtarët e Ramës mund të mos regjistrohen në zgjedhje. Kjo e kthen në mjet shumë të rrezikshëm për liritë dhe të drejtat kushtetuese ligjin e Dekriminalizimit.

Me projektligjin e lustracionit të paraqitur prej nesh, PD-së, kjo nuk ndodh sepse pa mbaruar i tërë procesi, përfshirë ai gjyqësor, askush nuk pengohet, siç kërkohet nga Komisioni i Venecias. Ama pasi të vendosë edhe gjykata, ai ndalohet për një afat të caktuar.

Këtu del një shkelje tjetër. Lustracioni duhet te jetë një masë e përkohëshme, pra edhe ligji duhet te ketë afat të shkurtër zbatimi, me arritjen e të cilit vetëshfuqizohet. Ky është standarti europian. Ama me ndryshimet që do Rama, këto kufizime në të drejtën për t’u zgjedhur janë pa afat sepse ligji i Dekriminalizimit nuk është ligj me afat. Kjo është shkelje tjetër në propozimin e PS.

Propozimi i PS ndalon kandidimin për këdo për të cilin gjendet një dosje, pa marrë parasysh që dikush mund të jetë rekrutuar jo nga zelli për t’i sbërbyer Partisë, por me dhunë e presion, siç e kishte praktikë Sigurimi. Ndërkohë ligji i Dekriminalizimit bën dallim proporcional mes kriminelëve. Ndalimet për ta nuk janë njësoj si për një krim të zakonshëm ashtu edhe për një krim të rëndë. Komisioni i Venecias dhe Kushtetuta jonë kërkojnë proporcionalitet, po ku pyet Rama për këto “vogëlsira”!

ODIHR ka rekomanduar me forcë në raportin për zgjedhjet e 2021, se kufizimet e të drejtës për t’u zgjedhur kur nuk ka një vendim përfundimtar dënimi duhen hequr, sepse bien ndesh me parimin e prezumimit të pafajsisë. Kjo sepse në ligjin e Dekriminalizimit kur dikush është ende nën hetim e gjykim për një krim të rëndë në një shtet të BE, SHBA, Kanada apo Australi dhe për të është dhënë nga gjykata një masë arresti (pra gjykata ka parë disa prova për rrezikshmërinë e personit), apo kur një person është dëbuar në lidhje me një krim të rëndë apo sepse përbën rrezik (psh. terrorizëm), sipas ligjit ndalohet të kandidojë edhe pse është ende i padënuar. Parlamenti, pas rekomandimeve të ODIHR, ka detyrim të heqë këto kufizime nga ligji i Dekriminalizimit.

Ndërkohë propozimi i Ballës e rëndon gjendjen në shkelje të rekomandimeve të ODIHR dhe parimeve kushtetuese sepse shton një kufizim edhe më të rëndë pa vendim gjykate.

Të vendosësh rregulla për kufizimin e të drejtës së kandidimit një muaj para afatit për t’u regjistruar kandidatët (afati është më 26 mars 2023), është një shkelje brutale e standarteve të OSBE dhe Këshillit të Europës për zgjedhje demokratike. Këto dy organizata kërkojnë që legjislacioni zgjedhor (ligji i Dekriminalizimit bën pjesë në të), të jetë stabël në mënyrë që garuesit të dijnë paraprakisht dhe kohë përpara zgjedhjeve, cilat janë rregullat e lojës. Ndaj këto organizata kërkojnë që ndryshimet të mos bëhen më vonë se 1 vit para zgjedhjeve.

Me propozimin alla-Balla, jo vetëm që këto ndryshime diskutohen e votohen një muaj para regjistrimit të kandidatëve, por nëse miratohen, mijëra kandidatëve mund t’i duhet të presin vendimin e Autoritetit edhe pasi të jetë printuar fleta e votimit dhe më pas të shohin që nuk garojnë dot “se kishte shumë ngarkesë Autoriteti”. As Lukashenko nuk e bën dot kaq trashë.

Rama kërkon të mos ketë garë në zgjedhje. Për të nuk ka rëndësi a e bën këtë duke bërë pazar me liderin e opozitës, duke e kapur peng, duke korruptuar McGonigal që ky të nisë hetim FBI-je kundër opozitës, duke e shtyrë opozitën të mos hyjë në zgjedhje, me nongratllëqe, duke përçarë grupin parlamentar të PD, duke përdorur gjykatën që të mbajë peng PD-në apo fundja me një projektligj antikushtetues si ky që propozon Balla. Qëllimi justifikon mjetin, qoftë qëllimi apo mjeti i pisët apo antikushtetues.

Ky projektligj antikushtetues kërkon 84 vota. Rama, që në zgjedhje mori vetëm 74 vota, po kacavirret me thonj e pa asnjë skrupull drejt këtij numri “magjik” që e bllokon në rrugën drejt një pushteti absolut. Ai sot nuk i ka 84 votat që i duhen. Të votosh sot kundër këtij projektligji mbron të drejtën e zgjedhjeve.

Shpejt do të vijë për votim projektligji i PD-së për Lustracionin, sipas rekomandimeve te Komisionit të Venecias dhe me garancitë e nevojshme kushtetuese. Ai merret së pari me xhahilët e komunizmit, gjyqtarët, prokurorët, hetuesit, drejtuesit e Sigurimit dhe të policisë komuniste, përveç bashkëpuntorëve të Sigurimit. Le t’ë shohim a do t’a votojë Rama ligjin e vërtetë të Lustracionit që të bëhen 84 votat.

Rama do të bëjë çdo piruetë mbi akull të hollë apo do të kacavirret në xham, që të shmangë vëmendjen nga skandalet. Kjo tentativë, në çdo rast, nuk ia liron kordën “McGonigal” nga fyti!

https://m.facebook.com/story.php?story_fbid=pfbid02m7BFs1oxZoRRigPJ6Nbc8K5cVkcK83n5EgFLJzs5UXzoJRPY9F2P2b4dEcu5iJCl&id=100064499994466&mibextid=Nif5oz

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale