Mustafaj: Ju jeni pengesa e fundit e Edi Ramës. Ju mbani trysninë mbi një qeveri e cila ka instaluar tashmë plotësisht Sistemin e Konfuzionit të Përhershëm në Shqipëri

FJALA E DREJTUESIT TË DEPARTAMENTIT TË BRAIN GAIN NË PD, ANDI MUSTAFAJ

Të nderuar demokrate dhe demokratë,
Unë jam Andi Mustafaj, kam nderin të drejtoj punën e anëtarëve të Departamentit Brain Gain dhe Ekselenca të cilët i falënderoj përzemërsisht për angazhimin e tyre kudo që ndodhen në botë dhe veçanërisht ata me të cilët u ngujuam me 30 Dhjetor duke nisur pa asnjë hezitim betejën kundër arrestimit të paligjshëm dhe antikushtetues të Kryetarit të Opozitës.
Në protesta kam një jetë por është hera e parë që marrë fjalën në një prej tyre. Në mesin tuaj që kur isha i vogël, lëvizja brenda turmës herë për të parë folësit në podium e herë për ti shpëtuar shkopit të policisë që na sulmonte.
I mbaj mend fytyrat tuaja të cilave as kalimi i viteve dhe as lodhja e betejave të shumta nuk ua kanë rrudhur shkëlqimin. Ky shkëlqim rrezaton edhe tek të rinjtë dhe atyre më pak të rinj që i janë bashkuar Partisë Demokratike në rrugëtimin e saj.
Ndjeja dhe ndjej një krenari të madhe që jam njëri prej jush ndaj sot dua që ky fjalim të jetë për ju.
Propaganda denigruese e regjimit tenton t’ju paraqes si një grup tifozësh pa identitet, pa vullnet. Tenton të bëj çdo gjë që t’ju ul përballë gjykimit të opinionit publik por ju përsëri jeni këtu, të palëkundur, dhe kjo do të thotë shumë për Shqipërinë. Do të thotë se ka shpresë.
Regjimi mundohet t’ju ul sepse ju përfaqësoni çdo gjë që ata nuk përfaqësojnë, ju përfaqësoni arritjet më të mëdha të Shqipërisë moderne.
Lirinë nga komunizmi, daljen nga mesjeta institucionale, integrimin në Nato, lëvizjen e lirë pa viza, daljen nga tmerri i gjeneratorëve nëpërmjet pavarësisë energjetike, liberalizimin e internetit dhe telefonisë celulare që të mos çonim më zile, shoqërimin e Kosovës drejt pavarësisë, arrestimin e bandave kriminale, anëtarësimin në Këshillin e Europës, lulëzimin e sipërmarrjes private nëpërmjet taksave të ulëta dhe thjeshtëzimin e procedurave administrative, mbrojtjen e trashëgimisë kulturorë nëpërmjet UNESCOS.
Ju, jeni pengesa e fundit e Edi Ramës. Ju mbani trysninë mbi një qeveri e cila ka instaluar tashmë plotësisht Sistemin e Konfuzionit të Përhershëm në Shqipëri.
Një qeveri e cila duket se u ka prerë gjuhën, u ka qëruar sytë, u ka mbyllur veshët atyre që e ndjekin, të cilët nuk kanë një kritik të vetme ndërkohë që institucionet e vendit bien njëra mbas tjetrës, që rinia emigron në mënyrë masive, që bandat lëvizin lirshëm, që kriminelët bëhen deputetë, ministra, zëvendës kryeministra, kryetar bashkie.
Në Shqipëri sot ekziston vetëm ndjenja e lirisë sepse gjithandej ku liria vlen, ku shprehet me vendime që kanë pasoja mbi jetën dhe të ardhmen e vendit, liria është zhdukur dhe tjetërsuar. Ndarja e pushteteve dhe demokracia nuk janë me veçse iluzione.
Situata është e tillë saqë ne nuk duhet të kemi komplekse në betejën që bëjmë. Ne besojmë tek drejtimi nëpërmjet shembullit. Duhet të bëjmë atë që bëjnë të huajt dhe jo atë që thonë. Dhe ata nuk kanë asnjë kompleks në mbrojtjen e idealeve dhe parimeve të tyre. Në Francë, përpara dy ditësh, fermerët kanë hedh mbi një prefekturë pleh të cilit i kanë vendosur zjarrin dhe askush nuk mbajti fjalime si ato që dëgjojmë në Shqipëri kur Partia Demokratike manifestoi në parlament, jo për qejfin e saj por të garantuar të drejtat kushtetuese të qytetarëve që përfaqëson.
Ju nuk jeni këtu për një person, por për atë që ai person përfaqëson në historinë e Shqipërisë dhe në betejën e sotme për demokracinë. Ju nuk jeni këtu për vetëm veten tuaj por për të tjerët, për idealet e demokracisë që shpresojmë të shohim në vendin tonë. Për këtë meritoni respektin dhe mirënjohjen e gjithë Shqipërisë.
Do jenë demokratët nesër që do i bëjnë ballë bandave në fushata elektorale, dhunës dhe aparatit shtetëror, do jenë demokratët që do luftojnë duke marrë rreziqe të mëdha për të garantuar shprehjen e lirë të vullnetit të shqiptarëve, edhe atij të së famshmit elektorat gri.
Sfida e parë e Partisë Demokratike, ndoshta më e rëndësishmja në fakt, jeni ju, demokratët në mbarë Shqipërinë. 10 vjet kundër një regjimi që ka ardhur vetëm duke u ashpërsuar janë shumë. 8 vite ku kemi parë drejtuesin e mëparshëm të braktis kauzat e mëdha dhe bashkë me to të na braktis ne, që besojmë tek Partia Demokratike, janë shumë.
Duhet të ri gjejmë veten, të rregullojmë marrëdhënien që kemi me njëri tjetrin. Të jemi më tolerant ndaj gabimeve, më dashamirës dhe më frymëzues. Rreptësia që kemi ndaj vetes është në nderin tonë sepse tregon nivelin e lartë të përgjegjësisë që demokratët ndjenjë ndaj vendit por është kthyer kundër nesh nga një propagandë e pareshtur e cila ka arritur edhe të kompleksoj disa demokratë.
Puna duhet të ngrihet mbi 3 shtylla që edhe përfaqësojnë fizionominë e veprimtarisë sonë politike dhe që mundësojnë që çdo anëtarë i PD të gjej mënyrën e veprimit që i përshtatet karakterit të vet.
Shtylla e parë, është padyshim ajo që Partia Demokratike bën më mirë dhe që duhet të vazhdoj ta bëj. Përballja me regjimin, denoncimin e skandaleve, mos lënia e asnjë sekondë qetësie Rilindjes kriminale. Kjo shtyllë u tregon qytetarëve shqiptarë vendosmërinë tonë për të luftuar të keqen që na ka pllakosur.
Shtylla e dytë, është lidhja me qytetarët në terren forma më e bukur e së cilës u jetësua gjatë procesit të foltores. Nuk mund të presim gjithmonë që Zoti Berisha ta gjallërojë këtë lidhje. Na takon të gjithëve të jemi mbartës i një copëz të kësaj përgjegjësie. Në katër cepat e Shqipërisë duhet që të takojmë bashkëqytetarët tanë, të krijojmë një lidhje të re dhe te veçantë me ta duke u bazuar mbi një Hartë kombëtare dhe lokale të problematikave të tyre, si udhërrëfyes dhe plan beteje për çdo demokrat.
Disa në përballje, disa në terren me qytetarët dhe disa së fundmi, shtylla e tretë në prodhimin e ideve. Në Departamentin Brain Gain jemi munduar të jemi forcë propozuese dhe përfitoj nga rasti për t’ju falënderuar për pritjen e ngrohtë që u keni bërë në çdo rast anëtarëve të Departamentit që kanë marrë fjalën në këtë protestë.
Kemi punuar mbi të shkuarën nëpërmjet Librit të Punëve të Mira të PD, kemi punuar mbi të tashmen me projektin Në kërkim të Simboleve dhe do fillojmë së shpejti për të punuar për të ardhmen. Për të menduar Modelin shqiptar për Shekullin shqiptar.
Modeli shqiptar për të dal nga skema e Rilindjes ku ligjet kopjohen, përkthehen apo i besohen inteligjencës artificiale pa pasur asnjë lidhje me vendin dhe kulturën. Kjo filozofi ka krijuar një ndarje të thellë midis letrës dhe jetës, midis ligjeve dhe përjetimeve. Ne duhet të ndërtojmë shtetin që na ngjan, i fortë, bujar, krenar.
Shekulli shqiptar për një Shqipëri ambicioze dhe rrezatuese, jo më viktimë e krimit dhe drogës. Një Shqipëri me një vizion të ri të marrëdhënies me ekselencën shpërndarë në katër anët e botës, mbështetur mbi një turizëm cilësor dhe jo masiv, një rinie e integruar në shërbimet dhe teknologjinë.
Ju faleminderit.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale